Përjashtim dhe Varfëri

“Magjup”, “rom”, ”ashkali”, “egjiptas”, ‘RAE’… sasia e emrave tregon në vetvete konfuzion për këto komunitete në Kosovë. Disa e kanë gjuhën rome si gjuhën amtare dhe disa flasin gjuhën serbe në shtëpi, mirëpo shumica e kanë gjuhën shqipe si gjuhë amtare. 

Disa janë myslimanë, disa të krishterë ortodoksë…Ndoshta duken të ngjashëm për të huaj, por një egjiptas (emri që thuhet ka dalë prej rrugës së tyre në migrim në Evropë përmes Egjiptit para 500 vjetësh) më tregoi që e vetmja gjë që të tre komunitetet kanë të përbashkët është varfëria dhe përjashtimi prej shoqërisë. 

Është e vërtetë që statistikat janë tronditëse – hulumtimi i bërë në vitin 2009 prej KFOS-it ka gjetur që 16% të anëtarëve të komuniteteve nuk kanë dokumente civile, 20% kanë të ardhurat mujore familjare prej më pak se pesëdhjetë dollarë dhe 93% thanë që të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë për nevojat për ushqim. 96% e tyre nuk kanë përfunduar shkollimin e obligueshëm.

Prandaj, a kanë pritur anëtarët e këtyre komuniteteve që zgjedhjet do ta ndryshojnë gjendjen e tyre?

Duke folur me romë, ashkalinj dhe egjiptianë, prej Fushë-Kosovës (komuna me më shumë ashkalinj në krejt Kosovën), Skenderaj dhe Prizren, edhe pse ka pasur interesim për zgjedhje, më është dukur që priten shumë pak ndryshime prej tyre. Si parodi e fushatave më të këqija prej partive kryesore, fushatat e dy partive rome, dy ashkalinje dhe dy egjiptase me të cilat kam biseduar janë fokusuar kryesisht në parulla të pasofistikuara.

Një kandidat – Idriz Murtezi nga Partia Liberale e Egjiptianëve ka folur për rëndësinë e arsimit, por në shumicën e rasteve debatet që kam pasur qoftë me kandidatë, qoftë me votues janë fokusuar në krizën ekzistenciale për tri shkronja që përbëjnë akronimin “RAE” që shpesh përdoret për këto komunitete.

Akronimi është urrejtur universalisht prej anëtarëve të të tri komuniteteve dhe në Fushë Kosovë mund t’i shohësh përpjekjet për ta fshirë prej tabelave kur është përdorur prej donatorëve për kursimin e hapësirës dhe energjisë. Ndoshta të gjithë ne do të ishim ndjerë të ngjashëm, nëse etnia jonë do të ishte reduktuar në një shkronjë të vetme dhe do të shfaqej  e bashkuar me dyetni  të tjera me të cilat ndihemi që kemi shumë pak gjëra të përbashkëta.

Megjithatë, në këto zgjedhje një temë shumë e diskutuar është nëse këto shkronja duhen të riorganizohen. Regjistrimi i popullsisë më 2011 (me përjashtim të tri komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës) ka treguar se në Kosovë jetojnë më shumë sesa 15,000 ashkalinj, më shumë sesa 11,000 egjiptianë dhe gati 9,000 romë.

Pretendohet që anketat e fundit prej OJQ-ve për popullatën e Kosovës tregojnë numra më të lartë dhe që nëse ashkalinjtë dhe egjiptianët shihen si një grup do të ishin grupi më i madh pas shqiptarëve – më shumë sesa 27,533  boshnjakë që kanë dalë prej regjistrimit të popullsisë. 

Çështja është me rëndësi për ta sepse komunitetet thonë se janë ndarë vetëm për arsye të politikës mbas luftës dhe që dallimet mes tyre shihen vetëm në kohën e zgjedhjeve. Dallimet janë të dobishme për komunitet shumicë dhe politikanët e komuniteteve pakicë (për të cilët janë rezervuar në Kuvend gjithsej katër vende – një për një parti rome, një për një parti ashkalinje, një për një parti egjiptiane dhe një për cilëndo prej të trijave që fiton më shumë vota).  

Mirëpo, anëtarët e komuniteteve mendojnë që kjo nuk u ka sjellë levërdi. Një 16 vjeçare egjiptiane me të cilën kam folur ka thënë me mërzi se “kushtetuta na ndan”.

Fikret Berisha ashkali thotë që mendon se ashkalinjtë dhe egjiptasit duhet të jenë së bashku, “janë një popull mirëpo ka interesa… të gjithë duan me vjedhë më shumë sesa të tjerët”. Një i ri prej Skenderajt ka përsëritur mendimin e Fikretit – “është vetëm politika që na ndan”. Kur e kam pyetur a është ashkali apo egjiptas ai thotë, “jam shkruar si ashkali, por nëse të bashkohemi nuk ka lidhje – kryesorja është të përparojmë. Kisha votuar të bashkohemi. Nuk duhen të fokusohen në politikë, por në zhdukjen e varfërisë për popullin tonë, atëherë e kishin meritue votën time”.

Analistë të tjerë siç është Muharrem Asllani një egjiptas që ka diplomuar në politikë, dhe gjithashtu një aktivist i shoqërisë civile thotë se “komunitetet nuk kërkojnë nga institucionet lëmoshë ose masa shtesë afirmative, por kërkojmë që ligji të jetë i zbatueshëm për të gjithë njëjtë dhe mos të ketë favorizime për ndonjë prej komuniteteve pakicë ne Kosovë. Një diskriminim i rëndë tash është duke i ndodhur komunitetit egjiptian pasi që ata nuk janë të përfaqësuar në mediume publike si RTK-ja, edhe pse kjo është e garantuar me kushtetutë dhe statut të RTK-së”. 

Ai thotë që nëse komunitetet ashkalinj dhe egjiptas duan të luajnë një rol më të fuqishëm me përfaqësim më të mirë në kuvend, duhen të bashkohen si një komunitet “siç kemi qenë me shekuj më parë”.

Jeton Jashari, kandidat për Partinë e Re Rome të Kosovës (KNRP) citon diskriminim e ngjashëm si çështje më e madhe me të cilën përballen anëtarët e komuniteteve. Thotë që 10% e të punësuarve në komunën e tij duhet të jenë romë, por pozitat shkojnë për të tjerët.

Për partitë kryesore shqiptare, fushata për këto zgjedhje duket që ka ndryshuar prej debatit që përpara është veçuar me të njëjtën çështje rreth identitet dhe përfaqësimit: kush mund ta sjellë pavarësinë? Kush e ka sjellë pavarësinë? Kush mund të sjellë njohje? Në një shtet me ekonomi me kaq shumë probleme, është kënaqësi të shihet që debati po ndryshon për krijimin e vendeve të punës, pensionet, rrogat për punonjësit civilë. 

Por te votuesit më të varfër, më pak të arsimuar dhe më të përjashtuar duket që fushata ende nuk ka arritur këtë frymë të re dhe ka rrezik që nuk do të këtë ndryshim prej zgjedhjeve për ata që kanë nevojë për ndryshim më së shumti.

Elizabeth Gowing është bashkëthemeluesja e “The Ideas Partnership”, një OJQ kosovare që shfrytëzon fuqinë e vullnetarëve me luftue sfida në edukim, trashëgimi kulturore dhe mjedis. Gjithashtu është autorja e “Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo” (Signal Books, 2011) dhe “Edith and I; on the trail of an Edwardian traveler in Kosovo” (2013) – www.edith-and-i.com – për Edith Durham. Mund të kontaktohet në [email protected]