Lumi “Sitnica”, në Lipjan || Foto: kallxo.com

Qyteti pa Ujë të Pijes e me Lumenj të Ndotur

Gati gjysma e vendbanimeve në Lipjan nuk kanë fare rrjet të ujësjellësit. 29 vendbanime nga 62 në total sa janë në Lipjan nuk kanë fare rrjet të ujësjellësit. E edhe fshatrat të cilat janë të kyçura në sistem të ujësjellësit, si në fshatin Magurë dhe Janjevë, kanë reduktime të ujit.

Ekipi i KALLXO.com, pas hulumtimit në terren ka vërejtur se fshatrat që janë të kyçur në sistem të ujësjellësit kanë reduktime të ujit.

Mungesa e ujit është vetëm njëra nga telashet që e pret kryetarin që do të zgjidhet në zgjedhjet lokale për të cilat po garojnë 5 kandidatë.

Në mesin e fshatrave që nuk kanë rrjet të ujësjellësit janë edhe: Topliçani, Gracka e Vogël, Kraishta, Zllaku]qani, Krojmiri, Rusinovci, etj. Kjo tregon se Lipjani ka telashe të mëdha me furnizim me ujë.

Ndërkaq, pesë burra nga parti të ndryshme politike kandidojnë për të parin e Lipjanit, ku tre prej kandidatëve për kryetarë veç mbajnë poste politike në këtë komunë. E për çudi, asnjë grua nuk është kandiduar në garë për këtë komunë. Në vlerësimin e popullsisë të bërë në vitin 2012, Lipjani ka 58 mijë banorë rezidentë dhe një buxhet prej 13,1 milionë eurove.

Lipjani ka telashe edhe me kanalizim. 14 vendbanime nuk kanë sistem të kanalizimit. E pjesa tjetër e vendbanimeve, apo 48 fshatra, kanë sistem të kanalizimit, mirëpo ujërat e zeza në fund përfundojnë në lumin kryesor Sitnica. Hulumtimi i KALLXO.com në terren, tregon që gjendja e lumenjve në Komunën e Lipjanit është shumë e keqe: në ta hedhen mbeturina, shtrati i tyre nuk është i pastruar, ndërsa në to vazhdojnë të derdhen ujërat e zeza.

Qytetarët kanë raportuar në KALLXO.com, se në lumin “Janjevka”, në Lipjan, afër gjimnazit “Ulpiana”, del kanalizimi i qytetit dhe banorët e lagjes nuk mund të rrinë në shtëpitë e tyre nga kundërmimi i kanalizimit.

Bërlloku në lumin e fshatit Gadime || Foto: kallxo.com

Sipas GAP-it, edhe pse komuna gjatë këtij mandati ka ndërtuar dy kolektorë për rehabilitimin e ujërave të zeza (kolektori I: Rehabilitimi i Rrjeteve të Kanalizimeve në Fshatrat Kraishtë, Ribar i Madh, Ribar i Vogël, Poturovc, Torinë, Dobrajë e Madhe, Llugë (kolektori përmbledhës), me gjatësi rreth 6,600 metra dhe Kolektori II: Rehabilitimi i Kanalizimit në Fshatin Bujari (kolektor përmbledhës për kanalizimet e Smallushës, Qollapek, Marec, Gllavicë, Llugaxhi dhe Kojskë), me gjatësi 8,000 metra), në mungesë të impianteve derdhja e këtyre ujërave bëhet në lumin “Sitnica”.

Lipjani ka telashe edhe me deponitë ilegale. Ekipi ynë e ka vërtetuar që lumenjtë janë të ndotur sidomos nga mbeturinat të cilat i hedhin vetë banorët. Në fshatin Gadime edhe pse janë ndërtuar muret e shtratit të lumit, ka mbeturina.  Një pjesë e lumit është tërësisht e mbuluar me barishte, ndërsa, pjesa tjetër ku nuk ka barishte është e mbuluar me mbeturina.

Ndërkaq, në Lumin “Sitnica”, ende nuk janë ndërtuar muret e shtratit të lumit. Sipas institutit GAP komuna dhe MMPH-ja kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për financimin e projektit për ndërtimin e shtratit të lumit “Sitnica” në vlerë prej 170,000 eurove.

Arsimi

Komuna e Lipjanit edhe pse ka investuar në ndërtimin e shkollave, vazhdon të ketë probleme në këtë sektor. Ekipi i KALLXO.com, ka gjetur se në shkollën “Ibrahim Krasniqi” në fshatin Smallushë, nxënësit e saj duhet të shfrytëzojnë WC-të jashtë objektit për arsye se WC-të që gjenden brenda objektit shkollor nuk kanë ujë të mjaftueshëm për të mbajtur pastërtinë e tyre.

Gjithashtu në fshatin Topliqan i Ri ose Jeta e Re, shkolla fillore “Vëllezërit Frashëri”, në të cilën vijojnë mësimin nga parashkollor deri në klasën e 5-të, është në gjendje të keqe. Edhe në këtë shkollë problemi qëndron tek banjot të cilat janë pothuajse të shkatërruara. Kjo shkollë nuk ka as sallë të edukatës fizike.

Sipas Komunës së Lipjanit, “8 shkolla kanë salla të sportit, ndërsa shumica e shkollave kanë fusha të hapura sportive”.

Sa u përket çerdheve, Lipjani ka vetëm një çerdhe publike dhe për këto katër vjet nuk është ndërtuar asnjë çerdhe madje as çerdhja multietnike e cila ka qenë marrëveshje bashkëpunimi me organizatën “Rrugëtimi” në kuadër të UNICEF-it.

Infrastrukturë

Në Topliqan të Ri, përveç objektit të shkollës problem ka edhe me asfaltim. Në rrugën “Musë Meta”, nuk ka fare asfalt dhe aty dominon lloçi. Po ashtu, në këtë fshat në rrugën “Rexhep Stublla”, e cila të çon tek shkolla fillore “Vëllezërit Frashëri”, është e paasfaltuar.

Rruga “Rexhep Stublla”, pa asfalt || Foto: kallxo.com

Komuna e Lipjanit kryesisht ka investuar në infrastrukturë, por bie në sy që fshatrat si Kraishtë, Ribar, Smallushë dhe Magurë kanë trotuare dhe ndriçim publik të pjesshëm. Auditori i përgjithshëm ka dhënë vërejtje se Komuna e Lipjanit  ka dhënë tender në vlerë prej 28 mijë eurove pa pasur projekt për  ndërtimin e trotuareve në fshatin Llugaxhi.

Përveç këtyre problemeve, Komuna e Lipjanit ballafaqohet edhe me dëmtim të asfalteve në fshatin Rufc i Ri, përkatësisht ka çarje të asfaltit, shembje të vogla anësore.

Shëndetësi

Për dallim nga komunat tjera, në Lipjan ka gjinekolog, por ka mungesë të besimit të qytetarëve në këtë institucion. Janë dy mjekë gjinekologë-obstetër  për të ndihmuar nënat për lindjen e fëmijëve të tyre. Por, në periudhën janar-shtator në maternitetin e Qendrës së Mjekësisë në Lipjan, sipas drejtorit të QKMF-së, Agim Krasniqi, janë kryer vetëm pesë lindje. Në të njëjtën periudhë shërbime për heqjen e penjve te nënat lehona që kanë kryer lindjen jashtë QKMF-së së Lipjanit arrin në 134 sosh. Pra, numri i lindjeve mund të jetë edhe më i madh, por qytetarët nuk besojnë që në QKMF-në e Lipjanit ka kushte për lindjen e fëmijëve.

Për t’u rritur numri i lindjeve edhe vetë drejtori e pranon se duhet ekip i kompletuar.

“Për rritjen e numrit të lindjeve duhet të kemi ekip të kompletuar me anesteziolog dhe gjinekolog së paku edhe dy, e po ashtu edhe shërbime për shujta të nxehta për lehona. Kushte këto që ofrohen në kujdesin sekondar (spitale), kështu që e tejkalon konceptin e kujdesit primar gjegjësisht konceptin e mjekësisë familjare”, tha ai.

Objekti i Stomatologjisë || Foto: kallxo.com

Hulumtimi i ynë tregon që në gjendje të keqe është edhe objekti i stomatologjisë, në të cilin shpesh ka mungesë të materialeve stomatologjike.

E ambulanca e ndërtuar së fundmi në fshatin Smallushë është funksionalizuar, por mungon interieri i brendshëm dhe mjeku.

Ndërkaq edhe vetë komuna e ka pranuar se ka ankesa kur QKMF, QMF-të dhe  AMF-të kanë mbetur pa material bazik.

“Furnizimi nga MSH me barna dhe material nga lista esenciale e barnave arrin afër 50%, dhe një pjesë rreth 25% i plotësojmë nga të hyrat e komunës për material bazik, laborator dhe material stomatologjik i cili sigurohet komplet nga buxheti komunal. Por plotësimi i nevojave të qytetarëve mbetet vështirë i realizueshëm”, thuhet në përgjigje të komunës.

Ndryshe, Lipjani ka telashe me tepricë të pareve, të cilat nuk kanë mundur që t’i harxhojnë brenda vitit. Auditori thotë se një suficit komulativ prej 757 mijë eurove i të hyrave vetjake nga viti 2016 dhe vite të mëhershme, është bartur në vitin 2017.

“Pasqyra e shpenzimeve të fondeve, krahasuar me kategoritë tjera, nxjerr në pah një nivel pak më të ulët të ekzekutimit të buxhetit tek investimet kapitale (86%). Kjo, për shkak të dështimeve në realizimin e projekteve kapitale sipas planeve dinamike”, thuhet në raportin e auditorit për pasqyrat financiare të Lipjanit për vitin 2016.

Të hyrat vetanake të Lipjanit të realizuara gjatë vitit 2016 kanë qenë 1,1 milionë euro. Ndërsa, nëse i marrim për bazë edhe të hyrat e bartura nga vitet paraprake, sipas auditorit, Lipjani në vitin 2016 i ka buxhetuar 1,6 milionë euro.

Instituti GAP thotë se Komuna e Lipjanit është me numrin më të madh të zonave ekonomike. Komuna e Lipjanit ka të shpallura katër zona ekonomike. Zona Ekonomike Industriale Lipjan – QMI në sipërfaqe prej 87 hektarësh, Zona Ekonomike “Parku Industrial” në Kerqevë në sipërfaqe prej 139 hektarësh , Zona Mikse R120 hektarësh, dhe Zona e Aeroportit (ZE – A), 190 hektarësh.