Pse i Ofendojmë Gratë Tona?

Gjuha shqipe ka variacione të pasura të fjalës “whore.” Disa nga to janë: “kurvë,” “bushtër,” “kudër,” “lavire,” “rrospi,” “zuskë,” “prostitutë,” etj. Me siguri ka edhe versione të tjera regjionale të kësaj fjale, të cilat unë nuk i di, e disa nga to janë aq fyese sa që nuk janë të përshtatshme për shtyp dhe të papërkthyeshme në gjuhën angleze. Për më shumë, ne edhe huazojmë fjalë nga gjuhët e vendeve fqinje për t’ia shtuar këtij fondi fjalësh dhe për t’i fyer gratë tona, por ne nuk kemi fjalë gjenerike për gjëra si drunjtë megjithëse gjithmonë kemi qenë barinj që jetojnë afër kodrave e maleve, që nga koha kur e kemi kontrabanduar veten nga errësira drejt faqeve të historisë së shkruar diku në shekullin e 11-të. Ky është vetëm një indikacion se sa i pasur është fjalori ynë misogjinik kur është fjala te gratë.

Po e përdor lirshëm termin “ne”, jo për të përshkruar ndonjë në veçanti, por si metaforë për të rrëfyer një instinkt të vjetër apo sforcim kulturor që përndjek meshkujt shqiptarë në kohën kur shoqëria përpiqtet të ngritet përmbi kulturën misogjinike të rrënjosur thellë në të. Ky instinkt – që është dëshmuar të jetë vështirë i kontrollueshëm – sot shfaqet çdokund në hapësirën publike, ambientet private dhe ajo se si ne i trajtojmë gratë dhe si përballemi me lirinë dhe fuqizimin e tyre. Ne nuk mund të themi që i kemi kontribuar shumë njerëzimit në ndonjë fushë të shkencës, por askush nuk mund të na akuzojë për mungesë të kreativitetit gjuhësor kur vjen puna te zbulimi i fjalëve për të përulur apo poshtëruar bashkëshortet, të dashurat, motrat, vajzat, shoqet tona – e që të gjitha këto shërbejnë si mësuese, menaxhere, mjeke, këshilltare, mentore, gazetare dhe udhëheqëse në shumë fusha. Edhe përkundër faktit se ne e mbështjellim veten me lustrën e modernizmit, ne vazhdojmë të ushqejmë thellë brenda vetes një instinkt që herë pas here del dhe e zbulon qëndrimin tonë të vërtetë: kulturën tonë të dhunës ndaj grave.

Kur grushtet dhe plumbat tanë nuk arrijnë gratë, ne i kthehemi repertorit tonë të pasur të ofendimeve dhe njollosjes që i përul ato. Ne përdorim metafora që ndjellin imazhe që synojnë t’i zhveshin gratë nga integriteti, dhe gjinina e tyre, i bëjmë për keqardhje dhe ua humbim njerëzoren.

Pozicioni i vërtetë është që ne nuk përdorim trurin, logjikën apo arsyen për të debatuar me gratë, por përdorim duart, grushtat, stupcat dhe armët për fituar argumentin apo për t’ua mbyllur gojën. Kur kjo nuk është gjëja më praktike për të bërë apo kur grushtat dhe plumbat tanë nuk arrijnë gratë, ne i kthehemi repertorit tonë të pasur të ofendimeve dhe njollosjes që i përul ato. Ne përdorim metafora që ndjellin imazhe që synojnë t’i zhveshin gratë nga integriteti, dhe gjinia e tyre, i bëjmë për keqardhje dhe ua humbim njerëzoren.  Ky nuk  është thjesht një fjalor i butë vetë-demaskues, por dhuna ndaj grave edhe ajo fizike e edhe ajo verbale, është e pranishme kudo dhe fillon së pari nga meshkujt në pushtet, që nga kreu i Parlamentit, i cili para disa muajsh kishte lëshuar ofendime seksuale (që nuk mund të shkruhen këtu) në drejtim të koleges së tij femër, në prani të kamerave, pastaj postimit të javës së kaluar në Facebook nga Kryeministri, që kishte ngjallur me të drejtë shumë zemërim. Secili mund ta analizojë postimin në Facebook të z. Isa Mustafa nga kënde të ndryshme, por është e rëndësishme të diskutohet pozicioni i vërtetë i meshkujve shqiptarë të cilit ata i kthehen kur nuk mund ta përdorin forcën fizike drejtpërsëdrejti për t’i shprehur mospajtimet me gratë.

Le të fillojmë me metaforën e përdorur të kryeministrit për të përshkruar “gratë që kullosin fondet nga ndërkombëtarët.”

Nuk ka nevojë të lexohet më tutje se këto tri fjalë “gra që kullosin…” e të imagjinosh pamje të qarta të kafshëve (me gjasë ai kishte menduar për bagëtinë) që përtypin barin në fusha apo kullosa. Me fjalë të tjera, kreu i qeverisë së shtetit më të ri të Evropës – i cili aspiron për t’u bashkuar me familjen evropiane, përdor gjuhë të tillë për të krahasuar gratë e vendit të tij me lopët.

Duke i ofenduar të gjitha gratë, ai me sa duket ka targetuar gratë e arsimuara dhe të fuqishme të vendit, të cilat punojnë me donatorët ndërkombëtarë në zbatimin e projekteve në Kosovë. Pa marrë parasysh, kjo përçartje e tij sugjeron një inat të lindur dhe të ushqyer thellë, që është tipik për kulturën maçoiste të Kosovës, kundër femrave të cilat po arrijnë një shkallë të pavarësisë ekonomike.

Parehatia me gratë e arsimuara duket se rrjedh nga instinkti burrëror, ku meshkujt thjesht nuk janë mësuar t’i shohin gratë tek udhëheqin fatin e tyre. Dikush mund të mos i marrë seriozisht përçmimet e kryeministrit dhe t’i shohë si deklarata që nuk i bëjnë nder atij, mirëpo kjo nuk është çështje për të qeshur.

Çështja më e dhimbshme është se përse ndodh një gjë e tillë? Pse kreu i qeverisë krijon pasiguri të tilla mashkullore dhe tendenca misogjeniste? Ku është vetëpërmbajtja që është aq kritike për një lider? Pse ai ka frikë, pse ne kemi frikë ndaj zhvillimit të grave, ndaj avancimit të tyre, ngritjes së tyre pas një periudhe të errët të një historie të dhunshme ku gratë janë robëruar që nga lashtësia? A nuk mundet që kjo shoqëri të jetë më me prosperitet, më e begatë, më e mëshirshme, më e hapur nëse gratë trajtohen në mënyrë të barabartë, nëse të drejtat dhe liritë e tyre mbrohen dhe përkrahen? Si është e mundur që një shtet të ketë zhvillim nëse ai abuzon në secilën mënyrë të mundshme me gjysmën e popullsisë së saj?

Fuqizimi ekonomik i grave dhe përfshirja e tyre në fuqinë punëtore edhe pse e ulët krahasuar me standardet evropiane, është dukshëm zhvillimi më i rëndësishëm i Kosovës së pasluftës.

Pavarësia financiare ua lejon grave të bëhen pjesë produktive e shoqërisë, të bëjnë zgjedhjet e tyre dhe të jetojnë si ato duan me këdo që ato duan dhe kudo që duan. Ky progres bazik për shtetin duhet ta gëzojë gjithësecilin sepse sipas gjitha gjasave kjo është hera e parë që gratë po kanë mundësi të lirohen nga abuzimet e shoqërisë e cila ua ka mohuar atyre të drejtën e zgjedhjes së lirë dhe jetës së lirë. Në momentin kur Kryeministri insinuon mungesën e miratimit të rreth këtij zhvillimi, progresit shoqëror të grave, është një turpërim i pafalshëm.

Kryeministri dhe Kryesuesi i Parlamentit mbajnë timonin e shtetit dhe duhet të shërbejnë si modelë për të rinjtë që mund të aspirojnë të hyjnë në shërbimin publik në të ardhmen dhe t’i shërbejnë shoqërisë. Obligimi parësor i këtyre pozitave që mbajnë këta dy politikanë nuk është vetëm bërja e politikës dhe sharja e rivalëve por edhe ofrimi i lidershipit moral për të tjerët, inspirimi i të rinjve për shërbim qytetar, thirrja për një sërë vlerash që t’i bashkojnë njerëzit, largimi i diskriminimit dhe shmangia e referencave të dhimbshme dhe gjuhës që dehumanizon gjysmën e popullsisë. Në fund të fundit, këta politikanë duhet të jenë të vetëdijshëm që janë figura publike dhe që me këto veprime, ata po e poshtërojnë integritetin e institucioneve që udhëheqin.