Qeveri Diskriminuese

Në janar të këtij viti, qeveria shpalli konkurs për plotësimin e pozitave të anëtarëve të bordeve në 15 ndërmarrje publike. Për 88 pozita në borde, brenda një muaji sa ishte konkursi i hapur, aplikuan 1814 persona. Pas gjashtë muajsh pritjeje, në fund të gushtit filloi edhe intervistimi i kandidatëve dhe referimi i tyre për aprovim në qeveri.

Se sa diskriminuese është Qeveria e Kosovës, mjafton të shikojmë vetëm vendimet për emërimin e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike. Në 14 vendimet e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të bordeve të 14 ndërmarrjeve publike, Qeveria e Kosovës merr vendime jo ligjore dhe diskriminuese në baza gjinore, etnike, politike dhe profesionale.

Diskriminimi gjinor

Nuk dihet sa nga 1814 kandidatët për anëtar të bordeve kanë qenë gra. Por ajo që dihet është se në 14 komisione intervistuese, me nga shtatë anëtarë secili, vetëm dy komisione intervistuese në përbërjen e tyre kanë pasur një anëtare femër.

Përbërja e komisioneve intervistuese me 98% të rasteve burra, ka sjellë edhe rekomandime për anëtarë të bordeve ku nga 197 kandidatë të nominuar, vetëm 17 kanë qenë gra apo 8.6%. Për ta dërguar këtë punë burrash deri në fund, Qeveria e cila në përbërje të saj ka vetëm dy gra ministre, nga 82 anëtarët e bordeve ka përzgjedh vetëm dhjetë gra apo 12% të përbërjes së bordeve. Një përbërje e tillë e bordeve ka ekzistuar edhe në të kaluarën. Kjo ka ndikuar që edhe stafi në ndërmarrje publike të jenë kryesisht burra. Nga afro 15 mijë punonjës në ndërmarrjet publike, vetëm 12% janë gra.

Kjo dëshmon që nuk mjafton Ligji për Barazi Gjinore, as një zyrë sikurse Agjencia për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit, dhe as programet për barazi gjinore, kur për çdo veprim që merret, shkelet parimi bazë i barazisë sikurse përfaqësimi i barabartë gjinor në nivel institucional.

Për të kufizuar vendimet diskriminuese të institucioneve publike, duhet të vendosen kuota të detyrueshme edhe në pozita tjera publike përveç për deputetët e Kuvendit, duke filluar nga përbërja e bordeve të ndërmarrjeve publike. Që nga dhjetori i 2003, Norvegjia ka vendosur si kusht kuotat prej 40% të përfaqësimit të grave në bordet e ndërmarrjeve publike. Shembullin e njëjtë kanë përcjell edhe shtete tjera si Spanja, Franca, Islanda dhe Holanda.

Diskriminimi profesional

Përkundër krijimit të komisioneve vlerësuese, në përbërje edhe të profesorëve universitarë, Qeveria e Kosovës ka injoruar vlerësimin mbi profesionalizmin e kandidatëve, duke përzgjedhur persona që ndodhen të ranguar në fund të listës. Për shembull, në rastin e ndërmarrjes publike “Infrakos”, Qeveria ka injoruar kandidatin e parë në listë me numër të pikëve, duke përzgjedhur në vend të tij kandidatin e shtatë në listë. Apo në rastin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ku Qeveria ka përjashtuar kandidatin me numrin më të lartë të pikëve dhe ka zgjedh personin e renditur krejt në fund të listës.

Në total, për anëtarët e 14 bordeve të ndërmarrjeve publike, nëse bazohemi në numrin e pikëve të kandidatëve të cilët i ka referuar komisioni dhe i krahasojmë me ata të cilët i ka përzgjedhë Qeveria, del se vendimet e Qeverisë e kanë dëmtuar profesionalizmin për 425 pikë vlerësuese.


Diskriminimi etnik

Përkundër se është bërë rregull që në disa pozita publike të rezervohen vende për anëtarët e komuniteteve jo shumicë, në praktikë ky rregull vlen vetëm për anëtarët e partive politike që përfaqësojnë grupet etnike në koalicione qeverisëse. Nga pesë anëtarët e zgjedhur nga grupet minoritare, të gjithë janë anëtar të partive të koalicionit.

Një rom, turk, serb apo boshnjak, i cili i plotëson kushtet profesionale, por nuk është pjesë e partive në koalicion qeverisës, zgjedhja e tij apo e saj për anëtar bordi do të jetë thuajse e pamundur.

Diskriminimi politik

Bordet e ndërmarrjeve publike duhet të jenë profesionale dhe jo politike. Në Ligjin për ndërmarrjet publike ceket se askush nuk mund të jetë anëtar i bordeve nëse në 36 muaj para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i ndonjë posti partiak.

Në emërimet e fundit për anëtar të bordeve gjenden shumë anëtarë të emëruar të cilët kanë lidhje me partitë e koalicionit qeverisës. Së paku tetë prej anëtarëve të zgjedhur bien ndesh me Ligjin për ndërmarrjet publike, ngase në 36 muajt e fundit kanë mbajtur poste politike ose kanë qenë pjesë e listave partiake. E ka raste kur një zyrtar i lartë i partisë emërohet anëtar bordi i Aeroportit të Gjakovës, e njëkohësisht edhe drejtor menaxhues i Termokosit në Prishtinë.

Instituti GAP, INDEP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, nga shtatori e deri më tani kanë reaguar në disa raste kundër këtyre praktikave diskriminuese dhe në kundërshtim me ligjin në emërimin e anëtarëve të bordeve. Reagimet e organizatave jo qeveritare dhe vërejtjet e raportit të progresit deri më tani nuk kanë ndikuar që Qeveria të anuloj këto vendime jo ligjore dhe diskriminuese.

Në fillim të këtij viti, në një debat të organizuar nga GAP, në kohën kur vetëm se ishte shpallur konkursi për anëtarë të bordeve, ministri i zhvillimit ekonomik z.Blerand Stavileci deklaroi se synim i tij dhe i qeverisë është të përzgjedh anëtarë të bordeve të cilët janë profesionalë dhe jo partiak. Vitin po e përmbyllim me anëtarë të bordeve të cilët janë partiak e jo profesionalë.

Përzgjedhja e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike në këtë formë diskriminuese, ka efekt zingjiror në menaxhimin e përditshëm të ndërmarrjeve. Ashtu sikurse një qeveri burrash, krijon komisione intervistuese me përbërje gati të plotë me burra të cilët nominojnë kandidat burra, njashtu edhe këta anëtarë bordesh, do të përzgjedhin drejtorë menaxhues që janë burra, e do të punësojnë staf në baza diskriminuese gjinore.

Bordet jo profesionale ndikojnë edhe në performancën e ndërmarrjeve publike. Të gjitha kompanitë rajonale për menaxhimin e mbeturinave operojnë me probleme të mëdha financiare. Humbjet e ujit në kompanitë rajonale të ujësjellësit janë mbi 50%. E shumë vendbanime mbesin ende të pambuluara as nga rrjeti i ujësjellësit e as nga menaxhimi i mbeturinave.

Bordet politike kanë sjellë edhe menaxhim e punësime politike. Mund të dëgjosh raste të shumta kur në ndërmarrje publike, nga pozitat menaxheriale e deri tek mirëmbajtësit, njerëzit punësohen në bazë të listave që dërgohen nga partitë politike.

E krejt në fund, jeta e përditshme e secilit prej nesh preket nga vendime të tilla të papërgjegjshme të Qeverisë, të cilat prioritet kanë sistemimin e familjarëve dhe partiakëve. Tani e 15 vite që nga paslufta, qytetarët e Kosovës ende përballen me mungesë të rrjetit të ujësjellësit apo ndërprerje të ujit; në shumë vendbanime nuk grumbullohen kurrë mbeturinat, më pak se një për qind e popullsisë ka qasje në ngrohje qendrore, e edhe më tej përballemi me probleme energjetike.

Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës duhet sa më parë të zhvlerësoj vendimet e saj për bordet e ndërmarrjeve publike, të shpall konkurs dhe tu jap mundësi të barabarta të gjitha kategorive shoqërore, të formoj komisione profesionale dhe me përbërje nga të dy gjinitë dhe të përzgjedh anëtar profesional dhe jo partiak.