Punëtorët e Sigurimit 15 Muaj pa Kontribute Pensionale (TV)

Dyzet e tetë punëtorë të sigurimit të objekteve publike të Komunës së Vushtrrisë, ankohen se për 14 muaj në periudhën ndërmjet dhjetorit 2010 dhe marsit 2012 nuk u janë paguar kontributet pensionale nga kompania SFK (Sigurimi Fizik i Kosovës), kompani e kontraktuar për periudhën 2010-2012 nga vetë komuna për kryerjen e këtyre shërbimeve.

 “Për ketë mospagesë i kemi njoftuar edhe organet gjegjëse si Komunën e Vushtrrisë dhe Inspektoratin e Punës”, tha Skender Uka, përfaqësues i punëtorëve të sigurimit në Komunën e Vushtrrisë.

Ai tha se ka drojën që përveç se do t’ju humbin ato pagesa të Trustit Pensional, do të mbeten edhe pa përvojën e punës për këtë periudhë kohore.

“Ai zotëria (pronari i kompanisë) i ka marr paret edhe nuk lodhet shumë. Ai nuk ka më punë në Vushtrri – sepse kontrata i ka përfunduar, ndërsa ne po sillemi duke kërkuar këto kontribute”, tha punëtori Uka.

Në mars të këtij viti Inspektorati i Punës e ka dënuar kompaninë SFK.

Në vendimin e Inspektoratit të Punës thuhet se për shkak të mospagesave në Trustin Pensional për punëtorët e sigurimit të objekteve komunale në Vushtrri, kompania “SFK” me seli në Prizren, është gjobitur në shumën prej 4.800 eurosh.

Ndërsa në të njëjtën shkresë Inspektorati i Punës u rekomandon punëtorëve që në procedurë gjyqësore të kërkojnë realizimin e të drejtave ligjore, por punëtorët ankohen se nuk kanë mundësi financiare për të nisur dhe ndjekur një proces gjyqësor.

Ndryshe, sipas kontratës, kompania në fjalë ka pasur për obligim që për çdo muaj t’i derdh në Trust në emër të çdo punëtori rreth 20 euro, ku gjysma e tyre janë ndalur nga paga e punëtorëve, ndërsa pjesa tjetër nga punëdhënësi.

Ndërkaq e gjithë shuma për të 48 punëtorët për 14 muaj kap vlerën e mbi 13 mijë eurove.

Pronari i kompanisë “SFK” Sener Damka, tha se të gjitha pagesat për kontributet pensionale  sa u përket 48 punëtorëve të sigurimit në Vushtrri i ka kryer ashtu siç ka qenë i obliguar t’i bëjë.

Damka pretendon se në vitin 2012 i ka bërë të gjitha pagesat për kontributet pensionale të këtyre punëtorëve, por sipas tij të gjitha paratë kanë ngelur në Trust, pa u shpërndarë te 48 punëtorët.

 “Para një kohe më kanë ftuar prapë punonjësit e Trustit dhe më kanë pyetur se çfarë të bëjnë me ato para. Unë ju kam thënë se duhet t’i shpërndajnë tek punëtorët dhe konform kësaj ua kam dërguar prapë listën e punëtorëve….Tani gjithçka është ndryshe dhe ato mjete punëtorët do t’i kenë në pasqyrat e ardhshme financiare”, tha Damka.

Ai pranon se në mars është gjobitur nga Inspektorati i Punës lidhur me mospagesën e kontributeve të atyre punëtorëve, mirëpo ai tha se ka bërë ankesë dhe në bazë të dëshmive dhe dokumentacionit që ka paraqitur, ajo gjobë do t’i hiqet ngase konsideron se faji nuk ka qenë tek ai, por te trusti që nuk i ka shpërndarë ato para.

Pronari Damka, i ka paraqitur disa lista të punëtorëve që u ka paguar trustet pensionale, mirëpo sipas Inspektoratit të Punës ato nuk janë të kompletuara.

Në Inspektoratin e Punës,  kanë marrë ankesën e pronarit të kompanisë “SFK”, mirëpo sipas tyre, pas shqyrtimit të ankesës në shkallën e dytë, është konstatuar se subjekti në procedurë, nuk ka prezantuar dëshmi për eliminimin e të metave të konstatuara nga inspektorët e punës, për të cilat është ndëshkuar në pajtim me dispozitat ligjore dhe si e tillë gjoba është vërtetuar në shkallën e dytë.

“Shkalla e dytë me vendimin nr. 40/2013 të datës 31.05.2013 e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë. Nga dëshmitë që i ka ofruar Kompania SFK shihet se:  trustin pensional ka filluar t’ua paguajë 30 punëtorëve nga 48 sa janë në regjistër”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

 “Për 18 punëtorë [kompania] nuk e ka kryer këtë obligim as pas shqiptimit të masës ndëshkuese. Dëshmi është lista e punëtorëve të evidentuar si të punësuar në këtë subjekt, ku është treguar se cilëve punëtorë u është paguar dhe cilëve punëtorë nuk u është paguar trusti pensional. Lista si dëshmi është ofruar nga inspektorët e punës”, vazhdon përgjigjja e ministrisë.

Ndërkaq, sipas Zyrës për Media të Trustit Pensional, ka raste kur shpërndarja e mjeteve nuk mund të bëhet, ngase punëdhënësi nuk ka paraqitur listën e saktë me emrat e punëtorëve se kujt do duhet t’i shpërndahen ato fonde.

“Nëse pronari, z. Damka, i ka bërë pagesat në ATK (Administratën Tatimore të Kosovës), dhe i ka dërguar raportet përkatëse tremujore, mund t’ua dëshmojë punëtorëve këtë”, thonë në Zyrën për Media të Trustit.

Ata po ashtu thonë se, përveç rasteve kur kjo kërkohet nga një gjykatë e caktuar, ndryshe Trusti nuk mund të japë informacione te palët e treta.

Çdo institucion privat ose publik që vepron në Kosovë, ka për obligim ligjor që kontributet pensionale për secilin punëtor t’i paguajë ashtu siç janë të parapara me rregullat në fuqi.

Kontributet e punëtorëve të paguara në Fond nuk janë tatime, por kursime të obligueshme dhe këto kontribute përcaktojnë vlerën e pensionit.

Në nenin 6 të Ligjit për  Fonde Pensionale të Kosovës thuhet se obligimet e punëdhënësit dhe të punonjësit fillojnë në ditën e parë të punësimit dhe përfundojnë kur punonjësi arrin moshën e pensionit.

Sipas ligjit çdo punëdhënës paguan një shumë që është baras me pesë përqind (5%) të rrogave të pëgjithshme të të gjithë punonjësve

Po ashtu ligji cek që çdo punonjës paguan një shumë që është baras me pesë për qind (5%) të rrogës së tërësishme të tij, ndërsa punëdhënësi e zbret kontributin e punonjësit nga rrogat e punonjësit dhe e bart në llogarinë e posaçme të Fondit, bashkë me kontributin e punëdhënësit në afatin e duhur.

Neni 6 i Ligjit për  Fonde Pensionale të Kosovës thotë se punëdhënësi duhet të listojë të  gjithë punonjësit e tij me numrat e tyre personalë identifikues dhe shumën e kontributeve të punëdhënësit dhe punëmarrësit për t’u paguar.