Marrëveshja mes Telekomit dhe "Z-Mobile"

Prapaskenat Juridike të Marrëveshjes ‘Z-Mobile’ – Telekomi i Kosovës

Telekomi i Kosovës dhe operatori “Z-Mobile” njoftuan të mërkurën se kanë arritur marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin t’i paguante rreth 30 milionë euro dëmshpërblim operatorit “Z-Mobile”.

“Gazeta Jeta në Kosovë“ ka zbuluar se para se kjo marrëveshje të finalizohej ka pasur zhvillime në sistemin gjyqësor të Kosovës rreth vendimit të Arbitrazhit.

Fillimisht ka pasur një kërkesë të bërë nga Prokurori Publik në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës për mbrojtje të ligjshmërisë për rastin e vendimit të Arbitrazhit për të gjobitur Telekomin e Kosovës me rreth 30 milionë euro.

Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë bëhet në rastet kur prokuroria pretendon se ka dyshime të bazuara se në një proces ka pasur shkelje ligjore.

Përveç kësaj, “Gazeta JnK” ka gjetur se “Z-Mobile” ka bërë kërkesë për njohje dhe ekzekutim të vendimit të Arbitrazhit më 7 mars në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Arbitrazhi

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it,si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Duke e konsideruar të padrejtë vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës në janar të këtij viti iu drejtua Gjykatës Themelore të Prishtinës me padi për anulimin e vendimit të Arbitrazhit.

Ky rast vazhdon të jetë në procedurë dhe nuk është vendosur ende, ndërsa seanca ishte caktuar në fundin e muajit maj.

Pasi që vendimi i Tribunalit të Arbitrazhit ishte bërë i formës së prerë, kompania “Z-Mobile” përmes përfaqësuesit të saj juridik Vyrtyt Ibrahimaga, më 7 mars 2017, iu drejtuan Gjykatës Themelore të Prishtinës, Departamentit Ekonomik me kërkesën për njohjen e vendimit të Arbitrazhit.

Lidhur me këtë kërkesë më 19 maj u caktua që të mbahej seanca. “Gazeta JnK” e ka monitoruar këtë seancë, në të cilin mungoi avokati i “Z-Mobile”, i cili edhe kishte kërkuar njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit.

KALLXO.com raportoi ekskluzivisht lidhur me ecurinë e kësaj seance në të cilën avokati i Telekomit, Gazmend Nushi kërkoi nga gjyqtari i çështjes që propozimi për njohjen e vendimit të Arbitrazhit të konsiderohej i tërhequr, pasi që nuk kishin prezantuar në seancë dhe nuk e kishin arsyetuar mungesën e tyre.

Megjithëse ky propozim nuk u pranua nga Gjykata, procesi i njohjes së vendimit të Arbitrazhit u pezullua përkohësisht me arsyetim se lidhur me këtë rast ishte kërkuar me padi anulimi i vendimit të Arbitrazhit.

Vendimi i Gjykatës për pezullim të procedurës nga kompania “Z-Mobile” u konsiderua e palejueshme.

“Ne konsiderojmë që kërkesa e PTK-së për anulim vendimi të Arbitrazhit pranë gjykatave vendore është e palejueshme meqenëse për këto kërkesa ka vendosur tanimë instanca e dyte e Arbitrazhit. Megjithatë, lidhur me këtë kërkesë gjykata e Kosovës do të nxjerrë vendim”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Argjira Lluka nga kompania “Z-Mobile”.

Ndërhyrja e Prokurorisë

Lidhur me vendimin e Arbitrazhit, prokurori i shtetit, Besim Kelmendi ka bërë kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Ligji për Procedurën Kontestimore të Kosovës përcakton rastet kur Prokurori Publik mund të ushtrojë kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë.

Prokurori Publik, sipas Ligjit, mund të ushtrojë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë “për shkak te shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, në qoftë se shkelja ka të bëjë me kompetencën territoriale, po qe se gjykata e shkallës së parë e ka nxjerrë aktgjykimin pa seancë kryesore, kurse e ka pasur detyrë ta mbajë seancën kryesore, po qe se është vendosur për kërkesën, rreth së cilës kontestimi është në vazhdim, apo në qoftë se në kundërshtim me ligjin, është përjashtuar publiku në seancën kryesore”.

Edhe “për shkak të aplikimit të gabueshëm të së drejtës materiale”, Prokuroria e Shtetit mund të ushtrojë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.

Mirëpo, Prokurori Publik nuk mund të ngrejë kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë për shkak të kapërcimit të kërkesë-padisë dhe as për shkak të vërtetimit të gabueshëm apo jo të plotë të gjendjes faktike.

Nga përcaktimet e Ligjit për procedurën kontestimore shihet se ligji i referohet vetëm rasteve kur gjykata ka vendosur, pa përcaktuar edhe rastet kur vendos arbitrazhi, por njëkohësisht nuk ndalon rastet e tilla.

Prokurori i shtetit Besim Kelmendi për KALLXO.com tha se nga Gjykata Supreme e Kosovës është njoftuar se kërkesa e tij për mbrojtje të ligjshmërisë është e parakohshme.

“Ne kemi parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Kosovës. Kërkesa jonë nuk është refuzuar si e pabazuar, por është cilësuar e parakohshme me arsyetimin se ende nuk është parashtruar kërkesa për njohje dhe ekzekutim të vendimit të Arbitrazhit”, tha Kelmendi.

“Z-Mobile” vetëm në muajin mars kishte parashtruar kërkesë për njohje dhe ekzekutim të vendimit të Arbitrazhit, duke i hapur rrugë që Prokurori i Shteti të bëjë sërish kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.

Në operatorin “Z-Mobile” thonë të mos jenë në dijeni për kërkesën e bërë nga prokurori.

“Ne nuk jemi njoftuar në mënyre zyrtare lidhur me kërkesën e mbrojtjes së ligjshmërisë nga Prokuroria dhe nuk jemi ne dijeni se jemi palë në atë procedurë”, thuhet në përgjigjen e “Z-Mobile” dhënë “Gazetës JnK”.

Tutje “Z-Mobile” thotë se Prokuroria e Kosovës nuk mund te iniciojë procedurë për mbrojtjen e ligjshmërisë ndaj vendimeve të huaja, pasi për këtë sipas tyre ‘nuk ka procedurë’.

Madje, “Z-Mobile” konsideron se një kërkesë e tillë e Prokurorisë është tentim në pengim të drejtësisë.

“Falimentimi”

“Prokuroria e Kosovës nuk ka kompetencë te inicioj kërkesë për mbrojtje te ligjshmërisë ndaj vendimeve të huaja të Arbitrazhit, meqenëse ky vendim nuk është nxjerre nga organet e drejtësisë se Kosovës. Secili tentim i organeve shtetërore që të pengojë ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit do të involvojë përgjegjësinë ligjore të shtetit për dëmtim të kompanisë, për të cilin Z-Mobile do të kërkojë drejtësi ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e “Z-Mobile” për “Gazetën JnK”, para se kjo kompani të arrijë marrëveshje me Telekomin e Kosovës.

“Z-Mobile” thotë se shmangia e falimentimit të PTK-së ka qenë arsyeja e marrëveshjes dhe jo kërkesa e Prokurorisë për mbrojtje të ligjshmërisë.

“PTK dhe Z Mobile kanë zhvilluar takime me qëllim të kërkimit të zgjidhjes miqësore, me qellim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit, i cili do ta sjelltë PTK-në në pozitë të rëndë financiare. Ne jemi deklaruar se nuk kemi interes që PTK të falimentojë”, thuhet në përgjigjen e “Z-Mobile”.

Ata thonë se marrëveshja është një zgjidhje për të dyja palët e përfshira në kontest.

“Z Mobile është dëmtuar rëndë për shkak të mosliferimin të shërbimeve të PTK-së dhe kjo është konstatuar edhe me vendimin e Arbitrazhit ndërkombëtarë. Në këtë frymë kemi iniciuar biseda për zgjidhen e një modusi i cili për momentin nuk e dëmton palët ne mase të madhe dhe paraqet një zgjidhje për te dyja palët”, thuhet në përgjigjen e “Z-Mobile”, thuhet në përgjigjet e kësaj kompanie dhënë “Gazetës JnK”.

Kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me operatorin ‘Z-Mobile” tha se evitimi i gjobës e shpëton PTK-në nga falimentimi.

Marrëveshja, sipas tij, është arritur pas një procesi të gjatë të bisedimeve me pronarin e “Dardafon”, Blerim Devolli dhe menaxhmentit të dy kompanive.

“Jemi në bisedime qe një muaj e më shumë së bashku me ‘Z Mobile’, bisedime jo të lehta kanë qenë, por është vendimi i Arbitrazhit që këto bisedime i ka qartësu e lehtësu me ardhë deri në pikën ku jemi këtu”, tha Mustafa.

Mustafa ka thënë se Telekomi është pajtuar që t’i ndajë numra shtesë dhe t’i ofrojë shërbimet e 3G dhe 4G operatorit “Z-Mobile”.

Por, kryeministri në detyrë, Isa Mustafa e ka deshifruar marrëveshjen në mes të dy operatorëve si riaranzhim.

“Asnjë riaranzhim nuk mund ta shmangë përgjegjësinë për dëmin që i është shkaktuar Telekomit. Po ashtu, është dëshmi tjetër se edhe prapa kontestit gjyqësor në Gjykatën e Arbitrazhit ka qëndruar një skemë e organizuar për zhvatjen e pasurisë nacionale të Kosovës”, ka shkruar Isa Mustafa.

Ai ka shkruar se vendosmëria e Qeverisë për të mos e paguar gjobën e ka shtyrë “Z-Mobile”-n që të tërhiqet.