Gërmadhat e shtëpisë së Radovan karaxhiq në fshatin e lindjes, Petnjica në Mal të Zi

Radovan Karaxhiq Mbetet Hero në Fshatin e Lindjes

“Radovani është njeri i mirë. Ai bëri atë që të gjithë ne do të kishim bërë për të mbrojtur shokët tanë serbë,” tha për BIRN Simeon Karaxhiq, kushëriri i ish-liderit serb të Bosnjës.

Një pensionist 65-vjeçar, Simeoni jeton në fshatin e vogël Petnjica të Malit të Zi, ku Radovan Karaxhiqi lindi dhe ku të afërmit e tij thonë se vendimi i kësaj jave në Gjykatën e Hagës thjesht do t’u tregojë atyre atë që ata tashmë e dinë – se në gjykata e OKB-së u ngrit për të ndëshkuar serbët.

Petnjica është një fshat i izoluar në malet perëndimore të Malit të Zi, rreth 110 kilometra nga kryeqyteti Podgoricë. Këtu Karaxhiçi është një hero vendas, një djalë i zgjuar fshat i cili shkoi në qytet dhe eci përpara në jetë.

Gjykata e Hagës do të vendosë të enjten nëse Karaxhiqi ishte përgjegjës për organizim të gjenocidit të boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995 dhe në shtatë komuna boshnjake në vitin 1992, persekutim të jo-serbëve në të gjithë vendin, terrorizim të popullsisë së Sarajevës së rrethuar dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Prokurorët kanë kërkuar burgim të përjetshëm për atë që një prej gjyqtarëve të Gjykatës së Hagës e quajti “skena egërsie të paimagjinueshme, vërtet skena nga ferri, të shkruara në faqet më të errëta të historisë”.

Por banorët në Petnjica të vërtetë nuk duan të flasin për këtë. Ata bien dakord me Karaxhiqin, për të cilin këmbëngulin që është i pafajshëm.

“Ajo që thonë ata është shumë lënduese,” ankohet Simeon, duke refuzuar të dëgjojë për akuzat kundër njeriut që ai e kujton kur luante si fëmijë.

‘Spiunë’ dhe gjurmues

Të gjithë në fshat mbajnë mbiemrin Karaxhiq dhe asnjë prej tyre nuk është i lumtur të presë gazetarë. Simeon thotë se vendasit janë “lodhur nga ata”.

Dhjetëra gazetarë kanë vizituar fshatin, i cili ka vetëm disa shtëpi – nga të cilat vetëm tre janë të banuara në mënyrë të përhershme.

Shumica e fshatarëve refuzojnë të flasin për historinë e kohës së luftës të ish-liderit serb të Bosnjës. Disa thanë se nuk ishin të sigurt nëse gazetarët që vinin aty ishin vërtet gazetarë apo agjentë sigurimi për shkak të shumë zyrtarëve të zbatimit të ligjit që erdhën në Petnjica gjatë kohës që Karaxhiqi ishte në arrati për më shumë se 12 vjet.

Për shumë kohë, qarkulluan fjalë se ai ishte fshehur në një shpellë në malet pranë fshatit, kështu që policia malazeze e vizitonte shpesh zonën deri në vitin 2008, kur ai u arrestua në Beograd.

“Disa prej tyre vinin, sepse donin 5 milion dollarët që ishin ofruar për kokën e tij nga Shtetet e Bashkuara”, thotë me zemërim një fshatar, duke e identifikuar veten si kushëri i Karaxhiqit, por refuzon të japë emrin e tij.

“Jam krenar që mbaj mbiemrin Karaxhiq. Kjo është një familje fisnike. Ne kemi nxjerrë dukë, dhe luftëtarë, shkrimtarë, heronj,” këmbëngul ai.

Ekipi i BIRN me kushëririn e Radovan Karaxhiqit në fshatin e tij të lindjes
Ekipi i BIRN me kushëririn e Radovan Karaxhiqit në fshatin e tij të lindjes

Biri i një babai të munguar

Radovan Karaxhiç u lind më 19 qershor 1945 në Petnjica, biri i Vuko dhe Jovanka Karaxhiq. Babai i tij ishte në burg gjatë viteve të hershme të jetës së tij, i dënuar për aktivitete gjatë Luftës së Dytë Botërore. Babai i tij kishte qenë një anëtar i çetnikëve, luftëtarë nacionalistë serbë që luftuan kundër pushtuesve nazistë dhe partizanëve komunistë të Titos.

Babai i tij ishte në burg pjesën më të madhe të fëmijërisë së hershme të djalit të tij. Vendasit në Petnjica thonë se Vuko e pa atë për herë të parë kur Radovani ishte pesë vjeç.

Radovani i ri ishte inteligjent, i sjellshëm dhe i bukur, këmbëngul Simeoni: “Ai ishte i bukur si një kokërr molle.”

Nëna e tij, Jovanka Karaxhiq, një herë e përshkroi djalin e saj si besnik dhe punëtor që e ndihmonte atë në shtëpi dhe në fushë. Ajo tha se ai ishte një djalë serioz i cili respektonte të moshuarit dhe ndihmonte shokët e tij në shkollë me detyrat e shtëpisë.

Jovanka vdiq në vitin 2005 dhe u varros në qytetin Nikshiq, ku familja u zhvendos në vitet 1950 dhe ku Radovani dhe dy vëllezërit e tij ndoqën shkollën fillore.

Vëllai i tij Luka ishte një postier në Nikshiq, pastaj u transferua në Beograd në fillim të viteve 1990, kur Radovani, i cili kishte diplomuar në mjekësi dhe punonte si psikiatër, hyri në politikë me Partinë nacionaliste Demokratike Serbe në Sarajevë. Vëllai tjetër Raco ende jeton në Mal të Zi, në kryeqytetin Podgoricë.

Të afërmit e tij në Petnjica tregojnë se ku ndodhte shtëpia ku lindi Karaxhiqi. Ajo tani është një gërmadhë, por pranë saj dhe ende e paprekur gjendet shtëpia e xhaxhait të tij, ku ai kalonte verën kur ishte student.

Radovani donte ta restrauronte shtëpinë, por lufta ia ndërpreu planet e tij, thotë Simeoni.

“E vizitoja shpesh në Sarajevë, flija në apartamentin e tij. Ai i ndihmonte të gjithë aq sa mundte. Sidomos ndërsa punonte në spital,” thotë ai.

karaxhiq2

Poet dhe psikiatër

Në murin e shtëpisë së Simeonit varet një pemë familjare që daton nga viti 1642, me qindra emra.

Ai tregon një personazh kryesor me të cilin kushëriri i tij ka lidhje direkte: Vuk Karaxhiq, një shkrimtar serb i njohur i shekullit të 19-të, i cili hartoi një sistem themelor fonetike të gjuhës serbo-kroate.

“Radovani trashëgoi talentin e tij letrar,” thotë Simeoni. Përveç se psikiatër, Karaxhiqi ishte një edhe një poet profilik. “Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërtuar një vend këtu për një festival ndërkombëtar letrar për Karaxhiqin,” shton ai.

Simeoni tregon gjithashtu një kishëz të vogël të ndërtuar në shekullin e 13-të dhe një varrezë ku janë varrosur vetëm Karaxhiqë.

Por përmend se babai i Radovan Karaxhiqit u izolua nga familja e tij pasi u akuzua për përdhunimin dhe vrasjen e një kushërire, dhe se gjyshi i tij vrau një fqinj duke debatuar për një qe të vjedhur.

Ndoshta për t’i shpëtuar të gjithë kësaj, Karaxhiqi, një student i shkëlqyer, u largua nga Mali i Zi dhe shkoi në Sarajevë.

Ai u vendos në kryeqytetin boshnjak në vitin 1960, ku studioi mjekësi dhe u njoh me Ljiljana Zelen, me të cilën u martua tre vjet më vonë.

Karaxhiqi gjithashtu kërkoi artistë, shkrimtarë dhe intelektualë. Në vitin 1968, pasi u diplomua, kur Evropa ishte kapluar nga revolta studentore, ai udhëhoqi një demonstratë studentore në Sarajevë.

Nga tarraca e departamentit të filozofisë, ai mbajti një fjalim elokuent me tone nacionaliste serbe.

Në vitin 1974, ai fitoi një bursë letrare në Universitetin Kolumbia në Nju Jork, ku mësoi të fliste rrjedhshëm anglisht. Megjithatë, ajo është një gjuhë që ai nuk pranon ta flasë në gjykatën në Hagë. “Nuk do ta mbroj veten me një gjuhë të NATO-s,” ka thënë ai.

Simeoni beson gjithashtu se gjykata në Hagë është e njëanshme në çështjen e saj kundër Karaxhiqit.

“Në çështjen e tij, ata nuk mund të jenë objektiv. Gjykata u shpik për shkak të serbëve. Pse fajësohen vetëm serbët për atë që ndodhi? Vrasje pati nga të gjitha anët,” thotë ai.

Ai thotë se beson se vendimi për të dënuar kushëririn e tij është marrë që para se të fillonte gjyqi. “Vendimi thjesht do të lexohet më 24 mars. Ai është marrë 20 vjet më parë”