Përkrahësi i Nismës Mbetet Drejtor Përkundër Akuzave

Blerim Begaj, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Malishevë, është duke ushtruar këtë detyrë, edhe pse ndaj tij është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Gjakovës dhe është duke u mbajtur shqyrtimi gjyqësor.
Por bashkëvendësi i tij nga fshati Banjë e Pejës, kryetari i Komunës Ragip Begaj, thotë se nuk është i informuar zyrtarisht nëse ndaj Blerim Begajt ka aktakuzë të ngritur.

Blerim Begaj përveç që është i të njëjtit fshat me kryetarin e komunës, është edhe përkrahës i subjektit politik Nisma për Kosovën të cilët i përket edhe Ragip Begaj.

Kur Fatmir Limaj që udhëheq këtë subjekt politik kishte vizituar Malishevën më 24 shtator të vitit 2013 dhe kishte mbajtur miting për zgjedhjet lokale, kishte përkrah Blerim Begajn.

Ai shihet afër krahut të djathtë të Limajt, derisa lideri përshëndeste simpatizantët e Nismës të  tubuar atë ditë për ta dëgjuar liderin e tyre.

Blerim Begaj akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës, se me datën 01.03.2012 në cilësinë e drejtorit të QPS-së dhe Bali Krasniqi zyrtar i kësajqendre, duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare, me qëllim për përfitim tëkundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, nga një qytetar nga Ferizaj kanë kërkuar fillimisht shumën prej 1000 eurove, kur ta adoptojë fëmijën dhe shumën prej 10 000 eurove kur të kryhen procedurat.

Ai ishte suspenduar nga pozita e drejtorit të QPS-së në Malishevë me 10  janar 2013, nga ish-kryetari Hysni Kilaj (PDK), pasi ishte informuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për skandalin që kishte ndodhur në këtë Qendër me çështjen e adoptimit.

Por me ardhjen në krye të Malishevës, Ragip Begaj, e kthen në punë Blerim Begajn, me arsyetimin se për këtë e obligon një vendim i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Katër muaj pas kthimit në vendin e tij të punës, Blerim Begaj arrestohet me 23 prill 2014 nga Policia e Krimeve Ekonomike. Ai  u ndalua për 48 orë në polici, pastaj iu caktuan 30 ditë arrest shtëpiak.

Pas përfundimit të arrestit shtëpiak, i njëjti u kthye në vendin e punës, nga i cili ishte arrestuar, për keqpërdorim të detyrës zyrtare  dhe marrje të ryshfetit.
Gazeta Jeta në Kosovë  ka kontaktuar  Blerim Begajn, i cili akuzohet për dy vepra penale -keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje e ryshfetit.

Ai tha se e pret vendimin e gjykatës dhe beson se do të shpallet i pafajshëm.
 “Unë jam në gjykim dhe do të  pres vendimin e gjykatës, në të cilin besoj shumë se do të dal i pafajshëm dhe pastaj do të përgjigjem për gjithçka” tha Blerim Begaj.

Ndërkohë i akuzuari tjetër Bali Krasniqi i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka pranuar të komentojë lidhur me kthimin e tij në punë,.

Nëse të akuzuarit gjenden fajtorë për veprën e parë- keqpërdorim i pozitës zyrtare- mund të dënohen prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.
Po ashtu dënimi i njëjtë prej 6 muajve deri në 5 vjet burg  vlen edhe për veprën penale-marrje ryshfeti.

Arsyetimi i kryetarit Begaj nuk bind opozitën

Kryetari Begaj e ka një arsyetim përse e ka kthyer në punë.

 “Zyrtarisht nuk jam i njoftuar. Nuk kam marrë asnjë gjë me shkrim. Unë pres derisa të finalizohet kjo çështje dhe nëse ata kanë përgjegjësi për punën që kryejnë, sigurisht që do të përgjigjen para drejtësisë dhe çdo vendim që vjen unë do ta zbatoj”, thotë kryetari Begaj.

Ai thotë, se nuk ka lidhje familjare me Blerim Begajn, përpos mbiemrit dhe të qenit nga i njëjti fshat-Banja e Malishevës.

 “Po unë kur e kam marrë detyrën e kryetarit të komunës, fillimisht e kam pasë një vendim para vetit të

Këshillit Pavarur Mbikëqyrës dhe vetëm e kam zbatuar këtë vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për me kthye në punë Blerim Begajn dhe Bali Krasniqin. Vetëm e kam zbatuar atë vendim dhe asgjë tjetër”, thotë kryetari Begaj.

Por, kjo përgjigje e kryetarit Begaj, nuk ia mbush mendjen opozitës, ata thonë, se arsyet e kthimit të Blerim Begaj në pozitën e drejtorit, nuk janë të zbatimit të një vendimi, por janë arsye politike.

Ahmet Rrahmani, asamblist i PDK-së, më 26 nëntor të këtij viti e kishte ngritur këtë çështje në asamblenë komunale, duke kërkuar sqarim nga kryetari Ragip Begaj, pse po e mban një drejtor me akuzë të ngritur, por nuk kishte marrë përgjigje.

“Bëhet fjalë për një aktakuzë që është bukur e rëndë mendoj, në kuptimin që ka të bëjë me çështje të adoptimit të fëmijëve. Në atë aktakuzë nga dëshmitaret flitet  për marrje ryshfeti në një shumë 1000 euro e cila është dhënë dhe për kërkesën e shumave tjera deri në 10 000 euro. Kjo nuk u bën nder as qytetarëve të komunës tonë, e më së paku do t’i bëjë vetë kryetarit dhe qeverisjes komunale të Malishevës”

Po ashtu edhe Muhamet Bytyqi nga Lëvizja “Vetëvendosje”, thotë se Blerim Begaj nuk është dashur të kthehet në punë.

 “Është dashur me u prit vendimi i gjykatës”, thotë ai.
Bytyqi thotë se ka edhe shumë vendime tjera të njëjta por nuk po i zbaton kryetari Begaj, pasi i njëjti është selektiv dhe punon me preferenca të caktuara.

 “Kryetari Begaj ka qenë shumë subjektiv në rastin konkret, për shkak se është nga i njëjti vendbanim dhe punon me preferenca të caktuara dhe për ata edhe e ka kthyer në punë, ka edhe vendime tjera, por kryetari Begaj është kryetar  selektiv, domethënë vetëm nëse është në interesin e tyre i kthen në punë”, thotë Bytyqi.

Edhe raporti për vitin 2013 i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil tregon se Komuna e Malishevës nuk ishte treguar efikase në dy vendime të këtij mekanizimi. Një nuk e kishte zbatuar dhe për një rast tjetër nuk i kishte kthyer përgjigje këtij institucioni se a janë marrë masa apo jo.

Po ashtu autoritetet komunale edhe në vitin 2014 nuk janë treguar efikase në zbatimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Miran Zeneli, drejtor ekzekutiv i KPMSHCK-së, ka deklaruar se gjatë vitit 2014 në këshill janë dërguar njëzet e tri ankesa nga nga ana e shërbyesve civil te cilët janë te punësuar ose kane aplikuar për punësim  ne organet e Komunës se Malishevës.

 “Janë aprovuar  dhjete (10) ankesa ,ndërsa nuk është  ekzekutuar asnjë vendim aprovues i këshillit  nga ana e personave përgjegjës te Komunës se Malishevës”, ka thënë Zeneli.

Ndërkaq autoritetet komunale kanë zbatuar katër vendimi të këtij të Këshillit.
“Për (4)katër ankesa Këshilli ka nxjerre vendime te ndërmjetëm duke e obliguar KZKA qe ti rishqyrtohen edhe një here  vendimet e këtij komisioni,çka edhe është përmbushur ky obligim nga ana e Komisionit ne fjale”, ka thënë Zeneli.