Po Shteron Durimi i KFOR'it

Komandanti i ri i KFOR-it, Erhard Drews, ka thënë se do të preferonte që të arrihet një zgjidhje politike për heqjen e barrikadave të vendosura nga serbët në veri të Kosovës. Por, ai ka tërhequr vërejtjen se KFOR-i nuk do të presë deri në pafundësi, sepse sigurimi i një ambienti të qetë e të sigurt, si dhe liria e lëvizjes është mision i KFOR-it.

Në konferencën e parë për gazetarë, prej marrjes së detyrës, Drews u shpreh se trupat që ai komandon kanë mundësi që t’i heqin të gjitha barrikadat në veri, për një kohë shumë të shkurtër.

“Për ta thënë shumë qartë, kjo situatë me 16 postblloqe, duke i lënë forcat e KFOR-it te portat, nuk është një situatë që ne mund ta durojmë, dhe ne nuk do të durojmë për muaj”, tha gjenerali gjerman.

Ai konsideron se nuk i takon KFOR-it të gjejë një zgjidhje paqësore. “Kjo është çështje e të tjerëve, e pranisë ndërkombëtare civile dhe e ndërmjetësuesve, aktorëve këtu në këtë zonë. Por, kam thënë se unë do të preferoja që të ketë një zgjidhje paqësore “.

Drews ka porositur ata që organizojnë kontrabandën me karburante, dhe ndoshta edhe financimin e veprimeve nëpër barrikada, që të kenë parasysh se nuk mund të llogarisin në durimin e pafund dhe sjelljen paqësore të KFOR-it. “Ata nuk duhet ta sprovojnë durimin tonë, shumë gjatë”.

“Ne rezervojmë të drejtën për të vepruar në çdo kohë. Ne do të bëjmë këtë, në bazë të misionit tonë, sigurimin e një ambienti të qetë e të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes”, ka theksuar Drews.

Ai përsëriti se nuk ishte KFOR-i ai që nxiti dhunë në Jarinjë. “Ne vetëm e mbrojtëm vetveten”.

Komandanti i ri i KFOR-it theksoi se vendosja e postblloqeve nuk është demonstrim paqësor. “Ky është një veprim i paligjshëm. Unë do të doja shumë që postblloqet të largohen, si rezultat i zgjidhjeve politike, para largimit me forcë të tyre. Sepse, duke bërë e këtë, ka gjithmonë rrezik që të lëndohen njerëz, madje shumë dëm në njerëz, njerëz të pafajshëm ndoshta”.

Prandaj, Drews theksoi se do të mirëpriste shumë zgjidhjen paqësore të kësaj çështjeje, që qytetarët atje të heqin vetë pengesat. Por, ka bërë të qartë se KFOR-i rezervon të drejtën e tij për të shkuar në ato postblloqe, të cilat janë të paligjshme, në mënyrë që të përmbushin misionin e tij.