Fitore Pacolli e Dardan Molliqaj (VV) në Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

Qeverisja e LVV-së në Prishtinë me atë që e Quan ‘Koalicion të Krimit’

Edhe pse është ashpërsuar debati ndërmjet Vetëvendosjes dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, këto dy parti vazhdojnë të bashkëqeverisin në Komunën e Prishtinës. Për vetëvendosjen koalicion i AAK-së me PDK-në është koalicion i krimit.

Lëvizja Vetëvendosje ka ashpërsuar së fundi gjuhën e saj ndaj oponentëve politikë në garën për zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit.

Sekretari organizativ i Lëvizjes  Vetëvendosje, Dardan Molliqaj në debatin e parë përnime të emisionit Jeta në Kosovë, koalicionin PDK-AAK-NISMA (PAN) e konsideroi gjatë gjithë kohës “koalicion të krimit”.

Megjithatë këto dy parti që po e akuzojnë njëra-tjetrën gjatë gjithë kohës, qeverisin së bashku në Prishtinë.

Në mars të vitit të kaluar, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte reformuar kabinetin e tij, duke përfshirë brenda edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, anëtarë të partisë së Ramush Haradinajt.

Në atë kohë, VV,AAK dhe Nisma kishin intensifikuar bashkëpunimet e tyre në qendër, duke u bërë bashkë në kundërshtimet e tyre ndaj 2 marrëveshjeve të cilat ende janë të paimplementuara- demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe Asociacionit të Komunave Serbe.

Më 14 mars në objektin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti së bashku me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në komunë dhe asamble, ku AAK-ja fitoi një drejtori në Prishtinë, atë të shërbimeve publike, të cilën e udhëheq tani Gent Begolli.

Sipas Ahmetit, kjo marrëveshje ishte bërë për t’i bërë numrat në kuvendin komunal, në mënyrë që të zhbllokohet puna, për shkak se asamblistët e PDK-së dhe LDK-së e pengonin punën e Kuvendit të Prishtinës.

“Filluam me subjektin që e kemi pasë bashkëpunimin më të mirë, në mënyrë qe ta konkretizojmë dhe ta formalizojmë këtë bashkëpunim”, kishte thënë Ahmeti në konferencën e organizuar në zyrën e tij, kur në krahun e tij të djathtë qëndronte tani rivali kryesor në “luftën” për të fituar pushtetin qendror, Ramush Haradinaj.

http://kallxo.com/shpend-ahmeti-riformatizon-qeverine-komunale/

Pak javë më vonë, boshti opozitar i asaj kohë, VV-AAK-Nisma ishin ndarë përfundimisht, ani pse edhe pastaj për disa herë i kishin konkretizuar veprimet e tyre politike.

Ndërsa tash, në kohën e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit, por edhe në parafushatë, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, por më së shpeshti, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie dhe kandidati për deputet, Dardan Molliqaj ka pasur akuza të rënda për partinë e Ramush Haradinajt, duke e cilësuar koalicionin PDK-AAK-Nisma si “koalicion i krimit”

“Organizata vendore dhe ndërkombëtare tashmë kanë konstatuar se beteja kësaj here do të zhvillohet në mes të lëvizjes sonë dhe koalicionit të krimit PDK-AAK”, kishte shkruar Molliqaj në Facebook.

Madje Molliqaj kishte shkruar në Facebook se Haradinaj nuk po e refuzon pjesëmarrjen në debat me kandidatët e tjerë për shkak ligjit, duke i thënë se ai e shkel ligjin.

“Ramush, pranoje që s’po guxon. Se për ligj, ja e ke shkelë ti ja s’di kush”, kishte shkruar Molliqaj kur Haradinaj kishte thënë se nuk merr pjesë në debate televizive para hapjes së fushatës, sepse Këshilli i Pavarur i Mediave kishte vlerësuar se është shkelje e ligjit.

Megjithatë, Haradinaj nuk po merr pjesë në debate as pas hapjes zyrtare të fushatës. Ai ka refuzuar pjesëmarrjen në #DebatPernime që organizohet nga Jeta në Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar se si e shohin analistët refuzimin e debatit mes kandidatëve për kryeministër.

Ikja nga Ballafaqimi, Mungesë e Kulturës së Debatit

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar drejtorin e Shërbimeve Publike, Gent Begolli për ta pyetur për akuzat e LVV-së ndaj AAK-së.

Drejtori Begolli tha për Gazetën Jeta në Kosovë se këto janë çështje me të cilat merret dega e AAK-së në Prishtinë ose qendër,ndërsa mohoi se ka dëgjuar dikë prej kolegëve të komunës që janë pjesë e Vetëvendosjes duke e quajtur koalicionin PDK-AAK-Nisma “koalicion të krimit”.

Begolli përveç këtyre fjalëve nuk ka pranuar ta komentojë më shumë këtë çështje.

Ndërsa kryetari i degës së AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi i ka quajtur hipokrite deklaratat e zyrtarëve të Vetëvendosjes.

“Kjo është një hipokrizi që tejkalon kulturën dhe traditën tonë si shqiptarë. Po na thonë neve kriminelë ata të cilët para 1 viti na kanë bërë ofertë për bashkëqeverisje. Unë mund të jem mafia, unë mund të jem kapo, por në momentin që jam në Vetëvendosje, jam i mirë, kjo është hipokrizi”, tha në mes tjerash Arifi

Megjithatë këto deklarata nuk e shtyjnë AAK-në që të marr vendime për t’u tërhequr nga bashkëqeverisja në Prishtinë.

“Ne politikat nacionale i mbajmë të ndara nga politikat lokale. Ne kemi pasur raporte shumë të këqija me PDK-në, mirëpo nuk ka pasur implikime në koalicionet tona në Kamenicë ose Prizren, njësoj e kemi pasur edhe me LDK-në kur kemi pasur periudha shumë të vështira të raporteve në mes të AAK-së dhje LDK-së, por nuk jemi marrë me koalicionet në Gjilan apo Ferizaj”, tha për KALLXO.com, Avni Arifi.

KALLXO.com ka provuar të marrë një deklaratë edhe nga nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, por nuk ka arritur ta bëjë këtë.

Sejdiu që është nënkryetar i Komunës së Prishtinës, por që drejtonte edhe Shërbimet Publike, pas marrëveshjes ia kishte liruar vendin Gent Begollit.