Posta Furnizon me Naftë Veturat Private të Menaxhmentit

Vendimin për shpërndarjen e naftës për shfrytëzim nëpër vetura private e ka marrë Bordi i Postës së Kosovës.

Përfitues nga ky vendim janë zëvendëskryeshefi i Postës, Shefqet Avdija, sekretari i ndërmarrjes, Argjend Sefa, zyrtari kryesor financiar dhe i thesarit, Behxhet Maliqi si dhe zyrtari i Auditorit të Brendshëm, Blerim Krasniqi.

Ndërmarrja publike që ka pësuar humbje të vazhdueshme financiare që pas ndarjes së saj nga Telekomi i Kosovës, megjithatë po vazhdon të mos kursehet në shpenzimet e zyrtarëve të saj të lartë.

Vendimi i datës 25.05.2017 sipas Postës së Kosovës është mbështetur edhe në një rregullore të kësaj ndërmarrjeje mbi shfrytëzimin e veturave zyrtare  si dhe një tjetër për mbulimin e shpenzimeve, por të cilat nuk gjenden në faqen zyrtare online të postës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka bërë kërkesë për të marrë këto rregullore nga Posta e Kosovës.

Kjo e fundit ka refuzuar që të lejojë qasje në rregulloren në të cilën janë thirrur me rastin e ndarjes së naftës për veturat private të menaxhmentit të postës.

Bashkim Mustafa, zëdhënësi i kësaj ndërmarrjeje tha se përmes rregullores së lartcekur lejohet mbulimi i shpenzimeve për kryesuesin e Bordit të Ndërmarrjes dhe kryeshefin ekzekutiv.

Megjithatë, Posta nuk ka dhënë arsyetim të qartë për bazën ligjore të dhënies së naftës për vetura private dhe mjeteve për reprezentacion për katër zyrtarët që nuk janë kryeshefi apo kryesuesi i bordit.

Sipas Mustafës, vendimi për dhënien e naftës është marrë për shkak të mungesës së veturave zyrtare.

“Sa i përket vendimit për lejimin e shfrytëzimit të karburantit deri ne 150 litra është marrë për shkak të mungesë se veturave zyrtare  deri në marrjen e veturave me lizing, konform vendimit të Bordit të Drejtorëve të datës. 19.08.2015”, tha Mustafa.

Ai thotë se Posta do të marrë me qira vetura, pasi një opsion i tillë ka rezultuar më i favorshëm se sa t’i mbajë veturat e kësaj ndërmarrjeje.

“Vendimi i bordit aprovon kërkesën e menaxhmentit për shitjen e veturave zyrtare dhe marrjen e veturave me lizing, me arsyetimin se kostoja për marrjen e këtyre veturave me lizing është me e favorshme sesa mbajtja e veturave të vjetra zyrtare të PK-së”, tha Mustafa.

Gjithashtu, Posta konstaton se ky vendim ka për bazë edhe një opinion ligjor të lëshuar nga zyra ligjore e ndërmarrjes.

“Vendimi është marrë konform Ligjit për Ndërmarrjet Publike përkatësisht nenit 22 dhe konform nenit 9 të Rregullores për Përdorimin e Veturave Zyrtare të PK-së, si dhe ne Bazë të Opinionit ligjor me nr . 03-3393/16 dt. 24.11.2016 të lëshuar nga Drejtoria Ligjore për zv kryeshefin ekzekutiv”, thuhet në përgjigjen e Postës së Kosovës.

Posta nuk ka ofruar qasje në rregulloren dhe opinionin ligjor në të cilën janë thirrur.

E Ligji për Ndërmarrjet Publike, neni 22 thotë se : “Kompensimi dhe përfitimet e zyrtarëve të NP-ve do të përcaktohen nga Bordi i Drejtorëve të NP-së në përputhje me deklaratën për politikën e kompensimit të NP-së të përgatitur dhe të zbuluar nga Komisioni i Auditimit sipas nenit 20.4 të këtij ligji. 

E menaxhmenti i Postës është shfajësuar duke e bërë përgjegjës Bordin e kësaj ndërmarrjeje.

“Bordi i Drejtorëve në bazë të Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike është organi me lartë i ndërmarrjes dhe është përgjegjës për nxjerrjen e vendimeve dhe rregulloreve të ndërmarrjes. Krahas kësaj ka marrë edhe këtë vendim. Menaxhmenti i ndërmarrjes  në bazë të ligjit nuk ka të drejtë t’i komentojë vendimet e Bordit”, ka thënë Mustafa.

Madje, sipas Mustafës, Bordi e ka marrë këtë vendim në ditën kur kryeshefi Sejdiu nuk ka qenë në Kosovë.

“Ditën që është mbajtur mbledhja, kryeshefi ekzekutiv nuk ka qenë në atë mbledhje por në një vizitë zyrtare”, tha Mustafa për ‘Gazetën Jeta në Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka publikuar edhe hulumtimin mbi punësimet në baza nepotiste në Postën e Kosovës.

http://kallxo.com/nder-850-aplikante-posta-perzgjedh-vajzen-e-anetarit-te-bordit/