“Pro Credit”-Largimet e Dyshimta të Punëtorëve

Mbi 50 veta të stafit të “Pro Credit” Bankës janë intervistuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, përfshirë ish- menaxhmentin e kaluar, të cilët paraqitën një figurë shqetësuese të presioneve për t’i pezulluar njerëzit nga puna. Një prej tyre u ankua se i ishte kërkuar që të largojë nga puna njerëzit për shkak të pamjes së tyre. Prokuroria ka nisur hetimet ndaj menaxherëve të lartë në “Pro Credit”-it. Banka me fitimet më të mëdha në Kosovë mohon akuzat.

“Nëse nuk e nënshkruani kontratën për dorëheqje sot, ne do ta rrënojmë reputacionin tënd dhe kurrë nuk do të ofrojmë një rekomandim,” është kërcënimi që 32 vjeçarja Albana Morina thotë se e ka marrë nga burimet njerëzore të Pro Credit Bank në fund të vitit 2012.

NDËRLIDHUR

“Ai ishte një shantazh,” thotë ajo  duke iu dridhur zëri, teksa tregon se në ato momente ka kujtuar kohën kur prindërit e saj vuajtën fushatën sistematike të Milosheviqit në të cilën shqiptarët e Kosovës masovikisht u përzunë nga puna në vitin 1990.

“Kështu që një fuqi e madhe më erdhi në atë moment dhe i thashë vetes se nuk do të lejojë që askush të bëjë shkarkime në masë në shtetin tim, në Kosovën  pas pavarësisë. Është përgjegjësi e neve qytetarëve që ta bëjmë këtë shtet të funksionojë dhe unë jam betuar se do ta luftoj këtë betejë në secilin insitucion në këtë shtet,” thotë ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kur ne e intervistuam atë, arkitektja 32 vjeçare ishte e ulur në zyrën e saj në qendrën tregtare në “Kodrën e Diellit” ku tani udhëheq një biznes të suksesshëm për dekorime, të cilin e themeloi pasi u pushua nga puna në “ProCredit Bank”.

Ajo tregoi këmbime me e-mail, ankesa dhe dokumente të padive që i ka mbledhur kundër “Pro Credit”-it.

Morina tani koordinon dhjetëra ish-pjesëtare të stafit të “Pro Credit Bank” të cilët dëshirojnë t’i bashkohen aksionit të ngritjes së kallëzimeve penale kundër meanxhmentit të lartë të kësaj banke në Kosovë.

ProCredit Bank ka pushuar nga puna 389 persona tre vjetët e fundit.

Nga zyra për medie e bankës, konfirmuan se numri total i të punësuarve në vitin 2011 ishte 1071 kurse, sipas BQK-së numri është zvogëluar në 711 kah fundi i 2014-ës.

BIRN-i ka biseduar me më shumë se 50 ish-pjesëtarë të stafit, përfshirë ish- menaxhmentin e kaluar, të  cilët paraqitën një figurë shqetësuese të presioneve për t’i pezulluar njerëzit profesionistë, në të njëjtë kohë duke bërë fitime të mëdha në Kosovë nëpërmjet punësimit të fuqisë së lirë punëtore.

Ndërkaq në prokurori deri më tash  janë drejtuar pesë veta.

“5 persona janë ardhë dhe i inkurajoj të gjithë të tjerët që mendojnë se u është shkelë e drejta në marrëdhënie të punës me vepra penale të personave të autorizuar, ta paraqesin rastin,” ka thënë Imer Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Prokuroria merr në pyetje drejtorin e Pro Credit 

Një hetim kundër menaxhmentit të lartë të “Pro Credit”-it është nisur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Imer Beka, kryeprokuror për Prishtinën, shpjegoi për Gazetën Jeta në Kosovë  se pse iu desh që ta sillte Ilir Aliun, shefin e “Pro Credit”-it në Kosovë me duar të lidhura për ta marrë në pyetje me 6 janar të këtij viti.

Ai tregoi se avokati mbrojtës i Aliut i kishte thënë se klienti i tij kishte qenë shumë i zënë dhe se nuk kishte kohë për të ardhur deri në prokurori.

Aliu ishte ftuar për t’u marrë në pyetje lidhur me rastin penal të iniciuar nga ish-punonjës të tij.

Bekës i është dashur që ta dërgonte policinë për të marrë.

“Pro Credit”-i nuk mohoi se Aliu është marrë në pyetje. Në një përgjigje me shkrim deklaroi se është në përgjegjësi të menaxhmentit që të përfaqësojë bankën tek organet e rendit.

Në pyetje nga prokuroria është marrë edhe Nora Rraci. Ajo nuk deshi të komentojë lidhur me këtë, kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë.

“ProCredit Bank” është banka më e madhe në Kosovë dhe e para që  u themelua në vitin 2000 dhe u shtri me filiale në tërë vendin.

Ajo operon në 21 shtete të botës.

Bazuar në dokumentin e prokurorisë që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, procedura penale kundër menaxherëve të lartë të “Pro Credit”-it u inicua më 3 tetor 2012 pas kallëzimit penal të dorëzuar nga Diturie Hoxha, ish-udhëheqëse e trajnimit në këtë bankë.

Ajo u pushua nga puna dhe tani po akuzon menaxherët e saj për abuzim të pozitës zyrtare dhe për pushim nga puna në mënyrë të padrejtë.

Vetëm dy vjet pasi ajo paraqiti kallëzimin penal në prokurori, menaxherët e saj u thirrën për t’u marrë në pyetje.

Hoxha tha se nuk i beson versionit për shkurtim të stafit pasi që “Pro Credit”-i, sipas saj,  më pas mori punëtorë të rinj.

“Përvec qëllimit që është shumë i mirë për rekrutim të shtafit të aftë, e ka pasë edhe anën tjetër do të thoja të kamufllimit të largimit të punëtorëve, ndërkohë që po ndodh ulje e numrit të punëtorëve, e këndej po marrin punëtorë të rinj. Në rast se kemi nevojë me e zbrit numrin e punëtorëve, atëherë pse rekrutojmë bankierë të rinj,” ka thënë Hoxha lidhu me pranimin e punëtorëve të rinj të bankës.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për rastin e Diturie Hoxhës dhe disa ish-punëtorëve tjerë në prill të vitit 2013.

Banka, në një përgjigje të saj atëkohë, thoshte se risistemimi i punonjësve është praktikë e shëndoshë e kompanive dhe nuk pranonte interpretimin e disa ish-punëtorëve se menaxherët në pozita të larta largohen për t’u zëvendësuar me punëtorë të rinj që dalin nga programit bankierët e rinj, e të cilët paguhen më pak.

Zyra për Media e kësaj banke kishte deklaruar se sipas rregullave të bankës, pothuajse të gjitha pozitat e reja plotësohen përmes kandidatëve që dalin përmes këtij programi — që funksionon si një trajnim parapërgatitor, i financuar nga banka, dhe ku përzgjedhen kandidatët më të mirë.

http://gazetajnk.com/?cid=1,987,5252

 

“Njerëzit largoheshin për shkak të pamjes”.

Sidoqoftë, dokumentet që posedon Blerim Lipa,  një ish- menaxher i “Pro Credit”-it në rajonin e Pejës thonë një tjetër gjë.

Lipa  u promovua në vitin 2012 në pozitën e menaxherit.

Ai thotë se tash e ka kuptuar se ishte avancuar për të kryer një detyrë speciale që përfshinte bërjen e vlerësimeve të rreme negative për stafin që duhej të largoheshin nga puna.

Atij i është kërkuar për të pushuar nga puna njerëz bazuar ndër të tjera edhe në pamjen e tyre, një vendim të cilin ai refuzoi ta bëjë dhe e adresoi çështjen në Inspektoratin e Punës të Kosovës.

Ankesat e tij u konfirmuan nga Inspektorati i Punës i Kosovës, i cili lëshoi një vendim në favor të tij.

“I kam thënë Afërdita Hoxhës nga Burimet Njerëzore që i kam bërë të njëjtat vlerësime dhe nuk po mund të gjej asgjë negative në stafin e caktuar. Ata e kanë kaluar testin e matematikës dhe asgjë nuk ka qenë gabim me ta”, ka thënë Lipa për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai tregon se kur i është kërkuar të pushojë nga puna njerëz të caktuar, ai ka pyetur se pse duhet të bëhet një gjë e tillë dhe përgjigjja, sipas tij, ka qenë, “sepse ata nuk janë të bukur dhe kjo nuk i përshtatet profilit të Bankës”.

Pro Credit u pyet lidhur me akuzat e Lipës që thotë se iu kërkua të largojë nga puna njerëz për shkak të pamjes së tyre.

Banka në përgjigjen e saj iu referua kodit të veshjes.

“Banka jonë ka-ndër tjerash ka edhe rregullat për kodin e veshjes dhe/apo uniformën zyrtare të personelit dhe menaxhmentit, të cilat përcaktohen në bazë të pozitës dhe kategorisë së punëtorëve dhe menaxhmentit. Duke marrë këtë parasysh, me rastin e vlerësimit të përformacës së punëtorëve dhe menaxhmentit tonë, njëri nga elementet që na e marrim në konsierim është nëse punëtorët dhe menaxhmenti kanë respektuar rregullat dhe politikat e brendshme të bankës përfshirë, ndër tjerash edhe rregullat për kodin e veshjes”, ka thënë Çarkaxhiu lidhur me pohimet se njerëzit janë larguar nga puna për shkak të pamjes.

Rasti i Lipës ka nxitur reagime edhe të avokatit të popullit Sami Kurteshi.

Kurteshi ka thënë se korporata në këtë rast është diskriminuese dhe ka dashur që ta arrijë qëllimin e saj, duke larguar nga puna në mënyrë të paligjshme nëpërmjet Blerim Lipës.

Stafi si Morina, Lipa dhe Hoxha i kanë dokumentuar BIRN-it se punëtorët si ata janë paguar rreth 700-1000 euro, kurse një i ri i punësuar në bankë i tha Gazetës Jeta në Kosovë se merrte 200 euro në 6 muajt e parë të praktikës dhe më pas 370 euro me kontratë punësimi.

“Banka Ime,Tregimi im ” është një reklamë e bankës e cila po shfaqet në televizionet tona dhe që e ka irrituar një ish -punonjëse të bankës “ProCredit”.

Ajo thotë se është ofenduese që banka që ka thyer marrëveshjen me ta duke i pushuar nga puna tash i tregon botës duke i thënë  “shikoni, këta janë njerëzit të cilët ne i duam. Të rinj, jo ata që i kemi pushuar,” thotë Vlora Ademi, një ish-punëtore e larguar e  “Pro Credit”-it.

Inspektorati i Punës i “pa dhëmbë” 

Albana Morina, Blerim Lipa, Driton Pajaziti, Jehona Shala, Emine Berisha-Berberi i kanë dërguar rastet e tyre  në Inspektoratin e Punës, pasi që banka këshillon se për çështje të punësimit, çështja duhet që së pari të kalojë nëpër fazën e parë.

BIRN-i ka siguruar qasje në dy nga raportet që Inspektorati i Punës i Kosovës i ka lëshuar në bazë të ankesave të 5 pjesëtarëve të stafit.

Vendimet janë në favor të punëtorëve.

Edhe pse Inspektorati është dashur të reagojë brenda 30 ditëve pas bërjes së ankesës, u deshën 9 muaj që të reagojnë me një vendim për këto ankesa.

Basri Ibrahimi, shef i Inspektoratit të Punës, tha se është takuar me Ilir Aliun, Drejtor në “Pro Credit” dhe i ka thënë se ka informacione se ai po u bën presion stafit që të japë dorëheqje.

Aliu, sipas tij, e kishte mohuar një gjë të tillë.

Albana Morina i bëri presion Inspektoratit duke i shtyrë ata që të merren me rastin.

Përfundimisht, pas nëntë muajsh Inspektorati lëshoi një vendim i cili është mjaft i pashembullt.

Vendimi i Inspektoratit i lëshuar më 28 mars 2014 thotë se banka “Pro Credit” i ka larguar nga puna më shumë se 10 për qind të fuqisë së saj punëtore brenda 6 muajsh dhe kjo është arsyeja pse një gjë e tillë përkufizohet si “shkurtim kolektiv”.

“Pohimet e “Inspektorëve” se ne kemi bërë shkëputje të kontratës kolektive të punësimit janë të gabueshme. Ndërprerjet e kontratave me stafin janë një ndërprerje individuale e bërë në përputhje me procesin e ri-strukturimit,” thotë “Pro Credit”-i në këto dokumente.

Lidhur me rastin e Albana Morinës, “Pro Credit”-i tha se 6 pjesëtarë të stafit u larguan për shkak të mbylljes së pikës, apo departamentit.

Sidoqoftë, Ligji i Punës e rregullon se si duhet të bëhet rikonstruktimi, bazuar në legjislacionin vendor.

“Së pari duhet që ta informoni stafin tuaj se ju po bëni riorganizim, duke u ofruar atyre detajet dhe arsyet për këtë. Unë e di që ne asnjëherë nuk kemi qenë të informuar,” thotë Morina.

Ajo thotë se asgjë nuk ndodhi pasi Inspektorati lëshoi vendimin.

“Edhe pse Inspektorati në mënyrë të qartë konkludon atë për të cilën jam frikësuar prej fillimit, që “ProCredit”-i po bënë shkarkime kolektive të cilat janë të paligjshme, ata nuk e kanë gjobitur Bankën, edhe pse është në mandatin e tyre për të bërë një gjë të tillë,” thotë Albana Morina.

Sipas një dokumenti tjetër të inspektoratit, “ProCredit”-i e pushoi nga puna Driton Pajazitin pa asnjë dëshmi ndërkaq sipas këtij raporti, Jehona Shala, ish-këshilltare për klientë është shtyrë që ta nënshkruajë një marrëveshje për dorëheqje”.

Kompensimi i munguar

Ekrem Jakupi, i cili filloi të punojë si një vozitës në “Pro Credit” në Prishtinë në vitin 2000 është njëri nga ish-punëtorët më këmbëngulës me të cilin ka biseduar Gazeta Jeta në Kosovë.

Ai thotë se mbi të është ushtruar presion për të nënshkruar marrëveshjen e dorëheqjes me bankën “Pro Credit”, ani pse ishte në gjuhën angleze dhe ai nuk e kishte kuptuar se çfarë po nënshkruante.

Ai u pushua në vitin 2004.

Në fund, rasti i  Jakupit përfundoi me vendimin e Gjykatës për ta kompensuar atë me 50 mijë euro të cilat ende nuk i janë paguar nga banka.

Banka Qendrore ishte e informuar

Një dokument konfidencial i Bankës Qendrore të cilin e ka siguruar BIRN-, tregon se ky autoritet ishte i informuar se çfarë po ndodhte në “Pro Credit”.

Në ekzaminim e saj vjetor për bankën “Pro Credit” thuhet se “performanca e bordit të drejtorëve dhe menaxhmentit është më pak se e kënaqshme”.

Edhe përkundër kësaj, Banka Qendrore nuk ndërmori ndonjë veprim ndëshkues ndaj udhëheqësve të kësaj banke private.

Mungesa e veprimeve të Bankës Qendrore është kritikuar nga Avokati i Popullit.

Sami Kurteshi tha për BIRN-in se kjo tregon për një mungesë të kulturës institucionale për reagim.

Por, sipas përgjigjës së Bankës Qëndrore dhënë Gazetës Jeta në Kosovë, i takon Inspektoratit të Punës që të merret me problemet kontraktuale mes punonjësve dhe bankës private.

“Ne jemi të  shqetësuar me stabilitetin financiar në sistemin tonë, teksa i takon Ligjit të Punës që të merret me çështjet e stafit,” tha Mentor Geci, shef i Departamentit Mbikëqyrës në Bankën Qendrore.

Inspektorati i Punës është autoriteti që mbikëqyrë zbatimin e Ligjit të Punës.

 

Pro Credit thotë se ligji i’a pamundëson deklarimin për ish-punonjësit

Pro Credit, nëpërmjet avokatit të saj Dastid Pallaska, deklaroi se  ka arsye se pse nuk mund të komentojë lidhur me punëtorët e larguar nga puna.

Kjo sipas tyre do të përbente shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. 

Sipas tij ky ligj do të shkelej nëse Banka do të vendoste të zbulonte detajet e kushteve të marrëdhënies së punës mes këtyre punëtorëve dhe bankës, detajët e përformancës së këtyre ish-punëtorëve gjatë kohës së punës, përfshirë raportet e vlerësimit, masat disciplinore, detajet e rezultateve të testimeve të cilave iu janë nënshtruar si pjesë e programit për ti trajnuar me qëllim të mbajtjes së tyre në banke si dhe detajet lidhur me rrethanat e ndërprerjës së marrëdhënies së punës.

Banka, sipas Pallaskës, mund të japë përgjigje vetëm  nëse ish-punëtorët e larguar i japin bankës një autorizim me shkrim të noterizuar për të zbuluar të dhënat e tyre përsonale.

Por BIRN ka konsideruar dhe akoma konsideron që deklarimi publik i palës në lidhje me të dhënat e tij/saj – plotëson kushtin e përcaktuar në ligjin në fjalë – që ka të bëjë me zbulimin e të dhënave personale, dhe duke i mbetur besnik zbatimit adekuat të legjislacionit – ka proceduar me raportimin e rastit. 

BIRN konsideron se bashkëpunimi i bankës ka qenë i kushtëzuar nga marrja e autorizimeve të noterizuara nga ish-punëtorët e bankës – praktikë kjo që është e pa-precedentë në vendin tonë, dhe jo në pajtim me Ligjin per mbrojtjen e të dhënave personale. 

BIRN në vazhdimësi i ka dhënë mundësinë PCB që të tregojë versionin e tyre në lidhje me të gjitha deklarimet e bëra nga ish-punëtorët e bankës, dhe në lidhje me gjithë sa është shkruar e diskutuar në lidhje me ta. 

Sidoqoftë – BIRN mbetet i hapur për reagime e plotësime shtesë të PCB, për faktin e thjeshtë se misioni ynë i vetëm mbetet raportimi i të gjitha anëve të së vërtetës në mënyrë sa më të drejtë e të paanshme.

 

 

 

07 Shkurt 2015 - 15:37

Jeta Xharra e Mimoza Kqiku 07/02/2015 - 15:37
NDËRVEPRIMI0

“Pro Credit”-Largimet e Dyshimta të Punëtorëve

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend