Përtej Reve të Zymta të Linjitit

Është një e ardhme e pastër dhe sigurt - e gjelbër. Për këtë shembulli më i mirë janë ndërmarrësit e rinj të Ballkanit të cilët po bëjnë që të ndryshojë vizioni dominues për energjinë në Kosovë dhe rajon.

Është brengosës fakti që për të jetuar në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, qytetin më të ndotur në Europë, duhet ta pranosh rrezikun e sëmurjes nga ajri i keq që thithim vetëm e vetëm që të kemi energji elektrike të prodhuar nga qymyri më i ndytë që ekziston, linjiti.

NDËRLIDHUR

Një pjesë e konsiderueshme e botës ka filluar ta trajtojë qymyrin/linjitin si lëndë djegëse që i takon të së kaluarës. Në anën tjetër, përdorimi i qymyrit të tillë në Kosovë do të ishte i kuptueshëm dhe i justifikueshëm sikur të bënim përpjekje të ulim përdorimin e tij duke ndërtuar shtëpi ose ndërtesa që janë efiçiente në përdorimin e energjisë, sikur t’i ndërtonim ndërtesat e reja me teknologjinë më të re, sikur të përdornim burime të energjisë së ripërtërishme dhe sikur, si një vend i vogël që jemi, të integrohemi ashtu siç duhet në rrjetet rajonale dhe europiane të energjisë. Por, duke pasur parasysh që asnjë nga këto opsione nuk po ndiqet, perspektiva ime ndaj kësaj çështjeje ka qenë krejtësisht e zymtë dhe e hirët, njësoj si valët e pluhurit nga dy termocentralet e  linjitit që ndodhen vetëm 15 km nga qendra e Prishtinës, ku jetoj, dhe më përshëndesin çdo mëngjes.

Megjithatë, javët e fundit, kam parë tri gjëra që më kanë dhënë shpresë se debati lidhur me dobitë që vijnë nga energjia e pastër po lëviz drejt pikës së kthimit në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkan.

E para, e përmuajshmja Wind Power raporton se në të ardhmen e afërt Kosova do të bëhet prodhuese e energjisë nga era, pasi projekti me turbina ere Siemens prej 45MW në fshatin Zatriq hyn në fazën e ndërtimit vitin e ardhshëm.

Në Kosovën e obsesionuar pas qymyrit, ku liderët e saj qe dhjetë vjet kanë hyrë në një garë qorre për të ndërtuar termocentralin e tretë me linjit – pavarësisht indikatorëve që tregojnë se nuk ka ujë të mjaftueshëm për funksionimin e këtij termocentrali, dhe se nisa do të ishte katastrofale për ambientin, ekonomikisht e paqëndrueshme, e padrejtë nga aspekti shoqëror për shkak të zhvendosjes së njerëzve që do të duhej të bëhej në vendin ku do të ndërtohet – po dëshmohet se energjia e ripërtërishme nuk është luks për një vend të varfër sikur jemi mësuar të dëgjojmë.

Lajmi i dytë që më mbushi me optimizëm është pjesëmarrja ime si vëzhguese për dy ditë radhazi në fund të muajit korrik, në një garë të pazakontë mes ish armiqve: shqiptarë, serbë, maqedonas dhe malazezë.

Ishte kjo Gara për Idenë e Gjelbër më të mirë (gara ambientale), ku ekipet rajonale argumentonin  para një jurie ndërkombëtare, kësaj radhe jo për atë se kujt i takon cili territor ose kush ka vuajtur më shumë në luftë, por se kush kishte idenë më inovative ambientale që do të fitonte një grant prej 10 mijë dollarëve amerikanë.

U entuziazmova nga idetë inovative që erdhën nga ekipet kosovare: Arta Ponosheci e cila prezantoi dhuratat e bëra nga materiali i ricikluar; Arlind Gjikolli i cili ka shpikur një metodë për ruajtjen e letrës që zëvendëson kartat e biznesit; Anila Mirdita, nga dyqani BioNatural i bio produkteve vendore, e cila kultivon shafran, grami i të cilit shitet për 9 euro në tregjet ndërkombëtare. Nëse një gram kushton sa 7-8 litra benzinë, kjo ka potencial ta bëjë Kosovën Lindjen e Mesme të Europës.

Pse nuk e kuptojnë këtë matematikë të thjeshtë ata të cilëve u është ngulitur në kokë ideja e djegies së qymyrit që kontribuon në shkatërrimin e mëtejshëm të tokave ku mund të kultivohej  shafrani apo produktet tjera bujqësore? Ku është interesi në shkatërrimin e pakthyeshëm të tokës dhe biodiversitetit të saj, ndotjes së ujit dhe ajrit dhe ndërtimin e një termocentrali monstruoz që do të merr frymë mbi kokat e kosovarëve për 40 deri në 60 vitet e ardhshme?

Vendimtar ishte frymëzimi që mora nga fituesit e garës: Pezana Rexha, 28 vjeçe, arkitekte e lindur në Tiranë, e cila mund të mobilojë një shtëpi të madhe (krevat, banjo, tavolinë, kanape, drita etj.) me jo më shumë se 2 mijë euro me orendi të bëra vetëm nga materiali i ricikluar; Josip Grabaroviq, nga Novi Sadi, i cili mund të bëjë akullore dhe kokoshka në dyqan ambulant (lëvizës) përmes energjisë solare dhe Anica Simoviq, nga Vranja, nënë e tre fëmijëve, e cila thanë frutat e pemëve të saj përmes një makine që punon me energji diellore të cilën e ka shpikur vetë.

Sipërmarrësit e rinj nga Ballkani me ide ambientaliste po e marrin seriozisht energjinë e ripërtërishme. Shumica prej tyre tash e disa vite udhëheqin biznese ‘të gjelbra’, jo për shkak të garës por për shkak se kjo qartazi paraqet një opsion biznesi ekonomikisht të realizueshëm. Prandaj, që të tre fituesit e grantit do ta shfrytëzojnë atë për të forcuar edhe më tej biznesin e tyre para se të fillojnë çdo gjë nga e para.

E fundit, por jo nga rëndësia,është pozicioni shpresëdhënës i Planit të Veprimit mbi Ndryshimet Klimatike të Presidentit Barak Obama, i lansuar në fund të qershorit, ku ai bën thirrje për t’i dhënë fund financimit publik amerikan jashtë vendit për ndërtimin e termocentraleve që punojnë me thëngjill.

Javën e kaluar, një koalicion prej 10 organizatash nga shoqëria civile kosovare (një prej të cilave është edhe BIRN Kosova) i shkroi John Kerry-it, Sekretarit Amerikan të Shtetit, duke i kërkuar që SHBA të praktikojë politikën vendore edhe ne vendet tjera: pra të ndalojë ndërtimin e termocentralit të ri me linjit në Kosovë të mbështetur nga Banka Botërore dhe Shtetet e Bashkuara dhe të investojë në kapacitete të qëndrueshme e afatgjata të energjisë së ripërtërishme. Kjo është Kosova europiane që e duam ne.

Siç njoftoi Reuters në letrën e KOSID-it thuhet: “Linjiti është forma më e ndytë e qymyrit prandaj vazhdimi i këtij projekti do të mohonte premtimin e Planit të Veprimit për Ndryshime Klimatike. Miliona dollarë të taksapaguesve amerikanë janë shpenzuar në këtë projekt, i cili nuk do të përfshijë  teknologjinë më të mirë në dispozicion për kufizimin e ndotjes dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

“Në të njëjtën kohë projekti do të rrisë ndjeshëm koston e jetesës për qytetarët e zakontë, që do të thotë se ne do paguajmë më shumë për shëndetin tonë dhe faturat e energjisë. Studimi i Universitetit të Kalifornisë, Berkeley, tregon se Kosova ka alternativa për qymyr prandaj ne kërkojmë nga ju që të shfrytëzoni udhëheqjen tuaj për ndryshimet klimatike për të ndaluar këtë projekt dhe në vend të tij të gjenden alternativa që mbështesin energjinë efiçiente në Kosovë dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë”.

Bisedimet në prapavijë që po zhvillohen në Kosovë tregojnë se disa investitorë të cilët mbështetnin ndërtimin e këtij termocentrali po tërhiqen. Kjo, si duket, po ndodh për shkak se kushti për të ndërtuar një termocentral me standardin e “teknologjisë më të mirë në dispozicion”, e bën ndërtimin e tij shumë të shtrenjtë dhe ekonomikisht të padobishëm.

Në anën tjetër, investitorë tjerë, po përpiqen të na detyrojnë t’i ulim këto standarde duke thënë se Kosova nuk është aq e sofistikuar sa për të ndërtuar një termocentral me pesë yje.

Se cili opsion do të fitojë është çështje e një beteje të ngushtë që është zhvilluar gjatë tri viteve të fundit. Në këtë luftë, pa dyshim opsioni më i mirë do të ishte ndërtimi i sa më shumë projekteve të tilla si ai i turbinave me erë në fshatin Zatriq duke shtuar kështu energji tjetër kapaciteteve ekzistuese, si dhe diversifikimi dhe decentralizimi i sektorit të energjisë.

Kjo duhet të bëhet në kombinim me një fushatë të efiçiencës së energjisë që do t’i jepte fund humbjes së tanishme të diku 40 për qind të energjisë së prodhuar në Kosovë.

Turbinat me erë nuk janë të dobishme vetëm për shëndetin. Raporti i Profesor Daniel Kammen nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley, ka treguar se investimet në projekte ku ka emetim të ulët të karbonit mund të krijojnë rreth 30 mijë vende të reja pune për kosovarët, për dallim nga 500 vende të reja pune që pritet të sjellë ndërtimi i termocentralit të ri. Kjo gjithashtu do të shpëtonte jetën e 1700 personave që vdesin si pasojë direkte ose indirekte e ndotjes dhe do të krijonte një mjedis të shëndetshëm për fëmijët tanë, fëmijët e tyre dhe brezat që do të vijnë në të ardhmen.

Ndoshta institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore, USAID dhe BE-ja, si dhe qeveria e Kosovës, të cilat duket se shohin ndërtimin e termocentralit të ri me linjit si të vetmen alternativë të mundshme, duhet të marrin mësim nga ndërmarrësit e rinj të Ballkanit dhe të ndryshojë vizionin e tyre për të ardhmen e energjisë në Kosovë dhe rajon.

Ndoshta vetëm atëherë vizioni i tyre ekonomik, social dhe mjedisor për Kosovën, do të mund të paramendonte, ashtu si pikëvështrimi im, përmes resë së zymtë e të hirtë që përvijohet mbi vendin tonë, një të ardhme të pastër dhe të sigurt. Ashtu-kështu, e gjelbra gjithmonë më është dukur ngjyrë më e mirë se ajo e hirit.

26 Gusht 2013 - 10:37

Jeta Xharra 26/08/2013 - 10:37
NDËRVEPRIMI0

Përtej Reve të Zymta të Linjitit

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend