Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Gjina Zeqirit, dëshmitari tregon si i çonte paratë e të akuzuarës në bankë

Në gjykimin e Gjina Zeqirit, e akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor dhe për transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore, sot ka dëshmuar dëshmitari Alban Haziri.

Duke qenë në arrati, Gjina Zeqiri është duke u gjykuar në mungesë në Gjykatën e Prishtinës.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe Ilfete Baxhaku e Agron Devaja, ndërsa ndaj dy shtetasve turq Ersan Donmezi si dhe Handan Namlë është veçuar procedura pasi që janë shtetas të huaj dhe nuk ndodhen në Kosovë.

Dëshmitari Alban Haziri tregoi se kishte punuar përkohësisht si shofer në klinikën “Global Hospital”, dikur në vitin 2013 te doktoresha Gjina Zeqiri.

Ai tregoi se e kishte vozitur doktoreshën, pacientet kur nuk kanë mundur ndonjëherë të gjejnë adresën e klinikës dhe kishte blerë ushqim për stafin.

Më tej në dëshminë e tij dëshmitari Haziri deklaroi se kishte deponuar para në xhirollogari të doktoreshës Gjina Zeqiri në TEB Bankë. Sipas të njëjtit, këto para i kishte marrë nga doktoresha Gjina Zeqiri, të cilat para ishin përfituar nga pacientët e doktoreshës Zeqiri.

Dëshmitari tregoi se i kishte thënë doktoreshës se mund të ju transportoj me automjet por jo të bëjë deponimin e parave, ndërsa për shumën e parave tregoi se nuk e kishte parë pasi që paratë kishin qenë të mbyllura në zarf.

Në pyetjen e prokurores së shtetit, Bukurije Gjonbalaj, nëse i kujtohej që gjatë kohës sa ka punuar në spital a ka punuar edhe doktor Agron Devaja, dëshmitari tha se dr. Devaja ka punuar.

“Po, ka punuar, unë aty e kam gjetë dhe nuk e di sa ka punuar”, shtoi ai.

Seanca e radhës u caktua për më 28 shkurt.

Rrëfimi i Gjina Zeqirit nga Arratia

Prokuroria e akuzon Zeqirin për veprat penale të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor si dhe atë të transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe Ilfete Baxhaku e Agron Devaja, ndërsa ndaj dy shtetasve turq Ersan Donmezi si dhe Handan Namlë është veçuar procedura pasi që janë shtetas të huaj dhe nuk ndodhen në Kosovë.

Sipas aktakuzës të akuzuarit Gjina Zeqiri,  Ersan Donmezi si dhe Handan Namlë në klinikën private “Global Hospital”, e cila gjendet në Prishtinë, në nëntor të vitit 2014, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, pasi që me rastin e trajtimit mjekësor të pacienteve në sektorin e sterilitetit (IVF), haptas nuk kanë përdorur masat përkatëse higjienike-sanitare, si dhe kanë përdorur produkte dhe pajisje farmaceutike-medicinale me pa banderolë dhe me afat skaduar.

Në bazë të aktakuzës në periudhën prej vitit 2012 e deri me datën 14 nëntor 2014 në spitalin privat “Global Hospital”, e akuzuara Gjina Zeqiri-gjinekologe, drejtoreshë në këtë klinikë, paraprakisht pa autorizim dhe në kundërshtim për Ligjin për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave, pa arsye mjekësore nga persona të ndryshëm-donatorë-të dëmtuar, duke e shfrytëzuar gjendjen e dobët ekonomike të tyre, me qëllim të transplantimit, ka blerë qeliza vezore në këmbim të shumave të ndryshme të parave.