Premtimi i Dështuar për Pejën Turistike

Pozita gjeografike e komunës së shtrirë rrëzë Grykës së Rugovës, e njohur për bukuritë dhe atraksionet turistike, ka bërë që te pushtetarët e Pejës në vazhdimësi të premtojnë se do ta zhvillojnë turizmin.
 
Mirëpo, zhvillimi i këtij sektori është duke u penguar shumë nga problemet me mjedisin, të cilat i ka kjo komunë, sikurse dhe problemet infrastrukturore. Ndotja e ujërave të lumit Lumbardh, prerja ilegale e pyjeve, mungesa e rrugës deri në fshatin Bogë, si dhe mungesa e një teleferiku, janë problemet kryesore të cilat janë duke e penguar zhvillimin e turizmit në këtë komunë.
 
Gjatë debatit “Jeta në Komunë”, kryetari i Pejës, Ali Berisha, është kritikuar se ka dështuar që të parandalojë derdhjen e ujërave të zeza në lumin Lumbardh, si dhe prerjen ilegale të pyjeve në Bjeshkët e Rugovës.
 
Sipas Salih Lajçit nga PDK-ja, kryetari i Komunës nuk e ka mbajtur fjalën për pastrimin e lumit Lumëbardh. “Siç shihet, sot Lumëbardhi nuk është rregulluar dhe ka kanalizime që derdhen në këtë lumë”, thotë ai.
 
E sipas Vesel Nikçit nga LDK-ja, rregullimi i shtratit të lumit kërkon investime disamilionëshe, të cilat komuna nuk i ka. “Ali Berisha kur ka premtuar këtë projekt është dashur të ketë kujdes se çka po premtohet se ato nuk mund të realizohen”, thotë Nikçi.
 
Vetë Berisha, i cili e pat premtuar ndërtimin e këtij impianti gjatë fushatës, arsyetohet se derdhja e kanalizimeve në lumë është problem për shumicën e komunave. “Ndërtimi i impianteve kërkon investime të mëdha”, thotë Berisha, sot, gati tri vjet pas fushatës zgjedhore.
 
Sipas tij, deri më tash asnjë komunë nuk ka të ndërruar ndonjë impiant të ujërave të zeza, me përjashtim të Prizrenit, e cila ende nuk është përfunduar. Berisha thotë se është duke pritur të ndihmohet nga donatorët e jashtëm, pasi që me buxhetin e komunës është shumë vështirë të realizohet ky projekt.

“Po presim një projekt të dorëzuar në Zyrën Zvicerane; mendojmë që komuna e Pejës është njëra ndër komunat që duhet ta ketë këtë impiant”.

Debati komunal: Jeta në Pejë

<iframe src=”http://player.vimeo.com/video/45831224?title=0&byline=0&portrait=0&color=2e5191″ width=”500″ height=”363″ frameborder=”0″ webkitAllowFullScreen mozallowfullscreen allowFullScreen></iframe> <p><a href=”http://vimeo.com/45831224″>Debate Komunale 2012: Jeta në Pejë</a> from <a href=”http://vimeo.com/jetanekosove”>Jeta ne Kosove</a> on <a href=”http://vimeo.com”>Vimeo</a>.</p>

 
Kryetari Berisha nuk e ka pasur të vështirë të gjejë fajtorë të tjerë, edhe për mospërmbushjen e premtimit për të ndërprerë prerjen ilegale të pyjeve në territorin e komunës. Ai e ka fajësuar Agjencinë e Pyjeve të Kosovës për bartjen e ngadalshme të kompetencave te Komuna.
 
“Kompetencat po barten ngadalë; Komuna ka kompetencë në ruajtjen, e jo në përcaktimin se çfarë duhet prerë”, thotë Berisha.

Komuna ka të angazhuar katër roje të pyjeve që të ruajnë një sipërfaqe prej rreth 20 mijë hektarësh me pyje.
 
Tjetër premtim elektoral i Berishës për zhvillimin e turizmit ka qenë ndërtimi i një teleferiku, i cili do të qonte nga Peja për në Grykë të Rugovës “Teleferiku kam thënë se është një ëndërr dhe atë nuk mund ta bëjmë pa mbështetje. Është investim i madh, mbi 20 milionësh”, thotë Berisha.

Ai thotë se tash është bërë studimi i fizibilitetit për këtë projekt dhe presin investitorë të jashtëm që të ndihmojnë në ndërtimin e këtij teleferiku.
 
Përderisa shkuarja nëpërmjet kavove të teleferikut në Rugovën është një ëndërr, vizitorët po e kanë të vështirë që në këtë vend të shkojnë edhe me vetura, për shkak se rruga prej 8 kilometrash për në fshati Bogë vazhdon të jetë e paasfaltuar. Kjo rrugë prej rreth 8 kilometrash është tenderuar disa herë, mirëpo ka dështuar.

I pari i Pejës, Ali Berisha, gjatë debatit ka thënë se pret që rruga të fillojë së ndërtuari këtë vit dhe do përfundojë vitin tjetër.