Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Policia Pret Kompaninë nën Hetime ta Zbatojë Kontratën

Një kompani private në pronësi të biznesmenit Armend Selimi, që po hetohet nga EULEX-i për manipulime me çmime të armëve dhe municionit, është kontraktuar nga Policia e Kosovës edhe për blerjen e dy autoblindave dhe një automjeti për trazira (top uji). Përkundër nënshkrimit të kontratës në gusht të vitit 2011 kompania ende nuk ka kryer furnizimin - edhe pas 23 muajve. Auditori i Përgjithshëm kritikon Policinë e Kosovës për mos realizim të kontratës. Policia pohon se kompania private megjithatë do ta kryejë furnizimin.

Policia e Kosovës lidhi kontratë publike me një kompani private për blerjen e dy autoblindave dhe një automjeti për trazira (top uji) para 23 muajsh, por furnizimi ende nuk është kryer nga kontraktori.

NDËRLIDHUR

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, për dy vite me radhë, në raportet për vitet 2011 e 2012 konkludon se Policia e Kosovës/Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka arritur që të zbatojë kontratën e lidhur me kompaninë “NTP Friends”.

Kompania është pronë e biznesmenit Armend Selimi i cili që nga tetori 2011 vazhdon të jetë nën hetime nga EULEX-i në lidhje me një tender tjetër të policisë së Kosovës që ka të bëjë me furnizim me armë e municion.

Misioni europian për sundimin e ligjit, EULEX, konfirmon se rasti është ende nën hetime. “Hetimet vazhdojnë në këtë rast”, tha zyra për informim e EULEX-it.

Ndërkaq kontrata  për furnizim me automjete speciale u lidh më 25 gusht të vitit 2011 pasi që kompania “NTP Friends” doli fituese në dy lotet e tenderit.

Një lot parashihte furnizim me dy autoblinda ndërsa tjetri furnizimin me top uji.

Kompania ofertoi me një shumë prej 790 mijë e 418 eurosh për të dy lotet e tenderit.

Për lotin e parë, atë për furnizim me autoblinda, kompania kishte kërkuar mbi 460 mijë euro ndërsa për furnizim me Automjet Kundër Trazirave (Top uji) kjo kompani kishte kërkuar 327 mijë e 230 euro.

Zyra për informim e Policisë së Kosovës deklaron se furnizimi nuk ishte i mundshëm të kryhej gjatë vitit 2011 pasi kishte pasur mungesë buxheti.  

Furnizimi me automjete speciale, sipas zyrës për informim, do të bëhet në të ardhmen dhe se këto pajisje janë të nevojshme për Policinë e Kosovës.

Auditori i Përgjithshëm konkludoi në raportin për vitin 2011 për MPB-në, ku përfshihet edhe Policia e Kosovës si institucion vartës i saj, se kontrata e furnizimit me automjete speciale nuk ishte realizuar.

“Kontrata është lidhur për një periudhe njëvjeçare me datë 25 gusht 2011. Afati kohor për dorëzimin e pajisjeve është 100 ditë kalendarike nga koha e lëshimit të urdhër-blerjes nga autoriteti kontraktues. Autoriteti kontraktues edhe me tutje nuk ka lëshuar urdhrin për blerje”, thuhet në raportin e auditimit.

ZAP kritikon Policinë e Kosovës edhe në raportin e auditimit për vitin 2012 që është publikuar në korrik të këtij viti.

“Autoriteti kontraktues ka lëshuar urdhrin për blerje me datën 14 maj 2012. Sipas kushteve të kontratës afati për dorëzimin e pajisjeve ishte me datë 24 gusht 2012. Në kohën e ekzekutimit të auditimit në fazën finale, vërejtëm se operatori ekonomikende nuk i kishte sjellë pajisjet”, thuhet në raportin e auditimit.

Bazuar në konkludimin e ZAP-it në raportin për vitin 2011 kontrata mes palëve ka skaduar më 25 gusht të vitit 2012 pasi kishte validitet njëvjeçar.
 
Policia pret ende autoblindat e topin e ujit

Policia thekson se pas lidhjes së kontratës me kompaninë buxheti ishte shkurtuar dhe nuk kanë mundur të realizojnë kontratën në vitin 2011.

Ndërsa, për vitin 2012 policia e Kosovës arsyetohet se gjatë këtij viti kishin hyrë në fuqi disa akte juridike të cilat kanë rregulluar çështjen e furnizimit me pajisje të veçanta.

Policia nuk ka dhënë detaje se çfarë konkretisht thonë këto akte.

“Ndërsa në vitin 2013 kompania është pajisur me të gjitha elementet të cilat e bëjnë që kompania të bëjë furnizimin në bazë të gjitha akteve juridike në fuqi. Ne kemi nevojë për këto pajisje dhe jemi në pritje të realizimit të kësaj kontrate”, thotë Zyra për Informim e policisë së Kosovës.

Policia nuk ka dhënë shpjegime më shumë se cilat janë ato “elemente” me të cilat është pajisur kompania.

Po ashtu, policia nuk ka ofruar datë të saktë se kur do të mund të furnizohen me automjetet speciale të cilat i ka bërë plan që nga viti 2011.

“Automjetet gjenden te prodhuesi të gatshme, vetëm jemi në pritje të lejes së eksportit nga vendi i origjinës”, thuhet në përgjigjën e Zyrës për Informim të Policisë.  

“Automjetet gjenden te prodhuesi të gatshme, vetëm jemi në pritje të lejes së eksportit nga vendi i origjinës”

Policia nuk ka bërë ndonjë pagesë pasi furnizimi nuk është kryer ende.

Kompania “Friends” nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë se kur mund të sjellin automjetet në Kosovë.

Gjetja e auditorëve për autoblindat ishte diskutuar edhe në mbledhjen e Komisionit për Mbikqyrjen e Financave Publike më 7 nëntor të vitit 2012 kur shqyrtohej raporti për vitin 2011 e që i referohej Ministrisë për Punë të Brendshme.

Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme dhe auditori Lars Lage Olofsen ishin ftuar për raportim nga komisioni parlamentar.

Valbona Bytyqi zyrtare e ZAP-it, bazuar në procesverbalin e takimit, deklaronte se ishin gjetur shkelje të rregullave të prokurimit në kontraktimin e autoblindave.

Rexhepi deklaronte se autoblindat janë pajisje të veçanta që nuk i nënshtrohen rregullave të prokurimit.

Por, sipas Bytyqit, MPB-ja ka procedura specifike dhe se për këto raste shkohet me procedura të negociuara. Por, shtonte ajo, në këtë rast tenderi i vitit 2011 kishte nisur bazuar në procedura të hapura të prokurimit.

Më vonë, Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2012 aprovoi dy kërkesa të MPB-së për blerje të pajisjeve të veçanta që përjashtojnë procedurat e prokurimit.

Më 13 prill 2012, Qeveria aprovoi Listën e Autorizuar për vitin 2012 për pajisje për qëllime të veçanta që e klasifikonte si “konfidenciale.

Po ashtu më 12 shtator 2012 Qeveria nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi ka dhënë pajtimin për përjashtim nga fushëveprimi i ligjit të prokurimit për shkak “të sekretit të ligjshëm dhe interesat e sigurisë së vendit”, kërkesën për shërbime të veçanta të pranuar nga Ministria e Punëve të Brendshme(MPB), të datës 27 korrik 2012. Në vendim nuk jepet asnjë detaj shtesë.

Dyshime për kurdisje 

Policia e Kosovës është kritikuar edhe për mënyrën e tenderimit për blerjen e automjeteve speciale.

Auditori i Përgjithshëm, në raportin që i referohet vitit 2011, kishte konstatuar se kishte pasur shkelje ligjore në udhëheqjen e procedurave në lotin 1 të tenderit për furnizim me automjete speciale që parashihte blerjen e dy autoblindave.  

Kishte pasur kurdisje në favor të një tipi makinash në tenderin që e fitoi kompania ‘NTP Friends’.

Auditori vë në dyshim se kishte pasur kurdisje në favor të një tipi makinash në tenderin që e fitoi kompania “NTP Friends”.

“Kjo është vërejtur te pozicionet në vijim: Madhësia e motorit si dhe sistemi i ftohjes së motorit janë kërkuar të jenë fikse. Në këto raste nuk janë marrë parasysh minimumet e lejuara; dhe dimensionet e automjetit janë kufizuar si në vijim: gjatësia 4150mm – 4200mm, gjerësia 1810mm – 1850mm dhe lartësia 2260mm – 2300mm”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Raporti i auditimit pohonte se kjo përbente shkelje të nenit 28 të Ligjit të Prokurimit Publik që ndalon rreptësishtë hartimin e specifikave teknike që favorizojnë ose diskriminojnë një operator ekonomik.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në qershor të vitit 2012 se Policia e Kosovës kundërshtonte konkludimet e auditorëve dhe mbështetej në një vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit që lejonte nënshkrimin e kontratës me fituesin e tenderit  “NTP Friends”.

Zaide Osmani, që figuronte si zyrtare kontaktuese në Njoftimet për Dhënie Kontrate në tenderët që fitohen nga kjo kompani, thoshte se askush nga zyrtarët e kompanisë nuk mundet dhe nuk dëshiron të flasë rreth kësaj çështje.

Kjo kompani ka fituar edhe kontrata tjera publike përfshirë edhe atë për furnizim me armë dhe municion të vitit 2008 që dyshohet të jetë e kundërligjshme.

Armend Selimi dhe Astrit Pira, pronarë të “Friends” përkatësisht “Jolix”, dyshohen se i kanë fryrë çmimet për blerje të armëve dyfish.

Një hulumtim i mëhershëm i kryer nga Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar një rrjet të kompanive të udhëhequra nga apo të lidhura me shitësit e armëve Selimi e Pira, të dyshuar për korrupsion, e të cilët kishin siguruar një varg kontratash nga institucionet Kosovare dhe të BE-së. Për shumë për këtë hulumtim lexoni k

ETIKETA

08 Korrik 2013 - 1:35 am

Petrit Çollaku 08/07/2013 - 1:35 am
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0