Policia Shpërblen Kompaninë e Akuzuar për Mashtrim

Kompania “Hib Petrol”  përfitoi sërish tenderë milionësh të furnizimit me naftë nga Policia e Kosovës përkundër që ndaj saj është duke u zhvilluar një proces gjyqësor në të cilin një zyrtar i lartë i saj akuzohet për mashtrim. Tenderi i fituar më 16 maj të këtij viti kap shumën e 3 milionë e 500 mijë eurove.

Policia e Kosovës arsyetoi vendimin e saj kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë se pse kontratën e madhe ia besoi kompanisë së derivateve që vetë e denoncoi për mashtrim.

Kompania “Hib Petrol” i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara në dosjen e tenderit dhe çmimi ka qene oferta e përgjegjshme me çmim me te ulët”, ka thënë Baki Kelani zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Policia beson se nuk do të dalë e mashtruar herën e dytë.

“Ne mendojmë se në këtë tender nuk jemi te dëmtuar për arsye se Autoriteti Kontraktues –Policia e Kosovës,  ka qasje në berzë dhe kalkulimin e çmimit e bën komisioni i përbëre prej tre anëtarëve  dhe ky  kalkulim final  i  dorëzohet kontraktuesit”, tha Kelani.

Përveç nga Policia e Kosovës kompania nga Ferizaji ka fituar tenderë të shumtë nga institucione e organizata të ndryshme në Kosovë.

Hib Petrol ka listuar partnerët në faqen zyrtare në internet.

Në këtë listë është  Qeveria e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, KEDS, USAID, Ambasada Amerikane, EULEX dhe UNMIK.

Derisa bindjet e drejtuesve të Policisë së Kosovës ndaj kompanisë së naftës nga Ferizaj tash kanë ndryshuar, para pesë vjetësh autoritet policore kishin mosbesim ndaj kësaj firme.

“Hib Petroli” më 2009 ishte denoncuar si mashtruese nga Policia e Kosovës.

I akuzuar është Fatbardh Xhaferi, menaxheri i kontratave në kompaninë e derivateve “Hib Petrol”.

Ai këtë pozitë e mbante më 2009 dhe ‘Hibi’ nuk ka ndryshuar asgjë lidhur me këtë. E mban Fatbardh Xhaferin ende në të njëjtën pozitë, përkundër dyshimeve të ngritura ndaj tij dhe arrin të fitojë tenderë milionësh pikërisht në institucionin nga i cili vijnë akuzat-Policinë e Kosovës.

Xhaferi bazuar në denoncimin e Policisë së Kosovës akuzohet nga Prokuroria e Shtetit për veprën penale- mashtrim në detyrë.

Xhaferi dyshohet se në vitin 2009 në tenderin “Furnizim me karburant” për Policinë e Kosovës kishte prezantuar ofertën e rreme me 0.00 fitim dhe kishte lidhur kontratë me të.

Por, Xhaferi nuk i sheh si problem akuzat kundër tij.

“As atëherë dhe as tash, nuk ka pasur asnjë problem me dokumente, për atë ne e kemi fituar edhe tenderin tjetër për furnizim me derivate nga Policia e Kosovës”, i ka thënë Xhaferi, Gazetës Jeta në Kosovë.

Prokuroria pretendon se Xhaferi në tenderin e vitit 2009 dëmtoi Policinë e Kosovës për mbi 150 mijë euro.

Menaxheri i kontratave të “Hib Petrolit”  më 21 tetor tetor të këtij viti gjendej në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur kundër tij.

Ndaj tij rëndon akuza se kompania për të cilën punon fitoi 150 mijë euro në mënyrë të kundërligjshme gjatë 98 importeve që ishin bërë gjatë përiudhës 7 prill 2009 deri më 20 maj 2010.

“Hib Petroli”, gjatë importimit të karburanteve, për Policinë e Kosovës në periudhën 07.04.2009-20.05.2010 në shumicën e rasteve ka paraqitur koston e transportit mbi shumën e tregut si p.sh. 2.629,98 euro, 2.536.79 euro”, thuhet në aktakuzën e ngritur kundër Xhaferit.

“Ndërsa te rastet kur ka importuar për nevoja vetanake si dhe për disa institucione tjera, si ‘Termokos’ në Prishtinë, si dhe gjatë importeve ku si shfrytëzues  paraqiten ‘Vëllezërit Geci’-Skenderaj, ‘Birra Peja’-Pejë, ambasada amerikane, USAID-i, ambasada zvicreane; ka paraqitur çmimin e tregut prej 500 eurove”, thuhet në aktakuzë.

Sipas Xhaferit çmimi i transportit varet nga destinacioni, sepse kostoja e shpenzimeve ndryshon nga sasia dhe vendi i dërgesës.

“Duke pasur parasysh se furnizimi për Policinë e Kosovës ka të bëjë 24 orë në 30 pika policore për furnizim, sipas të pandehurit tregon se kjo kontratë me Policinë e Kosovës është e veçantë”, thuhet në aktakuzë ku citohet Fatbardh Xhaferi.

I pyetur nga prokuroria për  çmime të ndryshme të transportit të paraqitura në Doganën e Kosovës për Policinë e Kosovës dhe institucione tjera të cilat i furnizon “Hib Petrol-i”, Xhaferi ka thënë se nuk ka njohuri për institucione tjera dhe se çmimin e transportit të paraqitur në Doganë për Policinë e Kosovës e ka paraqitur në bazë të kontratës për transportim me “Mako Impex” nga Maqedonia.

Autoriteti Kontraktues, në këtë rast Policia e Kosovës, obligohet që të kompensojë shpenzimet e transportit të kompanisë “Hib Petrol” dhe sipas prokurorisë dyshohet se shteti ka paguar 150 mijë euro më shumë sesa është dashur, pasi që operatori ekonomik ka paraqitur shpenzime më të larta sesa vlera e tregut .

Në këtë tender “Hib Petroli”, kishte ofertuar me 0.00 fitim.

Por këtë Fatbardh Xhaferi e kishte arsyetuar duke thënë se “furnizimi me karburante për Policinë e Kosovës është privilegj dhe marketing i vlefshëm për kompaninë”.

Kjo nuk është hera e parë kur Policia e Kosovës shpall fituese në tenderë  kompani që janë nën  hetime.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në korrik të vitit të kaluar se NTP “Friends”, një kompani private në pronësi të biznesmenit Armend Selimi, që hetohej nga EULEX-i për manipulime me çmime të armëve dhe municionit, ishte kontraktuar nga Policia e Kosovës edhe për blerjen e dy autoblindave dhe një automjeti për trazira (top uji).

Përkundër nënshkrimit të kontratës në gusht të vitit 2011, kompania nuk  e kishte kryer furnizimin edhe pas 23 muajve-  në korrik të vitit 2013.

Policia e Kosovës pohonte se kompania private megjithatë do ta kryejë furnizimin.

Policia mungon në gjykimin ku është palë e dëmtuar

Por Policia e Kosovës përveç shpalljes fitues në tenderë i bëri edhe një favor kompanisë “Hib Petrol”.

Derisa Fatbardh Xhaferi ishte shfaqur për të mohuar pretendimet e prokurorisë, aty mungonte përfaqësuesi i Policisë së Kosovës përkundër që në këtë proces gjyqësor është palë e dëmtuar.

Mungesa e përfaqësuesit të Policisë shkaktoi shtyrjen e seancës për 27 nëntor të këtij viti pasi që pjesëmarrja e tyre ishte e domosdoshme për vazhdimin e seancës gjyqësore.

Policia kishte pranuar ftesën, por nuk e kishte arsyetuar me asgjë mospraninë e saj në gjykatë.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka shkruar Policisë së Kosovës, ndërsa ajo ka treguar se në gjykatë përfaqësohet nga përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë.

“Bazuar në procedurat ligjore ftesa e pranuar për përfaqësim ligjor në seancë gjyqësore, nga Zyra Ligjore e PK-së është dërguar ne Ministrinë e Drejtësisë  me shkrese zyrtare, ngase sipas ligjit të gjitha institucionet duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës i përfaqëson, përfaqësuesi nga Ministria e Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Medie të PK-së.

Zyra për Medie e Ministrisë së Drejtësisë nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur nga Gazeta se kush është përfaqësuesi i Policisë së Kosovës në gjykatë dhe se a do të marrë pjesë ai në seancën e ardhshme, ku policia është palë e dëmtuar.

Ndërsa ministri në largim Hajredin Kuçi, i pyetur rreth kësaj çështjeje nga Gazeta Jeta në Kosovë ka thënë se “ide nuk kam për këtë”, duke sugjeruar që të pyetet Policia e Kosovës.

Më shumë për Hib Petrol:

Shkollat Ngroheshin me Vaj të Rrezikshëm e Jo Naftë (TV)

Kritikohen Kontratat Milionëshe të Policisë me Hib Petrol-in

Konzorciumi Turk Rishqyrton Kontratat e Kompanive të Fuqishme

HIB Petrol Më e Shtrenjtë se në Kontratë