Përjetimi i Historisë Duke e Zbuluar Atë

Edi Shukriu shpreh dashurinë e saj për Prishtinën duke e restauruar atë shpirtërisht dhe duke shërbyer si kuratore e saj. Shukriu 63-vjeçare është shkrimtare dhe arkeologe dhe e vetmja femër anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. 

Edhe pse e lindur në Prizren ajo ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj në Prishtinë. 

Shukriu është një grua fjalëpakë, mes tjerash mbase edhe për faktin se është e zënë duke kuvendu me vetveten derisa pi duhan. Zërin e ka të thellë dhe paksa të shterur – tingëllon thuajse është duke ta zbuluar ndonjë sekret edhe kur thjesht ju ofron kafe në zyrën e saj. 

Gjatë të 90-tave të trazuara, Shukriu u shqua si aktiviste e lëvizjes paqësore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). 

Shukriu ishte e martuar me disidentin nacionalist shqiptar  Ukshin Hotin, i cili u zhduk në vitin 1999 pasi që kishte kaluar 17 vjet nëpër burgje në Serbi për shkak të veprimtarisë politike të tij. Ata kishin bashkë një vajzë, Erletën, e cila gjithashtu së fundmi u bë aktiviste politike. 

Tani, Shukriu është profesoreshë e arkeologjisë në Universitetin e Prishtinës, ku nuk resht së parashtruari pyetje provokuese studentëve të saj.

Aktualisht, ajo është duke e studiuar “Hyjneshën në Fron”, statujën parailire simbol të Prishtinës. Studentët e saj i pyet nëse mendojnë se kjo statujë përfaqëson një burrë apo një grua. 

Është fare e natyrshme që vendi më i dashur i Shukriut të jetë një vend i ndërlidhur me arkeologjinë. 

“Vendi që më me dëshirë e vizitoj në Prishtinë është lokacioni i mbetjeve të banjave termale që gjendet brenda godinës së Kuvendit të Kosovës, konkretisht në pjesën e pasme të tij pranë parkingut dhe shtojcës së ndërtuar rishtas”, thotë Shukriu. “Ç’është e vërteta kurrë nuk ka ekzistuar ndonjë iniciativë për ta vënë këtë lokacion në dispozicion të publikut dhe për t’i lejuar këtij të fundit qasjen në të.”

Shukriu thotë se asnjë qeveri nuk ka bërë gjë për t’i ruajtur këto banja, madje as gjatë shtatëdhjetave dhe tetëdhjetave kur Kosova ishte në situatë më të mirë ekonomike. 

“Qeveria jugosllave kurrë nuk ka investuar shumë në arkeologji, e as tani nuk po bëjmë investime të tilla – ne kurrë nuk kemi pasur fonde për të kryer gërmimet e duhura në këtë lokacion”, shton ajo. 

Vendi i dytë më i dashur për të në Prishtinë është parku arkeologjik përballë Muzeut Kombëtar. 

“Ky park arkeologjik është mjaft modest, por kur e vizitoj atë dhe i shoh disa prej gurëve të vjetër me figura që flasin për rituale të ndryshme që janë zhvilluar mbi ta… kjo më qetëson tërësisht, më bën të harroj rrëmujën e Prishtinës jashtë atyre mureve. Ju sugjeroj që ta vizitoni vendin për të parë gurin me familjen gjashtëanëtarëshe.”

Vendi i tretë më i dashur për Shukriun është Ulpiana që ndodhet pranë Graçanicës, rreth 10 kilometra nga Prishtina. Ky lokacion mund të jetë lokacioni më premtues arkeologjik në vend, edhe pse gërmimet adekuate kanë filluar relativisht vonë. 

Në muret e zyrës së saj Shukriu ka të vendosura modele të kopshteve labirint që ekzistojnë nëpër botë, e të cilat ajo beson se kryetari i Prishtinës do duhej t’i ndërtojë në Prishtinë. 

“Kopshtet labirint njihen si vende që qetësojnë njerëzit – ju mund t’i sillni në to fëmijët, t’i leni ata në fushë të lojërave, të shkoni për një shëtitje nëpër kopsht dhe të humbeni për një moment – thjesht për t’u kthyer pas ca çastesh dhe për të parë se bota ende gjendet aty ku e keni lënë. Ne reagojmë ndryshe ndaj humbjes në labirinte – unë besoj në fuqinë shpirtërore të vendeve të tilla dhe nuk do të thotë se vetëm vendet historike duhet të ofrojnë energji të tillë. Në fakt ne do duhej të krijojmë në qytetin tonë vende ku mund të shkojmë dhe të reflektojmë mbi jetët tona”. thotë Shukriu.