Përurohet Qendra e Re Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut (TV)

Në objektin e QKUK-së, në ish-ndërtesën e pediatrisë, u inaugurua objekti i ri i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, objekt ky i cili për dallim prej atij të vjetrit do të ketë hapësirën e domosdoshme për gjithë stafin dhe për funksionalitet sa më të lartë.

Ky objekt i ri trekatësh, i rinovuar enkas për këtë qendër, do fillojë funksionalizimin e tij posa të bëhet transferimi i preparateve të ndryshme prej objektit të vjetër. Një gjë e tillë pritet të ndodhë brenda dy javëve të ardhshme.

“Në ditët në vijim i tërë stafi dhe pajisjet laboratorike do të transferohen sipas një plani operativ, ashtu që transfuzioni në asnjë moment nuk do të ndikojë në shërbimet që institucioni ynë i ofron”, tha drejtori i kësaj qendre Hysen Sadriu. 

Pas prerje së shiritit, Sadriu njoftoi ministrin Agani për strukturën e ndërtesës, duke përshkruar ambientin.

“Urime për inaugurimin e këtij objekti tejet më rëndësi për shëndetësinë kosovare, hap konkret në përmirësimin e kushteve të punës dhe drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësive të shërbimeve në këtë lëmi tejet të ndjeshme për qytetarët e vendit”, tha ministri Agani para stafit mjekësor.
 
Agani tha se procesi i ardhshëm është akreditimi i kësaj qendreje nga Parlamenti i BE-së, si dëshmi e inovacionit të mjekësisë në Kosovë.

Drejtori i kësaj qendreje theksoi se ky objekt përveç që është meritë e Ministrisë së Shëndetësisë, po ashtu është edhe rezultat i dashamirësisë së dhuruesve vullnetarë të gjakut.

“Viti 2013 mund të konsiderohet si viti më i suksesshëm i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Në këtë vit kemi pasur numrin më të madh të dhurimeve të gjakut, posaçërisht të dhuruesve vullnetarë”, tha Sadriu.

Ndërkaq ministri Agani tha se themelimi i një qendreje të tillë është parakusht për avancimin e mjekësisë kosovare në përputhje me atë të BE-së.

“Pa gjak të sigurt, pa transfuzion të sigurt, pa sigurimin e elementeve përbërëse të gjakut për nevojat e qytetarëve të vendit në cilësinë më të lartë, nuk ka mjekësi bashkëkohore”, tha Agani.

Sipas Ministrisë se Shëndetësisë, renovimi i kësaj qendreje ka filluar vitin e kaluar dhe ka kushtuar rreth 500 mijë euro.