Lista Serbe duke e mbajtur tubimin elektoral në Graçanicë, më 2 qershor 2017. Foto: Armenije Zajmi/ Beta

Pse Serbët Nuk Mund ta Kurorëzojnë Pushtetin Politik në Kosovë

Çfarë kam lënë jashtë ekuacionit, megjithatë, janë serbët e Kosovës. Prandaj sot do shkruaj për atë se si serbët nuk mund të jenë kurorëzues të pushtetit (kingmaker) në Kosovë përderisa përfaqësuesve të tyre politik u mungon legjitimiteti dhe përderisa bashkësia serbe mbetet e paaftë të projektojë interesat e veta politike.

Roli i serbëve në jetën politike të Kosovës është qenësor në aspektin formal, por i parëndësishëm në aspektin funksional.

Rëndësinë formale dhe fuqinë politike serbëve ua jep sistemi kushtetues, i cili garanton pjesëmarrje në ligjbërje dhe qeveri përmes vendeve të garantuara.

Megjithatë, funksionalisht, kjo fuqi është e vogël për shkak të mungesës së legjitimitetit të përfaqësuesve të zgjedhur serbë, si dhe mungesës së ndonjë ideje të qartë se cilat janë interesat e bashkësisë serbe në Kosovë.

Për ta vendosur këtë argument në një pikëpamje, kriza aktuale në formimin e qeverisë do duhej të ishte situatë ideale për serbët.

Koalicioni fitues i drejtuar nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, i ka vetëm 39 nga 120 vendet në Kuvendin e Kosovës.

Tash e dy muaj, PDK-ja ka qenë e paaftë ta mbledhë një shumicë që do ta votonte Qeverinë pasi që dy partitë tjera, Vetëvendosje me 32 deputetë dhe LDK-ja me 29 sosh, refuzojnë ta mbështesin një qeveri të udhëhequr nga PDK-ja.

Serbët ndërkohë kanë 10 ulëse. Nëntë i takojnë Listës Serbe, një force politike e mbështetur nga Beogradi, dhe një ulëse një partie tjetër, të formuar nga serbët e Kosovës.

Kësisoj, roli i serbëve në formimin e qeverisë do duhej të tejkalontë garancitë kushtetuese dhe të jetë qenësor në ndërtimin e koalicioneve dhe programeve qeverisëse, duke ditur fuqinë e tyre sasiore në Kuvend.

Por serbët mbesin të parëndësishëm, meqë janë rreshtuar me koalicionin e udhëhequr nga PDK, duke ua ngritur atyre numrat në Kuvend, në 60; një më pak sesa që duhet për shumicë parlamentare.

Është bërë zakon që gjatë formimit të qeverive në Kosovë vota serbe ashtu si edhe 10 votat e tjera të garantuara për pakicat kombëtare të shkojnë për koalicionin fitues. Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, votat e përfaqësuesve të pakicave i kanë shkuar koalicionit të parë të nominuar për formimin e qeverisë.

Bisedimet rreth koalicioneve zakonisht përqendrohen në çështje jo-esenciale si ajo se cili individ e merr cilën pozitë udhëheqëse. Politikat për serbët e Kosovës dhe interesat e tyre nuk diskutohen kurrë.

Problemi kryesor me përfaqësuesit serbë të zgjedhur në Kosovë është legjitimiteti i tyre.

Mes viteve 2008 dhe 2014, serbët i kanë bojkotuar, në masë të madhe, zgjedhjet në Kosovë.

Disa nga ta, megjithatë ishin mjaft të guximshëm që të formonin parti të reja dhe të kandidojnë për ulëset e garantuata. Pasi që ishin partitë e vetme të cilat i përfaqësonin serbët ato ulëse edhe i morrën. Deputetët serbë mund të zgjedheshin njerëzit me disa dhjetëra vota. Ani pse ishin të ligjshëm, si përfaqësues të popullit, ishin larg nga të qenit legjitim.

Edhe pse në sytë e shumë serbëve këta poltikanë ishin tradhtarë dhe marioneta të shqiptarëve, mirëqenia e serbëve ishte mbi supet e tyre, e po ashtu edhe secila meritë për përmirësimin e jetës së serbëve të Kosovës.

Kur u arrit marrëveshja e Brukselit, BE-ja iu drejtua Beogradit, për të kërkuar ndihmë në integrimin e serbëve të Kosovës në sistemin e shtetit të ri.

Qeveria në Beograd e bëri pikërisht këtë. E themeloi një forcë politike – Listën Serbe – të shërbejë si marionetë e Beogradit në sistemin politik të Kosovës. E fuqizuar nga strukturat paralele të cilat Serbia vazhdoj t’i mbajë në Kosovë, Lista Serbe fitoi, dy herë radhazi, shumicën absolute të votave të serbëve të Kosovës.

Mirëpo, kur e pyeta një hulumtues serb nga Mitrovica se kush ishin deputetët e rinj serbë, morra vesh se as ai asnjëherë nuk kishte dëgjuar për ta.

Sipas shumë intelektualëve serbë në Kosovë, në procesin zgjedhor, ndër serbë, kishtë pasur manipulime në shkallë industriale. Thasë me fletëvotime ishin parë të jenë dërguar të gatshme nëpër vendvotime, të plotësuara e të vulosura, gati për t’u numëruar.

Përmes fuqizimit të Listës Serbe, serbët e Kosovës i hoqën qafe përfaqësuesit e tyre jolegjitim, duke e lënë Beogradin t’ua sjellë përfaqësuesit e rinj, po ashtu jolegjitim.

Roli i BE-së në këtë çështje nuk është më pak interesant. Shumica e marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetsuar nga BE-ja, ndikojnë në jetën e serbëve të Kosovës, gjë që na shpie te pyetja se kush në të vërtëtë i përfaqëson ata në këtë dialog. Duke e analizuar diskursin e BE-së në këtë dialog, gjatë studimeve të mia të doktoratës, nuk e kam gjetur as edhe një referencë të vetme për serbët e Kosovës.

Të verbëruar nga suksesi i vetëshpallur i dialogut, i cili çoi në pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje dhe në integrimin e tyre në sistemin politik të Kosovës, BE-ja e ka injoruar aspektin më të rëndësishëm për mirëqenien e serbëve të Kosovës – aftësinë e tyre për zgjedhjen e përfaqësuesve legjitimë.

Zgjedhjet janë reduktuar në formalitet. Dëshirat e qëndrimet e ish-kryeministrit të Serbisë, tash President, Aleksandar Vuçiq, janë të mjaftueshme për të përcaktuar se cili është rezultati. [Kjo, si dhe frikësimi sistematik i votuesve, natyrisht].

Qeveria e Serbisë nuk ka problem me këtë. Ajo ka marrë kontroll të plotë mbi forcën e katërt më të madhe në Kuvendin e Kosovës, me de fakto të drejtë të vetos për politikat më të rëndësishme për të cilat sistemi politik i Kosovës kërkon “dy të tretën e dyfishtë” duke nënkuptuar këtu edhe votat e deputetëve jo-shqiptarë. Kjo i siguron Beogradit pozitë më të favorshme në dialog me Kosovën si dhe me BE-në.

Qeverisë së Kosovës nga ana tjetër i është dashur të kënaqet me integrimin formal të serbëve në sistemin e saj politik. Legjitimiteti i këtyre përfaqësuesve serbë bëhet i diskutueshëm vetëm kur ata vendosin t’i bllokojnë institucionet, sipas urdhërave nga Beogradi.

Mirëpo, ky legjitimitet i përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës, mbetet problem. Përderisa një pakicë e përfaqësuesve të tanishëm përqendohet në aspekte konkrete të politikave, shumica brenda Listës Srpska shihet veç si klientë të presidentit të Serbisë. Debati politik tek serbët të Kosovës është reduktuar përsëri në etiketat ballkanike të “patriotit” dhe “tradhtarit”.

Ajo çka i përbën interesat e serbëve të Kosovës humbet në këto etiketa. Çështjet reale me të cilat ballafaqohet bashkësia serbe dhe mirëqenia e serbëve në Kosovë poashtu humbasin. Pa përfaqësim legjitim dhe pa debat të mirëfilltë politik, serbët e Kosovës nuk janë të aftë që t’i projektojnë interesat e tyre.

Në këtë mënyrë, qoftë edhe në një situatë ideale, çfarë është kriza për formimin e qeverisë së Kosovës, ata nuk mund të bëhen kurorëzues të pushtetit, në Kosovë.

Ky Opinion fillimisht është botuar në Balkan Insight.

Krenar Gashi është politolog, aktualisht doktorant në Qendrën për studime në BE-së, Universiteti i Ghentit, Belgjikë.