Prishtina Paguan 30 Herë më Shumë Për Kamionin Zjarrfikës

Për një kamion zjarrfikës, komuna e Prishtinës ka paguar 300,000 euro, ndonëse ka pasur vlerë të llogaritur prej vetëm 11,000, tregojnë dokumentet që i ka siguruar BIRN.

Hulumtimi ynë ka zbuluar se procesi i tenderimit ka qenë farsë, katër firmat tenderuese për të furnizuar brigadën me kamion zjarrfikës kanë qenë që të gjitha të regjistruara në të njëjtën kohë dhe kanë pasur pronarë dhe personel të përbashkët. Tre operonin nga një zyrë e njëjtë dhe dy kanë pasur numër të njëjtë telefoni.

Automjeti i mbivlerësuar, i cili besohet të jetë përpunuar brenda Kosovës me pjesë nga një kamion i vjetër, është aq shumë i pasigurt që zjarrfikësit kanë refuzuar ta përdorin atë.

Pas procesit të tenderimit në Maj 2009 për kamion zjarrfikës i prodhuar në 2000 ose pak më vonë, me një shkallë 30 metra hidraulike, komuna është pajtuar për ta blerë kamionin nga kompania All Zone.

Firma me qendër në Prishtinë ka dorëzuar një letër në fillim nga një firmë Polake, ISS Wawrzaszek, duke thënë se ata do të bëjnë furnizimin e makinës dhe sigurojnë pjesë shtesë. Nuk ka sugjerime që Wawrzaszek kanë vepruar në mënyrë jo korrekte.

Por dokumentet e siguruara nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në Kosovë, nën lirinë e ligjeve për informim, tregojnë se All Zone kanë importuar në vend dy makina nga Gjermania, e jo nga Polonia.

Njëra makinë ka qenë e prodhuar më 1985 dhe ishte e zjarrfiksëve me shkallë që nuk funksiononte dhe me defekte tjera.
Dogana e Kosovës e vlerësoi këtë makinë me vetëm 10,000 euro. Tjetra makinë ishte një Mercedes 2000 transportues mallrash, i blerë nga All Zone për vetëm 11,000 euro.

Sipas Zyrës të Auditorit të Përgjithshëm dhe burime nga shërbimi zjarrfikës, besohet se All Zone kanë përdorur transportuesin e mallrave të cilit më tej ia kanë bashkangjitur shkallët dhe pajisjet nga kamioni i vjetër i zjarrfiksëve.

BIRN e ka dërguar dosjen me dokumentacionin e saj tek Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, të cilët kanë thënë se do të nisin hetime për këtë çështje.

Katër ofertues, ose vetëm një?

Katër firmat fillimisht kanë ofruar për ta furnizuar Prishtinën me makinë zjarrfikëse: All Zone, Fast NP, Ideal Solutions dhe Pro Trade, me çmime që vijonin nga 300,000 deri më 379,000 euro.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se Gazmend Kelmendi ishte drejtor ekzekutiv në All Zone por dokumentet të tjera lidhur me All Zone kanë qenë të nënshkruara nga një person tjetër, Valon Zymberi.

Kelmendi gjithashtu ka nënshkruar edhe ofertën e Fast NP, sidoqoftë, Zymberi ka nënshkruar edhe për Pro Trade. Fitim Jetullahu ka nënshkruar ofertën për Ideal Solutions.

Që të katër firmat kanë qenë të regjistruara në të njëjtën ditë, tek Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, 27 janar, 2009, dhe tre nga kompanitë kanë qenë të renditura me adresa të ngjashme në lagjen e Prishtinës, Dardania.

Telefon fiks i shënuar për All Zone në një letër të dërguar tek komuna e Prishtinës, është i njëjtë me atë të shënuar për Ideal Solutions tek një njoftim për dhënie të një kontrate tenderi tjetër.

Gazmend Kelmendi i tregoi gazetës se ai më nuk është i përfshirë tek firma All Zone dhe refuzoi që të komentonte.

“Flisni me Valon Zymberin sepse unë nuk jam personi i përshtatshëm të flas për kontratën”, tha Kelmendi.

Zymberi i tregoi BIRN’it se ai nuk beson që ka pasur ndonjë konflikt të interesave tek tenderimi, edhe pse pranoi se të tri firmat kanë qenë të bazuara tek zyra e tij gjatë kohë së ofertave.

“Nuk mund ta quaj konflikt interesash sepse unë kam marrë pjesë me All Zone dhe gruaja ime me Pro Trade, e cila është pronësi e vëllait të saj”, tha ai. Në bazë të të dhënave nga regjistri i biznesit të Kosovës, të verifikuara nga BIRN’i, gruaja e tij, Syzana Zymberi, është e radhitur si pronare.

“Ai [vëllai i saj] gjeti një makinë atje [në Gjermani] dhe unë nuk mundesha t’i thosha të mos merr pjesë [gjatë ofertave]”, shtoi ai.

“Unë nuk mund të them se kjo është konflikt interesash. Unë kam punën time, ai ka punët e tij, që të dy kishim ofertat tona”, shtoi ai.

Zymberi theksoi se ai nuk ka qenë në dijeni për Fast NP por pranoi se Ideal Solutions dhe Pro Trade, në të vërtetë kanë qenë të bazuara tek zyra e All Zone gjatë kohës së tenderit.

Aso kohesh, Gazmend Kelmendi ka qenë duke nënshkruar në emër të All Zone dhe Fast NP për dokumente lidhur me tenderin. 
“Arsyeja që nuk ka adresë është se ne kemi qenë një grup shokësh dhe kishim dëshirë të përdornim një zyrë, në mënyrë që të mos paguanim shumë për qira dhe kjo ka qenë arsyeja”, tha ai.

Agjencia Kosovare e Prokurimit Publik ka deklaruar se është e paligjshme që firma në pronësi të të njëjtit individ të konkurrojnë për një tender sepse mund të çojë tek rregullimi i çmimit.

“As një person nuk mund të jetë i përfshirë në dy kompani kur aplikohet për një tender publik”, tha Mursel Racaj, kryetar i Agjencisë për Prokurim Publik.

I shtrenjtë – por i rrezikshëm:

Komandanti i brigadës së zjarrfikësve të Prishtinës, Latif Zeka, pranoi se motori i makinës së zjarrfikësve ka qenë i improvizuar në Shtator, 2010, duke thënë se makina i ka përmbushur kërkesat teknike dhe ka qenë në gjendje të mirë pune.

Marrëveshja është nënshkruar pavarësisht faktit se dokumentacioni i doganave e ka radhitur makinën vetëm si një kamion për transportim të mallrave.

Vetëm disa javë pas nënshkrimit të marrëveshjes, shërbimi zjarrfikës ishte i detyruar ta kthente prapa makinën tek All Zone pasi që motori ka qenë duke humbur presionin e ajrit, stabilizuesit e përdorur për ta siguruar kamionin kur shkallët kanë qenë në përdorim nuk kanë funksionuar, dhe vaji ka rrjedhur. Zeka tha që janë ankuar tek komuna, e cila i ka urdhëruar kompanisë ta dërgojnë makinën në riparim “dhe tani po funksionon”.

Por ai nuk mund të siguronte një letër e cila do ta vërtetonte se kompani e kualifikuar e ka bërë riparimin, siç kërkohet nga ligji. Në ndërkohë, burime nga shërbimi zjarrfikës i Prishtinës theksoi se zjarrfikësit akoma po refuzojnë ta përdorin makinën sepse e konsiderojnë si të pasigurt.

“Ne i kemi thënë komandantit se askush prej nesh nuk do ta përdor kamionin”, tha një zjarrfikës, i cili kërkoi të mbetet anonim, i tregoi BIRN’it.

Zeka mohoi të ketë pranuar ankesa të tilla nga personeli, duke përsëritur se kamioni ka qenë funksional por pranoi se asnjëherë nuk është përdorur – me sa duket për shkak se nuk kanë ndodhur ndonjë zjarr i cili do të kishte nevojë për një makinë të tillë.

“Unë vetë e kam provuar dhe kam punuar me të për katër orë pa asnjë problem”, tha Zeka. “Nuk dua ta rrezikoj jetën e personelit tim”.  Ai nuk pranoi të flasë nëse makina ka pasur vlerën për aq para sa është paguar. “Pyeteni komunën, sepse ata e kanë paguar”, tha ai.

Zymberi veçoi se makina i ka kaluar të gjitha testimet relevante dhe se prishja e makinës zjarrfikëse kishte qenë e shkaktuar nga zjarrfikësit e papërvojë. “Gjatë trajnimit, fillestarët e kanë trajtuar me ashpërsi makinën, që shkaktoi shpërthimin e tubave të vajit dhe problemet e tjera,” tha ai.

“Shkaku ishte qasja e tyre me papërvojë. Tani më për dy vite kanë kaluar nga trajnimet e tyre dhe nuk ka më probleme me makinën zjarrfikëse.” Ai tha që i posedon të gjitha certifikatat relevante për tu përgjigjur për sigurinë e makinës. “Motori ishte testuar dhe aprovuar edhe nga fakulteti teknik i Universitetit të Prishtinës, qendrës së homologimit [ku makinat e adaptuara testohen] dhe qendrës për testime teknike. Pra, ka pasur testime nga tre institucione,” tha ai.

Çmim i lartë misterioz:

Raporti nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në fillim të këtij viti, e cila gjithashtu e ka rishqyrtuar këtë çështje, tha se auditorët kanë qenë në gjendje të konstatojnë se si komisioni i vlerësimit ka arritur deri në çmimin 300,000 eurosh.

“Çmimi i paguar është 27 herë më i lartë sesa vlerësimi i doganës [për çmimin],” deklarohet në raportin e auditorit.
“Ne nuk ishim në gjendje të gjenim ndonjë shpjegim se si komisioni i vlerësimit ka arritur tek ky çmim [300,000] në lidhje me dhënien të kontratës,” përfundon raporti.

Komuna e Prishtinës pretendon se makina zjarrfikëse ka qenë e fituar përmes një tenderi të hapur dhe se All Zone kishte ofruar çmim më të lirë. “Një makinë speciale e re me shkallë shpëtimi dhe me pajisje të tjera mund të kushtojë afro 700,000 euro,” deklaroi Muhamet Gashi, zëdhënës i komunës.

Zëdhënësi shtoi se kompani i ka poseduar certifikimet e nevojshme për ta modifikuar makinën në një kamion zjarrfikës. Auditorëve nuk u janë dhënë këto dokumente gjatë hulumtimit të tyre. Zëdhënësi tha që makina ka arritur në gjendje të mirë dhe ai gjithashtu i akuzoi zjarrfikësit për “përdorimin të papërshtatshëm” të motorit si pasues i problemeve të tjera teknike.

Ky artikull është botuar më herët në BIRN në gjuhën angleze, më 13 janar 2011.