Princi Britanik “Anëtar” i “Zhelezniçarit”

“Princi George i Cambridge-t është nga sot anëtar i klubit futbollistik ‘Zhelezniçar’”, njoftoi ekipi nga Sarajeva më 15 gusht.

Pasi që foshnja e dukës dhe dukeshës së Cambridge-s nuk është i pranishëm në Bosnjë, karta e anëtarësimit me emrin e tij u pranua nga punonjësit e ambasadës britanike në kryeqytetin boshnjak.

Ambasadori Nigel Casey tha se do ta përcjellë kartën e anëtarësimit në pallat në Britani, theksoi klubi.

Gorge Alexander Louis lindi më 22 korrik dhe është fëmija i parë i princit William dhe gruas së tij Catherine Middleton.

“Me fushatën “Bëhu Zheljo” na lindi ideja që princin e sapolindur britanik ta bëjmë anëtar të klubit tonë”, vazhdon deklarata e “Zhelezniçarit”.

“Ambasadori britanik shprehu mirënjohje për këtë veprim dhe njoftoi se do t’i shikojë disa nga ndeshjet e ardhshme të ekipit”, shtohet më tutje në deklaratë.

“Ne sinqerisht shpresojmë se edhe princi i vogël do të ketë mundësinë që të ndjekë ndeshjet [e Zhelezniçarit] në të ardhmen”, përfundon komunikata e klubit boshnjak.