Posta e Kosovës- - Bordi Politik që Dëshmon Pafuqinë e Kryeministrit

Premtime të forta kishte dhënë Isa Mustafa gjatë fushatës zgjedhore lidhur me bordet e ndërmarrjeve publike.

I kishte llogaritur si një prej segmenteve shtetërore të kapura nga Partia Demokratike e Kosovës.

Premtonte se do të bënte ndryshime dhe se partia që e udhëheq, LDK-ja, do të vepronte ndryshe po të vinte në pushtet.

Por gjërat nuk ndryshuan edhe përkundër që Isa Mustafa mban postin e kryeministrit.
Bordi i ndërmarrjes publike “Posta e Kosovës” dëshmon se kryeministri Mustafa nuk lëvizi drejt ndryshimit të bordeve.

Halit Isufi ishte kryesues i bordit të kësaj ndërmarrjeje gjatë kohës që Hashim Thaçi mbante postin e kreut të ekzekutivit.

Ishte emëruar më 21 mars të vitit 2012.

Ai do të jetë sërish në këtë post edhe në qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa.

Qeveria vendosi kështu në mbledhjen e mbajtur më 9 tetor të këtij viti.

Ky njeri që ka bërë shumë vite në krye të kësaj ndërmarrjeje, ka të kaluar partiake.

E kaluara dhe e tashmja e tij lidhet me partinë më të madhe në vend-PDK-në në pushtet.
Është anëtar i kryesisë së PDK-së në Gjakovë.

“Jam anëtar i kryesisë me letra, por prej zgjedhjeve të fundit nuk kam shkuar, jam shkëputur disi. Nuk jam as kryetar e as anëtar i PDK-së, por jam anëtar me letra,” tha Isufi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kur u pyet nëse ka konflikt qasja e tij politike me pozitën në Bordin e Postës së Kosovës, Isufi tha se nuk është duke ushtruar aktivitet tjetër përveç atë të drejtorit në këtë bord.

“Bordi i ka takimet më të rralla, një herë në muaj që mund të  pasojë edhe me dy herë në muaj. Aktivitet tjera nuk kam,” tha  Isufi.

Pozita që mban Isufi  në Borfin e Postës së Kosovës është e lakmueshme për kah ana financiare.

Paguhet 18 mijë e 735 euro në vit.

Kjo shumë është deklaruar nga Isufi në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Isufi ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, dega Hisori.

Ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së fundit të viteve 1998-1999.

Isufi thotë se që nga paslufta e deri më sot menaxhon një biznes familjar që quhet  “Natyra”, por nuk tregoi se me çka merret ky biznes.

Isufi nuk do të jetë i vetëm në bord me prejardhje nga PDK-ja.

Rushan Cekën do ta ketë koleg në Bordin e Drejtorëve.

Ceka gjatë vitit 2011 ka mbajtur postin e drejtorit të Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Komunën e Kaçanikut.

Komuna atëkohë udhëhiqej nga Xhabir Zharku.

Dy vjet më pas, në shtator të 2013-ës,  Ceka ishte angazhuar në fushatën zgjedhore të Besim Ilazit, kryetarit aktual të Kaçanikut.

Ceka ishte prezantuar nga Ilazi si anëtar i shtabit zgjedhor të PDK-së në Kaçanik.

Në zgjedhjet e vitit 2014, Rushan Ceka është parë nëpër tubimet me banorë të fshatrave Glloboçicë, Stagovë derisa promovohej Besim Ilazi, kandidati i PDK-së për kryetar.

Rushan Caka premtoi që do të dërgojë biografinë e tij por nuk bëri një gjë të tillë. Madje ai nuk u deklaruar as rreth të kaluarës së tij politike.

Simpatizanti i PDK-së

Një tjetër anëtar që ngjashëm si Isufi ka qenë edhe në të kaluarën pjesë e bordeve është Hysen Fazliu.

Nga viti 2009 deri në vitin 2012, Fazliu ka qenë anëtar i Bordit të Hekurudhave  të Kosovës.
Faziliu edhe tre vjet të tjerë, 2012- 2015 ka qenë kryetar i Bordit të Drejtorëve të “Infrakos-it”.
Pas këtyre dy bordeve, ai vjen sërish në bord, kësaj radhe në Bordin e Drejtorëve të Postës së Kosovës.

Ai ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Ekonomisë para luftës së viteve 1998-1999.
Para luftës Fazliu ka qenë mësimdhënës në Llap, ndërsa që nga 1999- 2009 ka qenë pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Në një hulumtim të  Gazetës Jeta në Kosovë del se Hysen  Fazliu kishte punuar si specialist i sigurimeve në kompaninë e Sigurimeve “Siguria”.

Fazliu ka treguar se është i licencuar nga BQK-ja për shitjen e policave vullnetare të sigurimit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka vërejtur se në disa fotografi të publikuara në Facebook shihet se Fazliu ka miqësi që nga lufta me njerëz të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në një foto shihet bashkë me Lirak Çelajn, zëvëndësministrin e Drejtësisë, ndërsa në një tjetër shihet me Naim Fetahun, deputet i PDK-së.

Fazliu thotë se ka qenë pjesë e luftës së UÇK-së së bashku me Çelajn dhe Fetahun e PDK-së.

“Nuk jam anëtar në asnjë parti politike. Normalisht jam simpatizant, por jo anëtar,” tha Fazliu.

Hisja e LDK-së

Në këtë bord nuk ka mbetur pa ‘hise’ as partia tjetër në koalicion qeveritar, LDK-ja.

Metije Jashari do të jetë në krye të kësaj ndërmarrjeje publike.

Ajo është nusja e djalit të Agim Veliut, kryetarit të Podujevës që është njëkohësisht edhe nënkryetar i LDK-së.

Gazeta Jeta në Kosovë, më 14 tetor të këtij viti, publikoi hulumtimin “’Rehatimi” në Pozita të Larta i Familjarëve të Agim Veliut.

Aty përmendet punësimi i Metije Jasharit në Bordin e Drejtorëve të Postës së Kosovës.

Jashari nuk pati dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë kur ishte kontaktuar rreth punësimit të saj në krye të një ndërmarrjeje publike.

Anëtari tjetër i bordit që ka pasur afërsi me njerëz të LDK-së është Mejdi Xhokli.

Bazuar në biografinë e tij të prezantuar nga vetë Xhokli, ai ka qenë këshilltar i ish-ministrit Qemajl Ahmeti.

Xhokli ka mbajtur këtë pozitë nga 1 janari i vitit 2005 e deri më 31 nëntor të vitit 2008.
Thotë se puna e tij kishte të bënte me këshillimin për çështje të telekomit, postave dhe çështjes së rregullatorit të telekomunikacionit.

Xhokli thotë se ka qenë vetëm këshilltar dhe nuk ka qenë pjesë e partisë.

Ai thotë se përvoja e tij ka bërë që të meritojë postin e drejtorit në bordin e ndërmarrjes “Posta e Kosovës”.

Xhokli thotë se ka mbajtur pozita të larta menaxhuese në këtë ndërmarrje që nga viti 1983 deri në vitin 2007.

Ka magjistruar më 2004 për Telekomunikacion dhe Kompjuterikë në Zagreb.
Është profesorë universitar në Universitetin Publik të Prishtinës dhe Kolegjin “Tempulli” i lëndëve që kanë të bëjnë me elektronikë, infrastrukturë postare e telekomunikim.

Xhokli thotë se është përfaqësues i Kosovës në Iniciativën Elektronike të Evropës Juglindore dhe Iniciativën për Zhvillimin e Boradbendit në Evropën Juglindore.

Ndërsa anëtari tjetër i bordit është nga komuniteti serb. Branislav Nikoliq ka qenë edhe më herët pjesë e bordit të kësaj ndërmarrjeje. Ka qenë i emëruar në vitin 2012 nga Qeveria Thaçi.