Rruga kryesore në drejtim të Busavatës| Foto: Amir Jakupi

Problemet dhe (Keq) Qeverisja e Kamenicës

Varfëria dhe papunësia po e godasin çdo ditë e më shumë popullatën e Kamenicës. Numri i të papunëve është vazhdimisht në rritje. Edhe ato pak punësime që bëhen, zgjasin pak muaj dhe nuk janë të qëndrueshme. Më bazë të të dhënave të Zyrës komunale për Punësim, papunësia në Kamenicë ka shkuar në shifra shqetësuese, deri në 40 %. Komunat thonë se krijimi i vendeve të punës nuk është kompetencë e tyre. Por, a nuk janë kompetente komunat për të krijuar kushte të mirë për bizneset? Në fund të fundit, janë bizneset ato që duhet t’i krijojnë vendet e reja të punës.

Por, ndonëse komunë e vogël, Kamenica ka kontribuar në ulje të papunësisë duke punësuar hiq më shumë se 230 shërbyes civil. Por ky kontribut ka ndikim negativ, sepse e ulë buxhetin për investimet kapitale duke i shpenzuar buxhetin për paga. Punësimet partiake e familjare gjatë këtij mandati, kanë bërë që administrata e Kamenicës të jetë e mbingarkuar me më shumë se 100 punonjës. Akomodimet e militantëve në Administratë, por edhe largimet e jashtëligjshme nga puna (gjobat nga Gjykatat), kanë dëmtuar buxhetin komunal mijëra euro. Për largimin nga puna të shefit të Zjarrfikësve, Riza Bunjaku, ndërrimin e vendit të punës së zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, Rifat Hajdari, dhe largime të jashtëligjshme të punonjësve arsimorë, të konstatuara nga Gjykata kompetente, buxheti komunal u dëmtua përreth 25 mijë euro, sepse u janë paguar pagat në mënyrë retroaktive.

Uji, Infrastruktura dhe Arsimi

Furnizimi me ujë të pijshëm po del si problem i pazgjidhshëm në Kamenicë. Me mungesë të ujit qyteti përballet sidomos gjatë verës, por edhe lagjet përreth kanë të njëjtin hall. Edhe pse janë investuar qindra mijëra euro për ujësjellës, ky problem akoma nuk është zgjidhur as pas 17 vitesh.

Ndërsa fshatrat si Koretini, Shipashnica e Epërme e Kopërnica akoma e vuajnë mungesën e ujit të pijes. Ndërsa edhe pse kanë nisur para pesë vitesh, ndërtimi i ujësjellësve nuk ka përfunduar akoma në fshatrat  Hodonoc, Muçiverc, Roganë dhe Dajkoc. Pra, e gjithë Kamenica ka telashe me ujë të pijes.

Hiq më mirë nuk është as Arsimi, i cili çdo ditë e më shumë po nëpërkëmbet e degradohet. Ankesat më të mëdha gjatë këtij viti kanë qenë pikërisht nga mësimdhënësit. Në shumë raste atyre u është bërë e padrejtë për shkak të pikëpamjeve politike. Janë regjistruar raste kur një i punësuar me 30 vjet përvojë të është lënë jashtë sistemit, apo pesë arsimtarë të japin një lëndë në një shkollë. Por, kemi pasur raste kur është punësuar personi me drejtim në gjeografi që të japë Edukatë Qytetare dhe refuzohen kuadrot profesionale. Gjithashtu kemi pasur raste kur mësimdhënësit paguhen me rrogë të plotë dhe mbajnë vetëm gjysmën e orëve, si dhe të stërngarkohen shkollat me gjysmë-norma në prag të zgjedhjeve sepse kishte mbi punësim.

Kamenica është vendi që ende ka telashe me mungesë të shkollave. Nxënësit e Berivojcës ecin rreth 6 kilometra në këmbë për të vijuar mësimet në shkollën ‘Fan S. Noli’ të Kamenicës. Në fshatin Gjyrishec, nxënësit këtë vit shkollor e kanë nisur nën qiell të hapur. Gjendja e shkollës në fshatin Lisockë është shumë e vështirë, ajo pothuajse është pranë rrënimit. Nevojë për shkolla të reja e rinovime kanë edhe lokalitete të tjera të Kamenicës.

Hiq më mirë nuk është as urbanizmi. Përkundër thirrjeve të vazhdueshme për të ndërmarrë masa, Inspektorati komunal vazhdon të lejojë degradimin dhe shëmtimin e Kamenicës me ndërtime pa leje. Në Kamenicë janë mbi 100 objekte pa leje ndërtimi, prej tyre rreth 80 janë vetëm në qytet. Dhe është për kuriozitet që  në 17 vjetet e pasluftës, Inspeksioni nuk ka rrënuar asnjë objekt pa leje.

Gjatë viteve të fundit janë bërë investime në infrastrukturë, kryesisht në ndërtimin e rrugëve. Por, kualiteti i dobët i investimeve është evident. Edhe përkundër qëllimeve për të bërë investime në ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve e ujësjellësve, në të shumtën e rasteve ato janë realizuar dobët dhe në mënyrë gjysmake. E kemi shembullin e rrugës prej gjysmë kilometri nga Kamenica në Ruboc, e cila vetëm pak muaj pas asfaltimit kishte nisur të shkatërrohet, kështu që është dashur intervenim i dytë për të mbuluar gropat dhe eliminuar plasaritjet. Në rrugën kryesore në drejtim të Busavatës, për shkak të kualitetit të dobët të punimeve, është dashur të prehet asfalti dhe në atë gjendje është lënë për më shumë se dy javë, duke rrezikuar këmbësorët dhe duke u bërë shkak i aksidenteve të mundshme.

Rruga Malësia| Foto: Amir Jakupi

Investimet janë bërë edhe në parqe dhe gjelbërim, por mirëmbajtja e tyre nuk ka ndodhur. Drunjtë dekorativë që janë mbjellë në parkun e qytetit nuk janë ujitur dhe lodrat kanë nisur të shkatërrohen. Është e qartë që nuk ka pasur mirëmbajtje të parkut, prandaj kemi ardhur deri te shkatërrimi. Është Komuna përgjegjëse për monitorimin e punëve të kompanisë së kontraktuar për rinovim dhe mirëmbajtje të parkut. Nëse punët nuk kryhen sipas kontratës është obligim ligjor i Komunës që të nis procedura gjyqësore ndaj kontraktorit. Një problem tjetër në Kamenicë është se kompanitë të cilat kryejnë punë; bëjnë gropa e dëmtojnë asfaltin për të vendosur gypa kanalizimesh ose rrjet telefonie, nuk i kthejnë rrugët në gjendje të mëparshme dhe askush nuk merret me këtë problem.

Opozita dhe premtimet e shkelura

Në shëndetësi vlen të përmendet mungesa gjinekologut. Deri para tre vjetësh ka punuar një gjinekolog i rregullt, por pas pensionimit të tij, kanë nisur telashet në këtë repart. Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me Spitalin Regjional të Gjilanit arriti t’i sigurojë 3 gjinekologë nga Gjilani, të cilët me rotacion shërbyen në Kamenicë, por pas disa problemeve me drejtësinë ata u detyruan të tërhiqen dhe që nga ajo kohë në Kamenicë nuk është regjistruar asnjë lindje.

Telashe ka edhe me degradimin e mjedisit. Banorët e fshatrave Shipashnicë e Desivojcë prej kohësh janë në hall me seperacionet që nxjerrin zhavorr nga lumenjtë që kalojnë nëpër këto lokalitete. Edhe përkundër ankesave drejtuar pushtetit lokal dhe atij qendror, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit atje po vazhdon.

Në përgjithësi, anëtarët e Kuvendit Komunal nuk kanë treguar interesim për t’i trajtuar me meritë problemet dhe kërkesat e qytetarëve. Ka munguar debati dhe shqyrtimi i hollësishëm i adresimeve në Kuvendin Komunal, sidomos për çështjet me interes të përgjithshëm, siç ishin orientimi dhe shpenzimi i buxhetit komunal, si dhe kërkimi i përgjegjësisë dhe llogaridhënies për dështimet e zbatimit të ligjit. Përderisa anëtarët kanë qenë më të zëshëm në çështjet me interes direkt dhe jodirekt personal apo politik. Kryetari  i Komunës ka mbajtur tubimet publike të parapara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, gjithashtu edhe drejtoria e Financave dëgjimet buxhetore, por ato janë realizuar ‘sa për sy e faqe’ dhe sa për të përmbushur obligimet buxhetore. Shumica e kërkesave të qytetarëve të dala nga këto tubime,  nuk janë inkorporuar në planifikime të buxhetit komunal apo në listën e investimeve kapitale. Kjo ka bërë që qytetarët ta humbin besimin te vendimmarrësit dhe në këtë mënyrë ka rënë drastikisht numri i qytetarëve të interesuar për të marrë pjesë në tubime.

Foto e Parkut të Kamenicës| Foto: Amir Jakupi

Janë disa premtimet të kryetarit që në këtë mandat nuk janë përfunduar. Krijimi i komunës së Hogoshtit, ndërtimi i shkollës fillore në Berivojcë, ura në Topanicë, zgjerimi i ndriçimit nëpër fshatra, sallat e edukatës fizike në shkolla, trotuari në Ruboc, heqja e taksave për bizneset me 5 e më tepër të punësuar, funksionalizimi i qendrave të mjekësisë familjare nëpër fshatra, ndërtimi i shkollës fillore në Krilevë, zhvillimi i turizmit malor…, janë vetëm disa prej premtimeve të pa-përmbushura të kryetarit të Kamenicës, Begzad Sinani.

Autori është aktivist i shoqërisë civile në Kamenicë