Protestë Kundër Ligjit për Amnisti (TV)

Kjo protestë ka filluar mbrëmjen e së mërkurës, me thirrjen e Grupit të Qytetarëve të Organizuar, ku rreth 150 qytetarë kanë qëndruar para kuvendit, duke përfshirë këtu pjesëtarë të Vetëvendosjes dhe të disa organizatave joqeveritare. Disa nga ta edhe kanë fjetur aty për të vazhduar protestën të enjten në mëngjes.

Njëri nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismajli  përmes Facebook-ut tha se do të kalojë natën para Kuvendit të Kosovës.

 ”Sonte kam me fjetë qetu, sepse po due me protestue jo vetëm kundër miratimit të Projektligjit për Amnisti (falje) të kriminelëve, por kundër po të njajtëve kriminelë që ma shkatërruan vendin qe 14 vjet edhe tash po mundohen edhe nji herë me e shpëtue veç ….. e tyne, prapë në kurriz të qytetarit”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Më pas, deri në orën 3 të mesnatës, rreth 150 qytetarë iu kanë bashkuar Fisnik Ismajlit dhe kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës kundër miratimit të këtij ligji

Ilir Deda nga Instituti KIPRED  mendon se ligji nuk duhet të miratohet kështu siç është, por duhet të kthehet në rishqyrtim.

Ndërsa edhe Rron Gjinovci nga Grupi i Organizuar i Qytetarëve, bëri thirrje që ky ligj të mos miratohet, sepse siç tha ai gjithçka rreth këtij ligji ka shkuar shumë shpejt.
 
“E kam lexuar ligjin dhe ai ligj është I tmerrshëm”, tha të enjten në mëngjes Gëzim Pakashtica, qytetar i cili ka qëndruar tërë natën para Kuvendit të Kosovës.

Sidoqoftë, projektligji duket se ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.

Ambasadorja franceze Marsye Daviet tha se projektligji duhet të aprovohet nga Parlamenti.

“Ne duam fuqimisht që ky projektligj të aprovohet nesër”, tha ajo të mërkurën.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë pas deklarimeve të grupeve parlamentare rreth këtij ligji. Seanca do të vazhdojë në orën 15-të.

Projektligji amniston shumë vepra penale. Aty amnistohen veprat penale të parapara me Kodin e ri Penal, ish-Kodin Penal dhe ish-Ligjin penal, e po ashtu edhe veprat e dënueshme me rregullore të UNMIK-ut dhe Kodin doganor.

Fillimisht projektligji ka paraparë se do të amnistohen veprat penale që janë kundër jetës, trupit dhe pronës, pastaj vazhdon me amnistinë e tërësishme për veprat që janë kundër shtetit apo rendit kushtetues si dhe në fund edhe veprat kundër ekonomisë

Kundër miratimit të këtij ligji kanë dalë të mërkurën deh të enjten Instituti i Kosovës për Drejtësi IKD, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave KIPRED, Instituti Demokratik i Kosovës, KDI dhe një grup qytetarësh.