Presidentja që Nuk Ktheu Goditjet

Më 7 prill të vitit 2011 Atifete Jahjaga nga pozita numër 2 e hierarkisë policore të vendit u ngjit në postin e numrit një të shtetit.

Zëvendësdrejtoresha e Policisë së Kosovës, deri atëherë thuajse krejtësisht e panjohur për opinionin, u bë Presidente pas një marrëveshjeje të katër politikanëve burra-tre liderëve kosovarë dhe një ish-ambasadori amerikan.

Atëherë, në konferencën për shtyp të 6 prillit 2011 në një anë dolën Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Behgjet Pacolli si nënshkrues të marrëveshjes dhe në anën tjetër qëndroi ish-ambasadori Christopher Dell-i si garantues i saj.

Zgjedhja e Jahjagës tejkaloi krizën politike në të cilën kishte hyrë Kosova, pas dorëheqjes së Presidentit Fatmir Sejdiu dhe zgjedhjes së Behgjet Pacollit në këtë pozitë që u kontestua nga Gjykata Kushtetuese.

Ish-ambasadori Dell kur prezantoi Jahjagën si Presidente, pas bërjes publike të  marrëveshjes me liderët, tha se as ajo nuk e ka ditur se do të vinte në krye të shtetit.

“Atifete Jahjaga është zgjuar sot në mëngjes pa ditur gjë që jeta e saj do të ndryshonte. E di shumë mirë se ajo kurrë nuk e ka kërkuar këtë nder.  Megjithatë, në përputhje me mënyrën si ka jetuar ajo, kur detyra e thërret, ajo i përgjigjet asaj pa ngurrim,” tha atëherë Dell. 

Por Jahjaga nuk e nisi detyrën e saj të re e të panjohur me trimërinë që i karakterizon pjesëtarët e forcave të rendit. Ajo u mbyll për një kohë në “kullën” e Presidencës, duke mos pranuar intervista për mediet.

Megjithatë, kur mbajti fjalimin e saj të parë vjetor në Kuvendin e Kosovës, të obliguar me kushtetutë në dhjetor të 2011-ës, Jahjaga nuk i harroi miqtë ndërkombëtarë kur përmendi dialogun me Serbinë.

“Së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë ne kemi nisur një proces dialogu me Serbinë… Pasi nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, ne do të ndërtojmë të ardhmen… Dialogu do të ketë sukses,” tha atëherë Jahjaga.

Në fjalimin e fundit në Kuvend më 17 dhjetor 2015 Jahjaga veshi rroba të bardha.

Ngjyra e bardhë nënkupton fillim të ri, pastërti, pafajësi, përsosshmëri e plotni. Por Presidentja që ka pagën më të lartë në rajon e dhjetëfishoi pasurinë gjatë mandatit.

Jahjaga në Kuvend
Jahjaga në Kuvend

Në vitin 2011 ajo deklaroi 7 mijë e 849 euro në bankë dhe një makinë të vlerës 6 mijë euro.Pesë vjet më vonë ajo ka 86 mijë euro në llogaritë bankare.

Deklarimi i pasurisë 2011 

Deklarimi i pasurisë 2015

Megjithatë, po të shikohen deklarimet e pasurisë së liderëve tjerë institucionalë, sidomos vlera e pronave dhe shtëpive të tyre, Jahjaga mund të konsiderohet edhe e varfër në raport me ta.

Përfaqësimi jashtë vendit

Ish-këshilltari i Presidentes Jahjaga dhe deputeti i tashëm i “Vetëvendosjes” Ilir Deda thotë se ajo e përfaqësoi mirë vendin në daljet jashtë shtetit.

“Është shumë herët të vlerësohet se me çfarë do të mbahet mend Presidentja Jahjaga. Një pikë ku duket se ka pajtim është se ajo do të mbahet në mend për përfaqësim shumë të mirë në sferën ndërkombëtare dhe me heshtje në disa raste shumë të rëndësishme të brendshme,” shpjegon Deda.

Jahjagës gjatë tërë mandatit nuk i mungoi ndihma amerikane dhe ajo i pati të shpeshta takimet me zyrtarë të këtij shteti.

Në dhjetor të vitit 2011 u prit përzemërsisht nga sekretarja e atëhershme e shtetit Hillary Clinton.  E trimëruar nga kjo vizitë, pas kthimit në Kosovë Jahjaga paralajmëroi luftim më të ashpër të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Jahjaga-Clinton 2011
Jahjaga-Clinton 2011

Dy muaj më pas, pikërisht në Ditën e të Dashuruarve-më 14 shkurt 2012 Presidentja themeloi Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit që nuk i dha ndonjë goditje atij që konsiderohet “kancer i shoqërisë”.

“Kosova është në një fazë të hershme të luftës kundër korrupsionit. Një qasje më gjithëpërfshirëse dhe strategjike është e domosdoshme për të siguruar rezultate reale në luftimin e korrupsionit endemik në Kosovë,” thuhet në Raportin e Progresit të vitit 2015 për Kosovën të publikuar më 10 nëntor të vitit të kaluar.

Në 69 faqe të këtij raporti fjala korrupsion përmendet plot 66 herë. 

Në shtator të vitit 2014 Jahjaga u nderua me çmimin për “Lidership në Sferën Publike” dhe krijim të paqes nga “Iniciativa Globale Clinton” e themeluar nga ish-Presidenti amerikan Bill Clinton në vitin 2004.

Çmimi i "Global Clinton Initiative" 2014
Çmimi i “Global Clinton Initiative” 2014

Nëntorin e vitit të kaluar Jahjaga përsëri zhvilloi vizitë disaditëshe në Amerikë, e ftuar nga Presidenti Obama në kuadër të hapjes së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Pas kthimit nga kjo vizitë në samitin Brdo-Brioni që organizohet bashkërisht nga Kroacia e Sllovenia, Jahjaga zhvilloi një takim shumë miqësor me nënkryetarin amerikane Joe Biden. Ky takim zgjati më shumë se sa pritej, duke vonuar foton e përbashkët të liderëve shtetërorë të pranishëm.

Takimi Jahjaga-Biden
Takimi Jahjaga-Biden

Gjatë këtij samiti kur Jahjaga po nënshkruante deklaratën e përbashkët, Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq, ktheu kokën në anën tjetër, duke mos mundur ta përballojë si duhet praninë e Kosovën si vend i barabartë me të tjerët.

Jahjaga u duk se nuk u lëndua nga ky gjest. Tha se është një veprim që nuk ia vlen të komentohet.

Presidentja vitin e kaluar vizitoi edhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga atje u kthye me një donacion prej 22 milionë eurosh për një spital fëmijësh. 

Punët e pakryera

Por brenda vendit Jahjaga vazhdimisht u shikua me sy tjerë. Ilir Deda ia zë asaj për të madhe pse nuk ndikoi që blloku “Vetëvendosje”, LDK, AAK e Nisma i krijuar pas zgjedhjeve të vitit 2014 ta merrte pushtetin.

“Në fushën e politikës së brendshme dështimi më i madh i Presidentes është mospranimi i VLAN-it si vullnet politik për tranzicion politik në Kosovë, vullnet ky i bazuar në gati 70% të elektoratit në Kosovë. Si pasojë kishim ikjen e njerëzve në fund të vitit 2014 e fillim të 2015,” thotë Deda.

Jahjaga u angazhua ta pengojë edhe këtë lëshim të vendit. Ajo zhvilloi një turne nëpër komunat kosovare, duke u nisur nga më të prekurat prej migrimit, por nuk mundi të bëjë asgjë.

Vala e këtij migrimi u qetësua vetë kur kosovarët e morën vesh se nuk ka azil për ta. Atëherë migruan një numër i madh i njerëzve, ndërsa 18 mijë prej tyre tashmë janë riatdhesuar.

Jahjaga më 9 shkurt të këtij viti u takua me disa nga liderët e vendit për të gjetur zgjidhje rreth krizës politike. I pranishëm nga opozita ishte vetëm Ramush Haradinaj, ndërsa nga koalicioni qeveritar në takim morën pjesë Isa Mustafa e Hashim Thaçi.

Ish-këshilltari i Jahjagës Ilir Deda thotë se Presidentja nuk shfrytëzoi të gjithë mekanizmat e postit që mban.

“Kriza e tanishme kërkon propozime. Kompetencat presidenciale janë të mëdha, por nuk janë shfrytëzuar, e as autoriteti i zyrës gjithashtu. Presidentja është dashur të dalë me propozime për dalje nga kriza. Nuk kisha thënë që kjo e bën Presidente të brishtë, por të kufizuar me autoritet politik, më së shumti për shkak të pafuqisë në përballje me shtetin e zaptuar nga ana e PDK-së,” shpjegon Deda.

Solidariteti gjinor

Jahjaga u angazhua edhe për përfaqësim dhe të drejta të barabarta të grave. Ajo më 7 mars të vitit 2014 themeloi edhe Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, por edhe ky këshill nuk dha ndonjë rezultat për viktimat e këtij krimi.

Viktimat e kësaj së keqeje ende nuk kanë filluar të identifikohen, edhe pse kanë hyrë në kuadër të grupeve të personave që duhet të kompensohen për vuajtjet e përjetuara.

Jahjaga ishte përkrahëse e madhe e instalacionit “Mendoj për Ty” të artistes Alketa Xhafa-Mripa që iu kushtua viktimave të dhunimit. Kjo artiste pas grumbullimit të fustaneve dhe fundeve nga shumë gra e vajza i vendosi në stadiumin e Prishtinës si vetëdijesim për ata që përjetuan dhunën seksuale në luftë.

Jahjaga dha një fustan për këtë aktivitet dhe përçoi porosinë se përjetuesit e këtij tmerri nuk duhet të ndahen nga pjesa tjetër e shoqërisë.

http://kallxo.com/fustanet-e-mendoj-per-ty-valeviten-ne-stadiumin-e-prishtines/

Moskthimi i goditjeve

Gjatë mandatit të saj Presidentja Jahjaga u përball edhe me situata të pafavorshme. Në vitin 2013 teksa po vizitonte një tempull fetar, një foto që qarkulloi nëpër medie e nxori atë në pozitë të papërshtatshme.

Për këtë rast Presidentja u ankua në gjykatë me anë të përfaqësuesit të saj ligjor, duke pretenduar se fotoja ishte e montuar.

Në janar të këtij viti Jahjaga u vizatua në një grafit me rroba të brendshme dhe xhaketë policie të hedhur krahëve. Po në janar në medie rodhën notat që Jahjaga kishte gjatë shkollimit të mesëm.

Presidentja nuk i komentoi me të njëjtën gjuhë këto ndodhi. Për  notat tha se e kaluara e saj nuk është nën dry, ndërsa grafiti që e paraqiste në pozitë të papështatshme u fshi nga aktivistet e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës.

Ilir Deda veprimet e ulëta ndaj Jahjagës i konsideron frikë të politikanëve tjerë nga forcimi i mundshëm i saj.

“Përçmimi ka qenë i pandershëm, më së shumti i shfrytëzuar nga ata që e kanë kapur shtetin për shkak të frikës nga forcimi i saj. E megjithatë ajo me dinjitet i përballoi përçmimet, që flet shumë për të,” thotë Dedaj.

Ish-këshilltari i Presidentes është i bindur se Jahjaga nuk bëri gabime të pafalshme gjatë mandatit.

“Jahjaga nuk ka pasë gafa të pafalshëm, gafat e pafalshëm i kanë bërë Thaçi e Mustafa, të cilët – mos të harrojmë – as që e dinë gjuhën angleze,” përfundon Deda.