Poeti i Natyrës së Njeriut

Në skandinavi, ai vlerësohet si njëri prej shkrimtarëve më të rëndësishëm dhe më me ndikim pas Luftës së Dytë Botërore.

Ka një fytyrë të dobët dhe me tipare të një intelektuali zemërgjerë, veçori fizike të cilat i ngjajnë fytyrës së Hans Kristian Andersenit dhe të Kierkegardit djaloshar.  

Veprat e Tomas Tranströmer, lindur  më 15 prill 1931 në Stokholm, janë përkthyer në gjashtëdhjetë gjuhë të botës dhe edhe në përkthime poezia e tij nuk humbet kuptim, por vazhdon të jetë e mbushur me metafora dhe me vargje të tejdukshme.  

Ai është një gjeni i çuditshëm, aq sa imazhet dhe karakteret në vargjet e tij dalin vetvetiu dhe pa asnjë mundim. Këto imazhe ngrihen lartë mbi kënetë, pse jo edhe nga thellësia e një pylli të dendur, ashtu si një shatërvan që lind nga një vend i braktisur.  

Poezia suedeze është shumë racionale, dhe si rrjedhojë e hapur, me një propensitet të veçantë ndaj tekave individuale të çdo poeti. E çuditërisht, tek krijimtaria letrare e Transtromerit, vihet re e kundërta. Ai prezanton një tipar të ri në letërsinë nordike në tërësi, poezinë e heshtjes dhe të thellësisë shpirtërore të kombinuara së bashku.  

Ai i shkruan dimrit të gjatë suedez, por edhe ritmit të stinëve tjera dhe ndjenjat e thella emocionale kur ato lënë pas njëra-tjetrën. Dhe në përgjithësi natyrës, teknologjisë dhe marrëdhënies së tyre me njeriun. 

Tek poezia “Zgjimi i njeriut nga një këngë mbi çatinë e tij”, ai shkruan: 

“Rrugët e qeta. Si kasolle e bariut. Dhe në

qiell motori i aeroplanit kaltërosh-gjëmon-

                            Dritarja është e hapur.

Ëndrra e njeriut duke fjetur u zgjat 

bëhet në këtë moment e tejdukshme. Ai kthehet, fillon

të ndjejë me dorë çelësin e koshiencës së tij.-

                                            Pothuajse në hapësirë.”

Në vargjet e tij ka edhe një lidhje tradicionale dhe kohezion konstant mes botës joreale dhe surprizave të mistershme – që nuk veniten asnjëherë.  Tek “Binarët”, ai shkruan:

“Dy e mëngjesit: nën dritën e hënës. treni ka ndaluar

Atje në fushë. Larg nga shkënditë e dritave të qytetit,

Ftohtësisht në horizont dridhet.

Ashtu si njeriu që shkon aq thellë në ëndrrën e tij

Aq sa asnjëherë nuk do kujtoj që ishte atje 

Kur të kthehet përsëri në dhomën e tij”.

Në poemat e tij, ndjehet prania e një thellësie psikike. E këtillë është poema me titull: “Pas një vdekje”, e shkruar gjatë kohës së vdekjes së Presidentit Xhon F. Kenedi. Për koincidencë xhaxhai i autorit kishte vdekur në të njëjtën kohë kur vdiq Kenedi dhe vetë ai ka thënë se të dyja vdekjet janë gërshetuar në këtë poezi.

“Na ishte një herë një përplasje

që la mbrapa një bisht komete

                        të gjatë duke vezulluar.

Ajo na mban brenda, dhe bën figurën e televizorit si dëbora.

ulet në pikat e ftohta nëpër telat e telefonit.

Dikush mund të bëjë ski ngadalë në diellin dimëror

nëpër shkurre ku ende ka gjethe të varura.

Ato i ngjajnë faqeve të grisura nga numeratori telefonik.

Emrat u gëlltitën nga i ftohti.

Është ende këndshëm të ndjesh rrahjet e zemrës

por shpeshherë hija duket më e vërtetë sesa trupi.

Samurai duket i pa përfillshëm

pranë parzmores së tij me luspat e dragoit të zi”.

Shkrimtari nobelist vjen nga një familje prej marinarësh dhe drejtuesish anijesh të cilët kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre rreth ishujve afër Stokholmit, sikur ai. Ky peizazh ekziston edhe në pozitë e tij. 

Tek “Ëndra e Balakirevit, 1905” ai shkruan:  

“Një plazh u shfaq ku destrojeri qëndronte,

I ngrirë si akulli, me drita ndezur, me njerëz në kuvertë.

Karroca rrokullisej tutje mbi akull, rrota rrotullohej, 

Dhe rrotullohej me një tingull të mendafshtë.

Destrojeri i klasit të dytë: ‘Sevastopol’.

Ishte në të. Marinarët u afruan drejt tij.

‘Nëse mund të luani, ju nuk do të vdisni’.

Atëherë ata i treguan një vegël muzikore të çuditshme.

Dukej si një tubo, apo si një fonograf i vjetër,

ndoshta pjesë e një makine të padëgjuar.

I pashpresë dhe i frikësuar, papritur e kuptoi: ai është

mjeti që përdoret për të ndezur anijet luftarake.

U kthye nga marinari që ishte më afër,

ngriti dorën me dëshpërim, dhe tha:

‘Më imito mua, bëje shenjën e kryqit, bëje shenjën!’

Marinari nguli sytë me plotë hidhërim si njeri i verbër,

Hapi krahët jashtë, e lëshoi kokën e tij të bjerë-

ai u var atje si i gozhduar në ajër.

Erdhën daullet, erdhën daullet, Duartrokitje! 

Balakirevi u zgjua nga ëndrra.

Duartrokitjet filluan të gumëzhijnë brenda në sallë”.

Transtromer filloi të shkruante në moshën trembëdhjetë vjeçare. Më 1954 botoi librin e tij të parë “17 Poezi” (“17 Dikter”), të cilat do ta prezantonin autorin në mbarë botën si shkrimtar të afirmuar.  Katër vjet më vonë, botoi librin e tij të dytë me 14 poema: “Hemligheter på vägen” (1958) (“Sekretet Gjatë Rrugës”). Më 1962 botoi librin e tretë me 21 poezi titulluar: “Den halvfärdiga himlen” (1962) (“Parajsa Gjysmë e Përfunduar”). 

Më 1970 boton një libër të ri me titull: “Mörkerseende” (1970) (“Vizioni i mbrëmjes”) dhe më vonë ka botuar dhjetëra libra të tjerë të popullarizuar.