Pushteti Nuk i Do Më Deklaratat e Pasurisë në Internet

Pushteti në Kosovë ka lëvizur që të gozhdojë transparencën duke shtyrë largimin e deklaratave të pasurisë së zyrtarëve publikë dhe numrat e tyre personalë nga faqet e agjencioneve përkatëse në internet. Kjo do t’ua bënte gati të pamundur gazetarëve dhe qytetarëve që thelbësisht të mbajnë zyrtarët publikë nën monitorim.

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ASHMDP, synon që gjatë gjashtë muajve të ardhshëm të detyrojë Agjensionin Kundër Korrupsionit, AKK, që të heqë nga faqja zyrtare të gjitha deklaratat e pasurisë dhe të mos vazhdojë të bëjë publikimin e tyre pasi kjo, sipas tyre, bie ndesh me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

NDËRLIDHUR

Një veprim i tillë vie pak kohë pasi që ASHMDP kishte obligur AKK-në që të mos publikojë detajet e pronave të 3353 zyrtarëve publikë që e kanë deklaruar pasurinë këtë vit, si adresat e shtëpive të poseduara, apartmenteve, adresat dhe emrat e bizneseve të huaja ku zyrtarët deklarojnë aksione etj.

Më 2010 zyrtarët publikë deklaronin saktësisht se ku i kishin pronat ose aksionet e tyre, ose obligoheshin ta bënin këtë.

Kreu i AKK-se Hasan Preteni i kishte thënë më parë Gazetës Jeta në Kosovë se ligji për mbrojtjen e të dhënave personale tani nuk lejon publikimin e atyre detajeve.

ASHDMP tash ka dalë me kërkesën që krejt deklaratat të largohen nga faqja e AKK-së në internet.

Neni 13.1 i ligjit për deklarimin e pasurisë parasheh që të gjitha deklaratat e pasurisë duhet të publikohen në faqen e internetit të Agjencisë brenda afatit prej gjashtëdhjetë ditësh nga dita e kalimit të afatit për deklarim të pasurisë nga zyrtarët e lartë publikë.

Sipas ASHMDP-së, pikërisht ky nen është në kundërshtim me nenin 12.3 të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale me të cilin parashihet se kur zbulohen të dhënat e tilla kontrolluesi i të dhënave duhet të sigurojë që të evidentohet cilat të dhëna personale janë zbuluar, kujt, kur dhe me çfarë baze ligjore.

Mentor Hoxhaj, mbiqkyrës shtetror pranë ASHMDP-së, është zyrtari i ngarkuar me mbiqkyrjen e zbatimit të legjislacionit të këtij agjensioni dhe gjatë këtij viti ai pritet të angazhohet edhe më shumë në heqjen e deklarateve të pasurisë nga faqja e internetit.

“Në momentin e parë që të dhënat dalin online dhe aty del edhe pasuria atëherë kur të dilni jashtë [vendit] mund të jeni cak i ndonjë sulmi” Mentor Hoxhaj

“Unë jam personi i caktuar që të bëjë mbikqyrjen e zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave, përfshirë edhe nga ana e Agjencionit Kundër Korrupsion”, thotë Hoxhaj.

Arsyeja kryesore që ka shtyrë Agjensionin të ndërmarrë një inicativë të tillë qëndron në ‘rreziqet’ që mund të sjellë moszbatimi i ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ne duhet të jemi të sinqertë në lidhje me rreziqet që ekzistojnë sa i përket publikimit të të dhënave online. Në momentin e parë që të dhënat dalin online dhe aty del edhe pasuria që ne ose ju e keni atëherë kur të dilni jashtë [vendit] mund të jeni cak i ndonjë sulmi”, tha ai.

Mirëpo, Hoxhaj nuk ka mundur të tregojë nëse deri më tani ka pasur ndonjë sulm të ndonjë zyrtari publik për shkak të deklarimit të pasurisë nën arsyetimin se nuk mund të përgjigjet për shkak se nuk përfaqëson institucion të sigurisë.

Sipas tij, në momentin kur këto të dhëna [deklaratat e pasurisë] dalin në internet atëherë është e pamundur që të përmbushet obligimi qe del nga neni 12.3 i ligjit [të dihet se kujt i janë zbuluar të dhënat personale].

Lidhur me rreziqet që mund t’i kanosen zyrtarëve, në intervistën e mëhershme Hasan Preteni nga AKK kishte deklaruar se zyrtarët në vitet e kaluara kishin hezituar të deklaronin pasurinë e tyre me arsyetimin se po rrezikoheshin. “Por praktika ka vërtetuar të kundërtën, ngase askush nuk është rrezikuar prej tyre”, ka thënë ai.

Gazetari Visar Duriqi, i cili trajton tema që kanë të bëjnë me korrupsion, ka thënë se “nëse kanë vendosur që të bëjnë propozim për ndryshimin e ligjit në fjalë, edhe këtë arsyetim mund ta përdorin”, por deri më tani, tha ai, “nuk është vërejtur që ndonjë zyrtar ka qenë i rrezikuar.”

Ligji për deklarimin e pasurisë mund të shkojë në Gjykatën Kushtetutese

Ligji për të dhënat personale i mundëson ASHMDP-së që të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerësimin e kushtetutshmërinë së ligjeve, rregulloreve dhe akteve tjera kur konsideron se ato nuk janë në harmoni me të drejtën për mbrojtjen e të dhënave siç parashihet në nenin 36 të Kushtetutës së Kosovës.

Një gjë e tillë pritet të ndodhë në qoftë se institucionet tjera nuk ndërmarrin masa për ndalimin e publikimit online të deklaratave të pasurisë.

“Ne kemi kërkuar dhe do të kërkojmë prapë qoftë edhe zyrtarisht që iniciativa për ndryshimin e këtij ligji të vijë drejtpërdrejtë nga Agjensioni, Kuvendi ose Qeveria. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne jemi të shtrënguar të zbatojmë të drejtën që na jep ligji ynë dhe ta dergojmë këtë ligj në Gjykatën Kushtetutese”, ka thënë Hoxhaj.

Shqetësimet e shoqërisë civile

Përfaqësues të organizatave të ndryshme të shoqërisë civile janë shprehur të shqetësuar për iniciatiën e ndërmarrë nga ana e Agjensionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Drejtori Ekzekutiv i institutit GAP, Agron Demi, ka kritikuar idenë për heqjen e deklaratave të pasurisë nga faqja zyrtare e AKK-së. Sipas tij, qytetarët e Kosovës edhe kështu kanë shumë pak njohuri për përfaqësuesit e tyre, aq më pak lidhur me pasurinë e tyre dhe beneficionet që ata gëzojnë nga të qenurit në pozita zyrtare.

“Çdo individ që vendos të jetë përfaqësues i qytetarëve në institucionet publike, ai vendos të heq dorë nga një pjesë e privatësisë së tij personale dhe familjare. Ne vleresojmë se të dhënat e publikuara në formularët e AKK-së edhe ashtu nuk kanë qenë të plota dhe të mjaftueshme”, ka thënë Demi. 

“Çdo individ që vendos të jetë përfaqësues i qytetarëve në institucionet publike, ai vendos të heq dorë nga një pjesë e privatësisë së tij personale dhe familjare. Agron Demi

“Ne duhet të bazohemi në shembuj të mirë, si ai i fundit i kandidatit republikan për president amerikan Mitt Romney i cili është detyruar të bëjë publike gjithë pasurinë e tij, të hyrat familjare, pagesën e taksave dhe kjo dëshmon se si në një vend demokratik publiku ka të drejtë të dijë për jetën personale të një kandidati që kërkon besimin e tyre për t’i qeverisur”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, sipas Visar Duriqit, gazetar në Qendrën Kosovare për Gazetari Hulumtuese, nëse një inicativë e tillë është e vërtetë, atëherë para së gjithash ky veprim është një tregues që do të duhet të ndezte alarmin se e drejta për të mbikqyrur personat që menaxhojnë me paranë tonë po bëhet gjithnjë e më e pamundur.

“Nëse ASHMDP-ja përdor një arsyetim të tillë, të njëjtin mund të përdorin edhe për publikimin e kontratave të realizuara nëpërmjet prokurorimeve publike. Kështu, në njoftimet për dhënie të tenderëve publikohen emrat e kompanive fituese dhe shumat që ato marrin. Nëse përodrim logjikën që dëshiron ta përdor kjo agjenci, atëherë biznesmenët në këtë rast janë të rrezikuar, por në gjë e  tillë (mos-publikimi i kontratave publike) nuk ndodh në vendet demokratike”, ka thënë Duriqi.

Ndryshe, raporti i Progresit i vitit 2011 ka mirëpritur rritjen e numrit të deklarimeve të pasurisë online pas fushatës së ndërmarrë në vitin 2011 për deklarimin e pasurisë.

Keqpërduresit e të dhënave personale nuk dënohen

Bazuar në faqen e internetit të tyre, Agjensioni Shtetror për Mbrojtjten e të Dhënave Personale deri më tani ka shqyrtuar dhe vendosur në 17 raste të keqpërdorimeve të të drejtave personale.

Në bazë të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale në rast të gjetjes së shkeljeve Agjensioni është i obliguar të zbatojë nenin 79 për dispozitat ndëshkuese sipas së cilit personi juridik ose personi që ushtron veprimtari të pavarur dënohet për kundërvajtje,  me gjobë prej katërmijë deri në dhjetëmijë Euro. Por në vendimet e marra deri më tani të cilat janë të publikuara në faqen e internetit nuk figuron shqiptimin i ndonjë mase të tillë.

Në maj të vitit 2005 Agjensioni ka vendosur në lidhje me një ankesë të qytetarit K.H i cili përmes postës elektronike kishte shprehur shqetësimin e tij lidhur me një njoftim përmes SMS-së nga ana e Bankës TEB Sh.A përmes së cilit është njoftuar se e kishte të gatshme kredit kartelën. Në ankesën e tij ai kishte shprehur shqetësimin se si ka mundësi që t’i përgatitet kredit kartela pa kërkesën dhe pëlqimin e tij.

Pas inspektimeve të bëra, Agjensioni kishte gjetur që Banka TEB Sh.A kishte bërë shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ka urdhëruar bankën që të ndalojë këtë praktikë por nuk kishte shqiptuar ndonjë gjobë. (shih vendimin)

Në një rast tjetër, i cili është i njohur për publikun si “rasti i Ansamblit Shota” Agjensioni gjithashtu nuk kishte shqiptuar ndonjë gjobë ani pse ishin konstatuar shkelje. Lidhur me këtë rast në mars të këtij viti ishte raportuar për ekzistimin e kamerave në objektin e Ansamblit Shota, përfshirë zhveshtoret që përdoren nga pjesëtarët e ansamblit.

Agjensioni kishte bërë kontrollime në objektet e Ansamblit Shota dhe kishte gjetur se ky institucion kishte vepruar në kundërshtim me ligjin për mbrojtjten e të dhënave. Duke marrë parasysh që Ansambli Kombëtar është institucion i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Agjensioni e ka urdhëruar atë që të largojë të gjitha kamerat dhe të ndërmarrë masa për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhenave personale. Asnjë gjobë nuk është shqiptuar kundër Ministrisë së Kulturës për këtë rast. (shih vendimin)

ETIKETA

16 Korrik 2012 - 01:29

Flutura Kusari 16/07/2012 - 01:29
NDËRVEPRIMI0