Gjykimi për stentat | Foto: KALLXO.com

Rasti “Stenta” Rrezikon të Dështojë që në Fillim

Megjithatë, ky hap i ndërmarrë rrezikon gjithë rregullsinë e rastit. Madje, mund të bëhet shkaktar që ky rast të zvarritet pafundësisht.

Në qershor të vitit të kaluar Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përhershëm të kësaj Ministrie, Gani Shabanit dhe 57 personave fizikë, kryesisht mjekë dhe 4  personave juridikë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Numri i madh i të akuzuarve, materialet e shumta, numri i madh i dëshmitarëve, nacionaliteti i huaj i disa prej të akuzuarve, bënë që qysh në fillim të ketë skeptikë që thoshin se ky rast do të ketë vështirësi të gjykohej.

Ashtu edhe ndodhi. Shumë vështirësi përcollën këtë rast që në fillim.

Përkundër se aktakuza ishte ngritur në qershor 2016, për arsye të ndryshme, duke filluar nga mungesa e të akuzuarve, ndërrimi i disa prokurorëve, mungesa e provave në gjuhën amtare për të akuzuarit që nuk flasin shqip dhe rrethana të tjera bënë që as seanca fillestare të mos mund të mbahej.

Mungojnë të Akuzuarit, Lexohet Aktakuza

Gjyqtarja e këtij rasti, Shadije Gërguri, në seancën e mbajtur më 19 maj, duke dashur që t’u japë fund këtyre vonesave, urdhëroi prokuroren Florije Salihu-Shamolli që të bëjë leximin e aktakuzës. Disa prej avokatëve kundërshtuan këtë veprim me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore por nuk u morën parasysh.

Aktakuza u lexua dhe të akuzuarit që ishin të pranishëm u deklaruan rreth fajësisë përkundër se disa prej tyre thanë se nuk e kanë kuptuar aktakuzën.

Veprimi i gjyqtares Gërguri për të lexuar aktakuzën në seancën fillestare do të ishte veprimi i duhur dhe i drejtë krejt kjo sikur në seancë të ishin plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e seancës.

Në seancën e 19 majit munguan dy prej të akuzuarve, Murat Abazi dhe Hajdin Çitaku. Ndërsa, pasi u lexua gjysma e aktakuzës, Abazi u paraqit në gjykatore.

http://kallxo.com/dy-te-akuzuar-mungojne-ne-rastin-stenta/

Megjithatë, përkundër dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe vërejtjes së disa prej avokatëve, kjo nuk u bë pengesë që të lexohej aktakuza.

Gjyqtarja Gërguri tha se për ata që janë të pranishëm në seancë aktakuza do të lexohet ndërsa për dy të akuzuarit që mungojnë do të caktojë një seancë tjetër, krejt kjo pa veçuar procedurën për ata që mungojnë.

Kodi i Procedurës  Penale të Kosovës në nenin 245 shprehimisht ka rregulluar çështjen se kush duhet të jetë në seancë.

“Gjatë shqyrtimit fillestar duhet të jenë të pranishëm prokurori i shtetit, i pandehuri apo të pandehurit dhe mbrojtësit”, përcaktohet në paragrafin e kësaj dispozite, ndërsa nga formulimi i dispozitës shihet se prezenca e personave të përmendur në këtë dispozitë në seancën fillestare është e detyrueshme.

Se seanca nuk duhet të mbahej në ato kushte thotë edhe njëri nga avokatët mbrojtës të këtij rasti, Arianit Koci.

Çfarë Parasheh Kodi i Procedurës Penale

“Menjëherë në atë seancë e kam ngritur si çështje faktin se dispozitat e Kodit të Procedurës Penale në mënyrë eksplicite kërkojnë që gjatë shqyrtimit fillestar duhet të jetë i pranishëm prokurori i shtetit, i pandehuri apo të pandehurit dhe mbrojtësit. Kjo dispozitë nuk i ka lënë fare diskrecion gjykatës”, tha Koci për KALLXO.com.

Koci më tej tha se i ka propozuar Gjykatës që seanca të shtyhet apo të veçohet procedura ndaj të akuzuarve që mungonin konform nenit 36 të Kodit të Procedurës Penale por nuk është marrë parasysh.

“Korpusi ynë penal nuk njeh gjykimin në mungesë, duke e përfshirë edhe shqyrtimin fillestar dhe shqyrtimin e dytë. Përkundër kundërshtimeve tona aktakuza është lexuar dhe të akuzuarit e pranishëm janë deklaruar lidhur me fajësinë”, tha avokati.

Dispozitat e Kodit të Procedurës Penale përpos që kanë paraparë personat që duhet të jenë të pranishëm kanë paraparë edhe pasojat e plotësimit të këtyre kërkesave ligjore.

Në nenin 384 të Kodit të Procedurës Penale janë paraparë shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Pika 1.3 e paragrafit 1 të këtij neni parasheh se shkelje esenciale e dispozitave të procedurës penale konsiderohet nëse mungon ndokush prezenca e të cilit duhet të jetë.

“Shqyrtimi gjyqësor është mbajtur pa personat, prania e të cilëve në shqyrtim gjyqësor kërkohet me ligj, ose kur të akuzuarit apo mbrojtësit, pavarësisht nga kërkesa e tij, i është mohuar përdorimi i gjuhës së vet në shqyrtim gjyqësor dhe përcjellja e zbatimit të shqyrtimit gjyqësor në gjuhën e tij”, thuhet në Kodin e Procedurës Penale.

Kjo dispozitë edhe sipas shpjegimeve të dhëna në Komentarin e Kodit të Procedurës Penale kërkon që të akuzuarit dhe mbrojtësit të jenë të pranishëm përpos nëse është veçuar procedura ndaj tyre sipas nenit 36 të Kodit të Procedurës Penale.

Pra ndonëse seanca e 19 majit u mbajt dhe aktakuza u lexua dhe të akuzuarit e pranishëm u deklaruan, ky gjykim qysh në hapin e parë procedural rrezikon tërë ecurinë e tij.

Çfarëdo që të jetë epilogu i shkallës së parë të këtij gjykimi dhe kurdo që të ndodh kjo, secili nga avokatët mbrojtës mund të atakojë aktgjykimin e shkallës së parë në një shkelje të tillë.

Rreziku që Rasti të Mos Marrë Asnjëherë Epilog

Duke ditur numrin e madh të dëshmitarëve, të dëmtuarve, numrin e madh të akuzuarve dhe të gjitha rrethanat tjera të këtij rasti, e gjithashtu duke pasur parasysh kohëzgjatjen e rasteve shumë më pak të komplikuara, nuk është aspak joreal rreziku se ky rast asnjëherë nuk do të marrë epilog përfundimtar, e të mos parashkruhet apo të mbetet në sirtarët e harresës së gjykatës.

Në këtë aktakuzë janë përfshirë gjithsej 59 persona fizikë dhe 4 persona juridikë. Prej të akuzuarve janë 44 mjekë dhe një infermier të punësuar në institucionet publike shëndetësore, si dhe 13 persona që kanë punuar ose punojnë në institucionet private shëndetësore, ku një numër prej tyre janë udhëheqës ose aksionarë të këtyre institucioneve private shëndetësore.

Ferid Agani dhe Gani Shabani akuzohen për keqpërdorimi të pozitës zyrtare.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore, për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës ashtu që në vend që të lejoheshin pagesat deri ne 70% të shpenzime për trajtim mjekësor, të njëjtit lejuan pagesat prej 100 % edhe për rastet kur nuk ishin plotësuar kushtet ligjore, pra për rastet kur pacientët nuk ishin invalidë të luftës ose raste sociale.

Të gjithë të akuzuarit e pranishëm  janë deklaruar të pafajshëm.

http://kallxo.com/ish-ministri-e-doktoret-deklarohen-te-pafajshem-per-stentat/

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht rreth këtij rasti dhe raportet mund t’i gjeni në këtë link.