Foto: YouTube

Puçi Turk, Qytetarët dhe Besimtarët

Tentimi i ushtrisë turke për rrënim me forcë të qeverisë turke është rrënuar nga populli turk; apo thënë më mirë, një pjese të fuqishme të popullit turk, artikulimi dhe veprimi politik i të cilit është i bazuar në të qenurit “besimtar”.

Nuk u desht asgjë më shumë se sa një thirrje e liderit besimtar që besimtarët e tij të dalin nëpër rrugë për të ushtruar të drejtën e plotë demokratike për shprehje të vullnetit politik.

Zgjohen në mes të natës dhe dalin në rrugë për ta mbrojtur liderin e tyre! I përgjigjen një postimi në rrjete sociale, ezanit nga minaret e xhamive në mes të natës dhe e kthejnë mbrapsht ushtrinë e cila pretendon ta mbrojë shtetin sekular.

Ushtria turke, si njëri prej simboleve të fundit të proklamuar të sekularizmit të një shteti të fuqishëm i cili po ngarendte fuqishëm drejt barikadimeve religjioze, është sprapsur nga vet ata të cilëve po ajo ushtri do të duhej t’i shërbente.

Qytetarët turq, ndërkaq, thirrnin në paqe, mospërdorim të dhunës, respektim të kushtetutës… duke qëndruar në shtëpi dhe duke ia lënë të drejtën e plotë të vendimit demokratik besimtarëve aktivë. Populli kishte folur!

Populli turk ka dëshmuar se ka më shumë besimtarë se sa qytetarë.

Pavarësisht kritikave për rritje të autoritarizmit, Erdogan vazhdon të ketë mbështetje të madhe te një pjesë e konsiderueshme e popullsisë | Foto: Wikimedia Commons
Pavarësisht kritikave për rritje të autoritarizmit, Erdogan vazhdon të ketë mbështetje të madhe te një pjesë e konsiderueshme e popullsisë | Foto: Wikimedia Commons

 

Në kohën kur e tërë bota është e përçarë mes stigmatizimit dhe fajësimit kolektiv të muslimanëve për shkak të sulmeve terroriste të kryera në emër të mbrojtjes së paqes islame, ndeshemi me një demonstrim të fuqishëm dhe po aq të çuditshëm të demokracisë në rrugët e Ankarasë dhe Stambollit.

Pak është e rëndësishme kush e ka organizuar këtë puç.

Fort pak është e rëndësishme a ishte kjo ngjarje përgjigje spontane apo spektakël i orkestruar si edhe një salto politike për spastrim të gjyqtarëve, prokurorisë e gazetarisë laike.

Edhe më pak është e rëndësishme që pas këtij puçi nuk do të ketë më hetime për korrupsion ndaj familjarëve të liderit.

Ajo që është shumë më shumë e rëndësishme është se neo-fashistët e sotëm (po ashtu besimtarë, por të librave tjerë) të cilët akuzojnë muslimanët (të gjithë muslimanët) si rrezik për botën (tërë botën) tani e kanë një alibi të fuqishme: koncepti i qytetarit si individ pushon së qenuri koncept i vetëm kredibil për vendimmarrje.

Qytetarët e të gjithë popujve tash e tutje do të mbesin të heshtur dhe pa përfaqësim, apo jo?

Tash e tutje, politikën do ta bëjnë besimtarët! Besimtarët e të gjithë popujve; edhe atë në mënyrë kolektive, të fuqishme, sipas të gjitha standardeve botërisht të pranuara të demonstrimit demokratik të vullnetit të popullit.

Atëherë, si ka mundësi që të drejtat e praktikimit të besimit të jenë bazë e të drejtave themelore të njerëzimit, ndërsa aktet terroriste të qytetarëve të jenë përgjegjësi vetëm individuale e atyre që abuzojnë me këto të drejta?

Pse atëherë të drejtat quhen kolektive ndërsa përgjegjësitë mbesin individuale?

Trashëgimia laike e babait të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, mori një tjetër goditje kur turqit u lëshuan rrugëve në mbrojtje të Erdogan pas thirrjes së lëshuar nga minaret | Foto: Wikimedia Commons
Trashëgimia laike e babait të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, mori një tjetër goditje kur turqit u lëshuan rrugëve në mbrojtje të Erdogan pas thirrjes së lëshuar nga minaret | Foto: Wikimedia Commons

 

Turqia është shtet i madh dhe i fuqishëm. Njëra nga arsyet e të qenurit kaq i suksesshëm është edhe balansi Ataturkian i ndërtuar mes individit si qytetar dhe besimtar. Në shtëpi mund të jesh çfarëdo besimtari që zgjedh, por para shtetit je qytetar.

Shteti do ta garantojë secilin besim, përderisa ai besim e respekton shtetin.

E vetmja mënyrë që shteti t’i trajtojë, mbrojë dhe shërbejë në mënyrë të barabartë të gjithë besimtarët ka qenë që t’i trajtojë ata vetëm si qytetarë. Vetëm në një ambient të tillë, të drejtat mund të quhen kolektive e përgjegjësia të mbetet individuale.

Sot, pas 15-16 korrikut 2016, Turqia ka dëshmuar në mënyrë të qartë dhe fort demokratike se është shtet i besimtarëve, të atyre besimtarëve të cilët i falen Zotit sipas interpretimit “erdoganian” të librave të shenjtë.

Turqia e ka qartësuar publikisht se nuk është më vend laik i qytetarëve. Janë besimtarët ata të cilët kolektivisht e kanë përkrahur liderin e tyre besimtar; të cilët e kanë përkrahur dënimin me burgosje, rrahje e vrasje kolektive të qytetarëve, ushtarëve, prokurorëve, gjyqtarëve e gazetarëve të cilët mendojnë ndryshe.

Me këtë veprim, besimtarët turk i kanë hapur rrugë edhe besimtarëve të shteteve tjera që t’i zgjedhin, promovojnë dhe mbrojnë “erdoganët” e vet dhe interpretimet e tyre të librave të shenjtë si artikulim legjitim i dëshirës së popullit; tërë popullit!

E kemi parë këtë edhe më herët: netëve të kristalta të fashizmit Hitlerian, mitingjeve në Ushqe e Gazimestan të fashizmit Millosheviqian…

Besimtarët e atëhershëm gjermanë e serbë nuk u thirrën në përgjegjësi kolektive. Qytetarët nga e tërë bota kanë insistuar që për hir të popullit e popujve, përgjegjësia të mbetej ekskluzivisht individuale, ndërsa të drejtat të vazhdojnë të jenë kolektive.

Protestat e vitit 2007, kur mijëra turq, kryesisht të rinj, manifestuan në mbrojtje të trashëgimisë kemaliste të shtetit laik | Foto: Wikimedia Commons
Protestat e vitit 2007, kur mijëra turq, kryesisht të rinj, manifestuan në mbrojtje të trashëgimisë kemaliste të shtetit laik | Foto: Wikimedia Commons

 

Duket se ishin të kota këto përpjekje të qytetarëve. Besimtarët sot kanë vendosur një lloj të re të shprehjes së vullnetit të popullit.

Sot, kjo neo-demokraci soc-nacionaliste e besimtarëve të manipuluar dhe të shndërruar në militantë të kryqëzatave apo xhihadeve korporative është version zyrtar i shprehjes së vullnetit të popullit.

Nëse “demokracia e besimtarëve” funksionin në Turqi, pse të mos funksionojë në Sllovaki, Zvicër, Suedi, Amerikë…? Fundja, edhe në këto shtete, në këta popuj, ka kohë që numri i qytetarëve po bie derisa numri i besimtarëve po rritet.

Me këtë puç dhe mbrojtje nga puçi, nga Turqia i është hapur rrugë tërë botës për çdo dënim kolektiv të këtyre, atyre dhe të tjerëve. Me këtë, të gjithë ata që nuk besojnë si ne, janë gabim dhe janë fajtorë! Tash e tutje qytetarët do të heshtin përderisa besimtarët do të vendosin, apo jo!

Ata të cilët besojnë ndryshe do të burgosen, rrihen e vriten, ndërsa liderët do të jenë të pasur dhe askush nuk do të guxojë t’i hetojë për korrupsion, autokraci e shkelje ligji. Fundja, ligji i qytetarëve nuk do të jetë më i rëndësishëm sa ligji i librave të shenjtë të besimtarëve.

Tashmë, përgjegjësia do të jetë kolektive, ndërsa të drejtat do të mbesin individuale.

Një sërë komentuesish kanë thënë se tentativa e dështuar për puç e ka forcuar shumë pushtetin e Erdogan | Foto: Flickr
Një sërë komentuesish kanë thënë se tentativa e dështuar për puç e ka forcuar shumë pushtetin e Erdogan | Foto: Flickr

 

Tash e tutje, liderët (të gjithë liderët) të zgjedhur në mënyrë demokratike nga besimtarët (të gjithë besimtarët) si prijës individual legjitimë, do të kenë të gjitha të drejtat. Ndërsa qytetarët (të gjithë qytetarët) do t’i nënshtrohen përgjegjësive kolektive të atyre të cilët thyejnë ligjet civile (qytetare). Besimtarët do të jenë ata të cilët do të jenë garant të këtij rendi.

Sot, nëse dikush i fisit, gjinisë, besimit, ngjyrës apo gjuhës sime ka shkelur me kamion 80 njerëz, gra, burra e fëmijë të pafajshëm si në Nisë të Francës, edhe unë do të fajësohem me të drejtën “demokratike” të “përgjegjësisë kolektive”.

Sot, nëse dikush i fisit, gjinisë, besimit, ngjyrës apo gjuhës tënde do të shtie e vrasë me kallashnikov rreth 80 fëmijë të pafajshëm në emër të supremacisë së bardhë si në ishullin  Utøya të Norvegjisë, edhe ti do të fajësohesh me të drejtën “demokratike” të “përgjegjësisë kolektive”.

Po asaj përgjegjësie të cilën e mbajmë mend që i ka hapur udhë mesjetës së errtë, atëherë kur “erdoganët” i interpretonin librat e shenjtë përmes kryqëzatave për t’i mbrojtur të “drejtat individuale” duke thirrë në “përgjegjësi kolektive” e për t’i pasuruar arkat korporative të cilat atëbotë quheshin “feudalë”.

Vetëm liderët, edhe i yti e edhe ky i imi do të mbesin individë të cilët, si edhe feudalët e atëhershëm, do të gëzojnë të drejtat; të gjitha të drejtat! Edhe të drejtën që të jenë mbi ligjin! Besimtarët tashmë e kanë fituar këtë të drejtë, në mënyrë demokratike dhe në emër të krejt popullit, apo jo?

Ngjarjet me 15-16 korrik 2016 kanë kthyer besimtarin para qytetarit jo vetëm në Turqi, por në tërë botën. Përderisa si besimtarë një herë e kemi kuptuar, dorën në zemër para 400 viteve, se megjithatë është toka ajo që rrotullohet, kam frikë se përsëri po hyjmë në kohërat e një errësire të re mesjetare, kësaj radhe asaj islame.

Athua si do të ishte puna po të pranohej shteti i Turqisë në Bashkësinë Europiane atëherë kur i pat plotësuar të gjitha kushtet?!

Athua çfarë do të thoshin ata të cilët islamin e kuptojnë saktë si mësim, e jo si rregullim administrativ?!

Athua si ndihen ata besimtarë që i respektojnë besimtarët tjerë, duke e kufizuar besimin e vet duke qenë së pari qytetarë?!

Adem-HudutiShqiptarët, përgjegjësia kolektive dhe të drejtat individuale – antitezë

Adem Huduti, njëri nga gjeneralët turk të apostrofuar si bartës të puçit të dështuar në Turqi thuhet të jetë lindur si shqiptar. A thua pse nuk më befason kjo? Shqiptarët e kanë pasur thellë të rrënjosur në traditën e tyre përgjegjësinë kolektive.

Askush nuk ka marrë nuse nga një shtëpi në të cilën ka pasur dëshmi të mosbindjes ndaj normave të pranuara familjare.

Askush nuk ka dhënë nuse në një shtëpi në të cilën ka pasur dëshmi të mungesës së arritshmërisë ndaj normave të pranuara familjare.

Gjakmarrja, edhe pse sot fort fenomen i rrallë dhe i shikuar si shëmti, ende mbetet fund e krye ndëshkim kolektiv, jo individual. I tërë fisi është përgjegjës për shkak se nuk është siguruar që njëri nga individët e tij nuk do të rrijë brenda asaj që thonë librat e urtësisë: “të mos marrësh jetën e tjetrit”.

Shqiptarët deri vonë kanë qenë viktimë e “dënimit kolektiv” për shkak se kolektivisht janë etiketuar si primitiv, të pashkolluar e të padenjë për të qenë të barabartë me popuj tjerë, sidomos me italianët, grekët, jugosllavët…

Fundja, shqiptarët (së paku një pjesë e tyre) ende nuk janë të denjë të njihen si të barabartë me tërë botën: ekzistenca e shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, mohohet nga shtetet të cilat para ligjit të natyrës i vejnë interesat politike; të cilët të drejtat kolektive i trajtojnë si përgjegjësi kolektive.

Për këtë arsye, shqiptarët, sidomos kosovarët, janë kampionë të individualizmit, edhe si përgjegjësi e edhe si të drejta të garantuara me ligj civil (qytetar).

Tash, si duket, po vjen koha e ligjit tjetër, atij të librave të shenjtë. Me sa i njoh unë shqiptarët, nuk do të habitesha t’i shihja të kthehen në rrënjët e tyre të vjetra pagane.

 

18 korrik 2016

Autori i këtij shkrimi është shqiptar, musliman dhe në radhë të parë: qytetar.