Pritje të Gjata për të Aplikuar në Gjimnazin “Xhevdet Doda” (TV)

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka hapur konkursin për regjistrimin e nxënësve, duke lënë mundësi që brenda tri ditësh: 8, 9 dhe 10 korrik të bëhet aplikimi në gjimnazet dhe shkollat profesionale.

Ismail Ramadani, i cili shoqëronte vajzën e tij për të aplikuar në gjimnazin “Xhevdet Doda”, tha se po priste mbi dy orë për të kryer këtë procedurë dhe ankohej pse ishte hapur vetëm një sportel për pranimin e aplikacioneve.

“Është dashur me qenë edhe naj shallter tjetër, e me i pranu në dy-tre vende dokumentet, se shumë ngadal kështu”, tha Ramadani.

Të njejtat ankesa i kanë edhe nxënësit Donika Hyseni dhe Adriatik Bytyqi.

Azem Jaha, drejtor i gjimnazit ”Xhevdet Doda”, tha se janë vetëm katër persona që kryejnë të gjitha procedurat e aplikimit dhe regjistrimit të nxënësve.

“Tri ditë është afati, por ata po dojnë të gjithë menjëherë me ardhë për një orë me kry punë”, tha Jaha.

Ai tha se nuk mund të ketë më shumë persona që e kryejnë këtë proces, për shkak se sipas tij mund të ngatërrohen procedurat e përpunimit të të dhënave.

Në sportelin e gjimnazit “Xhevdet Doda”, ku pranoheshin dokumentacionet ishin dy zyrtarë. Ndërsa njëri bëhej gati të ndezte një cigare, tjetri bisedonte në telefon.

“Pse sa veta duhet me punu zojë? Në kofshit të gazetës, shkruaj dhe ju e dini punën e juaj”, tha njëri nga zyrtarët, duke u përgjigjur në pyetjen se pse nuk ishin angazhuar më shumë veta rreth pranimit të aplikimeve dhe regjistrimit të nxënësve.

Brend dy ditësh, në gjimnazin ”Xhevdet Doda” në Prishtinë kanë aplikuar 406 nxënës, ndërsa kjo shkollë çdo vit pranon 384 nxënës në 12 paralele.

Për dallim nga gjimnazi ”Xhevdet Doda”, në shkollën e mesme ”Sami Frashëri” në Prishtinë, aplikimi shkonte në rregull.

Njëra nga klasët ishte përcaktuar si zyrë pranimi të aplikacioneve dhe kështu nxënësit nuk prisnin jashtë, ndërsa edhe rreshtat e pritjes nuk ishin aq të gjatë.

Hysni Haradinaj që kishte ardhur ta regjistrojë të birin, tha se sipas tij çdo gjë po shkonte në rregull dhe se nuk kishte ndonjë vërejtje.

Ngarkesa e aplikacioneve në ”Sami Frashëri”, duket se ka qenë e përafërt me atë në ”Xhevdet Doda”.

Në shkollën ”Sami Frashëri”, në shkencat natyrore brenda dy ditësh kanë aplikuar mbi 400 nxënës.

Për regjistrimin në klasën e dhjetë, nxënësit duhet t’i plotësojnë këto kritere: suksesi nga shkollimi i obliguar vlerësohet 25 për qind, suksesi në lëndët prioritarë me 15 për qind dhe numri i pikëve nga testi që vlerësohet me 60 për qind.

Rezultatet e këtij konkursi që mbyllet me 10 korrik pritet të dalin një ditë më vonë.