Iphone | Foto: Facbook

Premtimi për Kthim të Blerjeve të Luksit

Nëpër ministri thonë se kabineti i ministrit duhet të lirohet nga të gjitha pajisjet e teknologjisë informative me të cilat ata janë pajisur.

Gazeta Jeta në Kosovë u ka dërguar pyetje të gjitha ministrive për t’i pyetur nëse kthimi i telefonave dhe pajisjeve tjera të teknologjisë informative është i obligueshëm për kabinetin e ministrit të cilëve u përfundon mandati me zgjidhjen e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Disa ministri nuk u janë përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Në përgjigjen e Ministrisë së Diasporës thuhet se me përfundimin e mandatit do t’ua marrin telefonat kabinetit të ministrit dhe vartësve të tij pasi sipas tyre do të kërkohet një gjë e tillë.

“Nuk ka ndonjë afat ligjor për kthimin e tyre, por kabineti i ministrit dhe zëvendësministrat, në momentin që e përfundojnë mandatin, i kthejnë edhe pajisjet teknologjike që i kanë shfrytëzuar gjatë punës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Diasporës.

Më tutje në përgjigjen e saj, kjo ministri thotë se përveç lap-topëve kabineti i ministrit nuk ka shfrytëzuar pajisje tjetër.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në anën tjetër thotë se do të veprojë në përputhje me aktet normative dhe pajisje do t’i mbeten ministrisë.

“Do të veprohet sipas akteve normative ligjore në fuqi. Kjo çështje rregullohet sipas ‘Rregullores Nr. 02/2013 për Menaxhimin e Pasurisë Jofinanciare në organizatat buxhetore.  Të gjitha pajisjet logjistike me të cilat janë shërbyer zyrtarët e institucioneve buxhetore, mbeten në pronësi të institucioneve edhe pas skadimit të mandatit apo marrëdhënieve kontraktuale me institucionin, përfshirë edhe stafin politik”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punës, e cila është udhëhequr nga Arban Abrashi.

Kthimin e pajisjeve të blera me përfundimin e mandatit e premton edhe Ministria e Infrastrukturës.

“Të gjitha pajisjet e blera për nevoja të kabinetit do të kthehen konform procedurave ligjore”, thotë kjo ministri.

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal në anën tjetër thotë se me rastin e shkarkimit nga pozita, kabineti do të shkarkohet edhe nga pasuria të cilën e ka pasur në shfrytëzim për nevoja të punës.

“Duke iu referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se në secilin rast, edhe nga eksperienca e kaluar, kabinetet e ministrave, ashtu siç parashihet me rregullat ligjore në fuqi (me rastin e përfundimit të mandatit të tyre), shkarkohen me pasuritë të cilat i kanë pasur në shfrytëzim për nevojat e punës”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Kjo ministri shtjellon edhe procedurën që duhet ndjekur deri në kthimin prapa të pajisjeve.

“Me këtë rast, atyre u bëhet njoftimi me shkrim, lidhur me ngarkesat duke i lënë një afat optimal në dispozicion për të kthyer pasurinë e MAPL-së, duke përfshirë veturat; pajisjet e teknologjisë informative (lap-top-ët dhe telefonat mobilë); pasaportat zyrtare; kartelat zyrtare (kredit-kartelat zyrtare dhe kartelat VIP; ID kartelat);si dhe shkarkimet me inventar. Gjithashtu, ata njoftohen se brenda afatit të caktuar duhet të marrin nga e-mailat e tyre informatat, sepse e-mail-at zyrtarë u bëhen jofunksionalë, ndërkohë që me rastin e përfundimit të mandatit të tyre heqen nga lista e pagave”, thuhet në mes tjerash në sqarimin e MAPL-së.

Në nëntorin e vitit të kaluar, KALLXO.com kishte shkruar që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal zëvendësministrit të saj i kishte blerë telefon Samsung S6 në vlerë prej 630 eurove.

Nga Ministria e FSK-së thonë se pajisjet e teknologjisë dorëzohen në përfundim të mandatit sipas ligjit.

“Pajisjet e teknologjisë informative, pronë e MFSK-së, në bazë të ligjit pranohen nga kabineti në fillim të mandatit dhe dorëzohen në fund të mandatit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së FSK-së.

Gjithashtu edhe Ministria e Administratës Publike thotë se prej punëtoreve deri te ministrat nëse nuk janë pjesë e këtij institucioni obligohen t’i kthejnë pajisjet.

“Punëtorët e MAP-it të ngarkuar me mjete pune mund t’i përdorin ato deri në çastet kur ata janë pjesë e këtij institucioni. Nga momenti kur ata ndërrojnë vendin e punës dhe nuk janë pjesë e kolektivit, janë të obliguar t’i kthejnë ato. Kjo vlen edhe për stafin politik, kabinetet, ministra dhe zëvendësministra”, thuhet në përgjigjen e MAP-it.

Për Gazetën Jeta në Kosovë, nga Ministria e Financave thonë se menaxhimi i pasurisë jofinanciare në Ministrinë e Financave është i njëjtë si për zyrtarët publikë të emëruar, ashtu edhe për nëpunësit civilë. Sipas tyre, pajisjet e teknologjisë informative janë mjete pune dhe ndikojnë në kushtet e punës dhe institucioni është i obliguar t’i sigurojë ato sipas ligjit. Ministria thotë se kabinetit të ministrit me rastin e përfundimit të marrëdhënies së punës përkatësisht mandatit, u kërkohet që të dorëzojnë tërë pasurinë jofinanciare me të cilën kanë qenë të ngarkuar.

Nuk ka afat strikt për dorëzimin e pajisjeve të teknologjisë po zakonisht dorëzohen në ditën e përfundimit të punës.

Ministria e Punëve të Brendshme thotë se do t’i kërkohet kabinetit të ministrit t’i kthejnë pajisjet e blera nga buxheti i Kosovës.

Njëjtë është përgjigjur edhe Ministria e Integrimeve.

“Për të gjitha pajisjet e blera nga MIE për nevoja të kabinetit të ministres do të veprohet bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MIE-së. Kjo ministri në dhjetorin e vitit të kaluar kishte shpenzuar 850 euro për blerjen e një telefoni të mençur mobil. Praktika e njëjtë thonë se do të ndiqet edhe nga MTI-ja.

“Në rregulloren në fjalë nuk është përcaktuar afati kohor, por në MTI zbatohet praktika që në momentin e dorëzimit të detyrës bëhet edhe dorëzimi i të gjitha pajisjeve/inventarit me të cilat kanë qenë të ngarkuar”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Edhe Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik thonë se kthimi i telefonave të blerë nga buxheti i shtetit është i obligueshëm për kabinetin e ministrit të cilëve u përfundon mandati me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re.

Telefonat dhe pajisjet tjera të teknologjisë pritet t’i kthehen edhe Ministrisë së Bujqësisë, pasi sipas tyre “Të gjitha pajisjet teknologjike, të cilat janë dhënë për stafin politik të ministrit gjatë punës së tyre në MBPZHR, si telefona, lap-topë, apo edhe pajisje tjera, kthehen në momentin kur stafit i skadon kontrata me ministrinë përkatëse. Kthimi i këtyre pajisjeve dhe gjithë procedurat për këtë kthim bëhen duke u bazuar në Rregulloren MF-NR.02/2013 për Menaxhimin e Pasurisë Jofinanciare në Organizatat Buxhetore”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën Jeta në Kosove.

Në përgjigjen e Ministrisë për Zhvillim Ekonomik thonë se nuk ka blerë telefona për të emëruarit politikë.

“MZHE, për stafin aktual të kabinetit, nuk ka blerë telefona mobilë për asnjërin nga të emëruarit në pozitat politike dhe në regjistrin e pajisjeve të ngarkuara për këta persona nuk figuron të jenë evidentuar pajisje të tilla”, thotë MZHE.

Sipas ministrisë, çdo person zyrtar, me rastin e lëshimit apo shkarkimit nga pozita zyrtare, është i obliguar që me procesverbal të shkarkohet edhe nga me të gjitha pajisjet me të cilat është ngarkuar.

Kjo ministri më tej thotë se të gjithë të punësuarit në institucione shtetërore, paraprakisht njoftohen se me rastin e lëshimit të vendit të punës, për çfarëdo arsye, janë të obliguar që paraprakisht duhet të shkarkohen me regjistrin e pajisjeve që janë ngarkuar dhe që të njëjtin e kanë nënshkruar me rastin e pranimit të pozitës së punës.

Se nuk u ka blerë telefona dhe pajisje për kabinetin e deritashëm të ministrit këtë vit thonë edhe nga Ministria për Komunitete.

“Sa u përket pajisjeve teknologjike për kabinet të ministrit dhe zëvendësit e ministrit , asgjë nga ky lloj i pajisjeve nuk janë furnizuar as kabineti e as zëvendësit gjatë këtij viti.”

Në mes tjerash kjo ministri thotë se do të veprojë në përputhje me ligjin. Gazeta JnK do të vazhdojë të përcjellë nga afër nëse kabinetet e ministrave në detyrë do t’i kthejnë në qeveri telefonat e shtetit që ata i kanë në shfrytëzim.

Nga 19 ministri në të cilat ka dërguar pyetje Gazeta Jeta në Kosovë, përgjigjet i ka  pranuar nga 12 prej tyre, përderisa ministritë tjera ende nuk u janë përgjigjur pyetjeve të gazetës për shpenzimet që kanë bërë për blerjen e pajisjeve të teknologjisë informative.

Në mesin e ministrive të cilat nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës Jeta në Kosovë është edhe ajo e Drejtësisë. Për kabinetin e ministres Hoxha janë shpenzuar mbi 4 mijë euro për telefona të mençur mobilë.

KALLXO.com kishte shkruar se telefon në vlerë prej 890 eurove është blerë nga Zyra e Kryeministrit. Edhe nga kjo zyrë Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka pranuar përgjigje se çka do të ndodhë me telefonat që i janë blerë stafit dhe a do të kthehen mbrapa  këta telefona të mençur me përfundimin e mandatit.

Së fundmi telefona të mençur kishte blerë edhe Ministria e Shëndetësisë, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje se a do t’i kërkojë prapë telefonat e blerë për të emëruarit politikë të cilëve u ka skaduar mandati.