Protesta Anulon Ceremoninë e Përurimit të Autostradës

Ish-luftëtarë të Brigadës 121 “Kumanova”, komandant i të cilës ka qenë Fatmir Limaj, po protestojnë kundër burgimit të Limajt dhe tre ish-luftëtarëve të tjerë të kësaj brigade, nën akuzat për krime lufte.

RTK ka raportuar se në kohën kur ishte paraparë përurimi i autostradës, protestuesit kanë hipur në binë, duke kërkuar lirimin e bashkëluftëtarëve të tyre. Protestuesit kanë thirrur: “Nëse doni me festu, Fatmir Limajn duhet me e pru”.

Protestuesit kanë hequr të gjitha pajisjet teknike nga bina për ceremoninë e lëshimit në funksion të 60 kilometrave të kësaj autostrade.

Ceremonia, ku pritej të merrte pjesë dhe kryeministri Hashim Thaçi, nuk ka filluar në orën 10, sikur ishte paralajmëruar.
 
“Ceremonia është anuluar. Protokolli i shtetit ka vendosur kështu”, tha Ela Ruçi, zëdhënëse e kompanisë “Bechtel-Enka”, e cila po kryen punimet në autostradë.
 
Zyra e Kryeministrit të Kosovës kishte paralajmëruar pjesëmarrjen e kryeministrit Thaçi në ceremoni, me fillim nga ora 10. “Në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbahet Manifestimi Qendror i përurimit të segmentit të pestë të Autostradës së Kombit”, thuhej në njoftim.

Por, pas orës 11, në zyrën për informim askush nuk ka konfirmuar anulimin ose shtyrjen e ceremonisë.

Top Albania Radio ka raportuar se edhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha, kishte mbërritur në vendin e përurimit të autostradës. Pas thyerjes së binës nga protestuesit, Berisha ka fluturuar me helikopter mbrapsht për në Tiranë.
 
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, tha se në Gjurgjicë ndodhet policia e rendit, e cila është e angazhuar për mbajtjen e rregullit dhe rendit gjatë përurimit të kësaj pjese të autostradës. Ajo mohoi se në vendngjarje ka dalë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

“Ne nuk kemi informata për eskalim të situatës; për momentin gjendja është e qetë”, tha ajo.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, Fatmir Limaj, dhe tre ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala, të akuzuar për krime lufte në rastin “Kleçka”, u paraburgosën fundjavën e kaluar.

“Rreziku për t’u arratisur dhe rreziku për të modifikuar provat qëndron për tre te akuzuarit, duke qenë se janë akuzuar për vepra penale shumë serioze”, tha EULEX-i, në një deklaratë për shtyp.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e përshkroi arrestimin e Limajt si të papranueshëm dhe të padrejtë dhe një akt dinak nga EULEX-i.

Duke folur në ceremoninë për shënimin e Ditës së Forcave të Sigurisë së Kosovës në Prishtinë, Thaçi  se askush nuk ka të drejtë të bëjë arrestime “sekrete” pa dijeninë e institucioneve vendore.

“Kjo është e padrejtë! Kjo është e papranueshme! Kjo është e turpshme! Kjo nuk është drejtësi, kjo është mungesë dinjiteti”, tha Thaçi, gjatë ceremonisë të transmetuar live nga transmetuesi publik në Kosovë, të hënën pasdite.

Katër burrat u liruan më 2 maj nga të gjitha akuzat për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë, por prokuroria apeloi vendimin dhe e dërgoi rastin për rigjykim më 20 nëntor.

Sipas aktpadisë, të pandehurit kanë “dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të pacaktuar civilësh serbë dhe shqiptarë që mbaheshin si të burgosur lufte në qendrën e burgimit në fshatin Kleçkë”.

Pothuajse të gjitha akuzat ishin të bazuara në dëshminë e Agim Zogajt, i njohur si Dëshmitari X, i cili u vetëvra shtatorin e shkuar në Gjermani, para se të fillonte gjyqi.

Zogaj ishte roje burgu në burgun në Kleçkë dhe ditari i tij për ngjarjet ishte kyç për rastin e prokurorisë. Sidoqoftë, më 21 mars, gjykata vendosi se dëshmia e tij dhe ditarët ishin të papranueshëm.

Sidoqoftë, javën e shkuar gjyqtari i EULEX-it, Gerrit-Marc Sprenger e rrëzoi gjykimin, dhe i bëri të pranueshme dëshmitë e Zogajt.

Ish-ushtarët e Limajt të Brigadës 121 “Kumanova” të UÇK-së në një deklaratë për shtyp të dielën, thanë se janë “thellësisht të zhgënjyer” me sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe e akuzuan EULEX-in si të anshëm.

Përfaqësuesi Special i EULEX-it në Kosovë, Samuel Zbogar, tha të hënën se i kupton ndjeshmërinë dhe emocionet në lidhje me arrestimin e Limajt dhe bëri thirrje për mosinterferim në proceset gjyqësore.

“Një parim thelbësor i çdo shoqërie moderne, demokratike është mosndërhyrja në procesin gjyqësor. Gjyqtarët veprojnë në mënyrë të pavarur, prokurorët veprojnë në mënyrë të pavarur dhe ata që paditen janë të pafajshëm derisa të vërtetohen fajtorë. Vendimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it nuk kanë qenë, s’janë dhe s’do të jenë asnjëherë të motivuara politikisht”, tha ai.

Limaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet, u përball me akuza për krime lufte në Tribunalin e Hagës, ICTY.

Ai u akuzua, bashkë me Isak Musliun dhe Haradin Balën, për krime lufte ndaj serbëve dhe shqiptarëve që dyshoheshin për bashkëpunim me Serbinë gjatë luftës në Kosovë.

Në nëntor të vitit 2005, ICTY e liroi dhe Limaj u kthye në atdhe, ku u prit si hero.

Më 16 nëntor të këtij viti, EULEX-i e paditi Limajn për krim të organizuar dhe korrupsion gjatë kohës që ishte ministër i Transportit, mes viteve 2008 dhe 2010.