Prostitutat Elitare me Fitime Marramendëse

Ajo nuk është moldave apo ukrainase, asaj nuk i janë marrë me dhunë dokumentet personale dhe nuk është detyruar që të punojë si prostitutë në ndonjë klub nate, gjë që përbënte një skenar të rëndomtë që gjatë viteve të nëntëdhjeta zhvillohej anembanë Ballkanit.

Ajo jeton në një qytet verior të Vojvodinës. Prindërit e saj nuk janë të shkurorëzuar apo të varfër. Ajo klientët e saj i pret në një banesë luksoze në qendër të qytetit.

“Shumica prej tyre janë klientë të rregullt. Çmimet janë shumë më të larta se sa ato të prostitutave të rrugës, ndërsa shfrytëzues të shërbimeve të mia janë kryesisht biznesmenë, ndonjëherë edhe të huaj,” thotë B.V.

“Një takim me mua kushton 500 euro, ndërsa gjysmën e këtyre parave ia jap një personi i cili më ndihmon me aranzhimin e takimeve. Klienti në bazë të rekomandimit vjen në vendin ku unë i ofroj shërbimet e mia dhe paraprakisht kontrollohet detajisht.”

Ajo kurrë nuk ka dashur të ketë fëmijë dhe nuk është e interesuar për martesë. Ajo beson se puna që bën do t’i sigurojë asaj mjaft para për të kaluar një pleqëri pa brenga.

“Një takim me mua kushton 500 euro, ndërsa gjysmën e këtyre parave ia jap një personi i cili më ndihmon me aranzhimin e takimeve. BV

“Po të mund ta ktheja kohën prapa, unë prapë nuk do të zgjedhja ndonjë jetë tjetër. Unë nuk jam e marrë. Unë i kam filluar studimet dhe kam mundur t’i kryej ato, por me një profesion mesatar unë kurrë nuk do të mund të fitoja kaq shumë para,” thotë ajo.

B.V. mund të mos jetë shembull tipik i një prostitute në Ballkan, por paraqet një rast konkret të një fenomeni të ri – prostitucionit elitar. Veprimtari e tillë organizohet në hotelet me pesë yje në Shkup, në qendrat ekskluzive bregdetare të Greqisë, në jahte në Mal të Zi dhe në apartamente të shtrenjta në Sarajevë.

Lakmia për parfume, veshje të shtrenjta të prodhuara nga dizajnerë me nam, apo pushime ekskluzive verore është emërues i përbashkët i prostitutave elitare, ku çdo herë e më shumë në rolin kryesor shfaqen meshkujt. Lidhjet me biznesmenë dhe politikanë atyre u garantojnë se policia nuk do t’ju trokasë në dyer.

Pjesëtarët e policisë, nëse nuk janë të korruptuar apo nuk luajnë vetë rolin e padronit, kryesisht u shkruajnë fletëparaqitje për kundërvajtje prostitutave të rrugës, shumë prej të cilave janë të moshës minore.

Hulumtimi që BIRN ka kryer në Maqedoni, Serbi, Bosnjë dhe Mal të Zi tregon se ekonomia e dobët i ka shtyrë shumë vajza dhe nëna të pamartuara që të dalin në rrugë të qytetit, në motele të lira apo në rrugë për të pritur turistë të interesuar. 

“Dallimi më i rëndësishëm mes prostitucionit në rrugë dhe prostitucionit elitar qëndron në statusin social dhe intelektual të punëtorëve seksualë” Dr. Zlatko Nikolić 

Ato kërkojnë nga 10 deri në 50 euro në orë, e në raste të caktuara, si në Maqedoni, çmimi bie edhe në vetëm pesë euro. Kjo armatë e tërë e grave të shtypura e të kontrolluara nga padronat e tyre shpesh abuzohet edhe fizikisht.

Kjo nuk ndodh me B.V. “Unë e di se jam në pozitë shumë më të volitshme se sa prostitutat e rrugës. Ato punojnë në kushte tepër të rënda dhe tërë kohën i eksponohen rreziqeve të llojllojshme. Mua asnjëherë nuk ka ndodhur që ndonjë klient të më fyejë, e lëre më të më lëndojë,” thotë ajo.

Dr. Zlatko Nikolić, bashkëpunëtor në Institutin për Hulumtime Kriminologjike dhe Sociologjike në Beograd, thotë: “Dallimi më i rëndësishëm mes prostitucionit në rrugë dhe prostitucionit elitar qëndron në statusin social dhe intelektual të punëtorëve seksualë. Është e natyrshme që ‘malli’ më i vlefshëm të abuzohet shumë më pak. Atyre u ofrohet mbrojtje, kujdes dhe kushte komfore jetese.”

Femra elitare dhe klientelë e përzgjedhur

Administrata e Policisë Federale të Bosnjë e Hercegovinës thotë se me vite të tëra nuk kanë pasur asnjë rast të prostitucionit të femrave që nuk kanë qenë shtetase të Bosnjës.

Deri para rreth dhjetë vitesh, në këto vise ishin tejet të popullarizuara femrat moldave, ukrainase dhe rumune, shumica prej të cilave kishin ndërmjetësit e tyre.

Ndërmjetësit ende ekzistojnë, por ata nuk e kryejnë punën e tyre jashtë në rrugë apo në klube të natës, të cilat kryesisht janë mbyllur.

Prostitucioni tani po zhvillohet nëpër apartamente dhe për një klientelë të përzgjedhur. Policia thotë se është vështirë të arrestohen njerëzit për organizimin apo pjesëmarrjen në prostitucion për shkak se kjo punë bëhet në mënyrë të fshehtë dhe në mënyrë që është vështirë të dëshmohet.

Edhe pse disa lokacione ende njihen për prostitucion rrugor, si për shembull këndi
Lašva në afërsi të Zenicës apo këndi Stup në Sarajevë – Belma Lepir-Cviko nga Shoqata PROI, ku punëtorët seksualë shkojnë për të marrë ndihmë mjekësore dhe këshillime, thotë se prostitucioni po zhvillohet me të madhe në sallone të masazheve apo në apartamente private ku vajzat punojnë pas thirrjeve.

“Në Sarajevë, zonjat elitare fitojnë nga 100 euro në orë apo deri në 500 euro në natë,” thotë Lepir-Cviko.

“Ekziston një numër i madh i vajzave që njihen si mihëse të floririt. Edhe ato mund të etiketohen si pjesëmarrëse në prostitucion elitar” Lepir-Cviko

“Ekziston një numër i madh i vajzave që njihen si mihëse të floririt. Edhe ato mund të etiketohen si pjesëmarrëse në prostitucion elitar. Ato këto shërbime i ofrojnë në këmbim për pak luks, për një natë në qytet, për rroba, parfume.”

Lepir-Cviko thotë se klientela e agjencive për përcjellje zakonisht përbëhet nga pjesëtarë të klasës së lartë të shoqërisë, shpesh edhe politikanë.

“Vijnë njerëz nga profile të ndryshme, madje edhe pjesëtarë të lidershipit shtetëror dhe mjaft shumë politikanë. Ne këto informata i marrim nga vajzat tona,” shton Lepir-Cviko.

“Kemi të bëjmë kryesisht me zonjusha të reja, madje edhe studente, të cilat kërkojnë një jetë të mirë të natës, luks, glamur, apo me nëna të reja të pamartuara dhe gra në gjendje të rëndë materiale që detyrohen që këtë punë ta bëjnë në mënyrë diskrete për shkak se kanë fëmijë.”

Koordinatorja e Këshillimores së Beogradit Kundër Dhunës në Familje, Vesna Stanojević, thotë se është e pabesueshme se sa gra në Beograd janë prostituta përkundër faktit se kanë diploma të shkollave teknike dhe universiteteve, apo se flasin gjuhë të huaja e madje ndonjëherë edhe punojnë punë tjera. Ato kryesisht i presin klientët e tyre në dhoma të hoteleve luksoze apo në apartamente të marra me qira, thotë ajo.

“Le të jemi objektivë: si mund të mbijetojë dhe të ushqejë fëmijët e saj si nënë e pamartuar me pagë mesatare mujore prej 30 deri 40 mijë dinarë?” Vesna Stanojević

Ajo për këtë fenomen e fajëson gjendjen katastrofale financiare në Serbi: “Le të jemi objektivë: si mund të mbijetojë dhe të ushqejë fëmijët e saj si nënë e pamartuar me pagë mesatare mujore prej 30 deri 40 mijë dinarë? Nëse është në gjendje që ta përpijë këtë punë, ajo do ta shfrytëzojë çdo rast dhe mundësi për të fituar pak para shtesë.”

Por, ajo poashtu beson se disa femra i shesin trupat e tyre për parfume dhe rroba të shtrenjta dhe jo për mbijetesë, dhe për këtë e fajëson shoqërinë e ‘deformuar’ dhe pamoralshme të Serbisë.

Sipas të dhënave jozyrtare, gati 2.5 mijë meshkuj dhe femra nga Beogradi punojnë si prostituta. Gjysma e tyre ofrojnë shërbime në rrugë ndërsa pjesa tjetër i gjejnë klientët e vetë në klube apo përmes shpalljeve. Mes 5 dhe 10 mijë persona mendohet se punojnë në këtë profesion në Serbi.

Prostitucioni ‘i padukshëm’ në jahte

Imazhet e shumta të vajzave me fare pak rroba nëpër jahta të shtrenjta ngrisin dyshime se në to është duke u zhvilluar një lloj i sofistikuar i prostitucionit.

Porto Montenegro, marina e re për megajahta të shtrenjta e porsahapur në Tivat, është bërë atraksion jo vetëm për milionerët e huajë por edhe për bukuroshet që janë në kërkim të atyre me xhepa të thellë.

Mediat lokale dhe opinioni publik spekulojnë se këto vajza shpesh angazhohen përmes disa agjencive të modës dhe kërkojnë rreth 500 euro për shërbimet e tyre.

Është pohuar se kjo formë e prostitucionit po zhvillohet në jahtet që kanë vënë spirancat në Porto Montengro apo në marinën e Budvës por edhe në separetë private të diskotekës së popullarizuar Top Hill Budva.

Gjatë gjykimit të një grupi që vitin e kaluar ishte akuzuar për mundësim të prostitucioni, trafikim me qenie njerëzore dhe veprimtari kriminale një studente nga Serbia, e ftuar në cilësinë e dëshmitares, tha se ajo kishte fituar 25,000 euro për pesë ditë të kaluara në një jahtë të një rusi. Shumica e femrave ishin nga Serbia.

Departamenti policor në Podgoricë vazhdon të deklarojë se nuk ka prostitucion elitar dhe se të gjitha këto janë vetëm spekulime.

Sipas një organizate joqeveritare që menaxhon një qendër për punëtore seksuale të gjinisë femërore, Juventas, dhjetorin e kaluar në Mal të Zi punonin disa qindra prostituta.

Gjysma e prostitutave me origjinë nga Mali i Zi ishin rome. Pjesa tjetër e prostitutave kryesisht vinin nga shtetet tjera të rajonit – Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Shqipëria. Numri dhe profili i tyre ndryshon drastikisht gjatë verës.

Organizatat joqeveritare në Maqedoni vlerësojnë se në vend ka rreth tremijë prostituta, gjysma e të cilave punojnë në Shkup ndërsa me qindra prej tyre janë të moshës së mitur.

Natën, ato grumbullohen në qendër të qytetit, pranë ndërtesës së televizionit shtetëror, duke ofruar shërbimet e tyre për çmime prej 15 deri 50 euro. Ndonjëherë edhe për pesë euro.

Bastisjet policore kryesisht i kanë si cak ato, por jo edhe hotelet me pesë yje apo ahengjet e VIP-ave, që organizohen nga biznesmenë e ku shërbimet seksuale zakonisht kontraktohen me çmime shumë më të larta dhe me personazhe të njohura.

Burimet e BIRN-it nga disa hotele me pesë yje në Shkup thonë se kanë lista të prostitutave elitare të gatshme për klientët e tyre. Emrat e tyre mbahen në fshehtësi, por burimet thonë se shpesh kemi të bëjmë me figura të njohura si modele dhe prezantuese në televizion.

Çmimet e zonjave elitare shkojnë mes 500 dhe 1000 euro për natë, apo dymijë euro për një fundjavë në Greqi.

Për shembull, Dragani, një futbollist nga Maqedonia i cili ishte për pushim në vendin e tij, deshi të kalojë një fundjavë me një prezantuese të famshme nga televizioni maqedonas.

“E thirra në telefon, u morëm vesh dhe shkuam në Selanik për fundjavë. Unë e pagova dymijë euro, aq sa i kishte kërkuar, i mbulova shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit dhe ia bleva një parfum në duty free shop në kufi,” tha Dragani.

Zhigolotë e Ballkanit

Prostitucioni i meshkujve, temë kjo që rrallë hapet në shoqërinë tradicionale të Ballkanit, është duke shënuar rritje të vazhdueshme dhe është duke u bërë çdo herë e më e shtrenjtë. Këto shërbime kryesisht fshihen prapa ofertave për përcjellje shoqërore që shpallen në internet.

“Në këtë biznes nuk janë të pranishme vetëm femrat. Mua më ngjan sikur trendi është që edhe meshkujt të bëjnë këtë punë. Ata janë shumë të popullarizuar edhe tek burrat edhe tek gratë e pasura që i shoqërojnë,” thotë një burim nga Shkupi.

Në Kroaci shërbimet e zhigolove paguhen nga 200 euro në orë, apo 1000 euro në ditë. Gjysmën e parave i merr agjencia.  

 

“Në këtë biznes nuk janë të pranishme vetëm femrat. Mua më ngjan sikur trendi është që edhe meshkujt të bëjnë këtë punë”

 

Një gazetare e BIRN-it nga Zagrebi vitin e kaluar bëri një hulumtim për prostitucionin mashkullor, duke postuar një shpallje në dy web-faqe në Kroaci. Brenda dy ditësh 50 meshkuj thirrën për t’i ofruar shërbime seksuale, ndërsa që ofertat nuk reshtën edhe për disa javë me radhë.

Ofertat përfshinin lista të çmimeve, foto, përshkrime fizike, numra të telefonit dhe përshkrime të detajuara të shërbimeve.

Në këtë veprimtari ishin përfshirë studentë nga qytete të vogla dhe fshatra, burra të martuar, njerëz të punësuar dhe të papunësuar, dhe ciceronë.

Një nga 10 meshkujt që u pajtuan që të intervistohen, ‘Mario’, kishte filluar karrierën si zhigolo në vitin 2007, pasi që një grua sllovene me të cilën kishte kaluar dy ditë i la një shumë parash në vend të një letre lamtumirëse. Ai u befasua nga ky veprim, por nuk u ndie i ofenduar. Kësisoj, ai filloi punën e tij të dytë. E dashura me të cilën bashkëjeton nuk din asgjë për klientët e rregullt të tij.

Organizatat joqeveritare vlerësojnë se në Kroaci industria e seksit ka qarkullim vjetor prej rreth 40 milionë eurosh.

Por, nuk janë meshkujt ata që kanë fitimet më të mëdha. Përkundër shtimit që ka shënuar prostitucioni mashkullor, policia supozon se 99% të punëtorëve seksualë në Ballkan janë të gjinisë femërore.