Policia e Shqipërisë - Foto: Facebook

Problemet e Sistemit TIMS Lehtësuan Arratisjen e të Dënuarit

Arratisja nga Shqipëria e të dënuarit me 7 vjet burg Redi (Allkoçi) Ferizaj zbulon mangësitë e sistemit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatave, hedhjen e parregullt të të dhënave në TIMS për të kërkuarit dhe pamundësinë e policisë për të kontrolluar personat me masa sigurie “arrest shtëpie”.

Gjykata i kishte caktuar Redi (Allkoçi) Ferizajt të arrestuar me akuzën për grabitjen e një kambisti masë sigurimi “arrest shtëpie”. Kur Ferizaj u dënua me 7 vjet burg për vjedhje me dhunë në mars të këtij viti, policia kriminale shkoi në banesën e tij te rruga e “Barrikadave” për të ekzekutuar vendimin e prokurorit. Por Ferizaj nuk ndodhej më në banesë. “Këtu prej kohësh nuk banon më njeri”, i tha policisë një komshi që u thirr të ishte dëshmitar i kontrollit sipas vendimit të gjykatës që e dënoi Ferizajn në 4 korrik edhe për arratisje.

NDËRLIDHUR

Prokuroria që hetoi arratisjen mësoi se Ferizaj ishte larguar nga Shqipëria në shkurt të këtij viti përmes aeroportit të Rinasit duke përdorur pasaportë biometrike. Largimi i tij ishte shënuar në sistemin TIMS, por për shkaqe që nuk janë të qarta masa e sigurisë ndaj tij nuk ishte reflektuar në këtë sistem dhe policia kufitare nuk e ka ndaluar të udhëtojë.

Rasti i Ferizajt nuk është i veçuar. Gati dy vjet më parë Arben Frroku, i cili priste gjykimin në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda për vrasjen e  një oficeri policie, doli në kufirin shqiptar, siç u tha, po për shkak të një problemi në sistemin TIMS.

“Kjo pjesë është shumë problematike, pasi disa vendime gjyqësore hidhen në sistemin TIMS disa jo”, i tha BIRN Aleks Hajdari, ish-drejtor i Policisë së Durrësit tani kryetar i Shoqatës të Efektivëve të Policisë të Nxjerë në Lirim.

Hajdari, i larguar nga forcat e rendit pasi socialistët fituan zgjedhjet në vitin 2013-të, thotë se përgjegjësia për këto arratisje është e policisë.

I pyetur nga BIRN se pse nuk ishin koordinuar të dhënat e policisë dhe prokurorisë dhe hedhur në sistemin TIMS vendimet e masave shtrënguese për rastin e të proceduarit Redi Ferizaj, zëdhënësi i Policisë së Shtetit Genti Mullai tha se:“…nuk mund t’ju ofrojmë të dhëna pasi çështja është në hetim…”.

Por ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj thotë se ka mungesa në koordinim mes gjykatës, prokurorisë dhe policisë që kanë sjellë lirim dhe dështim të procedimeve edhe për mjaft persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë. Xhafaj u tha gazetarëve në një takim në Korrik, se gjatë kohës së shkurtër që drejtoi ministrinë pa se bashkëpunimi me prokuorinë nuk ekzistonte.

Bashkëpunimi Polici-Prokurori, në nivelin zero

“Ajo që është më shqetësuese dhe që unë arrita të kuptoja gjatë drejtimit të shkurtër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është se bashkëpunimi Polici-Prokurori është në nivelin zero. Këto dy institucione punojnë në mënyrë të ndarë,” nënvizoi ish-ministri Xhafaj.

Zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme Genti Mullai i tha BIRN se shërbimet e Policisë Gjyqësore në Policinë e Shtetit procedojnë me shpalljen në kërkim të personave dhe hedhjen e tyre në sistemet databazë të policisë vetëm pasi “prokuroritë respektive kanë regjistruar procedimin penal dhe i kanë vënë në dispozicion policisë vendimet gjyqësore nëpërmjet prokurorit përkatës të ekzekutimit të vendimeve.”

“Për çdo person që ka rekorde kriminale apo vendime gjykatash, të gjitha këto pasqyrohen në sistemin TIMS në rubrikën e veçantë…”, tha Mullai.

Për zgjidhjen e kësaj situate ish-drejtori i policisë së Durrësit Hajdari thotë se duhet që “dy ministritë ajo e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të bëjnë një marëveshje dhe të perfeksionojnë procedurat dhe bashkëpunimin, për ekzekutimin e një vendimi penal nga fillimi deri në fund”.

Megjithatë problemi në rastin e Ferizajt nuk qëndron vetëm te dalja e tij në Rinas, por edhe te mungesa e kontrolleve nga inspektorët e policisë. Zëdhënësi i Policisë së Shtetit pranon se policia kryen kontrolle periodike të personave me masa shtrënguese “arrest shtëpie” apo “detyrim paraqitjeje”.

“Policia nuk ka një sistem dixhital të mirëfilltë për të kontrolluar këtë kategori. Por policia, bazuar në vendimet e gjykatave i monitoron nëpërmjet shërbimeve të Policisë, të cilët bëjnë verifikime periodike,” tha Mullai.

Por në rastin konkret i dënuari ishte larguar prej gati dy muajsh dhe askush nuk e dinte.  Në vendimin e gjykatës që e dënoi Ferizaj me 1 vit burg për “largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, thuhet se në datën 30 mars 2017 kur policia ka bërë kontrollin në shtëpi e ka gjetur atë bosh.

Në të njëjtin dokument thuhet se “rezultoi që i pandehuri Redi Ferizaj të ketë dalë nga territori i RSH (Republikës së Shqipërisë) në datën 9 shkurt 2017 dhe nuk rezulton që të ketë hyrje”.

BIRN komunikoi me avokatin Sokol Hazizaj, i cili vuri në dukje se ishte detyrë e policisë që të mbikqyrte këta persona. “Në rastet e “arrestit shtëpiak” është detyrë e policisë të kryejë kontrollet e duhura në banesë sepse i shkojnë vendimet e kufizimit nga ana e prokurorisë”, tha Hazizaj.

Ish-Ministri: Gjyqësori dhe Prokuroria – më të korruptuarat

Por sipas ish-ministrit Xhafaj policia është hallka që funksionon më mirë në sistemin e drejtësisë. Ministri Akuzoi gjyqësorin dhe prokurorinë si më të korruptuara.

Vetëm një javë më parë, pasi Gjykata e Faktit në Durrës e kishte liruar duke caktuar masë sigurie detyrim paraqitjeje, policia e pati të pamundur të ri-arrestonte Alket Hatijan, i cili kërkohet nga Italia i dënuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Gjykata e Apelit vendosi masë sigurie me burg për Hatijan, por sipas policisë ai zyrtarisht nuk gjendej megjithëse se ajo kishte ushtruar disa kontrolle.

Lirimi i tij nga Gjykata e Shkallës së parë, solli debate të ashpra mes gjykatës dhe prokurorisë. Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi vendosi nisjen e një hetimi disiplinorë ndaj gjyqtarit.

Redi Ferizaj është dënuar me vendim të formës së prerë në mars të këtij viti me 7 vjet burg, nga të cilat duhej të vuante, sipas përllogaritjeve të prokurorisë, edhe 4 vjet, 2 muaj e 20 ditë, për grabitjen e kambistit me inicialet S.D, të cilit i ka marë në bashkëpunim me dy persona të tjerë shumën prej 14 mijë euro.

Ngjarja sipas vendimit të gjykatës ndodhi në Janar të vitit 2013 në rrugën e Dibrës, jo shumë larg shtëpisë së Ferizajt.

Gjykata gjeti fajtor Ferizajn së bashku me dy persona të tjerë po ashtu të dënuar me burg në vitin 2014, por çështja është apeluar  prej tyre dhe ata ishin në masë sigurie “arrest shtëpie” deri në momentin që vendimi mori formë të prerë.

Në 4 korrik 2017 Ferizaj u ridënua nga gjykata e Tiranës me 1 vit burg, për arratisje.

Ky shkrim më herët përfshinte gabimisht një foto të gabuar të Redi Ferizaj, ndërkohë që personi i dënuar është Redi Bujar Allkoçi (Ferizaj). Reporter.al kërkon ndjesë për gabimin dhe ne po punojmë që mos të përsëritet.

05 Gusht 2017 - 10:12

Elton Qyno, BIRN 05/08/2017 - 10:12
NDËRVEPRIMI0