Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Pësime e Mësime për Brukselin

Kosova nuk trajtohet si e barabartë nga Brukseli, pasi marrëdhënia me Beogradin duket se ka primat për institucionet e BE’së.

Dy zhvillime të fundit, fiaskoja e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë në muajin korrik e pastaj vizita në Beograd e zonjës Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë, në fund të muajit gusht, janë momente të volitshme për të identifikuar lëshimet e BE’së në Kosovë e rajon, por edhe të merren mësime se si duhet të sillet ajo me shtetet e Ballkanit.

NDËRLIDHUR

Në trekëndëshin Kosovë-Bashkim Europian-Serbi, Prishtina nuk trajtohet si e barabartë nga Brukseli. Marrëdhënia me Beogradin duket se ka primat për institucionet e BE’së. Është e vështirë të kuptohet plotësisht se pse blloku i lëshon pe kaq shumë Serbisë, por mund të supozojmë se kjo bëhet nga dëshira që sa më parë të stabilizojë Ballkanin, e pasi Serbia megjithatë, dhe për fat të keq të të gjithë rajonit, vazhdon të sillet si një shtet-rrugaç, Brukseli mendon se duke e afruar sa më afër vetes do ta bindë Serbinë të largohet nga mentaliteti që solli vuajtje e mjerim të gjatë në rajon.

Se Brukseli nuk e trajton Kosovën me të njëjtin seriozitet me të cilin e trajton Serbinë u pa në korrik, kur Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë (CFSP), që ndërmjetëson bisedimet teknike, e pranoi me lehtësi refuzimin e Beogradit që të marrë pjesë në raundin e bisedimeve nga të cilat pritej rezultat konkret në çështjen e mosnjohjes së vulave doganore të Kosovës. Ekuivalenti i Ministrisë së Jashtme të BE’së e injoroi pozitën në të cilën ndodhej Kosova në këtë çështje dhe presionin nën të cilin gjendej Qeveria e saj që të bëjë diçka për të gjetur zgjidhje pas zvarritjes dyvjeçare. Në fakt, edhe vendnumërimi për vulat ishte bërë më së shumti me ‘rekomandimet’ e zyrtarëve të BE’së në Prishtinë, të cilët ishin zotuar se do të gjejnë një zgjidhje në bashkëpunim me Beogradin. Mospërfillja e Kosovës dhe institucioneve të saj nga BE’ja vjen edhe nga EULEX’i kur ky refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë që të ndalojë hyrjen e mallrave nga Serbia edhe në pikat kufitare që ishin në duart e këtij misioni. Për fat të keq, Qeverisë së Kosovës, nuk i ka penguar që të hyjë në bisedime në të cilat është parë qartë se ajo nuk trajtohet si e barabartë me palën tjetër. Madje, edhe pas përzierjes flagrante të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës, siç është kthimi i rendit e ligjit në veri të Kosovës, Prishtina nuk pati guxim që të refuzojë pjesëmarrjen në bisedime në të cilat zëri i saj nuk dëgjohet njësoj si i të tjerëve.

Serbia është treguar shumë e aftë të shfrytëzojë këtë qasje të Brukselit dhe tërë ‘dhuratat’ që i ka marrë prej tij kanë pasur për burim jo reformat ose ndryshimet pozitive që i ka ndërmarrë aq sa nga shkaku se e ka shantazhuar BE’në me destabilizim, kryesisht në veri të Kosovës. Beogradi dukej aq i rehatshëm në këtë ‘lojë’ dhe aq i bindur në suksesin e kësaj strategjie sa që e shihte si punë të kryer marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim deri në fund të këtij viti dhe këtë e kishte promovuar gjërë si synim kryesor për vitin 2011.

Edhe në Bruksel dukeshin të bindur se Serbisë i duhej dhënë edhe kjo dhuratë. Madje edhe Raporti i Progresit për vitin 2011 do të publikohet një muaj më herët se zakonisht, me qëllim që Serbisë t’i jepet kohë që deri në dhjetor të korrigjojë pikat për të cilat do të kritikohet në raport. Dorën në zemër, pasi e bëri këtë cak si më të rëndësishmin për sivjet, Serbia filloi të investojë në të, kryesisht duke arrestuar e dorëzuar të akuzuarit më të kërkuar nga Tribunali i Hagës. Tash Beogradi është në një pikë kur ka investuar më shumë se zakonisht dhe nuk guxon të rrezikojë t’i humbasë këto investime. Kjo, përnjëherë, i jep Brukselit më shumë fuqi mbi Beogradin se sa që ka pasur ndonjëherë më parë.

Por, vizita e kancelares Merkel në Beograd, në fund të muajit gusht, dhe porosia e dhënë në mënyrë shumë eksplicite dhe publike se Serbia duhet të fillojë të jetë konstruktive në raport me Kosovën dhe këtë ta fillojë me tërheqjen e prezencës së saj ilegale këtu, jep një sinjal të ri çfarë nuk është parë të vijë nga Brukseli. Kjo mund të jetë një shenjë që tregon se vendet anëtare të BE’së janë ngopur me ngathtësinë e Brukselit dhe kanë filluar t’i marrin gjërat në duart e tyre. Për më tepër, po spekulohet se fuqitë e mëdha të Europës kontinentale kanë ndarë përsëri sferat e veta të interesit dhe Ballkani i është lënë në dorë Gjermanisë. Kjo sigurisht që do ta bëjë Beogradin të jetë shumë më i kujdesshëm. Gjermania, përveç se ndodhë që të ketë zë më të fuqishëm në Ballkan është njëkohësisht edhe donatori më i madh në Serbi. Prandaj, nuk është e rastësishme që kryetari serb e përmendi mundësinë që, megjithatë, Serbia të mos e marrë statusin e vendit kandidat këtë vit. Investimet që i ka bërë Serbia me disa reforma të brendshme të kërkuara nga BE’ja, me arrestimin e të kërkuarve nga Tribunali i Hagës dhe me prezantimin e një imazhi të një shteti konstruktiv mund të shkojnë dëm. As kërcënimet se radikalët mund të marrin pushtetin në Serbi nëse nuk përkrahen forcat demokratike në vend duket se nuk po pinë ujë. Diplomatë ndërkombëtarë flasin hapur se radikalët në Serbi janë bërë pikë e pesë dhe më nuk paraqesin forcë politike që mund të rrezikojë DS’në dhe partitë e afërta me të.

Raundi i shtatorit i bisedimeve mes Kosovës e Serbisë u përcoll me më shumë pompozitet dhe u prezantua si i suksesshëm nga të gjitha palët. U përmend edhe e arritura e parë konkrete, marrëveshja rreth vulave të Doganave të Kosovës. Mbetet të shihet se a do ta zbatojnë qeveritë e dy vendeve këtë vendim. Nëse jo, Brukseli së paku e di se me çfarë fjalori duhet të flasë. Kosova dhe Serbia i kanë dhënë aq shumë peshë integrimit të vendit në BE sa që largimi nga premtimi për të çuar vendin në këtë klub do të ishte shumë i rrezikshëm politikisht për udhëheqësit politikë. Brukseli kur nuk ka qenë në pozitë më të mirë që të tregojë se mund të ketë politikë të jashtme të suksesshme.

ETIKETA

28 Shtator 2011 - 10:19

28/09/2011 - 10:19
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

Pësime e Mësime për Brukselin

by Gazeta JNK
NA NDIQNI