Pulat Stresoheshin nga Helikopterët e KFOR’it

Biznesmeni Abdurrahman Konjufca nga Lipjani pretendon se pulat e tij stresohen nga zhurmat e helikopterëve. Dhe, sipas tij, rreth fermës sillen shpesh helikopterët e KFOR’it.

Konjofuca i ka çuar letër Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) duke rrëfyer hallin e pulave të tij si dëshmi që ky autoritet të mos e llogaris si biznesmen që nuk e ka përmbushur kontratën e komercializimit.

“Kur ka zhurmë, pulat nervozohen, sulmojnë njëra-tjetrën dhe ngordhin”, tha Konjufca.

“Për shkak të zhurmës nga heliktoperët dhe ushtrimet e KFOR’it, kanë ngordhur rreth 86 mijë pula”, shtoi ai.

Ndërmarrja “ADI” e  Konjufcës kishte komercializuar ish-ndërmarrjen “Shpeztaria” në Lipjan më 2 korrik  2001, ku kishte premtuar mbi 2 milionë euro investime, punësimin e 112 vetave e pagesën e një qiraje vjetore prej mbi 3 mijë e 500 euro në muaj. Asnjëra prej tyre nuk ishte realizuar sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Komercializuesi i fermës së pulave nuk ka përmbushur as gati për 50 për qind zotimet me kontratë”,  ka thënë Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP.

Bazuar në auditimin që i është bërë komercializuesit, sipas zëdhënësit, del se zotimet për investime nuk janë përmbushur më shumë se sa 20.17 për qind.  E, zotimet për qira nuk janë përmbushur  më shumë se 40.36 për qind e po ashtu edhe zotimet për punësim nuk kanë shkuar më shumë se sa 46,72 për qind.

“Me vendim të Bordit të Drejtorëve, kontrata është shkëputur me komercializuesin, e tash kjo ndërmarrje shoqërore është nën administrimin e AKP-së”, ka thënë zëdhënësi i Agjencisë së Privatizimit e cila këtë vit do ta tenderojë këtë ndërmarrje shoqërore. Investimet që janë bërë deri më tash, sipas tij, do të mbesin në këtë ndërmarrje shoqërore pasi kështu është përcaktuar edhe përmes Kontratës së Komercializimit.

Dhoma e Veçantë e lejoi shitjen e Fermës së Pulave

Planifikimi i shitjes së kësaj ndërmarrje, sipas zëdhënësit të AKP’së, ka ardhur pasi Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme ka hedhur poshtë një kërkesë të komercializuesit.

 “Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës e ka refuzuar kërkesën e palës për vendosje të masës së përkohshme ndaj kësaj ndërmarrjeje”.

Një tjetër seancë në këtë gjykatë do të zhvillohet për padinë që ka ngritur komercializuesi ku kërkon kompensim të dëmeve. “Padia për çështje meritore pritet të shqyrtohet pranë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila me përfundimin e procedurës do të sjellë një vendim meritor”, ka thënë  Kaloshi.

Abdurrahman Konjufca, pronari i Ndërmarrjës ADI që menaxhoi për më shumë se dhjetë vjet këtë fermë dyshon, se AKP’ja ka për qëllim që ta dëmtojë atë. Shkëputja e kontratës sipas tij është bërë me qëllim që t’i pamundësohet blerja e ndërmarrjes kur ajo të dalë në shitje.

Konjufca thotë se në vitet e para të komercializimit kishte pasur suksese në fermën e pulave e po ashtu edhe në atë të peshqve. Por, vazhdoi ai, qiraja e lartë prej mbi 3 mijë e 500 euro në muaj qoi në dështimin e përmbushjes së kontratës.

Komercializuesi shtoi se edhe KFOR’i i kishte dalë pengesë në shfrytëzimin e disa pjesëve të fermës së pulave. “Një ndër shkaktarët që nuk e kam përmbushur kontratën përveç AKP’së ka qenë edhe KFOR’i i cili ka pasur në shfrytëzim shtatë objekte të fermës”, ka thënë Konjufca .

Stipas tij, AKP’ja nuk ka qenë e gatshme, edhe pse i ka ftuar zyrtarët e saj për t’i vlerësuar dëmet.

Rreth 8 milionë euro kompensim i kërkon Konjufca në padinë kundër AKP’së në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme.

“Nuk do të ndalem vetëm me padi në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme, por  pas përfundimit të procedurave e të cilat shpresoj se do të fillojnë gjatë shkurtit do të bëj edhe një padi në Gjykatën e Hagës”, ka deklaruar Konjufca.

Konjufca nuk e përmbushi kontratën

Kryetari i Komunës së Lipjanit Shukri Buja ka vlerësuar se po të mos dështonte Konjufca në përmbushjen e kontratës do të kishte përparësi në blerjen e kësaj ferme.

“Komercializuesi ka dështuar në përmbushjen e zotimeve dhe sipas AKP’së ferma e pulave do të privatizohet në formën klasike”, ka thënë kryetari Buja.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se forma e komercializimit ka qenë e mirë për kohen në të cilën është aplikuar, por jo edhe tani.

Alban Hashani Drejtor për Hulumtime në Institutin “Riinvest” , ka thënë  se komercializimi ka qenë një zgjidhje e përkohshme e transferimit të pronës në Kosovë në vitet e pasluftës. “Komercializimi është përdorur si metodë elegante për të futur sektorin privat në ish- ndërmarrjet shoqërore pa trajtuar çështjet e ndjeshme të pronësisë”, tha Hashini.

Megjithëkëtë, njohësi i privatizimit thotë se pavarësisht se në disa raste kjo metodë është treguar e suksesshme, ajo nuk do të mund të përdorej si metodë primare e privatizimit pasi kërkon shumë kohë.

“Për komercializim do të mund të gjendeshin kompani të interesuara për ndërmarrjet më të mëdha, përderisa për ndërmarrjet e vogla, kjo do të ishte e pamundur”, thotë Hashani.