PS Fiton e Vetme, PD Braktiset Nga Votuesit e Saj

Rezultatet e zgjedhjeve të së dielës i japin Partisë Socialiste gati gjysmën e votave si dhe maxhorancën e parë të pastër që nga viti 2001, ndërsa kreu i opozitës Lulzim Basha u përball me kërkesa të vakëta për dorëheqje pasi siguroi rezultatin më të keq për partinë e vet që nga viti 1997.

Partia Socialiste e Shqipërisë siguroi një fitore dërrmuese mbi kundërshtarët e vet demokratë në zgjedhjet e së dielës- zgjedhje të karakterizuara nga pjesëmarrja e ulët e votuesve si dhe nga braktisja e Partisë Demokratike nga elektorati i saj tradicional.

NDËRLIDHUR

Partia e tretë në vend, Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi të martën se do të jetë në opozitë, edhe pse siguroi një rritje të konsiderueshme në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013. Socialistët siguruan të vetëm maxhorancën parlamentare, ndaj roli i saj si pakicë e domosdoshme për krijimin e maxhorancës, gjë që i dha pjesëmarrje në qeverisje përgjatë tetë viteve të fundit, nuk ekziston më.

Deri në orën 12 të ditës së martë, ndërsa janë numëruar 97 për qind e kutive të votimit, Partia Socialiste rezulton se ka marrë48.3 për qind të votave në rang kombëtar, ndërsa Partia Demokratike ka arritur të marrë rreth 29 për qind të votave.

Ndonëse rezultati në vota është shumë i thellë, formula D’Hondt e mesatareve më të larta si dhe sistemi i proporcionalit rajonal, i përdorur në Shqipëri që nga viti 2009, i jep Partisë Socialiste një maxhorancë 74 deputetësh nga 140 vende.

Kjo është hera e parë që nga viti 2001 që një parti e vetme arrin të sigurojë shumicën e thjeshtë parlamentare në Shqipëri. Në zgjedhjet e vitit 2005, ndonëse praktikisht Partia Demokratike kishte shumicën parlamentare, ajo e mori këtë shumicë përmes praktikës së derdhjes së votave proporcionale në disa parti të vogla aleate.

Sistemi i ri i proporcionalit rajonal i zbatuar në vitin 2009, i dha koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike 70 mandate gjithsej ndërsa zgjedhjet e vitit 2013 i dhanë Partisë Socialiste 65 mandate, gjë që në të dyja rastet, e la partinë Lëvizja Socialiste për Integrim në rolin e minorancës kyçe. Ky rol i dha mundësinë LSI-së që të ishte për tetë vite në pushtet, fillimisht me PD-në dhe më pas me Partinë Socialiste.

Pjesëmarrje e ulët

Rezultatet janë ende paraprake, por pjesëmarrja e ulët është tipari i dukshëm i zgjedhjeve të së dielës. Nga 3.45 milionë shqiptarë me të drejtë vote, 1.57 milionë ose 46.7 për qind e ushtruan të drejtën e tyre të votës. Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013 u hodhën rreth 160 mijë vota më pak, ndërkohë që lista e votuesve gjatë4-vjeçaritështë shtuar me 180 mijë votues të rinj.

Qarku i Vlorës shënoi pjesëmarrjen më të ulët në rang kombëtar me 35.8 për qind sipas të dhënave të pjesshme të raportuara nga KQZ, pasuar nga Qarku Shkodër me 42 për qind. Qarqet me pjesëmarrjen më të lartë rezultuan Dibra me 55 për qind dhe Kukësi me 52 për qind. Të gjitha qarqet e vendit kanë pësuar rënie në krahasim me vitin 2013 në pjesëmarrje. Qarqet me rënien më të thellë janë Kukësi dhe Tirana me nga 9.2 për qind, pasuar nga Fieri me 8.3 për qind.

Zgjedhjet e së dielës shënuan edhe pjesëmarrjen më të ulët në historinë e re të zgjedhjeve në Shqipëri. Ndonëse dihet se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë votuese shqiptare jeton aktualisht në emigrim dhe nuk mundet fizikisht të votojë, sërish, duke marrë parasysh votat e hedhura në vitin 2013 si dhe shtimin e listës së votuesve, të dielën rreth 340 mijë shqiptarë vendosën të mos shkojnë në votime.

Nëse këta shqiptarë do të votonin, “partia e tyre” do të qe e barazvlefshme me rreth 25 mandate deputetësh.

Votat i mungojnë opozitës

Pjesëmarrja e ulët solli një rënie të votave të fituara nga partitë aleate të së majtës me përjashtim të LSI-së, por një rënie edhe më dramatike të votave të fituara nga partitë e kampit të djathtë, me në krye Partinë Demokratike.

Në vitin 2013, Partia Socialiste fitoi 713 mijë vota më vete dhe 100 mijë vota të tjera përmes aleatëve të vegjël, plot 36 parti të vogla, duke përjashtuar LSI-në.  Në zgjedhjet e së dielës, PS arriti të marrë rreth 742 mijë vota[ të dhënat janë ende paraprake] ose rreth 29 mijë vota më shumë se sa PS pati marrë si subjekt i vetëm në zgjedhjet e vitit 2013.

Nëse i konsiderojmë të 100 mijë votat e partive të vogla- klientelë e socialistëve në vitin 2013 si vota të majta, atëherë kësaj partie i mungojnë rreth 76 mijë vota.

Por djathtas, gropa në vota është e stërmadhe. Partia Demokratike, ndonëse ruajti vendin si partia e dytë më e madhe në Shqipëri, arriti të marrë të dielën 440 mijë vota ose 29 për qind të totalit.

PD ka marrë efektivisht gati 85 mijë vota më pak se në zgjedhjet e vitit 2013, kur kjo parti garoi, njësoj si socialistët, si pjesë e një koalicioni me parti klientelë të saj. Këto parti, të tilla si Partia Republikane apo Balli Kombëtar, patën marrë së bashku 107 mijë vota, (duke përjashtuar votat e PDIU). Nëse këto konsiderohen si vota të djathta, atëherë, PD ka marrë efektivisht 192 mijë vota më pak se sa më 2013, duke përjashtuar PDIU.

Këto shifra sugjerojnë se bojkoti i konsiderueshëm i votuesve të dielën qe në thelb një bojkot i mbështetësve tradicionalë të së djathtës ndaj partive të tyre në masë shumë më të madhe se sa bojkoti ndaj partive të së majtës.

Lëvizja Socialiste për Integrim arriti gjithashtu të shtojë numrin e saj të votave. LSI mori rreth  220 mijë vota, 14.4 për qind në rang kombëtar, rreth 40 mijë vota më shumë se sa në zgjedhjet e vitit 2013.

Partia tjetër e rëndësishme, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, arriti të marrë gati 72 mijë vota në rang kombëtar, mbi 27 mijë më shumë se sa më 2013, kur garonte si pjesë e koalicionit të djathtë. Por votat e saj u siguruan në masë të konsiderueshme në Elbasan dhe në Dibër, ndërkohë që elektorati i saj tradicional mes popullsisë çame në Vlorë e Fier duket se e braktisi këtë parti, duke mos i dhënë asnjë deputet në këto qarqe.

PDIU ka nxjerrë nominalisht tre mandate fituese, dy në Elbasan dhe një në Dibër, por kandidatja e kësaj partie për Dibrën, Reme Lalaj, 22 vjeç, deklaroi menjëherë pas zgjedhjeve mbështetjen e saj për Edi Ramën.

Spekulimet kanë qenë të shumta gjatë fushatës elektorale se PDIU u tolerua nga Partia Socialiste si një plan rezervë i saj për të krijuar një qeveri koalicioni, në rast se PS nuk do të arrinte të siguronte 71 mandate. Dy fituesit e saj në Elbasan, Aqif Rakipi dhe Bujar Muça, janë që të dy biznesmenë.

Vetë kreu i kësaj partie, Shpëtim Idrizi u përfshi në një garë të ashpër me Partinë Socialiste për mandatin e tij në Tiranë, të cilin deri mesditën e së martës nuk arriti ta siguronte. PDIU mori në qarkun Tiranë më pak se 11,800 vota, të mjaftueshme për të siguruar një deputet, por të pamjaftueshme për të kapur pragun prej 3%.

Në parlamentin e ardhshëm pritet të kthehet edhe Partia SocialDemokrate, e cila ka qenë jashtë parlamentit prej tetë vjetësh. Kandidati i saj në Shkodër Tom Doshi, ish-deputet socialist, arriti të sigurojë gati 13 mijë vota, të mjaftueshme për të siguruar një deputet.

Maxhoranca e parë në tetë vjet

Partia Socialiste do të ketë 74 mandate deputetësh në kuvendin e ardhshëm, duke u bërë partia e parë që siguron të drejtën të qeverisë e vetme që nga krijimi i sistemit aktual të proporcionalit rajonal. Efektivisht ajo siguroi 53 për qind të mandateve në kuvend me 48.3 për qind të votave.

Socialistët fituan mbi demokratët në dhjetë nga dymbëdhjetë qarqet e vendit, ku në shumë qarqe, rezultati në vota e në mandate qe shumë i thellë. Në dy qarqe, në Shkodër dhe Kukës, demokratët arritën të ruajnë rezultatin si forcë e parë, por me një diferencë shumë më të vogël në vota se më parë.

Lezha rezultoi qarku që ndryshoi krah në këto zgjedhje, pasi i pati dhënë një fitore të ngushtë Partisë Demokratike në vitin 2013 ndërsa i dha një fitore të konsiderueshme Socialistëve në këto zgjedhje. Dibra qe gjithashtu një qark ku demokratët humbën, por këtu mandati i saj i kaloi kandidates së PDIU, Reme Lala.

Në qarqet e tjera, rezultati në deputetë qe më së shumti një humbje më e thellë e demokratëve në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013.

Analizë e botuar në Reporter.al

27 Qershor 2017 - 14:21

Gjergj Erebara, BIRN 27/06/2017 - 14:21
NDËRVEPRIMI34

PS Fiton e Vetme, PD Braktiset Nga Votuesit e Saj

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend