Prishtina Nxjerr Veten nga Gropa

Me ndërtimet e tanishme në 80 rrugë, me një kosto prej 15 milionë eurosh, si dhe me hapjen së shpejti të Udhëkryqit Shpagetë, personat e motorizuar në kryeqytetin kosovar shpresojnë se do të kursehen nga bllokimet dhe do të shmangin gropat, gjë ka karakterizuar vozitjen viteve të fundit. Megjithatë, jo secili është i bindur se paratë po harxhohen si duhet, pasi që taksistë dhe politikanë opozitarë të ndryshëm kanë thënë për Prishtina Insight se ata besojnë se skemat e reja do të kontribuojnë shumë pak për të lehtësuar këtë mjerim në trafik.

“Investimet nga ana e komunës në infrastrukturë këtë vit shkojnë deri në 15 milionë euro për gjithsejt 37 projekte”, tha për Prishtina Insight, Burbuqe Thaçi nga Zyra e Marrëdhënieve me Publik. Ajo thotë se projektet kryesore që momentalisht po zbatohen përfshijnë ndërtimin dhe zgjerimin e shumë rrugëve në qendër të Prishtinës, si dhe në rrethinë. “Të gjitha këto rrugë janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen me standard rrugore Europiane. Ne gjithashtu kemi disa projekte të reja për ndërtimin dhe riparimin e rrugëve që po ashtu janë nën proces tenderimi”, tha Thaçi. 

Bedri Sfarça, 52 vjeçar i cili punon si taksist në qytet, thotë se situata e trafikut është përmirësuar me ndërtimin e rrugëve të reja. “Edhe pse punimet ndonjëherë kanë zgjatur, në përgjithësi jam i kënaqur sepse tani duket më mire”, tha ai. Projekti më i spikatur rrugor në qytet ka qenë rrethi i madh afër stacionit të autobusëve në Prishtinë, e cila pjesërisht ka hapur dhe lehtësuar trafikun në drejtim të Mitrovicës, duke reduktuar bllokimet e trafikut në qytet. Por, jo të gjithë janë të bindur për këtë.

Sadik Avdyli, një tjetër taksist, 42 vjeçar, thotë se trafiku ka qenë po kaq i keq gjithmonë. “Asgjë nuk është lehtësuar, janë shtruar rrugë të panevojshme që nuk bëjnë asgjë për të përmirësuar trafikun, dhe rrugë të tjera janë ngushtuar”. Shemsi Veseli, anëtar kyç i kuvendit nga PDK, thotë se projektet infrastrukturore të qytetit janë menaxhuar shkel e shko. 

“Inspektimi i rrugëve nuk bëhet në mënyrë profesionale, sepse këto inspektime shpesh bëhen nga njerëz që janë përzgjedhur për këto punë falë lidhjeve familjare me kompanitë fituese të tenderit”, thotë Veseli. “Për mua, pengesa më e madhe është mungesa e kontrollit adekuat të brendshëm.” Ai shtoi se buxheti i dedikuar për projektet e infrastrukturës as nuk është planifikuar as nuk është menaxhuar në mënyrë adekuate, duke paralajmëruar se opozita do të kërkojë shqyrtimin e tij më 20 shtator, në takimin e komisionit të kuvendit për politikë dhe financa. “Shihet qartë se kryetari i komunës nuk është i përkushtuar dhe nuk po kryen punën e tij në mënyrë profesionale”.