Pritet Kuvendi të Zgjidhë Konfliktin Pronësor Mes AKP dhe RTK

Një përplasje mes dy institucionesh publike të Kosovës, Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe Radio Televizionit të Kosovës (RTK), mbi pretendime borxhesh dhe akuza për uzurpim të pronës publike, ka mbetur pa zgjidhje.

Që nga maji i këtij viti, kur përmes një letre [kliko këtu për letrën], AKP-ja e vendosi RTK-në para zgjedhjes ‘paguaj ose largohu’, asnjëra nga këto nuk ka ndodhur, por ndërkaq as përplasja mes dy institucioneve nuk është zgjidhur.

AKP e kishte paralajmëruar RTK-në se nëse nuk pranonte të paguante qira për tre vitet e fundit dhe në të ardhmen për shfrytëzimin e pronave të patundshme, duhej t’i lironte objektet ku qëndron brenda pesë ditëve, përndryshe do të nxirreshin jashtë me forcë përmes policisë.

Kërkesa e agjencisë ngrihej mbi argumentin se asetet e ish Radio Televizionit të Prishtinës, të cilat aktualisht shfrytëzohen nga RTK-ja, në fakt ishin pronë që i takonte AKP-së, ndaj dhe RTK-ja duhet të paguante për shfrytëzimin e këtyre asesteve.

Bordi i RTK-së pati deklaruar se nuk kishte linjë buxhetore të parashikuar për qira. Buxheti i këtij institucioni miratohet çdo vit nga Kuvendi i Kosovës.

http://kallxo.com/bordi-rtk-ja-ska-linje-buxheti-per-qira/

Ultimatumi u dha më 20 maj, por që nga skadimi i tij më 25 maj, nuk ka pasur dakordësim për të paguar nga ana e RTK-së, as janë liruar pronat vullnetarisht e as është bërë dëbimi i stafit përmes policisë.

Pas më shumë se katër muajsh asgjë nuk ka ndryshuar – agjencia e privatizimit vazhdon të pretendojë se objektet ku operon RTK-ja i përkasin asaj, kjo e fundit vazhdon punën e patrazuar.

AKP-ja e akuzon transmetuesin publik për mosgatishmëri për gjetjen e një zgjidhje për pronat që po përdor, ndërsa RTK-ja akuzon Kuvendin e Kosovës se nuk po e merr seriozisht këtë çështje.

Pas një sërë telefonatash dhe emailesh dërguar në adresë të AKP-së që nga muaji maj, ajo iu përgjigj pyetjeve të Gazetës JNK më 13 tetor, duke thënë se zgjidhja pritet nga organet drejtuese të Radio Televizionit të Kosovës.

“AKP pret më shumë gatishmëri nga ana e Bordit të RTK-së për të biseduar në gjetjen e zgjidhjes së kësaj problematike dhe për të respektuar vendimet e institucioneve shtetërore”, thuhet në përgjigjet e AKP-së.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Ismet Bexheti, e sheh zgjidhjen përtej kompetencave të bordit duke thënë se kjo çështje duhet të zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës.

“Vullneti politik nga ana e deputetëve mund të them se mungon dhe ne nuk po shohim hapa konkretë drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje”, tha Bexheti për Gazetën JNK.

“Deri më tash nuk asnjë lloj marrëveshje në mes të AKP-së dhe RTK-së. Na qysh nga muaji maj kemi shprehur shqetësimin tonë në lidhje me vendimin e tyre. Ne edhe atëherë kemi kërkuar nga Kuvendi që të inicioj dialog të drejtpërdrejt ndërmjet RTK-së dhe AKP-së”, tha Bexheti.

Sipas tij, krijimi i një komisioni parlamentar ‘ad hoc’ do të ndihmonte në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Është e paqartë se çfarë kanalesh kanë përdorur dy institucionet rivale për të komunikuar dhe nëse ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë, duke qenë se Bexheti nuk konfirmon asnjë takim mes palëve.

“Ne kemi kërkuar të takohemi me bordin e AKP-së mirëpo ligji për RTK-në i jep kompetencë Kuvendit që përmes një vendimi të veçantë të zgjidhë çështjen e pronës së RTK-së”, tha Bexheti.

Në maj, ai kishte konfirmuar për Gazetën JNK se një letër i ishte dërguar AKP-së duke kërkuar një takim mes palëve. AKP-ja nuk është përgjigjur pyetjes së gazetës nëse është mbajtur ndonjë takim.

Gjithashtu, AKP-ja nuk e përmend kuvendin si palë me ndikim në zgjidhjen e mosmarrëveshjes, por thotë që në bashkëpunim me RTK-në duhet të gjejnë marrëveshje për lidhje të kontratës. AKP-ja thotë se e ka kërkuar diçka të tillë nga RTK-ja, por për momentin është duke pritur.

“AKP shpreson se në bashkëpunim me RTK-në do të arrijë marrëveshje për lidhje të kontratës së qirasë, si dhe do të arrijë të bëjë përllogaritjen e obligimeve për shfrytëzimin e pronave shoqërore nga ana e RTK-së për tre vitet e fundit. Lidhja e kontratës së qirasë nënkupton që RTK të mos figurojë në listën e shfrytëzuesve të pronave shoqërore pa kontratë të qirasë, por të bëhet shfrytëzues i ligjshëm i pronave shoqërore”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Rreth 120 ditë më vonë nga dështimi i ultimatumit të saj ndaj RTK-së, AKP-ja i ka zbutur tonet. “Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka pasur dhe nuk ka për qëllim dëbimin e këtij mediumi publik nga pronat e ndërmarrjes shoqërore RTP, të cilat shfrytëzohen pa kontratë të qirasë nga ana e RTK-së”, thotë AKP-ja.

Që në fillim, kërcënimet e AKP-së ishin vënë në pikëpyetje në Komisionin në Komisionin Parlamentar për Media. Më 24 maj, Zenun Pajaziti, ish-udhëheqës i këtij komisioni, tani shef i grupit parlamentar të PDK-së, e pati hedhur poshtë idenë e dëbimit me forcë.

“Dëshiroj që të them po ashtu në kompetencën e deputetit që askush nuk do ta lë në rrugë televizionin publik të kosovës asnjëherë”, tha Pajaziti, një ditë para skadimit të ultimatumit të AKP-së.

Ndërkaq çështja e pronësisë së aseteve në përdorim nga transmetuesi publik i Kosovës nuk dihet se kur do të trajtohet nga kuvendi, dhe asnjë masë ligjore nuk është parashikuar, të paktën publikisht.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala edhe në takimet tjera me deputetët kishte kërkuar që RTK-së t’i jepet sa më shpejt prona, sepse ajo nuk mund të qëndrojë pa të.

http://kallxo.com/mentor-shala-kerkon-mandat-me-te-gjate-per-drejtoret-dhe-bordin-e-rtk-se/