Presidentja Jahjaga Shpall Datën e Zgjedhjeve Lokale

Presidentja Jahjaga, në konsultimet përmbyllëse me liderët politikë, vlerësoi se mbajtja e zgjedhjeve komunale në tërë territorin e Republikës së Kosovës njëkohësisht, është një mesazh i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe siguron integritetin territorial dhe subjektivitetin e Kosovës.
 
Presidentja Jahjaga theksoi se zgjedhjet komunale duhet të jenë të drejta, demokratike dhe të lira ku secili qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim, të mund të shprehë vullnetin lirshëm përmes votës së tij.
 
Ajo ka theksuar se përfshirja në zgjedhjet komunale e qytetarëve të komunitetit serb, të komunave në veri të territorit të Republikës së Kosovës, do t’u mundësojë atyre zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legalë e legjitimë të dalë nga vota.

Ata sipas Jahjagës do të punojnë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve dhe për integrimin e të gjithëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga bëri thirrje që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që kanë të drejtë vote, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe obligim, për të përcaktuar të ardhmen e tyre.
 
Pjesëmarrja e qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet komunale do t’u japë atyre mundësinë që të ndihmojnë në ngritjen e mirëqenies dhe të përmirësojnë jetën e tyre.
 
Bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga dekretoi 3 nëntorin 2013, datë të mbajtjes së zgjedhjeve komunale në vend.