Projektet Kapitale në Buxhetin 2 Miliardësh

Miratimi i projektbuxhetit për vitin 2018 sipas planifikimit pritet të ketë rritje në të hyrat e rregullta prej 6%, apo 108 milionë euro krahasuar me vitin paraprak. Deri në fund të vitit 2017 të hyrat e rregullta planifikohen të jenë 1.725 miliard euro, kurse tani për vitin 2018 pritet që këto të hyra të arrijnë në 1,829 miliard euro.

Shpenzimet planifikohen të jenë më të mëdha se të hyrat, diferenca do të mbulohet nga donacionet dhe kreditë.

Buxheti fillestar për vitin 2017 ishte planifikuar 2.001 miliard euro, mirëpo në rishikim është ulur në vetëm 1,811 miliard euro. Nga ky buxhet deri në fund të vitit nga niveli qendror do të shpenzohen 1,369 miliard euro dhe 441 milionë euro nga niveli lokal.

Për vitin 2018 është planifikuar një buxhet prej 2 miliardë e 69 milionë eurove, me një rritje të shpenzimeve prej 258 milionë eurove krahasuar me buxhetin e rishikuar. Nga kjo shumë planifikohet që shpenzimet e nivelit qendror të jenë 1 miliard e 578 milionë euro, kurse ato të nivelit lokal planifikohet të jenë 491 milionë euro.

Nga 1 miliard e 811 milionë euro të planifikuara për t’u shpenzuar në vitin 2017, prej tyre 31 % apo 555 milionë euro janë shpenzime për paga dhe mëditje. Shpenzimet për subvencione dhe transfere janë planifikuar 496 milionë euro apo 27%  të shpenzimeve. Mallrat dhe shërbimet kanë një pjesëmarrje në shpenzimet totale prej 12%, apo 218 milionë euro, ndërsa 26 milionë euro janë shpenzime komunale apo 2% e totalit të shpenzimeve. Pjesa më e rëndësishme e shpenzimeve kapitale. Për vitin 2017 janë planifikuar që 512 milionë euro të shpenzohen për projekte kapitale. Në shpenzimet totale, investimet kapitale përbëjnë 28%.

Kurse, në vitin 2018 janë planifikuar shpenzime në vlerë prej 2 miliardë e 69 milionë eurove. Krahasuar me vitin 2017, në vitin 2018 do të kemi rritje prej 5% apo 175 milionë euro. Kategoria e shpenzimeve kapitale është planifikuar të jetë prej 687 milionë euro, apo një pjesëmarrje prej 33% në totalin e shpenzimeve. Për kategorinë e pagave dhe mëditjeve janë planifikuar 589 milionë apo 28 %.

Subvencionet dhe transferet do të shpenzojnë 26% të buxhetit, për to do të shpenzohen 526 milionë euro. Për mallrat dhe shërbimet janë planifikuar shpenzime prej 236 milionë euro, me një pjesëmarrje prej 11%. Shpenzimet komunale do të kenë pjesëmarrje prej 2% apo 28 milionë euro.

Numri i të punësuarve për vitin 2018 që do të marrin paga nga buxheti i konsoliduar do të arrijë në 84 mijë e 386 të punësuar, prej tyre 40 mijë e 515 do të punojnë në nivel qendror dhe 43 mijë e 871 do të punojnë në nivel lokal dhe pagat për ta do të arrijnë vlerën 589 milionë euro.

Në vitin 2017 në nivel qendror ishin të punësuar 39 mijë e 439 ku vërehet se ky numër do të rritet për 1 mijë e 076 të punësuar në vitin 2018, përderisa në nivel lokal për vitin 2018 nuk është evidentuar planifikimi i numrit të të punësuarve, diferenca e rritjes prej 34 milionëve për kategorinë e pagave nga viti 2017 në vitin 2018 tregon se rritja e pagave është planifikuar.

Zvarritja e projekteve në arsim

Buxheti i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2017 është planifikuar të jetë 44 milionë euro. Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës ia ka shtuar edhe 11 milionë euro kësaj ministrie, pasi buxheti i planifikuar për vitin 2018 është 55 milionë euro, apo një rritje 20%. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve do të shkojnë për paga.

Për infrastrukturën në arsimin parauniversitar për projekte të reja planifikohen të shpenzohen vetëm 1 milion e 60 mijë euro. Ndërsa, janë 10 milionë e 810 mijë euro që janë planifikuar të shpenzohen për projektet që kanë nisur në vitet e mëhershme apo që janë bartur nga viti në vit.

Projektet e reja që janë buxhetuar për herë të parë në vitin 2018 janë: 50 mijë euro për rregullimin e ngrohjes në Sallën “1 Tetori”. Janë ndarë 150 mijë euro për shkollën multietnike në Mitrovicën Veriore, 50 mijë euro për shkollën e ciklit të ulët në Fushticë të Epërme të Drenasit, mirëpo nuk është cekur nëse me këto mjete do të bëhet rinovimi apo ndërtimi i këtyre shkollave. 100 mijë euro janë planifikuar për ndërtimin e çerdhes në Prizren, 210 mijë euro për ndërtimin e shkollës së mesme profesionale në Komoran, si dhe 500 mijë euro për blerjen e pajisjeve të sallave të edukatës fizike me pako sportive.

Janë edhe projektet infrastrukturore të projektuara nga viti 2017 e që do të vazhdojnë në vlerë prej 10 milionë e 810 mijë euro.

Prej këtyre mjeteve 350 mijë euro planifikohen për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në Rahovec, 110 mijë euro për shkolla në Glloboçicë të Hanit të Elezit dhe 300 mijë euro planifikohen për shkollën fillore në Muzeqinë të Shtimes.

Projektet tjera infrastrukturore nga viti 2017 e që figurojnë në buxhetin e vitit 2018 janë: 300 mijë euro për shkollën fillore në Carralevë të Suharekës, 250 mijë euro për ndërtimin e sallës së sporteve në shkollën fillore në Shalë të Lipjanit dhe 150 mijë euro për renovimin e gjimnazit “Pjetër Bogdani” në Pejë. Planifikime tjera janë edhe 50 mijë euro për renovimin e shkollës në Drenovc dhe Pobërgjë të Deçanit, si dhe 250 mijë euro janë për ndërtimin e shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani” në fshatin Leshan të Komunës së Suharekës.

Në vitin 2018 për projekte tjera nga viti 2017 janë planifikuar të shpenzohen edhe 380 mijë euro tjera. Projektet e planifikuara me këto mjete janë për ndërtimin e objektit të shkollës së mesme të muzikës në Gjilan, për ndërtimin e shkollës fillore në Turiçevc, për renovimin e shkollës së mesme në qendër të Podujevës, për ndërtimin e shkollës së mesme në Mitrovicë dhe për ndërtimin e shkollës fillore “Luigj Gurakuqi” në Batllavë.

Projekt më i kushtueshëm për vitin 2018 është blerja e inventarit dhe e pajisjeve laboratorike për shkolla në vlerë prej 2 milionë eurove. Nuk është cekur se cilat shkolla do të pajisen me laboratorë në vitin 2018. Për teknologji informative të destinuar për arsimin paraunivesitar 100 mijë euro dhe 100 mijë euro tjera për punimin e projekteve arkitektonike për objekte arsimore

Sa i përket reformave në arsim parauniversitar, MASHT-i planifikon huamarrje prej 1.3 milion euro nga Banka Botërore. Mallrat dhe shërbimet e MASHT-it deri në fund të vitit 2017 do t’i kushtojnë buxhetit 9.7 milionë euro, vlerë e përafërt prej 9.8 milionë eurove të planifikuara edhe në shpenzimet e buxhetit të vitit 2018. Nga kjo kategori bën pjesë edhe furnizimi me libra për nxënësit e ciklit të ulët që çdo vit i kushtojnë buxhetit rreth 6 milionë euro.

Spitali i Prishtinës në Buxhetin e 2018-ës

Ministria e Shëndetësisë do t’i ketë 14.3 milionë euro më shumë se në vitin 2017, apo një rritje të buxhetit prej 22%. Nga 51 milionë euro sa ishte buxheti për shëndetësinë në vitin 2017, është rritur në 65.3 milionë euro për vitin 2018.

Sipas planifikimit, vërehet një rritje e shpenzimeve te kategoria e ‘mallrave dhe shërbimeve’ te Ministria e Shëndetësisë, ku bëjnë pjesë edhe barnat dhe shërbimet tjera. Kjo kategori e shpenzimeve pritet të rritet për 18%, apo 6.5 milionë euro, nga 28.9 milionë euro sa do të shpenzohen në vitin 2017, tani në vitin 2018 priten të shpenzohen 35.4 milionë euro. Shpenzimet kapitale në këtë sektor do të dyfishohen krahasuar me vitin 2017. Nga 6.6 milionë euro sa ka qenë buxheti për shpenzime kapitale në vitin 2017, është rritur në 14.1 milionë euro në vitin 2018.

Për shërbime të kujdesit parësor, për vitin 2018 planifikohet të shpenzohen 2.9 milionë euro. Projektet e reja kapitale që do të nisin në vitin 2018 janë: ndërtimi i ndërtesës së QKMF-së Gjilan, ndërtesa e QKMF-së Gjakovë dhe Qendra Trajnuese në Pejë. Në projekt-buxhetin e vitit 2018 është buxhetuar edhe ndërtimi i Spitalit të Prishtinës.

Janë ndarë vetëm 500 mijë euro për projektin dhe fillimin e ndërtimit. Gjithashtu, është paraparë edhe ndërtimi i ankesit të urgjencës dhe renovimi i QKMF-së. Projektet tjera të buxhetuara në vitin 2018 janë edhe: renovimi dhe rivitalizimi i objektit të kirurgjisë Gjakovë, ndërtimi i objektit të psikiatrisë në Mitrovicë, ndërtimi i objektit për themelimin e laboratorit për kardiologjise intervente dhe mjekimin në spitalin në Prizren. Është planifikuar edhe blerja e autoambulancës për Spitalin e Pejës, si dhe ndërtimi i objektit për nëna dhe fëmijë për Spitalin e Prizrenit, pajisjet për Mikrobiologjinë Klinike në QKUK, ndërtimi i Klinikës Hemato-Onkologjisë dhe ndërtimi i spitalit në Podujevë.

Me buxhetin e vitit 2018 planifikohet të fillojë edhe ndërtimi i spitalit në Ferizaj në vlerën prej 2.8 milionë eurove, si dhe faza e parë e ndërtimit të Qendrës Emergjente të QKUK-së në vlerë prej 2 milionë eurove.

Për sistemin e integruar shëndetësor dhe për blerjen e pajisjeve dhe ambulancave për kujdesin e nënës dhe fëmijës planifikohen të shpenzohen 2.6 milionë euro. Janë planifikuar edhe 50 mijë euro për blerjen e veturave për inspektoratin shëndetësor.

Ndahen mjete per stadiumin nacional

Shpenzimet për kulturë, rini dhe sport planifikohen që të rriten për 36%. Nga 25.1 milionë euro sa do të shpenzohen deri në fund të vitit 2017, në vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 39 milionë euro.

Në infrastrukturë të sportit për vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 13.9 milionë euro, prej tyre 9.1 milionë nga të hyrat buxhetore dhe 4.8 milionë euro nga të hyrat prej privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore- AKP-së. Në mesin e projekteve që janë buxhetuar në vitin 2018 është edhe stadiumi nacional, për të cilin janë ndarë 1 milion e 950 mijë euro. Stadiumi është bërë ndaras prej Qendrës Nacionale të Sportit në Bërnicë të Poshtme. Gazeta JnK ka raportuar se me iniciativë të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli stadiumi është bartuar në Drenas, ndërsa në Bërnicë do të ndërtohet Qendra Nacionale e Sportit.

Këto shpenzime planifikohen të investohen në ndërtimin e palestrave sportive në: Istog, Rahovec, Deçan, Skenderaj, Kaçanik, Viti, Dragash, Samadrexhë të Vushtrrisë, Zhegër të Gjilanit, Podujevë, Zahaq të Pejës, Krushë të Madhe, Shtime dhe Loxhë të Pejës.

Po ashtu planifikohet edhe renovimi i poligoneve sportive shkollore, renovimi i palestrave ekzistuese sportive në qendrat regjionale, rinovimi i stadiumeve ekzistuese të futbollit në qendrat regjionale, renovimi i stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, rinovimi i stadiumeve në: Prishtinë, Suharekë, Gjilan,  Ferizajt, si dhe Rahovecit.

Ndërtimi i shtigjeve të atletikës në stadiumet regjionale, ndërtimi i kompleksit të tenisit në komunën e Gjakovës, ndërtimi i fushave të tenisit në komuna të ndryshme, ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë. Në projekt-buxhetin e vitit 2018 është buxhetuar Qendra Nacionale e Sportit në Bërnicë të Poshtme, por edhe ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në Drenas.

Të planifikuara në buxhetin e vitit 2018 janë edhe ndërtimi i stadiumit të qytetet:  Pejë, Kaçanik, Zhur të Prizrenit, stadiumi ndihmës në Prizren, ndërtimi i sallës së edukatës fizike në Shkollën “Hysni Zajmi” në Vrellë të Istogut, rinovimi i stadiumit të futbollit në komunën e Rahovecit, rregullimi i stadiumit të futbollit në Ratkoc të Rahovecit, ndërtimi i tribunave, rrethojës dhe shtrimi i zhavorrit në stadiumin e futbollit në Runik dhe rregullimi i stadiumit të qytetit në Kamenicë.

Ndërtimi i basenit të qytetit në Leposaviq (furnizimi me pajisje për përpunimin e ujit ) faza e dytë po ashtu është në planifikimin e shpenzimeve të buxhetit për vitin 2018.

Gjithashtu planifikohen të ndërtohen edhe pishina olimpike në Prizren në vlerë prej 500 mijë eurove dhe 200 mijë euro stadiumi i qytetit në Lipjan. Stadiumet në fshatin Novosellë të Pejës dhe stadiumi “Përparim Thaçi” në Prizren në vlerë prej 800 mijë eurove, kompleksi sportiv “11 Marsi” në Prizren në vlerë prej 200 mijë eurove dhe kompleksi sportiv në Nashec në vlerë prej 200 mijë eurove, po ashtu janë projekte që do të fillojnë në vitin 2018 me mjetet nga AKP-ja.

Projektet tjera që do të fillojnë në vitin 2018 nga mjetet e AKP-së janë edhe stadiumi në Studeniqan të Suharekës në vlerë prej 150 mijë eurove, rregullimi i stadiumit të qytetit “Riza Lushta” në Mitrovicë në vlerë prej 200 mijë eurove, rregullim i terreneve sportive në Zhipotok dhe Dragash në vlerë prej 100 mijë eurove si dhe rregullimi i terrenit sportiv në Fushë- Kosovë në vlerë prej 100 mijë eurove.

Për kulturë planifikohet që investimet në infrastrukturë të jenë 1.2 milion euro për vitin 2018 për një sërë projektesh. Objekti i Teatrit dhe Operas “Ibrahim Rugova”, muzeu i artit bashkëkohor, renovimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Projekte tjera të planifikuara për vitin 2018 janë edhe ndërtimet dhe rinovimet e qendrave të kulturës në tërë territorin e Kosovës. Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në Obiliq, Qendra e Kulturës në Rogovë të Hasit, renovimi i Shtëpisë së Kulturës në Viti, Qendra e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri, Qendra Kulturore Hebraike në Prizren dhe ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi” në Suharekë, janë pjesë e këtyre projekteve.

Për përkrahje të rinisë në vitin 2018 planifikohet të investohen 1 milion euro. Qendra kulturore në Novosellë dhe Skorrobisht të Prizrenit, Qendra Kulturore Boshnjake në Pauskë të Prizrenit, qendrat rinore në Artanë, Mamushë, Kaçanik, Prizren dhe Qendra Rekreative Rinore në fshatin Pjetërshan të Gjakovës, janë projekte në kuadër të përkrahje të rinisë.

Ndërsa për trashëgimi kulturore në vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 3.7 milionë euro për projektet të ndryshme.

Mjetet që planifikohen të shpenzohen janë të dedikuara për rinovimin e ndërtesës së Arkivit Shtetëror të Kosovës, Kalasë së Prizrenit, Kalasë së Harilaqit, Kalasë së Artanës, Kalasë së Keqekollës, Lokalitetit Ulpiana, Kalasë së  Dardanës, Kalasë së Marecit, Kullës së Shaban Polluzhës, Kalasë së Vuçakut të Drenasit, Kalasë së Korishit, Kullës së Orobërdës së Istogut, Kullës së Sheremetit në Pejë, Kullës së Familjes Fanaj në Vërmicë, Kullës së Familjes Tafollaj në Çadrak të Suharekës.

Në projekte tjera për trashëgimi kulturore për vitin 2018 bëjnë pjesë edhe kthimi i thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës, gërmimet arkeologjike me karakter shpëtimi, masat preventive dhe intervenimet emergjente.

Restaurimet e shtëpive me karakter kulturorë për të cilat planifikohet të fillojë investimi në vitin 2018 numërojnë një sërë projektesh të planifikuara. Si projekte të kësaj natyre numërohen konservimi dhe restaurimi i Shtëpisë së Xhafer Devës, konservimi dhe restaurimi i Shtëpisë së Shaban Agës në Vushtri, Shtëpisë së familjes Koruglu në Mitrovicë, restaurimi dhe konservimi i Kullës së Fazli Boqollit, Shtëpisë së Herticëve në Prishtinë, Raushiq të Pejës, Lokalitetit Dresnik dhe katedrales në Prizren.

Si projekte investuese në buxhetin e vitit 2018 figurojnë edhe studimi i fizibilitetit dhe projekti ideor për muzeun e natyrës. Gjithashtu është paraparë përfundimi i punimeve në kishat ortodokse, Qendra Historike e Prizrenit, Kompleksi Etnologjik “Emin Gjiku”, restaurimi i laboratorit për konservim, mbrojtja, ruajtja, studimi dhe promovimi i trashëgimisë shpirtërore, ekspozita e përhershme në Muzeun e Kosovës.

Sa u përket subvencioneve për kulturë rini dhe sport, kjo ministri planifikon një rritje prej 7% apo 600 mijë euro. Në vitin 2017 për këtë kategori do të shpenzohen 7.6 milionë euro, përderisa në vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 8.2 milionë euro.

Infrastruktura

Në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017 planifikohet një rritje prej 24%. Nga 226 milionë euro sa do të shpenzohen në vitin 2017, tani në vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 298 milionë euro.

Vetëm për mirëmbajtjen e rrugëve planifikohen të shpenzohen 5.5 milionë euro, prej tyre 1 milion për autostradën Merdare-Morinë, 500 mijë euro për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, dhe 4 milionë euro tjera për mirëmbajtjen e rrugëve tjera.

Për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e urave planifikohen të shpenzohen 1 milion e 50 mijë euro. Këto mjete do të investohen në mirëmbajtja e urave aktuale, si dhe ndërtimi i urës mbi lumin Sitnica në fshatin Pestovë, ura e fshatit Topanicë në Kamenicë, ndërtimi i urës mbi lumin Lepenc në Kovaçevc të Kaçanikut, ndërtimi i urave në Komunën e Drenasit dhe ndërtimi i mbikalimit në Klinë të Epërme.

Për 17 projekte të ndryshme për rehabilitimin e rrugëve planifikohen të shpenzohen 31.8 milionë euro. Projektet e planifikuara janë zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës magjistrale M9 Prishtinë-Pejë, asfaltimi i rrugës regjionale tranziti prej Shtimes në Belincë, rehabilitimi i rrugës rajonale Lipjan-Magurë.

Rrugët të cilat do të ndërtohen dhe riparohen nga shuma prej 31.8 milionë euro janë edhe riparimi i rrugës rajonale Prizren-Prevallë, ndërtimi i qarkores së Gjakovës, riparimi i rrugës rajonale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë.

Projekte tjera të cilat janë planifikuar të fillojnë në vitin 2018 me një pjesë të mjeteve nga të hyrat e AKP-së janë zgjerimi i rrugës Komoran-Drenas-Skenderaj në vlerë prej 6.9 milionë euro nga buxheti dhe 5.1 milionë euro me të hyrat nga AKP-ja. Pjesë e këtij projekti po ashtu është edhe zgjerimi i rrugës Dollc-Gjakovë në vlerë prej 5.9 milionë euro nga buxheti dhe 5.1 milionë euro nga të hyrat e AKP-së.

Në vitin 2018, planifikohen të fillojnë edhe 105 projekte në bashkëfinancim me komunat në vlerë prej 12 milionë e 668 mijë eurove që janë kryesisht ndërtime dhe asfaltime të rrugëve aktuale të komunave me rrethinë.

Ndërsa ndërtimi i rrugëve të reja regjionale dhe lokale do t’i kushtojnë buxhetit 21 milionë e 44 mijë euro. Me këto mjete pritet të nisin 76 projekte.

Sa i përket ndërtimit të autostradave në planifikimin buxhetor për vitin 2018 figurojnë 137 milionë euro, 77.9 milionë euro nga buxheti i konsoliduar dhe 55.1 milionë nga të hyrat e AKP-së. Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit planifikohet të përfundojë dhe të paguhet në vitin 2018 në vlerë prej 120 milion eurove. Për rrugën nacionale Prishtinë-Gjilan-Konçul për vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 17 milionë euro e deri në vitin 2020 për këtë rrugë janë planifikuar 126 milionë euro.

Bujqësia

Përderisa në vitin 2017 për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural janë shpenzuar 55 milionë euro, tani për këtë ministri në vitin 2018 janë planifikuar 57.8 milionë euro, një rritje prej 5%.

Për grantet dhe subvencionet për vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 47.5 milionë euro me një rritje prej 4.5% krahasuar me vitin 2017 që do të shpenzohen 44.9 euro. Për ndërtimin e sistemit të ujitjes në vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 1.2 milion euro. Për infrastrukturën e pyjeve  planifikohen të shpenzohen 1 milion e 160 mijë euro, si dhe për departamentin e vreshtarisë dhe verërave planifikohen të shpenzohen 650 mijë euro.

Për Institutin e Bujqësisë planifikohen të shpenzohen 1 milion e 150 mijë euro për renovimin e objekteve të institutit. Për krijimin e kapaciteteve hulumtuese dhe prodhuese të tokave bujqësore si dhe për sistemin e integruar informativ bujqësor planifikohen të shpenzohen 610 mijë euro.

Vetëm 3,9 milionë euro investime në ndërmarrje publike

Ministria e Zhvillimit Ekonomik në vitin 2017 do të shpenzojë 22 milionë euro, ndërsa për vitin 2018 për këtë ministri janë planifikuar të shpenzohen 24.3 milionë euro, një rritje prej 9.8%.

Për infrastrukturën e departamentit të energjisë në vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 1 milion e 670 mijë euro. Për departamentin e minierave planifikohen shpenzime prej 50 mijë eurove, ndërsa për departamentin e teknologjisë informative për zbatimin e ekonomisë digjitale planifikohen shpenzime prej 1 milion e 674 mijë. Më së shumti buxhet është ndarë për programin e masave të efiçincës së energjisë, për të cilën janë ndarë 6.2 milionë euro.

Prej planifikimit të shpenzimeve në vitin 2018 në vlerë prej 9 milionë euro nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve, vetëm 3.9 milionë euro do të jenë të dedikuara për financimin e projekteve kapitale në ndërmarrjet publike. Këto mjete të transferuara për këtë qëllim të shpenzimit, nuk mund të përdoren për shpenzime operative nga ana e ndërmarrjeve publike, por vetëm për projekte kapitale thuhet në projek-t buxhetin për vitin 2018.

Shpenzimet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vitin 2017 janë 6 milionë e 940 mijë euro, përderisa për këtë ministri në vitin 2018 planifikohen shpenzime në vlerë prej 8 milionë e 676 mijë eurove- një rritje e shpenzimeve për 20% .

Deri në fund të vitit 2017 për zhvillim ekonomik përmes kategorisë së granteve dhe transfereve do të shpenzohen 1 milion e 558 mijë. Për këtë kategori në vitin 2018 planifikohet të ketë rritje të shpenzimeve për 24% apo 492 mijë euro më shumë, pra shpenzimet për këtë kategori në vitin 2018 janë planifikuar 2 milionë e 50 mijë euro.

Nga investime kapitale për Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë KIESA në vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 2 milionë e 48 mijë euro, prej tyre planifikohet të përfundohet Parku i Biznesit në Drenas në vlerë prej 500 mijë eurove, për ndërtimet e inkubatorëve të biznesit planifikohen 150 mijë euro dhe për ndërtimin e zonave ekonomike nëpër Kosovë planifikohen 1 milion e 398 mijë euro.

Për projektin e unifikimit të regjistrimit të biznesit me numër fiskal doganor dhe biznesor planifikohen të shpenzohen 300 mijë euro.

Projekti për zhvillimin e fushave te reja të metrologjisë – pajisja me etalone dhe pajime tjera matëse në vlerë prej 300 mijë eurove është projekt i planifikuar i vitit 2017

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është ministri e re që ka për qëllim zhvillimin ekonomik. Prej buxhetit prej 9.8 milionë euro të planifikuara për vitin 2018, 7 milionë e 150 mijë euro planifikohen për kategorinë e sunvencioneve dhe transfereve.

Për investime kapitale kjo ministri planifikon të shpenzojë 1 milion e 850 mijë euro për 6 projekte shumica për avancimin e teknologjisë informative. Ndërtimi dhe pajisja e Qendrave Rajonale të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, furnizim me pajisje të IT për shkollat e mesme, furnizim me pajisje laboratorike për zhvillim t ëkoncepteve inovative për universitete, investime në infrastrukturën e digjitalizimit dhe investime në open data janë projektet të cilat figurojnë në projekt-buxhetin e vitit 2018 për këtë ministri.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka planifikuar që në vitin 2018 të blejë automjete në vlerë prej 150 mijë eurove.

Ministria e Zhvillimit Rajonal po ashtu një ministri e re me një buxhet prej 4.2 milionë euro të planifikuara për vitin 2018, prej tyre planifikohet që 1.5 milion euro të shkojnë për subvencione dhe transfere dhe 2 milionë euro si pjesë e investimeve kapitale shkojnë për programin për zhvillim rajonal.

Mirëqenia sociale

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është ministria me buxhetin më të madh të shpenzuar, deri në fund të vitit 2017 shpenzimet e kësaj ministrie do të jenë 398.8 milionë euro, kurse për vitin 2018 për këtë ministri janë planifikuar të shpenzohen 408 milionë euro- një rritje prej 9.2 milionë euro apo 2%.

Për kategorinë e pensioneve bazike deri në fund të vitit 2017 do të shpenzohen 113 milionë euro, kurse në vitin 2018 për këtë kategori planifikohen të shpenzohen 115 milionë euro- një rritje prej 2 milionë eurove apo 2%.

Për pensionet e personave me aftësi të kufizuar në vitin 2017 ishin planifikuar 19.7 milionë euro, e njëjta shumë është planifikuar edhe në vitin 2018. Ndryshime në buxhet nuk ka as për pensionet e parakohshme të punëtorëve të Trepçës- 4.3 milionë janë të planifikuara në vitin 2017, e njëjta shumë figuron edhe në vitin 2018. I pandryshueshëm në buxhet mbetet edhe financimi i deputetëve të viteve ’90 shuma prej 300 mijë eurove figuron në planifikimin e buxhetit për vitin 2018, po aq sa figuron edhe në vitin 2017.

Kompensimi për të verbërit  është 5.5 milionë euro të planifikuara në buxhetin e vitit 2017, e njëjta shumë figuron edhe në planifikim për vitin 2018. Shuma e njëjtë prej 10.5 milionë eurove e cila figuron në buxhetin e vitit 2017 është e planifikuar për të burgosurit politikë, e njëjta shumë e cila është planifikuar edhe në vitin 2018.

Për pensionet e parakohshme të pjesëtarëve të FSK-së planifikohet një rritje prej 100 mijë eurove, deri në fund të vitit 2017 për këtë kategori janë planifikuar 1.2 milion euro, ndërsa për vitin 2018 për këtë kategori figurojnë 1.3 milion euro. Kategoria e re e cila do të përfitojë pensione gjatë vitit 2018 janë pensionet e parakohshme të pjesëtarëve të TMK-së për të cilat në planifikimin e buxhetit për vitin 2018 figuron shuma prej 2.6 milionë euro.

Kategori tjetër e re e cila figuron në planifikimin e shpenzimeve buxhetore për vitin 2018 është kategoria e pensionimit invalidor të punës në vlerë prej 1.8 milion euro. Për pensionet për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë planifikuar 1.4 milion euro. Pensioni familjar në vlerë prej 2.9 milionë euro, po ashtu është kategori e re e planifikuar në buxhetin e vitit 2018.

Ndryshime të vogla buxhetore ka në pensionet bazë të kontributdhënësve për të cilët në vitin 2017 janë planifikuar 89.7 milionë euro, përderisa në vitin 2018 për këtë kategori janë planifikuar 89.9 milionë euro, një rritje prej 200 mijë eurove.

Pensionet e invalidëve të luftës të cilat figurojnë në buxhetin e vitit 2017 janë 37.8 milionë euro, ndërsa në planifikimet buxhetore për vitin 2018 janë paraparë 38 milionë euro, apo një rritje prej 200 mijë eurove.

Kategoria e pensioneve për veteranët e luftës në rishikimin buxhetor të vitit 2017 është paraparë shumë prej 64 milionë e 190 mijë euro. Mirëpo në ligjin bazik të buxhetit të vitit 2017 për këtë kategori ishin ndarë 38 milionë euro. Në vitin 2018, për veteranët janë planifikuar 58 milionë e 750 mijë euro.

Për kategorinë e viktimave të dhunës seksuale, kategori kjo e cila për herë të parë figuron në skemën e mirëqenies sociale, në vitin 2018 planifikohet buxhet prej 1 milion eurove.

Rritje të shpenzimeve për 4 milionë euro apo 13% planifikohet për asistencë sociale. Për këtë kategori në vitin 2017 janë planifikuar 27 milionë e 350 mijë euro, kurse në vitin 2018 në planifikim buxhetor për këtë kategori figurojnë 31 milionë e 350 mijë euro.

Shërbime sociale prej 4.5 milionë eurove figurojnë në planifikimet buxhetore të vitit 2018, e njëjta shumë e cila figuron edhe në buxhetin e vitit 2017. Nga 3.6 milionë euro figurojnë në shpenzime të buxhetit të vitit 2017 dhe 2018 për shërbime të punësimit. Ndërsa, kemi një ulje për 100 mijë euro për shërbime të aftësimit profesional për të cilat në vitin 2017 ishin planifikuar 300 mijë euro, e në vitin 2018 janë planifikuar vetëm 200 mijë euro.