Portrete: Olimpistët Kosovarë në ‘RIO 2016’

Kosova do të përfaqësohet ne Lojërat Olimpike në Rio 2016 me një shpresë për medalje dhe shumë shpresa për thyerje rekordesh.

Me 6 dhe 7 gusht sytë e Kosovës do të shikojnë monitorin përderisa heroinat e sportit kosovar Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova kanë tejkaluar secilin sportist nga Kosova dhe Shqipëria, tash duan të shënojnë pjesëmarrjen e Kosovës në Rio me medalje.

Sportistët tjerë pjesëmarrës nuk i kanë ambiciet e xhudos, mirëpo të gjithë janë duke u përgatitur për të bërë një ndryshim gjatë garave në Rio. Medaljet duken larg mirëpo, sportistët kosovarë janë duke u bërë gati që së paku të thyejnë rekordet e Kosovës apo edhe ato personale që ngjarjen më të madhe sportive ku Kosova është pjesë ta stolisin me diçka të veçantë.

KALLXO.com sjell portretet e pjesëmarrësve kosovarë në Lojërat Olimpike Rio 2016.

majlinda_454858
Majlinda Kelmendi

Emri: Majlinda Kelmendi

Data e lindjes: 9 maj 1991

Profesioni: Sportiste

Hobi: Leximi

Rezultati më i mirë: Kampion i Botës

Rangimi në listën botërore: 1

Çka ju frymëzon çka ju jep vullnet për të stërvitur: Momentalisht medalja olimpike, e vetmja që nuk është në sirtarin tim.

Çka i duhet Kosovës më së shumti: Shpresë, përkushtim, punë. Sa i përket sportit lidhja e rezultateve sportive me rangim në FSK apo polici. Një praktikë evropiane që do t’i motivonte shumë të rinj të merren me sport dhe të kenë një të ardhme mesatare të Kosovës.

Nora Gjakova
Nora Gjakova

Emri: Nora Gjakova

Data e lindjes: 17 gusht 1992

Profesioni: Sportiste

Hobi: leximi

Rezultati më i mirë: Medalja e bronztë në kampionat evropian

Rangimi në Listën botërore: 18

Çka ju frymëzon, çka ju jep vullnet për të stërvitur: Rezultati në Lojërat Olimpike.

Çka i duhet Kosovës më së shumti: Profesionalizëm, përkushtim në punën që e bëjmë.

Driton Kuka
Driton Kuka

Emri: Driton Kuka

Data e lindjes: 15.05.1953

Profesioni: Trajner

Rezultati më i mirë: Kampion i botës si trajner

Rangimi ne listën botërore: NA

Pritjet nga Lojërat Olimpike: Majlinda është favorit për medaljen e artë. Çfarëdo medalje atje për mua është si e artë.

Çka ju frymëzon, çka iu jep vullnet për të punuar dhe stërvitur: Përkushtimi dhe sukseset e nxënësve të mi.

Çka i duhet Kosovës me së shumti: Punë, përkushtim, profesionalizëm.

Urata Rama
Urata Rama

Emri: Urata Rama

Data e lindjes:  20.12.1986

Profesioni: Mësimdhënëse/Shenjtare

Hobi: – Leximi

Rezultati më i mirë: 409.4 pikë

Rangimi në listën botërore: -160

Çka ju frymëzon, çka ju jep vullnet për të punuar dhe stërvitur: Si çdo sportist, motivin kryesor e kam ta përfaqësoj sa më denjësisht shtetin tim.

Çka i duhet Kosovës më së shumti: Ajo që e dimë të gjithë, infrastruktura është në nivel shumë te dobët. në veçanti për sportin e shenjëtarisë.

Vijona Kryeziu
Vijona Kryeziu

 

Emri: Vijona Kryeziu

Data e lindjes: 08.10.1997

Profesioni: Sportiste (atlete)

Rezultati më i mirë: Norma botërore për juniorë në 400m- 54.64 sek

Rangimi në listën botërore: Në kategorinë e junioreve në Evropë jam ranguar e 12-ta në 400M.

Pritjet nga Lojërat Olimpike: Synimi im në Lojërat Olimpike është që të paraqitem sa më mirë dhe të përmirësoj rezultatin tim. Sa i përket ndonjë prej medaljeve për mua është ende herët sepse jam vetëm 18 vjeçare, kur është vështirë të arrihen rezultate në ‘Mbretëreshën e Sporteve’, atletikë.

Hobi: Atletika

Çka ju frymëzon, çka ju jep vullnet për të punuar dhe stërvitur: Ajo që më frymëzon dhe më jep vullnet është motivi dhe dëshira ime që kam për sportin, posaçërisht për atletikën, si dhe përkrahja që e kam nga trajneri dhe familja ime.

Çka i duhet Kosovës më së shumti: Sa i përket sportit, unë mendoj që Kosovës i duhen shumë gjera në lidhje me sportin, pikësëpari infrastruktura e pastaj përkrahja institucionale e sportistëve.

Enver Hajredini
Enver Hajredini

Emri: Enver Hajredini

Data e lindjes: 15.05.1953

Profesioni: Trajner

Rezultati më i mirë: Kupa e Shqipërisë, 3 herë

Rangimi ne listën botërore: Kemi lënë pas nesh deri 15 shtete të botës.

Pritjet nga Lojërat Olimpike Nga lojërat olimpike nuk presim ndonjë rezultat po nuk do të jemi të fundit. Do t’i lëmë pas vetës disa shtete afrikane.

Çka ju frymëzon, çka ju jep vullnet për të punuar dhe stërvitur: Mua më frymëzon brumi te cilin e kemi dhe një ditë shpresoj se do të ndërgjegjësohet rinia jonë dhe do ta marrë sportin më seriozisht. E kjo arrihet me punē, disiplinë, përkushtim e besa edhe sakrificë.

Çka i duhet Kosovës me së shumti:  Kosovës i duhen shumë gjëra, po për ta shtyrë sportin përpara parlamenti duhet që ta miratojë ligjin mbi sponzorimin e sportit. Kjo të bëhet sa më parë që të kemi sportistë tash e ata të motivojnë rininë në të ardhmen.

Lum Zhaveli
Lum Zhaveli

Emri: Lum Zhaveli

Data e lindjes: 05 Mars 1990

Profesioni: Student

Rezultati më i mirë: 24.21 në 50 metra stil i lirë

Pritjet nga Lojërat Olimpike: Thyerja e rekordit shtetëror të Kosovës dhe arritja e suksesit sa më të mirë personal.

Hobi: Noti.

Çka ju frymëzon, çka ju jep vullnet për të punuar dhe stërvitur: Arritja e rezultateve kulminante në sportin e notit dhe caqet tjera në jetë.

Çka i duhet Kosovës me së shumti: Kuadro, kushte, përkushtim, profesionalizëm, dhe më shumë mundësi për kosovarët.

Rita Zeqiri
Rita Zeqiri

Emri: Rita Zeqiri

Data e lindjes: 08.12.1995

Profesioni:  Studente/sportiste

Rezultati më i mirë: 33:30 në 50 metra shpinë

Pritjet nga Lojërat Olimpike: Përmirësimi i rezultatit

Hobi: Sportet dhe aktivitet e ngjashme (hiking)

Çka ju frymëzon, çka ju jep vullnet për të punuar dhe stërvitur: Frymëzimi dhe vullneti për të ushtruar ka ndryshuar gjatë karrierës sime 11 vjeçare. Dëshira për të kontribuuar për Kosovën në atë se çka di të bëj më së miri ka dominuar, ndërsa dy vitet e fundit pas hapjes së pishinës së re motra Eda dhe ekipi i ri i formuar ishin një frymëzim tepër i madh për mua. Pres me padurim Olimpiadën e 2020 sepse aty do të paraqiten “Dream Team” i notit të Kosovës, ekipi që përbën sot klubin e notit Step.

Çka i duhet Kosovës me së shumti? Sa i përket notit i mungojnë trajneret e mira, dhe në përgjithësi një ekip i mirë që do ta përcjellë një sportist deri në pikën kulminante siç është rasti me Majlindën (Kelmendin) dhe trajnerin e saj Dritonin (Kukën).

Mjetet financiare duhet të shfrytëzohen për qëllime të notarëve dhe ngritjes së cilësisë në sport. E kuptoj që nuk janë mjete të mëdha por janë te mjaftueshme nëse shpenzohen në mënyrë më strategjike dhe për qëllime të cilat duhen të caktohen në fillim të vitit dhe të jenë në interes të përbashkët të klubeve dhe sportisteve. Aktivitetet që i zhvillojnë të jenë të përcaktuara në fillim të vitit.

Musa Hajdari
Musa Hajdari

Emri: Musa Hajdari

Data e lindjes: 11.10.1987

Pofesioni: Atlet, Profesor i kulturës fizike

Rezultati më i mirë: 800m\ 1.47.40

Pritjet nga Lojërat Olimpike: Përmirësim i rezultatit të tanishëm, rekordit të Kosovës, çdo kalim i grupit, pra kalim në fazën tjetër do të ishte sukses në vete duke ditur konkurrencën me të cilën do të përballemi.

Hobi: Përgatitja e ushqimeve të ndryshme.

Çka ju frymëzon, çka ju jep vullnet për të punuar dhe stërvitur: Vullneti dhe dëshira për të stërvitur dhe punuar ne sportin e atletikës më vjen kryesisht nga dashuria e madhe që kam për sportin në përgjithësi e për atletikën në veçanti. Shtytje të madhe gjej te sukseset e shumta që kam pas pavarësimit të sportit të Kosovës e në veçanti këto 5 vitet e fundit, si në nivel vendi po ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar.

Çka i duhet Kosovës me së shumti? Kosovës mendoj që më së shumti në këto momente i duhet që të jenë të bashkuar si asnjëherë më parë, të tregoj para botës se edhe ne dimë e mundemi të bëjmë gjëra të mëdha. Vetëm të bashkuar do arrijmë të realizojmë ëndrrat tona.

Çiklisti Qëndrim Guri (Facebook)
Çiklisti Qëndrim Guri (Facebook)

Emri: Qëndrim Guri

Data e lindjes: 27.11.1993

Profesioni: Çiklist

Rezultati më i mirë: 7 herë kampion i Kosovës, 4 herë sportisti i vitit në Federatën e Çiklizmit të Kosovës, 3 herë sportist i vitit në komunën e Ferizajt, fitues i kupës për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, fitues në kupën e Maqedonisë si dhe pjesëmarrja në Lojërat Olimpike Evropiane në Baku.

Rangimi në listën botërore : NA

Pritjet nga Lojërat Olimpike: Si çdo sportist edhe unë pres një rezultat sa më të mirë

Hobi: Çiklizmi

Çka ju frymëzon, çka ju jep vullnet për të punuar dhe stërvitur: Pasioni im, vullneti dhe dëshira ime  është që të bëj stërvitje sa më shumë dhe të arrijë rezultate sa më të mira ne çiklizëm.

Çka i duhet Kosovës më së shumti: Kosovës më së shumti i duhet të punojë me sportistët e rinj, të zbulojë sa më shumë talentë në çdo lloj sporti dhe të arrijë rezultate sa më të mira në rajon dhe botë.