Projektligj për Ratifikimin e Marrëveshjes për BERZH-in

Gjatë prezantimit para kabinetit qeveritar të Projektligjit, ministri i Financave, Bedri Hamza, shpjegoi se qëllimi i këtij Projektligji është të ratifikohet Marrëveshja për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e nënshkruar më datë 29 maj 1990, duke përfshirë amendamentin e nenit 1 të kësaj marrëveshjeve, me qëllim të zgjerimit në vendet Mesdheut  Jugor dhe Lindor.
 
“Pas Ratifikimit nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, obligohet  Qeveria e Republikës së Kosovës që t’i kryejë të gjitha obligimet të cilat dalin nga marrëveshja e ratifikuar dhe përmbushja gjitha  kushte dhe obligimet, duke përfshirë edhe ato financiare  cilat dalin  nga Rezoluta nr.154 e Bordit Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, tha Hamza.   
 
Në pajtim me këtë ligj, Kosova do të emërojë përfaqësuesin e saj në Bordin e Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në përputhje me dispozitat e marrëveshjes së ratifikuar.

Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar edhe njëherë rëndësinë e madhe për Republikën e Kosovës anëtarësimi në bankën evropiane.
 
“Përveç që është një reflektim i besimit të shteteve anëtare të BERZH-it në demokracinë kosovare, anëtarësimi në këtë bankë do të ofroj mbështetje të madhe në rrugën drejt forcimit të ekonomisë së lirë të tregut. Nga ky anëtarësim përfitime të drejtpërdrejta do të ketë sektori privat, që përveç kredive, bizneset kosovare do të përfitojnë edhe nga investimet direkte, si dhe nga transferi i teknologjisë dhe shërbimeve këshilluese”, tha Thaçi.
 
Sipas tij, puna e BERZH-it në Kosovë do të bazohet në një strategji të veçantë, e cila do të përgatitet në bashkëpunim me institucionet e vendit, ndërsa tashmë Qeveria ka identifikuar fushat strategjike prioritare që do të përfitojnë: sektori i energjisë, minierave dhe mineraleve, sektori i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe sektori infrastrukturës.
 
Në mbledhjen e kaluar, Qeveria ka ndarë një milion e 50 mijë euro, mjete të cilat përdoren për pagesën e kapitalit aksionar të Kosovës në BERZH.