Prokuroria Intervenon në Deçan, Arrestohet Djali i Gjykatëses

Vetëm 16 orë pas publikimit të promos për të gjeturat e këtij emisioni, Prokuroria e Pejës ka autorizuar një aksion kontrolli në shtëpinë dhe zyrat e përgjegjëses së gjykatës së Deçanit, Safete Tolaj.

Siq mëson KALLXO.com, ekipe policore sot në mëngjes e kanë arrestuar në shtëpinë e tij në Prilep të Deçanit, Fisnik Tolajn ndërsa janë duke kryer kontrolle edhe në zyrat e gjykatës së Deçanit.

Emisioni Drejtësia në Kosovë ka paralajmëruar për të premtën mbrëma transmetimin e dëshmive për dyshime për korrupsion nga  ana e djalit të gjykatëses Tolaj.

Në filmimet e siguruara nga “Drejtësia në Kosovë” shihet djali i kryetares së gjykatës duke marrë paratë e po ashtu duke u negociuar marrja e një parcele të tokës në këmbim të zgjidhjes së lëndës.

Në të tjera detaje, Fisnik Tolaj përmend rrjetin e tij duke u premtuar familjes se ka gjykatës e avokatë në Gjykatën e Apelit të cilët vendosin në favorin e tyre.

arrestimi ne decan

Në filmime të tjera shikuesit mund të ndjekin momentin e dorëzimit të parave nga familja Kelmendi te familja Tolaj e po ashtu intervistat me personat e tjerë te të cilët janë bartur pronat të cilat u morën me premtimin për zgjidhjen e lëndëve.

Ky rast është raportuar në platformën kundër korrupsion KALLXO.com para 18 muajve.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetohet në RTK të premten nga orën 22:20 dhe repriza të hënën në mesditë.