Hyrja e Shtëpisë së Kulturës, pa shkallë, në Vushtrri. Foto: Kallxo.com

Problemet e Vjetra të Qytetit më të Vjetër

Vushtrria me rreth 65 mijë banorë, i njohur për monumentet e saj historike si Kalaja e Vushtrrisë, Hamami, Ura e Gurit dhe Shtëpia e Mahmut Agë Gjinollit, ende ka problem bazike. E këto monumente nuk kanë as kujdes institucional.  Muaj më parë Kalaja e Vushtrrisë deshi të shndërrohej në restorant nga daja i kryetarit aktual, Bajram Mulaku e Urës së Gurit në fillim të këtij viti i janë rrëzuar 36 blloqe.

Por, qyteti historik ende ka probleme bazike. Banorët e Vushtrrisë ende nuk e kanë përmbushur ëndrrën për ujë të pijshëm.

Uji dhe kanalizimet

Ky qytet ende ka problem me ujë të pijshëm. Edhe pas ndërtimit të fabrikës së ujit vitin e kaluar, qytetarët vazhdojnë të përballen me këtë problem.

Në sistemin e kanalizimit janë të kyçura rreth 70 % të fshatrave. Ndërsa ne rrjetin e ujësjellësit aktualisht përveç qytetit janë te kyçura rreth 30 % te vendbanimeve.

Shumë nga fshatrat e Vushtrrisë, ende nuk janë kyçur në sistemin e ujësjellësit dhe në kanalizim. Fshatrat të cilat janë në pjesë më të largëta nga qyteti gjatë gjithë kohës janë furnizuar me ujë nga burimet alternative. E në lumin Sitinica derdhen ujërat e zeza të fshatrave të cilat nuk janë të lidhura në kanalizim.

Në maj të vitit të kaluar ka përfunduar projekti i ndërtimit të fabrikës së ujit, i cili ka kushtuar rreth 8 milionë euro, mjete që janë ndarë nga Qeveria e Kosovës. Sipas projektit kjo fabrikë duhet të prodhojë 350 litra/sec. Por, edhe pas ndërtimit të kësaj fabrike qytetarët kanë ankesa për furnizim me ujë. Ndërsa ata që jetojnë në fshatra ende nuk furnizohen me ujë nga ujësjellësi.

Kandidatët për Vushtrrinë në Debat Pernime

Për tri mandate rresht kryetari Bajram Mulaku kishte premtuar për ujin e pijshëm, ndërsa në debatin  “Jeta në Komunë” në vitin 2015 ai kishte hequr dorë nga ky premtim, e kandidatët për këtë mandat, prapë po e premtojnë ujin.

Fabrika e Ujit në Vushtrri. I Foto: Kallxo.com

 

Në sistemin e kanalizimit janë të kyçura rreth 70 % të fshatrave. Ndërsa në rrjetin e ujësjellësit aktualisht përveç qytetit janë të kyçura rreth 30 % e vendbanimeve.

Në 11 fshatra të pjesës lindore të komunës së Mitrovicës, është shtrirë rrjeti i ujësjellësit i cili pritet të kyçet në gypin magjistral Vushtrri-Gracë të cilin është duke e financuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vlerën rreth 400 mijë euro.

Deponitë ilegale

Komuna e Vushtrrisë ka problem me 11 deponi ilegale të mbeturinave ndërsa vetëm 57% e qytetarëve marrin shërbimin e grumbullimit të mbeturinave.

Qytetarët e kësaj komune obligohen ta hedhin bërllokun nëpër deponi ilegale, pasi vetëm gjysmës së ekonomive familjare në Vushtrri u ofrohet shërbimi i mbledhjes së mbeturinave. Aktualisht janë 11 deponi ilegale me mbeturina.

Disa nga këto deponi me bërllok janë në fshatrat: Studime, Maxhunaj, Reznik e deponia më e madhe është në Pestovë, ku edhe hidhen mbeturinat e patateve.

Deponia e mbeturinave, Pestovë, Vushtrri. Foto: Kallxo.com

 

Sipas Komunës, gjatë vitit 2017 në Komunën e Vushtrrisë kane qenë të evidentuara gjithsej 57 deponi ilegale, prej të cilave 46 deponi janë eliminuar e bazuar në numrin e përgjithshëm të ekonomive familjare në komunë aktualisht rreth 57 % të tyre u ofrohet shërbimi i mbledhjes së mbeturinave.

Arsimi dhe infrastruktura e shkollave/ çerdheve

Nga të gjitha shkollat e Vushtrrisë, vetëm 3 nga 35 shkolla kanë laboratore e vetëm 2 nga to kanë salla të edukatës fizike.

Me nisjen e vitit të ri shkollor, kjo komunë u ka ndërprerë transportin nxënësve në mungesë fondesh. Rreth 90% e fshatrave të këtij qyteti kanë nevojë për transport.

Vushtrria ka vetëm një çerdhe publike, ndërsa për 4 vite mandat nuk është ndërtuar asnjë.

Gjatë këtij mandati në komunën e Vushtrrisë ka ndërtuar tri shkolla.

SHËNDETËSIA

Vushtrria ka ambulance, por nuk ka staf të mjaftueshëm. Edhe për kundër kësaj, një konkurs i shpallur pak para zgjedhjeve u anulua me arsyetimin e kryetarit aktual, Bajram Mulaku, se opozita mund ta akuzojë për “punësim militantësh në kohë zgjedhjesh”.

Vushtrria ka 19 qendra shëndetësore, por është vetëm QKMF në Vushtrri që punon 7 ditë në javë dhe me dy orare. Të gjitha qendrat tjera nuk punojnë në vikende dhe orari i tyre është vetëm deri në orën 15:00.

Në fshatrat Zhilivodë edhe Skromë qendrat punojnë vetëm 3 orë në ditë, pa vikende.

Vushtrriasit janë momentalisht pa dy stomatolog tre infermierë dhe disa punonjës të shtëpive të shëndetit.

Por, në po këtë sektor, drejtori i shëndetësisë, Abdullah Klinaku, pak kohë para se t’i kalojë mandati i drejtorit është punësuar në spitalin e këtij qyteti “Sheikh Zayed’’. Punësimi i Klinakut në këtë pozitë është bërë dy muaj para se kabinetit të Bajram Mulakut t’i kalojë mandati qeverisës.

Por, kjo komunë ka probleme edhe mungesë të terapisë në qendrat shëndetësore. Në disa nga to nuk ka mjek me arsyetimin se “nuk ka staf të mjaftueshëm”.

Në Vushtrri janë funksionale 19 qendra shëndetësore (pa vikende), 3 prej tyre në qytet. Këtu kanë mungesë të terapisë në këto qendra shëndetësore.

“Në disa nga këto qendra mjeku nuk është për çdo ditë për arsye se nuk ka staf të mjaftueshëm, dhe banorë hezitojnë të marrin shërbime në këto qendra ku nuk ka terapi, andaj u duhet të shkojnë në qytet”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Bujqësia dhe buxheti

Vushtrria është e njohur për prodhimin dhe përpunimin e patates. Kultivimi i madh i patates është edhe falë sistemit të ujitjes që është i shtrirë në një pjesë të territorit të kësaj komune. Por, fatkeqësisht nëpër tokën bujqësore në të cilin ka sistem të ujitjes janë ndërtuar shtëpi, duk e tkurrur tokën bujqësore.

Komuna e Vushtrrisë në vitin 2017 kishte planifikuar buxhet rreth 16 milionë euro, me 4,4 milionë prej tyre të planifikuara për investime kapitale. Edhe Vushtrria ka telashe me ekzekutim të buxhetit. Në bazë të raportit të Auditorit, Vushtrria ka arritur të realizojë një buxhet prej 14,9 milionë euro, prej tyre 3,3 milionë euro kanë shkuar në investime kapitale.

Barazia gjinore

Kosova ka ligj për Barazinë Gjinore, i cili kërkon që gratë dhe burrat të përfaqësohen barabartë në të gjitha nivelet, ndërsa Avokati i Popullit po insiston që ky ligj të zbatohet në plotëni. Përveç që partitë politike që kanë shpallur kandidaturat në kryeqytet nuk kanë kandiduar asnjë grua, as drejtoritë e Kuvendit Komunal nuk ndahen në mënyrë të barabartë për t’u udhëhequr.

Nga 12 drejtori komunale, gjatë mandatit të kaluar vetëm tri janë udhëhequr nga gratë.

Në garën për kryetar të komunës së Vushtrrisë për zgjedhjet e 22 tetorit kandidojnë: Abdullah Vojvoda nga Nisma për Kosovën, Besim Muzaqi nga Lëvizja Vetëvendosje, Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës, Lutfi Bilalli nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nasuf Aliu nga Aleanca Kosova e Re dhe Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Gjendja e jashtme e Shtëpisë së Kulturës, Vushtrri. Foto: Kallxo.com