Një plis i bardhë shqiptar | Foto: Atdhe Mulla

Plisi, Tradita Shqiptare që po e Tret Koha

Plisi duhet mbajtur i bardhë dhe kur kjo nuk është e mundur duhet të blihet tjetri. Kështu e fillon tregimin Muharrem Buqolli që mban mbi kokë që 70 vite plisin e bardhë.

80-vjeçari nga Raushiqi i Pejës, thotë për Gazeta Jeta në Kosovë se plisin filloi ta mbajë që kur mbushi 10 vjeç. Por mbajtja e tij nuk është e lehtë dhe kërkon përkujdes të veçantë.

“Kur bëhet pa larë, e lajmë. Kur nuk bën të lahet, duhet me ble tjetrin. Veç gjithmonë duhet me kanë i bardhë,” flet për kujdesin ndaj plisit Buqolli.

Mbulesa tradicionale e kokës ndër shqiptarët është e pranishme ndër shqiptarët në disa rajone të Ballkanit. Pavarësisht dallimeve në formë dhe stil, e përbashkëta e plisit është ngjyra e bardhë.

Dr. Bashkim Lajçi, profesor i etnologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Gazetën JNK se format e plisave apo të qelesheve ndryshonin sipas krahinave.

Ai veçon disa modele kryesore si qeleshet e larta të Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Durrës, Kavajë), qeleshet rrafshake që mbaheshin në Gegëri (Mat, Mirditë, Dibër) dhe qeleshet e rrumbullakëta që mbaheshin në Shqipërinë Veriore dhe në Kosovë dhe shoqëronin kostumin me tirq.

“Duke qenë ndër pjesët më kryesore të veshjes sonë kombëtare dhe simbol i identitetit kombëtar shqiptar, plisi u ruajt me xhelozinë më të madhe nga populli i ynë, që nga kohët e hershme e deri në ditët e sotme”, thotë Lajçi.

Por përdorimi i tij shihet të jetë më i vogël nga viti në vit, siç dëshmon edhe Halil Podrimçaku, një i moshuar tjetër nga Dubova e Pejës, i cili thotë se në lagjen e tij vetëm ai mban plis.

Podrimçaku plisin e vuri në kokë si pesëmbëdhjetëvjeçar dhe thotë se nuk e hoqi edhe kur shkoi jashtë vendit. Baca Halil rrëfen për rastet kur në shtete perëndimore të Evropës shëtiste nëpër sheshe ku frekuentohen nga mijëra njerëz, plisi i tij i bardhë ju kishte rënë në sy evropianëve.

“Edhe kur kam shkuar në Gjermani nuk e kam hequr hiç. Në Zvicër jam kanë edhe nuk e kam hequr hiç. Bile shumë më thoshin e ‘paska gipsin në krye’ [qesh]. Nuk do ta heq nga koka asnjëherë, plisi tregon shumëçka, mbi të gjitha që jam shqiptar”, thotë ai.

Muharrem Buqolli dhe Halil Podrimçaku | Foto: KALLXO.com
Muharrem Buqolli dhe Halil Podrimçaku | Foto: KALLXO.com

Traditë muzeale

Fatmir Lata nga Peja, një qeleshepunues me mbi 40 vjet traditë dhe plisa të panumërt që kanë dalë nga duart e tij, thotë për gJNK se ende ka të interesuar për plisa, por jo si dikur.

“Mund të them që në vitet e mëhershme, 40 ose 50 vjet, është mbajtur më shumë [plisi]. Kanë qenë anëtarë shumë edhe në bashkësi; shembull ka ndodhur që plisin në një shtëpi e kanë mbajtur 10-15 e deri në 20 anëtarë”, thotë Lata.

Megjithëse punimin e plisit e konsideron zeje që po zhduket, ai thotë se ende ka punë.

“Të interesuarit për momentin janë në zhdukje e sipër se shumë vetë nga gjenerata e vjetër që janë duke i mbajtur, ata çdo ditë po vdesin. Të rinjtë janë edhe këta të interesuar, tash sidomos edhe për fëmijë kanë filluar dhe po i blejnë”, shpjegon Lata.

Megjithatë, duket se të rinjtë i blejnë si suvenire apo për t’i vendosur në raste të veçanta, duke qenë se përveç më të moshuarve askush tjetër nuk mban plis në jetën e përditshme.

Plisat, në fakt, po shfaqen gjithmonë e më shumë nëpër stadiume futbolli, krahas flamujve kuqezi dhe thirrjeve nacionaliste, por pas përfundimit të lojës plisat shkojnë dhe flokët shfaqen përsëri… deri në lojën tjetër.

“Janë të interesuar për t’i blerë, për me humb nuk humb, vetëm është në zhdukje e sipër”, rrëfen qeleshepunuesi.

Ai tregon edhe si punohet një plis, duke thënë se është një proces arkaik që kërkon shumë përkushtim.

“Është zeje që punohet me mjete të thjeshta, jo diçka të përsosur. I ka 16 operacione, shkon në mënyrë serike, domethënë një ditë punon dy-tri operacione, një ditë dy-tri”, shpjegon ai.

Lata thotë se pavarësisht metodave përgjithësisht tradicionale, prodhimi në seri është një nevojë e pashmangshme.

“Hyjnë në mënyrë serike 30 ose 50 [plisa] gjatë javës deri te finalizimi. Nuk mundesh posaçërisht vetëm një plis ta punosh sepse ka shumë operacione”, tregon zejtari.

Lata kërkon që kjo zeje të mbrohet nga shteti që të mos humbin vlerat tradicionale të shqiptarëve.

Punimi i plisave | Foto: KALLXO.com
Punimi i plisave në punishten e Fatmir Latës në Pejë | Foto: KALLXO.com

Misteret e plisit

Padyshim që diçka e leshët në kokë tërheq vëmendjen, por pakkush e di historikun pse shqiptari dhe plisi janë prej kohësh të pandarë.

Mbi këto mistere të leshit të bardhë të përpunuar në mënyrë elegante mbi kokën e shqiptarit të sotëm, profesor Lajçi jep shpjegimet dhe parashtron hipotezat përkatëse, ku termat “ilirë” e “pellazgë” nuk kishin si të mungonin.

Ai tregon se përveç termit plis, që ka përdorim të gjerë në Kosovë, përdoret edhe termi qeleshe, sidomos në Shqipëri, pastaj kësulë, qylah, qylaf, kapicë, kapuç, kapelë etj.

“Kur bëhet fjalë për emërtimin ‘Plis’, mendohet se rrjedh nga gjuha e vjetër greke ‘pilos’, që do me thënë kapelë e zbrazët (boshe). Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe fjala plis e ka kuptimin e një cohe jo të endur, por që bëhet me lesh të shkelur (ngjeshur) mirë dhe të larë disa herë me sapun”, shpjegon Lajçi.

Etnologu thotë se në përgjithësi mendohet se kësula e sotme shqiptare, buron drejtpërdrejt nga kësula e ngjashme që e mbanin ilirët, e cila njihet në katër tipe të ndryshme.

Lajçi veçon tipin më të shpeshtë të kapelës me formë të rrumbullakët, “që është paraqitur në monumentin nga Zenica, që në esencë nuk dallohet shumë nga kapela e bardhë e sotme shqiptare ‘qeleshja’”.

Ai citon edhe veprën e studiuesit Dhimitri Pilika, i cili në librin e tij “Pellazgët dhe origjina jonë e mohuar” shkruan edhe për plisin, duke iu referuar me termin “qylaf”.

“Qylafi pranohet njëzëri… si element parahelen. Qysh nga mijëvjeçari i dytë p.e.s. e mbanin të varfëritë, më pas skllevërit, që prej Panonie deri përtej gjirit të Korintit”, shkruan Pilika.

Autori pretendon se prej disa mijëvjeçarësh, “djep i veçantë i qeleshes ‘arbërore’ ka qenë Kaonia (Chaonia), me epiqendër në vendbanimet e stërmoçme të Orikut (Orikos, Oricum) e Tragjasit (Bregas, Dragjat, Tregasaj), sikundër mbetet gjer sot e kësaj dite”.

Disa
Disa plisa në punishten e Fatmir Latës | Foto: KALLXO.com

Lajçi, nga ana tjetër, thotë se vetë mbajtja e plisit kishte domenthënien përkatëse, duke qenë se sipas mënyrës së mbajtjes së tij, njerëzit kanë përcaktuar edhe karakterin e njeriut.

“Kështu, fjala vjen, nëse plisi është i shtyrë pas koke, kah zverku, kjo është shenjë e brengosjes apo e një depresioni shpirtëror”, shpjegon etnologu.

Ndërsa, mbajtja e plisit vetëm mbi njërën vetull, djathtas ose majtas simbolizon se ky njeri është me tipare jo të mira, sipas Lajçit.

“Ndërkaq, mbajtja e plisit të shtrembëruar, të shtyrë mbi ballë, duke i mbuluar të dy vetullat, është shenjë mendjemadhësie, papjekurie e joserioziteti”, vijon ai.

Ky vëzhgim i fundit përkon në fakt edhe me dëshmi të tjera të kohëve të sotme, kur në disa raste qylafmbajtësit që aderojnë te ky stil u shfaqen të tjerëve me shikimin e vëngërt, barkun e nxjerrë përpara, bërrylat anash dhe një cigare apo fije bari ndër dhëmbë.