Punë prej Budallai: Udhëtimi i Një Kosovari Nëpër Kufijtë Serbë

Prishtinë: Hyrje

Pushimet e Pashkëve; shkolla mbaroi. Doja të bëja diçka eksperimentale dhe t’i marr fëmijët me vete. Meqenëse tashmë e njohin konceptin e Drakulës falë Scooby Doo, u pajtuan me idenë e të shkuarit në Rumani. U poqa me partnerin tim në Beograd që sapo kishte mbërritur me një fluturim drejt nga Azia qendrore. Ideja për udhëtim ishte pjesërisht e tij. Ishte një kokë e dytë dhe shofer shtesë i dobishëm, ndonëse fillimisht i lodhur nga udhëtimi dhe me sy të ambientuar të kërkojnë deve e stepa nëpër rrugë.

Vendosëm të shkonim në Rumani veçanërisht për t’iu përgjigjur një pyetjeje të thjeshtë që ua parashtrova autoriteteve kosovare para pak kohe: A mund ta kalojmë kufirin mes Serbisë e Rumanisë me tabela regjistrimi të Kosovës?

Morëm një përgjigje të dyshimtë e të tërthortë – por, pasiqë një gazetare pyet zyrtarët vullnetarë e miqësorë të Kosovës, ne morëm këtë: “Nuk është kjo kumedit çfarë teme – pse po mirresh me këtë? Më lër të të jap një storje më të mirë.”

Si shtetase e Kosovës, unë kurrë nuk mund t’i bie në fije se çfarë zhanri të filmit mund të pres kur i qasem një udhëtimi drejt Serbisë.

Kosova është vend i vogël: nëse vendos të shkosh pothuajse kudo në Evropën veriore, perëndimore apo lindore, rruga më e drejtë do të ishte të kaloje nëpërmes Serbisë. Ose së paku duhej të ishte ashtu. Serbia ende nuk e njeh Kosovën, por pesë vite më parë ajo nënshkroi një marrëveshje për “lirinë e lëvizjes” përmes të cilës u pranuan kushtet mbi të cilat kosovarëve u lejohet të udhëtojnë në territorin e saj me letërnjoftime (asnjëherë me pasaporta) dhe targa të përkohshme.

Si një shtetase e Kosovës, unë kurrë nuk mund t’i bie në fije se çfarë zhanri të filmit mund të pres kur i qasem një udhëtimi drejt Serbisë. Bota e marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian na sugjeron që ndoshta na paska ardh koha të shtendosemi duke përjetuar një komedi xhentile, por dekadat e traumës sonë të përjetuar në duar të tyre, ende e mbajnë tmerrin (apo filmin horror) pezull para syve të mendjes.

Një eksperiment i mirëfilltë do të ishte të dërgohen kosovarë pa resurse shtesë dhe të shihet se çfarë ndodh. Por si menaxhere u kam borxh përkujdesjen, prandaj i bëj fëmijët e mi minj laboratori pasi fundi-fundit, janë me pasaporta rezervë të një shteti të fortë të Evropës perëndimore dhe kanë buzëqeshje të lezetshme si mburojë.

Hartën e kemi, por nuk e dimë a do ta arrijmë ta shfrytëzojmë sipas planit
Hartën e kemi, por nuk e dimë nëse do të arrijmë ta shfrytëzojmë sipas planit

Thënë shkurt, marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës përfshin zëvendësimin e çdo dokumenti kosovar me një cope letre që mohon shpirtërisht dhe administrativisht ekzistencën e Kosovës si shtet. Për atë arsye, mua më duhet t’i largoj targat e veturës sime te kufiri. Në vend të tyre më duhet të blej zëvendësime prej letre dhe t’i vendos me ngjitës në dritaret e përparme dhe të pasme.

Kur procesi i bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës nisi në vitin 2011, ishte gjithmonë për atë se si “këto do të jenë vetëm marrëveshje teknike” dhe po bëhen për shkak të “lehtësimit të jetesës” për qytetarët e të dy vendeve.

Ndër marrëveshjet e para të negociuara nga përfaqësuesja e Kosovës Edita Tahiri dhe përfaqësuesit të atëhershëm të Serbisë Borko Stefanovic ishte marrëveshja “lirisë së lëvizjes” e nënshkruar më 2 korrik 2011.

Edhe pse kjo ujdi ka hyrë në fuqi prej më shumë se pesë vitesh, nuk ka qenë e lehtë të deshifrohet saktësisht se cilat pika kufitare janë të kalueshme për kosovarët dhe automjetet e tyre.

Nuk më vjen çudi që Kosovës dhe Serbisë nuk u bëhet vonë për të dhënë porosi praktike te qytetarët e tyre për marrëveshjet e udhëtimit të nënshkruara për ne në Bruksel, por supozoja se në vitin 2016 njëra nga palët përgjegjëse – BE-ja, Kosova apo Serbia – do të duhej të kishte publikuar një uebfaqe në anglisht, serbisht apo shqip që të njoftojë njerëzit për dokumentet e sakta, procedurat dhe pikat kufitare që janë të disponueshme për kosovarët.

Do të duhej të kishte publikuar një uebfaqe në anglisht, serbisht apo shqip, që të njoftojë njerëzit për dokumentet e sakta, procedurat dhe pikat kufitare që janë të disponueshme për kosovarët.

Duke qenë dëshmitar të kësaj mungese të informatave, para dy viteve BIRN ka vendosur t’i monitorojë sistematikisht 16 marrëveshjet që janë nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë e iniciativës “BIG DEAL” [raportet këtu: BIG DEAL 1, BIG DEAL 2]. Në këtë iniciativë na u bashkëngjitën OJQ të ndryshme nga Beogradi – së pari CRTA e mandej BIRN Serbia e CEAS – me të cilat dhe po e testojmë shkallën e “lehtësimit” të jetëve tona.

Sidoqoftë, disa gjëra gjithmonë i shpëtojnë radarit nëse nuk e marrim përsipër t’i provojmë vetë e me familjet tona.

Për shembull, në vitin 2014 isha kthyer nga kufiri dhe nuk u lejova të kaloja në Serbi sepse fëmijët e mi, të cilët mund të kalojnë në Serbi me certifikata të lindjes (sepse janë nën moshën 18-vjeçare dhe nuk posedojnë dokumente letërnjoftimi dhe Serbia nuk i njeh pasaportat kosovare), nuk kishin certifikata të vulosura në gjashtëmujorin e fundit.

“Certifikata juaj është më e vjetër se gjashtë muaj dhe nuk keni vulë të vendosur mbi fotografinë e fëmijës dhe mbi certifikatë,” tha zyrtari kufitar serb te Dheu i Bardhë. U ktheva prapa, si zonjë, e ekzaltuar nga dituritë e reja që i fitova lidhur me certifikatat e lindjes dhe vulat.

Këtë herë u sigurova që të nxjerr certifikata të reja e të vulosura ashtu si duhet dhe u nisa.

Merdare: Lajme të mira

Në pikën kufitare të Merdares mora dokumentet e përkohshme
Në pikën kufitare të Merdares mora dokumentet e përkohshme

Në vitet e 90-ta, kalimi kufitar në Merdare ishte një pikë kontrolli që ndillte frikë te shqiptarët. Për shtetasit kosovarë, Merdarja sot është kufi e për serbët është “vijë kufizuese administrative” sepse, kinse, kufijtë ekzistojnë vetëm mes shteteve e jo me territore të papranuara.

Kjo nuk ishte pikë kufitare shumë e frekuentuar prej shqiptarëve e serbëve deri para dy dimrash kur rreth 100 mijë shtetas të Kosovës kaluan këndej për të shkuar në BE ilegalisht, një udhëtim i mundësuar nga trafikantë e banda të organizuara shqiptaro-serbe që bashkëpunuan me policinë për ta bërë këtë kalim të volitshëm, përmes ndërlidhjes së infrastrukturës së agjencive turistike mes Kosovës dhe Palicit – një rezort turistik i qetë e romantik në Vojvodinë.

Tash, në pjesën kosovare të kufirit, nga ai vlug i njerëzve të para një viti, kanë mbetur një tufë shitoresh e kioskash në dispozicion të tregut nga kamionistët që dominojnë në Merdare.

Shpejt kalohet ana e kufirit në Kosovë dhe në anën tjetër më pret një befasi. Herën e fundit që kalova këtej më është dashur t’i paguaj 120 euro për sigurimin e automjetit dhe 5 pesë euro në ditë për përdorimin e targave të letrës.

Për katër vite me radhë (2011-2015), kompanitë e sigurimit të të dyja vendeve kishin vënë çmime tejet të larta të sigurimit për qytetarët e shteteve të njëra-tjetrës, edhe pse kishin nënshkruar marrëveshjen që kinse do t’i “lehtësonte” jetët e njerëzve. Kaloi mjaft kohë dhe kompanitë e sigurimit – disa prej të cilave janë shumë të afërta me pushtetin – përfituan shumë gjatë asaj periudhe, por më në fund u pajtuan për marrëveshjen mbi njohjen e ndërsjellë të sigurimit të automjeteve dhe më pas tarifat u hoqën.

A është e mundur që funksionoi? Kaq thjesht!

Tash, në pranverë të vitit 2016, e krejt çka më duhet të paguaj në kufi është 5 euro për dy muaj të përdorimit të targave. Dola plot gëzim nga kioska sigurimit “Dunav” por isha edhe e habitur. A është e mundur që funksionoi? Kaq thjesht! Kjo ishte një çështje për të cilën kemi marrë ankesa të shumta prej kohës që filluam t’i monitorojmë marrëveshjet. Ne e përçuam këtë trysni të qytetarëve te politikanët që e udhëheqin këtë proces.

Një vit më parë në konferencën tonë përfaqësuesit e të dyja delegacioneve që negocijojnë në Bruksel premtuan se tarifa e sigurimit do të hiqet dhe më në fund kjo ndodhi. Nuk mund të mësohem me faktin sa ka funksionuar trysnia e qytetarëve në shtetet tona deri vonë të zhytura në komunizëm e konflikt.

Pasi kalova Merdaren fillova të pajtohesha me faktin se nëse ndodh diçka dhe më duhet celulari, ai nuk do të më punojë. Marrëveshjet e telekomit mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, të negociuara sërish në vitin 2015, ende nuk janë implementuar dhe nuk do të kem rrjet mobil me SIM kartelën time të Kosovës.

Në Serbinë jugore, kaloj pranë tabelave të fshatrave “Visokë” e “Kastrat”. Tabela po por nuk pashë njeri të gjallë gjëkundi. Këta emra në shqip janë rikujtime vegimore të popullsisë së atëhershme të përzënë këtyre viseve tashmë thuajse të braktisura. Kjo e gjitha ishte para se të arrinim kthesën që çonte në Kopaonik. Ne vazhduam përgjatë autostradës Nish-Beograd e pastaj drejt Rumanisë.

Zhitishte: Dokumenti që mungonte

Dorezat e boksit të ngritura lart të Rocky Balboa-s na uruan mirëseardhjen në Zhitishte
Dorezat e boksit të ngritura lart të Rocky Balboa-s na uruan mirëseardhjen në Zhitishte

Teksa mendjen e kisha te vendlindja e Kontit Drakulla, sytë e mi u zhvendosën te billbordet e stërmëdha të Sheshelit përskaj autostradave të Serbisë. Atë e shpallën “Pobednik” (Fitimtar) në vend të “i pafajshëm” pas shfajësimit të tij nga gjithsej 9 akuzat prej Tribunalit Penal Ndërkombëtar (në Hagë) për ish-Jugosllavinë: krime ndaj njerëzimit, vrasje dhe përndjekje, torturë dhe dëbim.

Më pëlqen t’i dëgjoj stacionet lokale të radios teksa ngas makinën përmes qytezave e regjioneve sepse ke mundësi t’i mësosh shijet e komunitetit dhe të tregon se çfarë i preokupon njerëzit brenda ndërtesave të këtyre qyteteve të qeta (në dukje) serbe, kopshteve të përpunuara bukur dhe shtëpive njëkatëshe.

Pakëz më vonë më ndaloi një polic rrugor trupgjatë.

Ishte e premte pasdite dhe në RTS2, radion publike, një moderatore e quajtur Biljana intervistonte një gjeneral veteran serb dhe profesor, ekspert në “luftën hibride.”

Ai tregon se si vendimi për shfajësimin e Sheshelit na qenka shenjë paralajmëruese e ndërgjegjësimit të vonshëm të Perëndimit se i duhet një Serbi Sllave që t’i shmang ndërhyrjet islamike, çka dëshmohet nga kriza e fundit e refugjatëve.

Së shpejti, thotë ai, fqinjët tanë joortodoksë: katolikët në Kroaci, muslimanët në Bosnjë dhe Kosovë, do e kuptojnë shtëpinë e tyre të vërtetë shpirtërore – ata që të gjithë ishin fillimisht ortodoksë dhe se duhet t’u kthehen “rrënjëve”. Kjo është arsyeja pse lufta hibride ruse në Ukrainë është e drejtë. E kështu me radhë.

Një statujë e pazakontë rrugës për në qytezën e Zhitishtes afër Rumanisë ndeshet lezetshëm me ashpërsinë e këtij fjalimi idiot, të cilin Biljana e moderon në mënyrë jokritike. Me dorëza boksi ngritur në ajër, një monument kushtuar Rocky Balboa-s qëndron shquar në sheshin e qytezës. Në vitin 2007, banorët ishin frymëzuar nga statuja e boksierit fiktiv e ndërtuar në Filadelfia, duke e parë udhëtimin e tij jetësor me goditje të rënda si pasqyrim i udhëtimit të tyre. Kryetari i komunës e aprovoi atë kurse një fabrikë e përpunimit të pulave pagoi për ndërtimin e statujës.

Pakëz më vonë më ndaloi një polic rrugor trupgjatë. Isha duke vozitur nën limitin e shpejtësisë, andaj ishin targat e përkohshme që e tërhoqën atë të më ndalojë. E ula xhamin me një buzëqeshje duke mos ditur se është pikërisht ky momenti kur zhanri i këtij filmi (udhëtimi) po ndërron.

Border_4-620x364

“Dokumentet të lutem,” tha ai.

I dhashë çdo gjë që mendova se i duhej të shihte dhe doja të bëja muhabet me të – e këtë e donte edhe ai.

“A keni një patentë shofer tjetër?” më pyeti.

“Jo,” gjithnjë duke buzëqeshur.

“Nëse nuk keni një patentë shofer mund të të dërgoj në gjykatë ku do të paguash 100 mijë dinarë [800 euro], ashtu si ia bëra një shqiptari tjetër javën e kaluar – sepse as ai nuk kishte një patentë shofer,” vazhdoi ai me përzemërsi të përpiktë.

“Por unë e kam një patentë shofer!” i thashë, e sigurt dhe totalisht komode në pozicionin tim.

“Po, të një shteti që ne nuk e njohim. Pra nuk është e vlefshme.”

Iu referova marrëveshjes dhe dokumenteve që më ishin dhënë nga policia kufitare serbe në Merdarë.

“Ku është dokumenti që e zëvendëson patentë shoferin tuaj kosovar që ne nuk e njohim?” – polici serb në Zinishte

“Ne ju japim një copë letre për ta zëvendësuar dokumentin tuaj të letërnjoftimit që ne nuk e njohim, ju japim një dokument për t’i shoqëruar targat e përkohshme. Por më tregoni, ku është dokumenti që e zëvendëson patentë shoferin tuaj kosovar që nuk e njohim?”

Zakonisht, është vështirë të ma mbyllësh gojën. Isha e shtangur. Më duhej ta zgjidhja këtë rebus: më lejuan ta kaloja kufirin në një automjet nga të njëjtat autoritete e më tej më thonë se rregullat e brendshme dallojnë nga ato të kufirit. Ku është poenta të më lejohet hyrja me automjetin tim e të më ndalohet vozitja? Përse kanë dështuar palët tona të diskutimeve ta rregullojnë këtë?

“Pra, do të thotë se unë mund të të dërgoj në gjyq dhe të dënoj për vozitjen pa patentë shofer, e cila është, sërish, afro 100,000 dinarë.”

Kjo pa dyshim se nuk është se si i parafytyroj pushimet. Por nuk jam edhe naive. E di se nëse një polic më thotë dy herë se sa kushton diçka, është edhe ftesë ndaj pyetjes se sa do të më kushtonte të MOS më dërgonte në gjyq. Por vendosa se nuk isha për ngut.

Vendosa ta vazhdoja bisedën, sepse askush në automjet nuk kishte uri apo nevojë për të shkuar në banjo – familja ishte e vetëdijshme që ishim nisur në një ekspeditë të mbledhjes së informatave. Fëmijët nuk kuptojnë serbisht kështu që mendonin se po zinim llaf të këndshëm me policin vendor i cili vetëm na dëshironte “të mirat” sa i përket sigurisë.

Erdha në përfundim se kisha kohë të bëja edhe ca pazarllëk. Për më shumë, isha shumë e interesuar se çfarë kishte ndodhur me shqiptarin e javës së shkuar që qenka dërguar në gjyq. Ndihesha e turpëruar dhe amatore sepse, edhe pas dy vitesh monitorimi të marrëveshjeve, nuk e paskam ditur që mund të gjobitesh rëndë apo të burgosesh deri në 15 ditë nëse vozit në Serbi me patentë shoferi të Kosovës.

S’mund të ishte e vërtetë. Doja të besoja se ky polic po i shtrembëronte ligjet sipas tekeve të tij. Por ai ishte shumë i qetë – as nuk ngutej që të më lëshonte por as nuk ngutej të më arrestonte e të më dërgonte në gjyq. I argumentova se policia kufitare nuk do të më lejonte të kaloja pa një patentë të vlefshme.

Por si është e mundur që kam vozitur shumë herë më parë në Serbi por kurrë nuk më është treguar kjo?

“Ata janë vetëm policë kufitarë – ata vetëm duan të të heqin qafe kurse zbatimi i ligjeve të vozitjes nuk iu përket atyre. Është detyra ime të kontrolloj se a kanë njerëzit patentë shoferi kur vozisin në shtetin tonë.”

E shikova sërish letrën që më dhanë në kufi. Është një vërtetim për letërnjoftim dhe një për targat e përkohshme, pra ai teknikisht mund edhe të ketë të drejtë. Dhe nëse ai dëshiron të vazhdojë ta rrahë këtë tupan, i ka të gjitha kompetencat. Por si është e mundur që kam vozitur shumë herë më parë në Serbi por kurrë nuk më është treguar kjo?

Tash pres që turpi dhe sikleti im në këtë situatë do të kërcej nga unë si një bretkosë në fytyrë të policit. Sërish gjejnë mënyra për të na marrë fytyrën, për të na rrahur në një qosh të errët. Sikur gjithë. E përse nuk dëgjojmë asnjëherë për këto situata? Ndoshta sepse janë viktimat që turpërohen sikur unë. Askush nuk do t’u ofrojë atyre keqardhje po t’i raportonin rastet. Reagimi më i shpeshtë do ishte, ‘ç’dreqin po kërkoje në Serbi në rend të parë? Çfarë prisje nga ta?’

“Shiko, unë shoh se ke dy fëmijë të vegjël prapa dhe do të të duhej të shpenzoje mjaft shumë kohë në gjykate, kështuqë, ti nuk më ke parë asnjëherë dhe unë s’të kam ndaluar,” tha ai.

U lehtësova por pamendësisht vazhdova të bisedoja me të, duke iu referuar vetes si e huaj, dhjetëra pyetje më vinin në kokë. Toni i tij u tendos dhe filloi t’i ushtronte termat e vjetër serbë të kontrollit mbi shqiptarët e Kosovës – pronësi pa të drejtë këmbimi. “Ti menduake se je e huaj, apo jo? Vendosa të mbyll dritaren, e falënderova dhe ika që aty.

Jimbolia: Shtegu pa kthim

Arritëm te kufiri mes Serbisë dhe Rumanisë, dhe një rojë kufitare, miqësor e folës i mirë i anglishtes, supozonte se automjetet me targa të përkohshme nuk mund dalin nga Serbia. Sigurisht që para se kishim arritur ne, ata nuk kishin pasur shumë punë me kosovarë të etur për të kryer eksperimente me vetveten.

“Më lër ta pyes shefin tim se a mund t’ju lëmë të shkoni dhe pastaj do kthehem te ju,” tha ai me telefon në dorë.

Tabela, ndër të tjera, shkruan: "Po largoheni nga Serbia. Mos qani pse mbaroi - buzëqeshni sepse ishit këtu"
Tabela, ndër të tjera, shkruan: “Po largoheni nga Serbia. Mos qani pse mbaroi – buzëqeshni sepse ishit këtu”

Pasaportat tona rezervë na ndihmonin në këtë rast. Ai shpjegonte se mund të na linin të dilnim jashtë shtetit, por nuk munden që sërish të pranojnë automjetin e regjistruar në Kosovë përmes kufirit të njëjtë sepse, deri më tani, vetëm dy pika kufitare janë përcaktuar si pika hyrjeje për Kosovarët në Serbi: Merdarja dhe Horgosi (në Hungari).

Është përtej të kuptuarit tim se pse qeveria e Kosovës ka dështuar të sigurojë që të gjitha pikat kufitare në Serbi, përfshirë ato me Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, të jenë të kalueshme nga automjetet kosovare.

Kjo të kujton vetëkënaqësinë e UNMIK-ut rreth vitit 2004 kur në një ushtrues i detyrës së Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (SRSG) komentoi plot hare se dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga UNMIK-ut në vend të pasaportave do t’i lejonin kosovarët të udhëtonin në shumicën e vendeve ku ata do të donin të shkonin. Ky soj i diplomacisë injorante presupozon që shqiptarët vështirë se duan të shkojnë në vende sikur Rumania, Bosnja e Kroacia – sepse këto pika kufitare nuk u përfshinë në marrëveshje që ne të mund t’i kalojmë.

Ky soj i diplomacisë injorante presupozon që shqiptarët vështirë se duan të shkojnë në vende sikur Rumania, Bosnja e Kroacia

“Të sugjeroj t’i kërkosh bashkëshortit tënd që të shkojë te rumunët e të shohë se do ju lënë të kalojnë, sepse në qoftë se ne ju lëmë e ata nuk e bëjnë të njëjtën gjë, automjeti juaj do të ngecë në tokën e askujt” tha roja e kufirit. E përfytyroja makinën e braktisur duke u shpërbërë së ndryshkuri për vite me radhë teksa negociatorëve tanë dalëngadalë iu kujtohet të negociojnë më shumë pika kufitare.

Partneri im vazhdoj tej dhe mori konfirmim nga rumunët se ata do të na lënë të kalojmë me automjetin tonë dhe do ma pranonin patentë shoferin. Ai u sigurua disa herë që sigurimi i automjetit nuk do të ishte problem sepse Kosova nuk është ende pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër të sigurimit dhe se ne nuk kishim sigurim të automjetit për Rumani.

Roja kufitare na tha se mund ta blinim disa kilometra më tutje dhe na lejoi të kalonim.

Megjithatë, posa dolëm nga Serbia, mungesa e sigurimit rumun të automjetit nisi të bëhej problematike. Fillimisht ishte në rregull, por kur oficerët rumunë telefonuan kompanitë e sigurimit, ato dhanë përgjigje negative. Dukej se as edhe një kompani nuk shiste sigurim për automjete të regjistruara në Kosovë.

Ata na kërkuan të ktheheshim.

“S’është e mundur, ne ju thamë se nuk do të mund të kthehemi në Serbi nga këtu. Na siguruat se do të ishte në rregull në hynim. Ne ju pyetëm veçanërisht për çështjen e sigurimit.”

Oficeri rumun iku që aty dhe ne prisnim.

Pika e kalimit të kufirit me Rumaninë ku pritëm me durim
Pika e kalimit të kufirit me Rumaninë ku pritëm me durim

Dikur erdhi shefi i tij dhe tha, “Po ju lëmë të shkojmë në përgjegjësinë tuaj sepse jemi të sjellshëm, jemi BE. Nuk kemi mundësi të ju ofrojmë sigurim të automjetit këtu dhe nuk është përgjegjësi e jona të vrasim mendjen për sigurimin tuaj – nëse ziheni duke vozitur pa të nga policia, do të gjobiteni”.

Nëse do të ishit të sjellshëm, Rumania do ta njihte Kosovën, por atë mendim e mbajta për vete.

“Po ju lëmë të shkojmë në përgjegjësinë tuaj sepse jemi të sjellshëm, jemi BE” – polici rumun në kufi

Natyrisht që isha në dijeni se sigurimi i automjetit nevojitet për të vozitur në Evropë, por meqenëse Kosovës nuk i lejohet ta shesë Kartonin e Gjelbër, mënyra së si ne shoferët e tejkalojmë këtë në Kosovë gjithmonë më është dukur gjysmë-ilegale: i dërgojmë fotokopjet e dokumenteve të automjetit me një agjencion që udhëton në Bullgari dhe duhet të jetë një kioskë diku në kufi me Bullgarinë që lëshon dëftesa sigurimi për 90 euro në muaj për kosovarë – pa e parë asnjëherë automjetin apo ngasësin – dhe ai sigurim kthehet te ngasësi në Kosovë përmes një autobusi të ndonjë agjencioni turistik.

Por për këtë eksperiment doja të shoh se çka bëhet nëse shkon kinse me rregulla, nëse shkon me makinën tënde në një shtet të Bashkimit Evropian dhe kërkon aty, si shtetas i Kosovës, të blesh Kartonin e Gjelbër.

Timisoara: Sisteme jobashkëpunuese

Timisoara | Foto nga Panoramas, përdour sipas licencës CC 2.0
Timisoara | Foto nga Panoramas, përdour sipas licencës CC 2.0

Më në fund arritëm qytetin e dushkuar të Timisoaras të mbushur me sheshe e ndërtesa të stilit të periudhës së Habsburgut, vendi ku shpërtheu revolucioni rumun i vitit 1989 që përmbysi regjimin e Çausheskut. Si kosovarë me pushime, ia kushtuam shumicën e kohës së pushimit tonë kujdesit që të mos arrestohemi – shëtitjet erdhën më pas. Ne ishim në një mision për të gjetur kompani sigurimi që do ta siguronin një automjet të regjistruar në Kosovë në mënyrë që të udhëtonim drejt Serbisë përmes Hungarisë, pa drojë persekutimi për shkak të vozitjes pa sigurim.

Një qendër tregtare e madhe e porsandërtuar kishte disa kioska sigurimi të radhitura njëra pas tjetrës. Sigurisht që njëra nga to do të na përfillte. Të gjitha më thanë se është e pamundur të shitej Kartoni i Gjelbër për shtetasit jorumunë.

Këmbëngula dhe u thashë se nuk do të shkoja gjëkundi derisa të më jepnin ndonjë formë sigurimi. Fëmijës tim 3 vjeçar i hapej goja nga gjumi dhe u shtri në banak të kioskës së sigurimit. Pas pak, zonja e sjellshme që qe ulur prapa banakut e kuptoi se me të vërtetë nuk do të dilja nga zyra pa ndonjë lloj sigurimi për makinë.

Si kosovarë me pushime, ia kushtuam shumicën e kohës kujdesit që të mos arrestohemi

Asaj dhe kompanive tjera kurrë nuk iu është kërkuar të bëjnë një gjë të tillë, andaj nuk dinin se si ta zgjidhnin çështjen. Dikujt i shkrepi një ide!

Telefonuan një të afërm që njihnin në Timisoara të martuar me një kosovare, duke shpresuar se ai do u tregonte çfarë të bëjnë me një shtetase të Kosovës që kërkon sigurim të automjetit. Përpjekje e kotë. Nuk na shpiu askund.

“Sa më përket mua, në ndihmoftë sado pak, unë po u premtoj se nuk do e përdor këtë sigurim në qoftë se ndodh ndonjë aksident, – e gjithë ajo që dua është të jem e mbuluar me dokumente të duhura nëse ndalohem nga një polic,” i thashë.

Më kërkuan të nënshkruaja një dokument që vërtetonte se unë pranoj se sigurimi është i pavlefshëm në qoftë se bëhet puna të ma lëshojnë atë. Zonja e sjellshme tha se ajo pranoi ta bënte këtë “për shkak të fëmijë

Ishte hera e tretë që një gjë e tillë më ishte thënë në këtë udhëtim. E shkrova atë fjalinë e çuditshme me gëzim e cila thoshte se unë po e blej këtë sigurim por, në të njëjtën kohë, vullnetarisht premtoj se nuk do e përdor nëse ndodh ndonjë ndeshje. Sigurim vetëm për hijeshi. Një suvenir. E shkrova, emrin dhe e nënshkrova. A mund të jem tash turist e të shëtis nëpër qytet?

Ende jo.

Sistemi i kompjuterit nuk bashkëpunonte. Formulari ku duhej të futeshin të dhënat e mia për të ma lëshuar kartonin e gjelbër kërkonte një numër letërnjoftimi rumun. U munduam ta mashtronim kompjuterin shtuar shifra para dhe pas numrit tim kosovar të letërnjoftimit për të krijuar një numër të saktë 13-shifror, por nuk e hëngri idenë time brilante.

E papranueshme. Gabim. Error.

Kishin kaluar afro dy orë asokohe.

Po mbetesha pa ide.

Por mundësia e shkuarjes në burg apo gjyq, edhe pse – për dallim – rumun e jo serb, e stimulonte mendjen time të bëjë akrobaci për të gjetur një zgjidhje.

E pashë që formulari, përveç që të lejonte të regjistroje sigurim të automjetit përmes letërnjoftimit individual, ekzistonte mundësia ta bëje atë përmes numrit të një biznesi apo kompanie. Iu kërkova ta shkruajnë numrin e biznesit të tyre aty. Nuk shkoi mirë.

“Ju ndihmojmë me kënaqësi, por jo duke e rrezikuar vetveten,” tha zonja e sjellshme.

I telefonova hotelit tonë.

“Më falni, jam duke qëndruar në hotelin tuaj – a mund ta kem numrin e biznesit tuaj ju lutem?” i pyeta.

Për çudi ma dhanë. Sistemi më në fund e pranoi. Nuk jam “error” këtë herë. Ia dola ta regjistroja sigurimin e automjetit tim përmes emrit dhe numrit të biznesit të hotelit. Kushtoi 30 euro, tri herë më lirë se çfarë paguajnë kosovarët për një Karton të Gjelbër gjysmëlegjitim prej kioskave në kufi me Bullgarinë. Edhe pse, për të thënë të vërtetën, kartoni i gjelbër i Bullgarisë duket të jetë edhe më funksional.

Mu deshën tri orë pazarllëku në qendrën tregtare – dhe për të gjitha parimet fillestare të eksperimentit tim rezultati nuk doli të ishte më legjitim krahasuar me çfarë bëjnë kosovarët tjerë për ta marrë një Karton të Gjelbër kur janë brenda Kosovës. Në fakt, qenka edhe më pak legale ta kërkoje këtë karton nëpër kufi të Bashkimit Evropian!

Më në fund, na erdhi mundësia ta vizitonim Muzeun e Revolucionit në Timisoara. Shpenzuam aq shumë kohë për ta marrë atë sigurim fals sa që ishte muzeu ishte mbyllur derisa ne arritëm atje. Sidoqoftë, ata e rihapën për ne. Kishte ardhur koha për t’u kthyer në shtëpi, duke hyrë së pari në Hungari.

Në Horgosh, te toka e askujt me Serbisë dhe Hungarisë, dola t’i zëvendësoja tabelat e regjistrimit të Kosovës me ato të përkohshmet të letrës të Serbisë të cilat i ruajta me kujdes. Teksa i afrohesha pikëkalimit, roja kufitare serbe qiste me duar e më shante nga kabina e tij. Vazhdoja plot ankth e me drojë se po i ndizej gjaku shkaku i paturpësisë që po hyja me targa të përkohshme serbe që i kisha vendosur vetë. Ai në fakt më thoshte të nxitoja.

Vajza ime planifikon vizitën në Timisoara
Vajza ime planifikon vizitën në Timisoara

Procedura e hyrjes përfundoi brenda pak minutash dhe dalja në Merdarë gjithashtu kaloi vrik – një ndryshim mjaft i madh prej së paku 1 orë pritjeje që duhej kohë më parë kur kisha kaluar në Horgosh. Një vit më parë, pas manovrimet për ta shpejtuar kohët e transaksionit – i ndërruam ngasësit e veturave derisa njëri shkoi në zyrën e sigurimeve në Dunav e tjetri merrej me ndërrim tabelash – kjo qasje eskpeditive e kishte zemëruar aq shumë një polic kufitar serb saqë na kërcënoi se do të na kthente prapa.

I pyeta policët edhe në Hogoros, edhe në Merdare se a është e vlefshme patenta ime e shoferit në Serbi. Në rregull është, më thanë, po na e ngadalëson trafikun, ec!

Kthimi në shtëpi: Kërkimi suksesshëm i Pashkëve          

Nuk shkuam nga Serbia në Rumani për asgjë më 1 prill. Më duket sikur u dolëm në gjah të vezëve të Pashkëve dhe përfunduam si pre në një labirint kafkian të grabitqarëve dhe burokracive të përshtatura për ta zënë në kurth “lirinë e lëvizjes” sime në vend që ta “lehtësojë” atë.

Udhëtimi im vazhdimisht shpëtoi nga debakli për shkak të “mëshirës” së burokratëve dhe oficerëve që vendosën të na “lënë të shkojmë” dhe “ta mbyllin një sy” sepse jam një “grua që udhëton me fëmijë”. Dhe, nuk jam as refugjate nga Siria që udhëton nëpër Ballkan sikur të ishte territor i panjohur – por qytetare e kësaj Evrope Lindore ku jam rritur e ku prindërit e mi kishin lirinë maksimale të udhëtimit në vitet e 70-ta dhe 80-ta para ardhjes së Millosheviqit.

Edhe po të na liberalizohen vizat, udhëtarët kosovarë prapë do të ballafaqohen me gracka të shumta që u kanë ikur syve të udhëheqësve tanë, atyre që janë të përqendruar në qëllime më të larta, udhëtimet tona pa viza nuk do të garantojnë udhëtime të patrazuara.

Në Kosovë, Ministri jonë i Punëve të Jashtme ka shpenzuar shumicën e kapitalit të tij politik në ide pompoze si anëtarësimi në UNESCO dhe ne jemi të preokupuar me liberalizimin e vizave nga BE-ja meqenëse jemi shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor me regjim të imponuar të vizave. Megjithatë, e di se edhe po të na liberalizohen vizat, udhëtarët kosovarë prapë do të ballafaqohen me gracka të shumta që u kanë ikur syve të udhëheqësve tanë, atyre që janë të përqendruar në qëllime më të larta, udhëtimet tona pa viza nuk do të garantojnë udhëtime të patrazuara.

Ndoshta, ai zyrtari kosovar që më tha së kjo nuk është kurrfarë teme mund të ketë pasur të drejtë. Gjëja më e lehtë për kosovarët është ta izolojnë vetveten dhe ta “lehtësojnë” jetën e tyre duke mos udhëtuar hiç. Kjo është forma e vetme për ta mbrojtur veten nga provokime të papritura e turpërime. Nëse rri në shtëpi, gjasat janë që asgjë nuk do të shkojë keq. Dhe atëherë, përnjëmend kjo ‘nuk do të ishte fare temë’.

Alex Anderson kontribuoi në shkrimin e këtij artikulli.