Punësimi i “Kopshtarit” të Vetëvendosjes që Shkaktoi Pakënaqësi

Shoqëria Aksionare “Hortikultura” në Prishtinë, në nëntor të vitit 2014 kishte shpallur konkurs për pozitën koordinator për njësinë punuese për menaxhimin e parkut regjional “Gërmia”.

Pajtim Demaj ishte përzgjedhur në këtë pozitë

Mirëpo, ky konkurs shkaktoi pakënaqësi tek kundërkandidati, Musli Musliu. 

Ai thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se Pajtim Demaj, nuk e ka merituar të jetë në këtë pozitë, meqë sipas tij, Demaj ka më pak përvojë pune se sa ai.

Musli Musliu, pas ankesës së bërë në Ndërmarrjen Publike Hortikultura, ankesën e tij e drejtoi tek Inspektorati i Punës.

Basri Ibrahimi, kryeinspektori i Punës, deklaroi se ka marrë vendim që të anulohet konkursi.

Vendimi për anulimin e konkursit është marrë pasi që inspektorët kishin konstatuar që ky konkurs është shpallur në kundërshtim me Rregulloren e Përkohshme mbi Organizimin dhe Sistematizimin e Punëve dhe Detyrave të Punës të Hortikulturës.

Sipas kësaj rregulloreje, komisioni vlerësues duhet të përbëhet nga pesë anëtarë, përderisa në konkursin e parë komisioni kishte qenë i përbërë nga tre anëtarë.

“Ne kemi marrë vendim që të anulohet konkursi. Kompania Hortikultura e ka anuluar konkursin. Ndërkaq, ende nuk kanë përfunduar procedurat”, thotë Ibrahimi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërkaq, pasi Pajtim Demaj kishte punuar tre muaj, ndërmarrja “Hortikultura” e anulon konkursin pasi Inspektorati i Punës kishte kërkuar diçka të tillë.

Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë “Hortikultura” pohon anulimin e konkursit.

“Ne kemi marrë vendim ta anulojmë konkursin, për disa pika në të cilat inspektorati i punës ka gjetur shkelje ligjore. E para shkelje ka qenë për mos zgjedhjen e pesë anëtarëve të komisionit por tre. Shkelja e dytë mos mbajtja e testit me shkrim”, shtoi Rakovica.

Rakovica, e ka konfirmuar punësimin e Pajtim Demajt, duke thënë se komisioni ka vendosur për përzgjedhjen e kandidatit më të suksesshëm. Ndërkaq, ai vetëm e ka miratuar diçka të tillë.

Në konkursin e nëntorit të viti 2014, komisioni ka qenë i përbërë nga tre anëtarë, Fatmir Llugaliu – kryetar, Baki Bajrami dhe Fikrije Gjata – anëtarë.

Pas inspektimit të Inspektoratit të Punës, i cili kërkoi që komisioni të formohet nga pesë persona, kryeshefi e ka formuar komisionin me një përbërje të tillë. 

Sërish kryetar komisioni ishte Fatmir Llugaliu, ndërsa Ilir Miftari, Dëfrim Nafezi, Fitore dhe Luljeta Sahiti, ishin anëtarë.

Gazeta JNK, ka provuar disa herë që të kontaktojë me kryetarin e komisionit, Fatmir Llugaliun, mirëpo ky i fundit nuk i është përgjigjur telefonatave.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ardian Gashi, i pyetur lidhur me këtë çështje ka thënë se punësimet në këtë kompani nuk varen nga komuna.

“Kompania Hortikultura është e pavarur nga komuna, ata vendosin vetë”, thotë Gashi për Gazetën JNK.

Musli Musliu, i cili kishte aplikuar për pozitën ‘koordinator’ për njësinë punuese për menaxhimin e parkut regjional “Gërmia”, ka thënë se i është bërë padrejtësi nga komisioni.

Ai tha se për këtë pozitë është pranuar Pajtim Demaj i cili është aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nga ky konkurs u pranua një person me emrin Pajtim Demaj, i cili është militant i Lëvizjes Vetëvendosje, ku unë personalisht nuk kam asgjë kundër tij”, u shpreh Musliu.

Frashër Krasniqi, zyrtar për informim në Lëvizjen Vetëvendosje (VV), e ka konfirmuar për Gazetën JNK, se Pajtim Demaj, është aktivist i VV-së.

Por, sipas tij, Vetëvendosje nuk ka ndikuar në punësimin e tij.

“Ne as që merremi me këto punë. Normalisht që nuk kemi ndonjë ndikim. As që e kemi ditur që është në këtë pozitë”, shtoi Krasniqi.

Gazeta JNK nuk ka arritur të kontaktoj me Pajtim Demaj, i punësuar në këtë pozitë. Pas orvatjeve të shumta, në kanale të ndryshme komunikimi për dy javë rresht, ai nuk është përgjigjur.

Kryeshefi i Kompanisë Hortikultura Isak Rakovica, ka bërë krahasimin e pikëve në test për të dy kandidatët.

Sipas tij Pajtim Demaj, në testin me shkrim ka pas gjithsej 95 pikë. Ndërkaq, Musli Musliu, 79 pikë.

Në testin me gojë sipas Rakovicës, Pajtim Demaj ka pasur 96 pikë, kurse Musli Musliu 76 pikë.

“Kandidati i pranuar Pajtim Demaj, posedon një përvojë pune prej 5 vite e një muaj, ndërsa Musliu nuk e di. Ne kemi kërkuar përvojë 3 vjet e një muaj”, tregon ai.

Ndërkaq, Musli Musliu, ka theksuar se është inxhinier i diplomuar në lëmin e Bujqësisë dhe Agronomisë me përvojë pune 30 vjeçare.

Ndërkaq, Musli Musliu, rastin e tij e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që ka konsideruar që gjykata është shpresa e fundit për ta zgjidhur këtë çështje.