'Pokemon Go' Mësyn Kosovën

Nëse keni vënë re një numër njerëzish duke i drejtuar kamerat e celularëve nga ju në rrugë, gjasat janë se nuk mundohen të shkrepin fotografi por të zënë kafshë virtuale për rekreacion.

Vetëm një javë pas plasimit fillestar më 6 korrik, “Pokemon Go”, një lojë për celular me realitet të zgjeruar e zhvilluar nga “Niantic Inc.” dhe publikuar nga “Pokemon Company”, ka fituar sukses tejet të madh.

Ndonëse loja është nxjerrë zyrtarisht vetëm në Europë, Australi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa shtete tjera, ajo ka marrë pëlqimin e njerëzve nga anë e kënd bota.

Më 7 korrik, kjo lojë qe instaluar në më shumë celularë amerikanë Android sesa aplikacioni për takime njohjeje Tinder, dhe është në rrugë të duhur për ta tejkaluar aplikacionin Twitter në Android sa u përket përdoruesve aktivë ditorë.

Edhe pse rrjetet sociale kanë nisur të stërmbushen me pamje të këtyre shtazëve digjitale në parqe, zyra dhe vende sikur Muzeu i Holokaustit në Amerikë, ka ende shumë njerëz që janë të hutuar nga përhapja edhe arritjet e kësaj loje.

Pra, çfarë saktësisht janë “Pokemonët”? Për shumë të rinj, kjo pyetje është dukshëm e tepërt, por për ta kuptuar më mirë zanafillën e lojës duhet të ndalemi pakëz te konceptimi i saj.

Lojërat e para të “Pokemon” janë nxjerrë 20 vjet më parë për konsolën Nintendo Game Boy. Themeluesi i “Pokemon Company”, Satoshi Tajiri, është frymëzuar kryesisht nga qejfi i tij fëmijëror për zënien e brumbujve dhe fulterëzave në periferi të Tokios.

Nga krijimi i saj deri më 6 maj, kjo kompani ka shitur më se 260 milionë kopje lojërash me më se 57.65 miliardë dollarë përfitime të përgjithshme.

Me fjalë të thjeshta, qëllimi i lojës është të “zbutësh” një lloj kafshësh virtuale të quajtur Pokemon (Përbindësh xhepi) në sfera të veçanta dhe për argëtim dhe lavdi t’i bësh të luftojnë me krijesa të tjera të tilla që u takojnë njerëzve tjerë të quajtur Trajnerë.

Edhe pse në botën tonë kjo mund të tingëllojë sikur skllavërohen kafshë të pafajshme dhe detyrohen të luftojnë me njëra-tjetrën për qejfin e njerëzve, në botën e Pokemomëve është plotësisht e lejuar.

“Pokemon Go” ka shumë tipare të lojërave të vjetra të Pokemon, por dallimi kryesor qëndron te përdorimi i GPS për caktimin e vendndodhjes për të krijuar një botë ndërvepruese brenda celularit tuaj.

Në mënyrë që t’i zini Pokemonët, ju duhet të dilni jashtë dhe t’i ndiqni në vende që zbulohen përmes treguesve të ndryshëm në celular. Në qoftë se i afroheni ndonjë krijese të këtillë do të ndizet kamera e celularit me ç’rast do të paraqitet një fotografi lëvizëse e një Pokemoni në sfond real.

Përveç zënies së këtyre krijesave, brenda lojës gjenden pika të shumta ndërvepruese të cilat u përgjigjen objekteve, monumenteve apo godinave të ndryshme që mund t’i merrni përsipër përmes luftës virtuale me njerëz të tjerë (Gym) apo edhe të mblidhni pajisje që mund t’u ndihmojnë gjatë luajtjes së lojës.

Kosova gjithashtu po merr pjesë në stërvitjet kolektive që janë mundësuar në saj të kësaj loje, duke qenë se shumë njerëz kanë përqafuar lojën dhe mënyrën se si luhet.

Pleurat Pula, një prishtinas i cili moderon një grusht grupesh të ndryshme në rrjete sociale, ka themeluar komunitetin e parë të “Pokemon Go” në qytet me miqtë dhe kolegët e tij.

Ai thotë se shumica e anëtarëve fillestarë të këtij komuniteti u njohën me lojën përmes Anime Community of Kosovo – një grup tjetër i përbërë nga afro 1500 admirues të filmave të animuar japonezë.

“Ditët e para ishim vetëm pesë lojtarë, tani kemi më shumë se 300”, tha Pula javën e kaluar. Të dielën, ky numër ishte rritur në 728.

“Ne shpesh lëmë takime në pjesë të ndryshme të qytetit ku edhe takohemi me lojtarë tjerë të rastit, ne shoqërohemi, qeshim dhe kalojmë një kohë të bukur duke diskutuar për çështje që kanë të bëjnë me lojën. Është një revolucion i vërtetë për ata që janë rritur me lojërat e vjetra të Pokemon.

Përveç faktit se “Pokemon Go” sjell me vete nostalgjinë e lojërave të vjetra, Pula thotë se stili i lojës ofron përvojë më gjithëpërfshirëse.

“Zakonisht e luaj lojën herët në mëngjes dhe kam pasur shumë takime të këndshme me njerëz në qytet”, thotë Pula.

“Një ditë kisha marrë përsipër një ‘Gym’ afër shtatores së Zahir Pajazitit dhe u çudita kur pashë dikë tjetër të përpiqet ta marrë nga unë. Ne biseduam dhe bëmë shaka për ca kohë dhe në fund vendosa t’ia lë atë pikë në shenjë respekti. Ishte ora shtatë e mëngjesit,” thotë Pleurati duke qeshur.

Presidenti i Izraelit postoi këtë foto në profilin e tij zyrtar në Facebook me diçiturën “Dikush ta thërret sigurimin”.

Dina, 28 vjeçare, thotë se “Pokemon Go” është një lojë për të cilën vetëm mund të kishte ëndërruar si fëmijë.

“Mendoj se ta kesh mundësinë t’i kapësh Pokemonët rreth e rrotull qytetit është një koncept i mahnitshëm, por nuk kam pasur kohë të luaj aq shumë”, thotë ajo.

Në anën tjetër, lojtarët e qyteteve më të vogla kanë një përvojë shpesh të kufizuar për shkak të numrit të vogël të bashkëlojtarëve dhe mungesës së pikave ndërvepruese.

Imrit Kasapolli nga Peja thotë se mungesa e një komuniteti nuk e ka ndalur së luajturi lojën.

“Jam entuziast i videolojërave dhe Pokemon për aq sa mbaj në mend, dhe përkundër faktit se nuk ka shumë njerëz që luajnë [Pokemon Go] në Pejë për momentin, kënaqem shumë të ‘gjuaj’ për Pokemonë vetë dhe ‘t’i meritoj’ krahasuar stilin e ngadalshëm që ofronin lojërat e vjetra”, thotë Kasapolli. “Qytetit tim do i duhet pak më shumë kohë për ta formuar një komunitet të mirëfilltë”.

Megjithatë, ai është pjekur me disa lojtarë tjerë gjatë gjuetisë së tij virtuale.

“Një herë kam takuar një djalë gjerman dhe një pejan të cilët u mahnitën nga koleksioni im i fortë”, kujton Kasapolli. “Disa njerëz janë ende të hutuar nga kjo lojë, një ditë isha duke e zënë një Pokemon përskaj një xhamie dhe disa pleq më dëbuan duke më thënë se nuk mund ta fotografoj derën e xhamisë. Kurrë nuk e zura atë Pokemonin.

Për fat të mirë, zhvilluesit e lojës kanë krijuar një faqe interneti ku mund të kërkoni të zhvendosen pikat ndërvepruese po qe se janë në vende të papërshtatshme, apo të krijohen nëse nuk gjenden gjëkundi.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lojtarët kanë rastisur në kufoma në hapësira publike dhe kriminelë kanë plaçkitur njerëz gjatë lojës, teksa të tjerë kanë rënë në pellgje të thella gjatë gjuetisë së tyre.

Një kishë në SHBA akuzoi një nga krijesat në fjalë se ishte sodomit (term fetar që përdoret për personat gay, huazuar nga historia biblike e Sodomës dhe Gomorrës), duke bërë postime në rrjete sociale se Pokemoni homoseksual do të digjej në ferr.

Fatmirësisht, në Kosovë ende nuk është shënuar ndonjë incident i shquar.

Ndërsa vala e entuziazmit në botë vazhdon të marrë hov, një gjë është e sigurt: askush më nuk do të ankohet se “fëmijët nuk bëjnë gjimnastikë”. As të rriturit, në fakt.

Kjo është një hartë e pikave ndërvepruese (Gym dhe Pokestop) në Prishtinë.

Hara e Pokemon Go në Prishtinë
Hara e Pokemon Go në Prishtinë